Për historinë diskutohet në nivele të ndryshme, nga popullor deri akademik, por ç’është përjetuar në nivel masiv, duhet të zërë vend në atë që do të rezultojë historia përfundimtare, e cila bashkë me faktet duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve: Ka qenë e kënaqur shumica nga sistemi? Ka bërë përparim ekonomia? Kultura? Kanë qenë marrëdhëniet shoqërore, letërsia, artet, sa më afër sinqeritetit dhe shprehjes së lirë? Duke e parë çështjen më gjerë, në shkallë botërore, s’kanë nevojë për vërtetim faktet kryesore, që e tërë popullata e Europës Lindore u turr në 1945 drejt Perëndimit, fizikisht apo mendërisht; që pjesa femërore e saj u përdhunua rëndshëm nga ushtria okupuese, që uria fizike dhe ndrydhja psikologjike zaptuan shpirtin e të rriturve dhe që rinia joshej me gjithçka vinte prej Perëndimit. Kemi të bëjmë me sigurira të papërballueshme. Fillimi është gjysma e punës. Në qoftë se insistohet për arsyetime, shkaku i parë dhe më i thellë i dështimit është se ekonomia nuk u konceptua më si një garë me kohën (që synon eficiencë të mjeteve të prodhimit sa më gjatë në kohë dhe rinovim, pra, nxitje me shpërblime të mëdha të teknologjisë së përparuar), por vetëm si përmbushëse e nevojave sot për sot (“T`i sigurojmë bukën popullit!”). Falimentimi, pra, qe i sigurt qysh me themelimin e sistemit, e megjithatë ai vazhdoi ashtu, me futjen e entuziazmit/detyrimit si faktor kryesor. Dhe të mendosh se një motivim kaq modest (sigurimi i nevojave minimale), do të kushtonte miliona jetë…
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka bërë një punë të shkëlqyer në drejtim të matjes së pulsit të asaj kohe, që në rastin tonë shqiptar karakterizohej me organe e kuadro të mbushura me veten, kulturë që çmonte bindjen e eprorit më lart se ligjin, plus të edukuara që armiku duhet zhdukur. Kujdesit për tjetrin as që i cikte. “E kam në dorë këtë këtu? Marr 15 ditë leje nëse e vras”. Kjo psikologji e diktaturave shumë të ideologjizuara moderne, nazizëm-komunizëm, merrte fuqi te ne plus prej psikologjisë së një vendi të vogël, ku vetvetiu ti je armik me tjetrin, qoftë ai komshi ose i largët dhe plus me orientimin nga lart që kuadrove t’u nxitej egërsi e shtuar në rastet kur i hetuari/dënuari paraqiste rrezikun të bëhej shembull moral për masën.
Them punë e shkëlqyer e Institutit, sepse falë dy drejtuesve Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, specialistë të provuar në pikëpamje të stilit (kupto vërtetësi të materialit të vjelë me anë pyetjesh plotësuese edhe ruajtje të natyrësisë së tregimit letrarisht), intervistat kanë dalë jo vetëm tërësisht të besueshme, por edhe befasuese. Kjo është e kuptueshme për shkak të larmisë së karaktereve, vuajtës e persekutorë, por edhe faktit që intervistuesit nuk e kanë profesionalisht (pra, esencialisht) ngacmimin që të marrin anën e të parit, d.m.th. vuajtësit, siç e donte socrealizmi. Duan përplasjen mbi të gjitha, madje një persekutor në krizë koshience për ta, provon vartësinë dhe motiv kënaqësie (profesionale, sigurisht përveçse humane). Tërë këta libra të serísë Ad Memorandum janë një revansh i merituar i krijimtarisë së llojit të përndjekur, sepse ajo krijimtari natyrshëm simpatizonte dhe vazhdon të simpatizojë me pjesën e popullatës që i ra jo aq shorti, por më tepër plani të binte në burg, ngaqë paraqiste veti individuale që binin në sy. Kjo i jep kënaqësi krijuese shkrimtarit dhe ka më shumë rëndësi se ajo humane, që në këtë rast nuk është fort kënaqësi, por dhembje. Të kesh individualitet që bie në sy, i tërheq poetët/romancierët e këtij krahu, ndryshe nga ata të djeshmit, që këtij interesi që patjetër e kishin, i shtohej bezdia e porosisë që u tingëllonte vazhdimisht në vesh “Kujdes! Të dalë në shesh kjo dhe ajo!”. Pra, u lumtë atyre persekutorëve që i zgjodhën të arrestueshmit me veti individuale, u lumtë të arrestuarve që rezistuan në ato veti dhe, së fundi, u lumtë dhe intervistuesve që i diktuan dhe i nxorën në dukje. Kjo ndoshta është e vetmja fushë ku burgje-kampet bënë një punë të mirë, sepse pallatet që u ndërtuan brenda telave të tyre e kanë më të kufizuar dobínë/jetën, kurse minierat janë mbyllur me aq vuajtje sa përmbajnë brenda tyre dhe vite aq sa ia zgjatën jetën diktaturës. Se kush prej dy palëve del fitimtar, ata që i mbyllën njerëzit aty për t’i edukuar e kontribuar sipas versionit të tyre, apo ata që rezistuan duke rrezikuar, kjo mbetet edhe sot në diskutim ngaqë debati transferohet aty ku s’ka lidhje, te dëshmorët e Luftës, që Instituti i mohoka, dëshmorë që s’ka pse t’i mohojë Instituti, ngaqë edhe ata ishin po aq të meritueshëm sa këta, por njëherazi më shumë të tradhtuar se këta që nuk besuan si ata te luga e floririt, madje as e kishin dëgjuar. Janë ende të fshehur të dy palët, dëshmorë dhe të përndjekur, pikërisht sepse debatuesit e sotëm, fort të indinjuar, e drejtojnë debatin te vetja kur hedhin poshtë ISKPK. Ata kërkojnë të kenë pasur të drejtë edhe kur i harruan dëshmorët dhe luftëtarët shokë të gjallë të dëshmorëve në burgje ose të vdekur në varre pa emër, ndërsa i gëzoheshin vlerësimit nga lart, pikërisht për këtë harresë. Do të duhej në fakt të gjurmohet kjo pistë te kampi fitimtar i 44-ës, sesi i përdorën dëshmorët për të vendosur me dorë hekuri, qysh para atij Nëntori dhe mbas tij, të kundërtën e aspiratës së tyre, konkretisht të hetohet për secilin prej tyre, ç’persona e pretekste u përdorën për t’i eliminuar mbasi luftuan (prijës popullorë, marksistë, oficerë të karrierës, intelektualë që s’figuronin në kontekstin gjoja proletar që rrethoi diktatorin me kohë). Do të ishte një akt drejtësie dhe më tej, tejdukjeje, që duke pasë munguar deri sot, do të na tregonte rrugën, të vetmen që kërkohet urgjentisht.
Merita e Institutit, me librat që përmbajnë fragmente jete të jashtëzakonshme për nga rrallësia e rasteve dhe nga fokusimi i duhur i shprehjes, ngjan e pashpresuar kur e kundrojmë aq në kontrast me një realitet sociopolitik të sotëm, ku personi merret ekskluzivisht me veten, shpesh pa kursyer retorika që publiku i çmon false pa i dëgjuar mirë. Kjo është atmosfera. Kurse ata dëshmitarë në galerira merren me veten e tyre, në kushte kur instinkti luftonte veç për të mbetur gjallë fiziku i tyre. Prandaj, kapitujt e librave që merren me ta na vijnë si vegime drite, prej kësaj vjen dhe cilësimi më lart, i pashpresuar publikimi i tyre. Ka një mospajtim mes atyre faqeve dinjitoze dhe gjendjes së shkrehur që konstatojmë sot. Ne vetë, vuajtësit e djeshëm, po bëhemi përditë e më të paintonuar me kauzën e tyre, që është dhe e vetmja vlerë civile së bashku me sekuencat filmike ku të dënuarit me vdekje inxhinierë tërësisht të pafajshëm të Maliqit na vështrojnë drejt në sy nga ekrani. Jemi të pavëmendshëm masivisht ndaj këtyre botimeve kaq të rëndësishme, çka tregon prirje të rrezikshme drejt ftohjes së vetë fjalës kauzë. Kam të dhëna se një shumicë as i përfillin ata libra. Ndofta, instinkti i rezistencës zgjohet në çastin kur rreziku i përdhosjes bëhet i pranishëm, por nuk jemi fort të sigurt që përdhosjet e përjetuara gjatë nuk kanë vepruar thellë, aq sa pretendimet për rehabilitim material të mos na çojnë definitivisht drejt shkrehjes. Sidoqoftë, s’mund të jemi veçse mirënjohës, që Instituti me personelin e tij të vogël, por të pasionuar, nxjerr në dritë dëshmi të një thjeshtësie të tillë, një burrni aq në kundërshtim me ç‘njohim ne dhe bota prej të ndodhurave deri sot. Normaliteti, që është dhe dinjitet, rivendoset sot me anë të tyre, duke na lënë mjaft peng në ndërgjegje pse jemi marrë edhe ne si kategori vetëm me veten, duke rënë në rregullin që hiqet sot. Por, personat që e mishërojnë atë dinjitet janë aty, motiv krenarie: dashnori i arratisjes, haptas dhe i papërkulur para asgjëje, Mirush Osmani; shkelmonjësi i çdo oferte për agjenturë, Prelë Syku, Agim Akcani i përfshirë krejt pa lidhje në çështjen e Baldushkut, që nxjerr edhe anën e hetuesve të kapur në darë, pra, të destinuar për t’u eliminuar prej mospajtimit intim me darën ku u ndodhën. Me dhjetëra gra, burra, të rinj, paraqiten aty, të tillë, të papajtuar dhe të papajtueshëm me lëmshin e gatuar mbrapa kurrizit të shumë të tjerëve disa vjet përpara tyre, që u ofruan në luftë ndërsa tjetër gjë nga ajo që prisnin po gatitej për vendin. Me këta libra po dalin në dritë të vonshmit, dënuar kinse si armiq të atyre që morën plumbin në luftë. Janë njësoj në njëfarë mënyre. Së paku nuk ndryshojnë për faktin që patën të njëjtin zhgënjim. Një palë me dhjetëra vjet minierë dhe shumë prej tyre të vrarë nga shkëmbi ose të mbytur në baltë nga polici, pala tjetër për disa muaj ose javë, kur urdhëroheshin të qëllonin mbi shqiptarë, ose si spektatorë prej matanë, të zhgjëndrrës që zëvendësoi ëndrrën e tyre të lirisë…
*Ish-i përndjekur politik
Edhe ky duket anetar i denje i KLUBIT TE QELBESIRAVE.
Nuk te “zemerohet” njeri o xyz sepse nuk dihet ne ke korije “ke kullotur” e padyshim ate “bulmet” do nxjeresh nga goja!