Ngushtohet laku për kryeministrin Edi Rama.
Nëse ai është mbrojtur deri tani duke thënë se nuk ka asnjë aktakuzë ndaj tij nga drejtësia amerikane për skandalin me Charles McGonigal, politika amerikane nuk ka ndërmend të ndalet pa i shkuar në fund.
Kongresi amerikan ka nisur hetimet në disa fronte dhe në të gjitha rastet, shfaqen përpara çështje ku del emri i Edi Ramës dhe sekserëve të tij.
Kështu, Kongresi amerikan ka kërkuar të marrë në pyetje ish-ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, për skandalin e lidhjeve të djalit të Joe Biden, me kompaninë kineze të Dorian Duçkës, njeriut të Edi Ramës.
Por një nga mediat më të mëdha në SHBA, Business Insider, që ka raportuar disa herë për skandalin Rama-McGonigal, thekson se “Kongresi kërkon përgjigje për kërcënimin ‘jashtëzakonisht shqetësues’ të McGonigal”.
“Një stuhi me letra që liderët e kongresit kanë dërguar kohët e fundit, kërkon përgjigje për Charles McGonigal, shefin e spiunazhit të FBI, që dyshohet se doli jashtë kontrollit,” shkruan portali.
“Kjo është pika e fundit e presionit mbi Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland, që po xhonglon hetimet. Garland është planifikuar që të dalë përpara Komisionit Gjyqësor të Senatit më 1 mars për një seancë të përgjithshme dëgjimore- e para e tij në Kongresin e 118-të”.
Kërkesa ndaj Garland është dërguar nga kreu i Komisionit të Gjyqësorit në Senat, demokrati Dick Durban.
“Në Kapitol, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po përgatiten për ta mbajtur Garland në pozita mbrojtëse për dy vitet e ardhshme. Kryetari i Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Jordan dhe kryetari i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer, po orkestrojnë hetime për Biden, djalin e tij Hunter, gjetjet e komitetit të përzgjedhur të 6 janarit, kufirin jugor dhe përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të trajtuar rritjen e dhunës dhe kërcënimeve në shkolla”, shkruan Insider.
“Kapitoli ka kërkuar që tani nga Garland përgjigje në lidhje me rastin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili drejtonte kundërzbulimin në zyrën e byrosë në Nju Jork. McGonigal akuzohet për shkelje të sanksioneve amerikane duke marrë para nga Oleg Deripaska, një oligark rus në qendër të akuzave për marrëveshje të fshehtë Trump-Rusi. Mundësia që një ‘gjahtar’ spiunazhi i nivelit të lartë po përdorte fuqinë e tij të FBI-së për të ndërtuar një marrëdhënie fitimprurëse i ka shtyrë ligjvënësit të pyesin nëse byroja është në gjendje të hetojë vetë.
Në fillim të shkurtit, si Durbin, ashtu edhe homologët e tij republikanë që drejtojnë Komisionin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, kërkuan informacione për McGonigal. Letra e Durbin drejtuar Garland zbuloi shqetësimet e tij për kërcënimet ‘jashtëzakonisht shqetësuese’ ndaj çështjeve të sigiurisë kombëtare. Letra e Senatit kërkonte informacione nga Garland dhe drejtori i FBI-së, Christopher Wray; letra e Dhomës i drejtohej Wray, por jo Garland-it.
Të dyja letrat përfshinin afate deri në mesin e shkurtit, të cilat janë tejkaluar. “Kjo paraqitje nuk është në përgjigje të letrës sonë për McGonigal,” tha një ndihmës i Durban për Insider.
Është e paqartë nëse secili komision do të përdorë fuqinë e tyre të fletëthirrjeve për të detyruar zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që të dëshmojnë.
“Gjithçka është në tavolinë”, tha për Insider një anëtar i stafit nga Komisioni i Gjyqësorit.
Departamenti i Drejtësisë konfirmoi marrjen e letrës nga Gjyqësori i Senatit; FBI konfirmoi marrjen e letrave të shumta”, shkruan media e madhe amerikane. syri.net