Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë.
Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.
Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Srpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.
Dodik këtë deklaratë e bëri lidhur me Srebrenicën, pasi Përfaqësuesi i Lartë më 21 shkurt miratoi ndryshimet e Ligjit për Qendrën Memoriale Srebrenica-Potoçari. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.
Kjo nuk është hera e parë që Dodik e mohon gjenocidin që kur ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për ndalimin e mohimit të gjenocidit në fund të korrikut 2021.