Qasja në rrjetet sociale e çdo injoranti ka bërë që të rrudhën dukshëm hapësirat e krijuesve të mirëfilltë.
Shkrimtari i madh italian Umberto Eco , fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare thotë” Rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën për të folur legjioneve të budallenjve, që më parë bisedonin në bare( pijetore) pas një gote vërë, pa shkaktuar dëme në shoqëri.”
Kjo thënie epike e Ecos na kthen në të kaluarën kur asnjë lajm që nuk plotësonte kriteret e kërkuara nuk botohej. Ai përpara se të botohej kalonte nëpër duart e redaktorëve profesionistë.
Të jesh i pranishëm me shkrime dhe studime në “Zëri javor” të publicistit dhe gazetarit të njohur Blerim Shala, përveç që ishte privilegj ishte dhe krenari.
Prandaj, s’kishte të ngjarë që të shihje broçkulla dhe antivlera, e as shund e kiç.
Askujt nuk interesonte se çfarë hanë dhe pinë fëmijët e këngëtarëve, artistëve, politikologëve dhe më kënd martoheshin ata.
Ndërhyrjet në privatësinë e familjeve ishin rreptësishtë të ndaluara. Sot, punën e gjykatave e bëjnë gazeta e portale. Ato një ngjarje e japin një njëmijë versione.
Mjerisht, në televizionet tona shohim emisione degjeneruese dhe pa asnjë grimë vlere.
Gjuha e përdorur në disa emisione përveç që është e gërditshme është gjuhë rrugësh e bordelesh.
Kësaj dukurie negative i kanë hapur rrugë edhe disa intelektualë tanë që pranojnë të jenë mysafirë në këto emisione të pa temë, koncept dhe pa kurrfarë mesazhi njerëzor.
Sot, çdo i ri dhe e re preferon profesionin prej moderatori apo moderatorje pa e kuptuar që ky profesion kërkon përgjegjësi, talent e mbi të gjitha kurriz e moral.
Para së gjithash duhet ditur ajo që del nga gojët tona përhapet kudo me shpejtësi rrufeje.
Andaj, çdo fjalë përpara se ta nxjerrim nga gojët tona duhet ta peshojmë mirë.
Agim Shehu, shkrimtar i njohur pastë ndjesë thoshte “letra e bardhë është jona para se të shkruajmë mbi te, duhet peshuar mirë e mirë çdo fjalë”
Disa televizione e portale mbijetojnë duke plasuar gënjeshtra të pa kripë.
Lajmet nga e kaluara jonë historike nga alamet historianësh dhe profesorësh tjetërsohen dhe përshtatën sipas qejfeve të klaneve dhe grupeve të interesit, ku ata kanë bërë grazhd.
Si pasojë e kësaj gjeneratat e ardhshme do të heqin të zinjtë e ullirit për të zbuluar të vërtetën e këtyre ngjarjeve.
Me lajme të rreme dhe të sajuara nuk krijohet sensacion me çmimin e tmerrshëm të shpërfytyrimit të së vërtetës.
Prandaj, sot si asnjëherë më parë, duhet gjurmuar dhe studiuar ngjarjen e pastaj ajo të publikohet duke pasur mbështetjen në fakte e argumente të pathyeshme.
Disaherë është shkruar nga njerëz të papërgjegjshëm dhe djallëzor se ka ndërruar jetë aktori ynë i madh Mirush Kabashi dhe personalitete të tjera të kulturës.
Ky lajm i rrejshëm përpos familjeve të tyre është përjetuar rëndë nga shokë e miq të këtyre artistëve përndryshe ikona të kulturës sonë.
Është sharë e fyer keq e më keq aktori dhe poeti Çun Lajçi, vetëm pse ka bërë përpjekje me mbijetuar nga puna, mendja dhe djersa e vet.
Asnjëherë askush nuk ka shkruar qoftë edhe dy rreshta referencë-kërkesë Qeverive tona, që personaliteteve që janë shquar me talentin dhe përkushtimin e tyre t’u caktohet një pension që u mundëson jetë dhe pleqëri të dinjëtetshme.
Janë fyer e denigruar Atdhetarë të njohur që rininë dhe kockat i kanë lënë në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë, për lirinë që e gëzojmë sot.
Ndërkaq, të njëjtëve që për së gjalli ua ka helmuar jetën propaganda serbo-shqiptare, pas vdekjes, kur ata nuk kanë fare nevojë për to, u thuren elozhe e këndohen këngë.
Ky është një ves i keq që jo vetëm nuk e forcon sistemin e vlerave, por e shkërmoq atë.
Gazetarë e analistë mercenarë dalin në terren ose kalërojnë nëpër medie duke shpifur dhe përgojuar kundërshtarët e tyre, pa pasuar as edhe një provë të vetme.
Madje disa nëpër studiot tona televizive bëjnë edhe aktrim,duke u çaraveshur dhe imituar individë të dëshmuar në fusha të ndryshme të Shkencës, Artit, Kulturës dhe Perënditjes së vendit.
Veç kësaj ata nuk kanë qëndrime të vetat të pavarura, sepse shiten lirë, tek mujsharë të ndryshëm, që u kërkojnë të krrokëritin sipas shijeve dhe interesave të tyre mesnike.
Ditë më parë, lajmi i rremë se njëfarë Rrustem Llapi,vrau një serb në Gjermani,mori dhenë.
Rrustemit nisën t’i thuren vargje lavdi e trimërie nga të gjitha anët. Kur, një medium yni viziv vërtetoi që ky lajm është i pavërtetë ndaj tij filluan sulmet me fjalët më vulgare.
Ky rast nxori në dritë të vërtetën s’e krijimin e heronjve të rrejshëm e kemi në gjak.
Rrahim Hoxha, një burrë autoritativ nga Obrança e Podujevës, shpeshherë thoshte “S’ka më kiamet se me rrejt vetveten”
Rreth kësaj dukurie të shëmtuar që po na ndjek si hije ogurzezë, profesori i UBT- së, Musa Sabedini, ka bërë një studim të thellë, duke e përmbledhur në librat “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” dhe “Gazetaria online në Kosovë dhe rajon, etika dhe sfidat e vetrregullimit”
Ata që pretendojnë profesionin e gazetarit të njëmendtë duhet lexuar patjetër këto libra, ngase ato janë Abetare, për të gjitha ata që thirren në etikë, moral dhe edukatë.
ARIF EJUPI