Presidenti i Federatës Botërore të Futbollit, Gianni Infantino, ka falënderuar popullin rus dhe Qeverinë e këtij vendi për organizimin e “Kampionatit më të mirë ndonjëherë për Kupën e Botës”, tranmeton AFP.
Infantino ka thënë para gazetarëve në Moskë se infrastruktura dhe mikpritja ruse kanë kontribuuar në suksesin e turneut.
“Ka vite që them se ky do të jetë Botërori më i mirë. Sot mund ta them atë me siguri, sepse unë e kam përjetuar ashtu sikur edhe ju. Është Kampionati më i mirë i futbollit për Kupën e Botës” , ka thënë Infantioni, dy ditë para ndeshjes finale në mes të Francës dhe Kroacisë.
Infantino i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin javën e kaluar se “e gjitha bota kanë rënë në dashuri me Rusinë”, gjatë katër javëve të fundit, duke falënderuar edhe një herë presidentin rus për organizimin e turneut.
Më shumë se 1 milion tifozë të huaj kanë vizituar Rusinë gjatë këtij Kampionati, sipas shifrave të FIFA-s, derisa Infantino ka thënë se të tjerët kanë ndryshuar përceptimin për këtë shtet.
“Mendoj se Kupa e Botës ka ndryshuar pikëpamjet e botës ndaj Rusisë”, është shprehur ai.
Ndeshja finale në mes të Kroacisë dhe Francës zhvillohet të dielën në Stadiumin Luzhniki në Moskë.
Komentet