Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në ishullin e Indonezisë Sulawesi, i cili u godit të premten nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5 ballë pasuar nga një cunami. Deri të hënën në mëngjes numri i viktimave arriti në 844, por autoritet druhen se shifra mund të jetë shumë më e lartë, në disa mijëra. Sipas zyrtarëve të Kryqit të Kuq të paktën 1.5 milionë njerëz janë prekur nga katastrofa natyrore.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë gërmimet kryesisht me dorë në kërkim të të mbijetuarve të groposur nën rrënojat e qytetit Palu. Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit njoftoi se ata ka nevojë për makineri të rënda për të hequr rrënojat.
“Do të ishte e rrezikshme që ekipet e shpëtimit të shkojnë atje. Shpresoj që autoritetet lokale të jetë në gjendje të na japin makineri të rënda”, thotë Muhammad Syaugi i Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit.
Zyrtarët indonezianë po punonin me Fondacionin Kombëtar të Shkencës të Shteteve të Bashkuara për një sistem paralajmërues për cunamet. Por javën e kaluar projekti u ndërpre si pasojë e zhvlerësimit së fundmi të monedhës indoneziane, që krijoi shqetësime për mënyrën se si do të paguhej projekti.
Tërmeti i fuqishëm shkaktoi një valë cunami deri në 6 metra të cilat shkatërruan shtëpi e morën me vete njerëz. Të mbijetuarit përshkruajnë një përvojë të tmerrshme.
“Vala më morri me vete për rreth 50 metra, nuk mund të mbahesha askund. Ishte një dyqan me hekura në hyrje të tij, u ngjita aty. Pastaj erdhi një valë e dytë edhe më e madhe se e para. Papritmas ndodhesha mbi çati”, thotë një i mbijetuar.
“Dikush më tha vëllai im ishte mirë, u lehtësova. Por pritëm deri në mbrëmje pastaj deri në mëngjes, por ai nuk u kthye kurrë“, thotë një e mbijetuar.
Ndërkohë numri i të vdekurve vazhdon të rritet dhe sipas autoriteteve zyrtare mund të jetë me mijëra.
“Ka ende trupa të paidentifikuar si dhe viktima të groposur nën rrënoja. Ka gjithashtu zona të largëta në cilat ekipet e përbashkëta të kërkim-shpëtimit nuk kanë shkuar ende”, thotë Sutopo Purwo Nugroho i Agjencisë Kombëtare për Lehtësimin e Fatkeqsive.
Presidenti indonezian Joko Widodo vizitoi të dielën zonën e shkatërruar nga cunami në qytetin Palu.
“Gjithçka vazhdon të jetë në gjendje emergjence, por gjëja më e rëndësishme që do të dëshiroja të theksoja për qeverinë, ushtrinë, policinë dhe administratës rajonale është së pari të përqëndrohen tek nxjerrja e viktimave nga rrënojat”, tha ai.
Qytetet bregdetare të Palu-s dhe Donggala-s, në provincën qëndrore të Sulawesi-t, ishin ato që u goditën më së shumti nga cunami i fuqishëm. Rajoni përjetoi më shumë se 200 goditje të tjera që pasuan tërmetin e fuqishëm, duke shkaktuar dëme të mëdha në aeroporte, rrugë dhe në pjesë të tjera të rëndësishme të infrastrukturës së vendit.
Komentet