Valon Behrami thotë se e ka Kosovën në zemër, krahas Zvicrës. Mesfushori insiston se e bëri veprimin e duhur, duke e zgjedhur Përfaqësuesen zvicerane përpara Shqipërisë. 30-vjeçari e kujton kohën e luftës dhe rrugëtimin e vështirë për të arritur deri te suksesi. Për këtë i është mirënjohës dhe i përkulet shtetit zviceran. Behrami flet për gjigantin britanik “The Independent”
Valon Behrami kaloi nëpër vështirësi të mëdha, për të arritur deri te suksesi. Ai kaloi një “mal” pengesash, para se të bëhej yll i futbollit. Përkundër faktit se e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Zvicër, 30-vjeçari insiston se e ka në zemër Kosovën.
Madje, ka bërë edhe tatuazh për vendin e tij, transmeton Zëri. Edhe pse Kosova nuk do të luajë në “Euro 2016”, flamuri i Kosovës do të jetë atje, përmes tatuazhit të futbollistit kosovar. “Çdo herë që bëj tatuazh, e bëj atë për disa arsye. Dëshiroja të tregoj se jam i lidhur me të dyja vendet. Njëra anë, për shkak se familja ime është prej atje, dhe tjetra pasi Zvicra më ka rritur dhe falë saj jam këtu ku jam”, ka thënë Behrami.
Zvicra, para Shqipërisë
Për ato që i bëri Zvicra për familjen Behrami, ai vendosi ta përfaqësojë këtë vend, përpara Shqipërinë. Ai ka zhvilluar 61 paraqitje dhe ka mundësi që verën e ardhshme të jetë në “Euro 2016”, në Evropianin e tij të pestë. “Jam mjaft i lumtur dhe krenar që jam pjesë e Përfaqësueses zvicerane, duke u munduar t’ia shpaguaj Zvicrës mundësinë që ma ka dhënë mua dhe familjes”, nënvizoi ai.
E duan shqiptarët e Londrës
Behrami është kthyer në Londër, pasi kishte luajtur me West Hamin kohë më parë. Ai tregon se sheh njerëz në rrugë, të cilët i flasin dhe e përshëndesin. “Ndihem më mirë në Angli sesa në Gjermani. Unë i flas pesë gjuhë, kështu që për mua është e lehtë në Watford. Flas italisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe shqip. Askush në Watford nuk flet shqip, por shumë njerëz në Londër e bëjnë këtë gjë. Shumë njerëz në rrugë më njohin dhe flasin me mua. Këtu jetoj me të dashurën dhe vajzën”, shpjegon ish-futbollisti i Lazios, Fiorentinës dhe Napolit.
Emigranti nga Kosova
Valon Behrami e di fort mirë se çka do të thotë të jesh emigrant, prandaj edhe i mirëpret emigrantët nga Siria. Mesfushori kosovar e ka kujtuar periudhën e tmerrshme të paraluftës dhe udhëtimin nga vendi i përfshirë në tension të shtuar, e drejt Zvicrës, në vitet e 90-ta. “Kam nisur gjithçka nga gjërat e vogla, nga problemi ndërmjet kosovarëve dhe serbëve. Një ditë, prindërit e mi konsideruan se aty nuk kishte më të ardhme. Ne vendosëm të largoheshim, të shkonim në një vend ku kishte punë”, kujton Behrami.
“Tre muajt e parë ishin mjaft të vështirë. Ne i pamë prindërit tanë të qanin, kështu që edhe unë dhe motra ime filluam të qanim. Ne po qanim çdo ditë”, kujton futbollisti.
Me kohë, familja Behrami u përshtat me jetën në Zvicër, prindërit gjetën punë dhe Valoni e zbuloi dashurinë për të vrapuar e më pas për futbollin. Mbështetja e njerëzve lokalë e ndihmuan familjen të qëndronte në vend, pasi ata do të detyroheshin të ktheheshin me forcë në Kosovë, në vitin 1996. Shtatë vjet më pas, Valoni po luante futboll profesionist në Itali. Që nga ajo kohë, ai është adaptuar në përfaqësuesen zvicerane dhe ka luajtur edhe në Gjermani e Angli, ku luan edhe tash, me Watfordin.
Tani, Valoni bën jetë komode, si një futbollist me eksperiencë në Premierligë. Jeton në Londër me të dashurën dhe vajzën e tij, ndërsa ka blerë shtëpi edhe në Prishtinë. Ai e di më mirë se çdokush se sa me fat ishte që u largua me kohë. Ai e di se çka do të mundë t’i ndodhte atij dhe familjes, nëse do të qëndronin në Kosovë. /Zëri
Komentet