Incidenti me Presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, duket se s’ka qenë i vetmi i këtij lloji. Kryediplomatja Donika Gërvalla ka thënë se sigurimi i këtij aeroporti ka pasur sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve, raporton Express.
Këtë e ka zbuluar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, pas takimit që ka pasur dje me Gërvallën lidhur me incidentin e së mërkurës.
Fetai tha se institucionet maqedonase janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit
“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë. U pajtuam se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh”, ka shkruar dje Fetai në Facebook.
Presidenca e Kosovës reagoi dje sërish lidhur me këtë rast, ku u shpreh e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe me, siç e cilësoi, propagandën kundër Kosovës nga disa media në shtetin fqinj.
Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.
“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, u tha në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.
Pas deklaratës së Presidencës dhe notës së protestës, me reagim ka dalë Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Nga MPJ e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se shprehin keqardhje për atë që e quajnë “keqkuptime e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentit të Republikës së Kosovës N.E. Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Shkelqësisë së Saj Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmanit në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.
Nga MPJ e RMV kanë thënë se pas analizës së ngjarjes do të merren të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të shmangies së situatave të tilla.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Ndryshe, Presidenca njoftoi se me 1 gusht Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit.
MPB-ja maqedonase ka deklaruar se më 1 gusht, Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, kur i është kërkuar që ta lë telefonin dhe të kalojë përmes skanerit, “një person nga sigurimi i saj e ka tërhequr të punësuarin në TAV-it, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.
Por, Presidenca tha se Osmanit i është kërkuar që ta vendosë telefonin personal në skaner dhe ajo ka refuzuar.
“Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB-ja e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, u tha në reagimin e Presidencës kosovare.