Nga kuzhina e restorantit të famshëm “Sparks Steak House” në 46 Street në Manhattan, të New Yorkut, vjen mesazhi në radio ,që porositë e tavolinave me numër 5 dhe 6 ishin gati. Kamarieri me ndihmësin e tij, i sistemuan pjatat e mbushura në karrocën e ushqimeve dhe nisen drejt dy tavolinave. Në fillim shkojnë tek tavolina 5, dhe me radhë lëshojnë me kujdes pjatat sipas porosisë për katër personat që ishin në tavolinë, tre burra dhe nje grua e re e veshur me të kuqe të ndezur. Burri që dukej që ishte njeri i rëndësishëm, me një mjekër të zbardhur, që binte lehtë me sy se ishte dhe shumë më i gjatë se të tjerët, e fliste me duar duke lëvizur e ndërpret muhabetin dhe i drejtohet kamarierit:
-Nuk e dua ketë pjatën time me steakën ( mish viçi i pjekur që akoma avullonte në pjatën e nxehtë ),që më solle, e dua atë pjatën tjetër që e ke në karrocë…-.dhe tenton ta marrë vetë, duke zgjatur duart…
-Jo jo,- e ndërpret kamarieri- nuk mundesh, ajo pjatë është porosi për tjetrën tavolinë.
-Si, nuk mundem? unë e dua këtë pjatë dhe pike,- thotë ai, -kjo më pëlqen dhe unë do ta paguaj…,dhe e rrëmben pjatën si me forcë dhe e vendos pranë pjatës së tij..
-Të lutem,!- i drejtohet kamarieri zotërisë, që pak a shume filloi të krekoset:
…-se unë bëj çfarë të dua këtu! Unë paguaj, ju keni detyrë të më sillni ushqimin që dua! Po deshe merre këtë pjatën tjetër ose lëre edhe atë, se unë i paguaj të dy pjatat…
– Ju nuk keni të drejtë zotëri, unë ju solla porosinë që deshe, kjo tjetra nuk është porosia juaj,-dhe kamarieri i lutet të mos e prekë pjatën tjetër…
Pastaj duke parë qëndrimin egërshan të burrit me mjekëri I thotë:
-Prit pak minuta, sa të vijnë menaxheri- dhe i lutet ndihmësit të njoftojë atë.
Pa vonuar vjen menaxheri, një djalë rreth të tridhjetave me një pamje mahnitëse si një artist kinemaje.
-Hë?!- e pyeti ai kamarierin,- si është puna, çfarë problemi keni?
Kamarieri i tulatur në djersë, i skuqur në fytyrë dhe i trembur, me zë të ultë shpjegon mosmarrëveshjen me klientin e tavolinës number 5:
– Ky zotëria, pasi i dhashë pjatën me stekën sipas porosisë që kishte bërë, nuk e pëlqen dhe më merr pjatën tjetër ,që ishte në karrocë për porosinë e tavolinës tjetër, të asaj numër 6. -Po, të kuptova,- i thotë kamarierit menaxheri, pastaj i drejtohet zotërisë së tavolinës:
– Më falni zotëri, kjo nuk është porosia juaj dhe duhet ta ktheni pjatën, dhe i drejtohet kamarierit të marrin pjatën…
-Jo,- e ngre zërin zotëria, -unë paguaj dhe ju duhet të më sillni ushqimet që dua unë…dhe po më bezdisni shumë, menjëherë largohuni nga tavolina ime!- bërtet edhe më me forcë. – -Zotëri, ju po shkelni etiketën normale të mirësjelljes si kostumer, kjo që po bëni ju është e paimagjinueshme dhe nuk ju lejojmë këtu të silleni në këtë menyrë. Menjëherë ose lejoni kamarierin të marrin pjatën që nuk është porosia juaj, ose unë do te thërras punonjësit e sigurimit të restorantit dhe forcërisht ju do detyroheni të dilni si i padëshirueshëm në këtë restorant. Më kuptoni drejt, ky është një rregull me tolerancë zero për çdo kostumer që shkel rregullat.
Në këto momente ndërhyn për të zbutur situatën, zonja e tavolinës ,duke theksuar se përsoni është zotnia X, njeri me peshë të madhe i qeverisë të shtetit. Ju ndoshta as nuk e dini se ku i bie dhe duhet të kuptoni që të mos e zgjatni më shumë, se do të jetë një incident diplomatik.
-Ju zonjë dhe ky zotëria duhet të kuptoni se këtu nuk mund të bëni çfarë të doni,- i përgjigjet asaj menaxheri me nje gjuhë të kujdesur dhe shumë profesionale, – ne jemi këtu t’ju shërbejmë sipas rregullave…dhe po ju përsëris edhe një herë, ose lejoni kamarierët të kryejnë punën e ngarkuar ose menjëherë po thërras punonjësit e sigurisë dhe hap radion e dorës…
Në këtë moment zotëria X ngrihet nga tavolina dhe u bërtet të tjerëve sikur të ishin ushtarë në tavolinë të ngrihen edhe ata menjëherë.
-Ne do të ankohemi, ju nuk po respektoni diplomatët e huaj, ky do të jetë një incident diplomatik- ndërhyn një tjetër burrë që ishte me flokë të gjata me bisht.
Menjëherë vijnë tre punonjësit e sigurisë që po e ndiqnin incidentin e tavolinës 5 nga ekrani i kamerave të sigurisë, i drejtohen personit X që me grupin e tij, po kërkonin palltot dhe çantat e tyre për t`u larguar.
-Zotëri, tani ju duhet të largoheni kur ne t’ju lejojmë, Ju keni shkelur rregullat si kostumer dhe tani na jepni dokumentët e indentitetit, pasaportën dhe duhet të nënshkruani këtu në procesverbalin tonë.
-Po ne jemi diplomatë, kemi dokumenta e pasaportë diplomatike dhe…
-Edhe ne jemi punonjësit e shërbimit për të gjithë diplomatët e botës dhe kemi një rregull për të gjithë pa përjashtim. Që të mos kthehet ne një proçes a incident i paprecedent duke edhe ju arrestuar, ju,pa vonuar, na dorëzoni dokumentet menjëherë dhe nënshkruani….
Pasi e panë që nuk kishin rrugë tjetër personi X dorëzon pasaportën dhe nënshkruan e pas kësaj, të katër largohen si me bishtin nën shalë. Punonjësit e sigurisë thërrasin menaxherin dhe e njohin me nacionalitetin e kostumerëve të tavolinës 5, ishin të një vendi ku kishte lindur edhe ai.
-Mos!-bërtet menaxheri…oh, çfarë shteti bëjnë ata, e mjerë bashkëatdhetarët e mi se çfarë politikanësh kanë në krye. Si gjela të krekosur kapardisen e sillen me kamarjerët e restorantit dhe si pula dorëzojnë pasaportën e diplomatit e nënshkruajnë procesverbalin për sjellje të turpshme jo vetëm si politikanë a diplomatë, por edhe si qytetar të thjeshtë…