Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar edhe njëherë tjetër në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Në deklaratën për shtyp nga selia blu, Këlliçi thekosi se Erion Veliaj pranoi autorësinë e grabitjes së 231 milionë eurove me inceneratorin e Tiranës dhe i bëri thirrje qytetarëve që të enjten datë 11 prill në orën 11:00 të mblidhen para bashkisë për të kërkuar largimin e kryebashkiakut dhe vendosjen e tij para drejtësisë.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYSISË DHE KORDINATORIT POLITIK PËR TIRANËN, BELIND KËLLIÇI:
Të nderuar qytetarë,
Dy ditë më parë, kreu i organizatës kriminale 5D dhe pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj, më në fund pranoi autorësinë e grabitjes së 132 milionë eurove në aferën korruptive të shekullit, inceneratorin fantazmë të Tiranës.
Me dy firmat e tij, të hedhura në mars 2017 dhe mars 2018, Erion Veliaj miratoi dhe garantoi pagesat për këtë kontratë koncesionare 30-vjeçare.
Erion Veliaj sot na hiqet si viktimë e organizatës së tij kriminale me drejtorët hajdutë, por në fakt ai është drejtuesi i saj. Ishte Erion Veliaj ai që mori kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut Tiranë, duke zhdukur në llogari offshore plot 132 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës.
Le ta kujtojmë dhe njëherë bashkë se si në shtator të vitit 2017, Veliaj rrihte gjoksin dhe merrte plotësisht autorësinë dhe meritat për këtë aferë korruptive.
Të dashur qytetarë,
Ditën për diell, Erion Veliaj mashtroi anëtarët e Këshillit Bashkiak Tiranë, duke u thënë se kontrata koncesionare për inceneratorin nuk kishte asnjë implikim financiar, dhe anashkaloi me vetëdije të plotë, vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, siç e parashikon Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.
Fill pas kësaj ngjarjeje, Erion Veliaj vendosi të gjithë organizatën kriminale të Bashkisë së Tiranës edhe në shërbim të biznesit të dherave, duke vjelë dhjetëra milionë euro shtesë nga kontrata koncesionare.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, nuk është njëri prej klientëve të kësaj kontrate, por pronari faktik dhe përfituesi kryesor nga kjo aferë korruptive.
Gjej sot rastin t’i kërkoj sërish SPAK-ut që të thërrasë dhe nisë hetimet ndaj pronarit faktik të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj.
Afera e inceneratorit është grabitja korruptive më e dokumentuar me prova të pamohueshme, ndaj mos reagimi i deritanishëm i organit të akuzës dhe frika për të përmendur emrin e Erion Veliajt në dosje, janë tregues të qartë të kapjes dhe shantazhit që Veliaj po ushtron mbi SPAK.
Qëndrimi i Veliajt në detyrë, i jep atij mundësinë e prishjes së provave dhe zhdukjes së dokumenteve zyrtare, që e implikojnë atë drejtpërdrejtë në këtë aferë.
Vetëm një drejtësi e pakapur dhe që nuk mban anë, mund të garantojë besimin e opinionit publik dhe të qytetarëve shqiptarë, që në këto 11 vite janë qytetarët më të vjedhur të Europës.
Ndaj dhe për këtë arsye, ftoj sërish qytetarët dhe banorët e Tiranës, të dalin në protestë përpara Bashkisë Tiranë, ditën e enjte, më datë 11 prill, ora 11:00, për të kërkuar largimin urgjent nga detyra të Erion Veliajt dhe çuarjen e tij përpara drejtësisë.
O sot, o kurrë.
Ju faleminderit.