Afera korruptive e inceneratorit të Tiranës, i cili nuk ekziston, ndërkohë janë zhdukur rreth 120 millionë euro që duhej të ishin investuar në “objektin e padukshëm”, po hetohet nga SPAK.
Prokuroria Speciale ka vendosur në sekuestro preventive inceneratorin, ka arrestuar Taulant Tushen, një prej drejtorëve të rëndësishëm të Erion Veliajt, si dhe ka deklaruar se po vijon hetimet. Megjithatë deri më tani SPAK është marrë me “peshqit” e vegjël, duke lënë jashtë pronarët e vërtetë Rama-Veliaj.
Së fundmi, SPAK është kujtuar që përmes agjentëve të BKH-së, të kërkojë gjurmë se ku kanë shkuar paratë. Dhe në këtë kuadër, nga burime konfindenciale mësohet se pikërisht agjentët e BKH-së, në ditët e fundit kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ben Blushit.
Mësohet se kontrolli në banesën e Blushit ka lidhje me kompaninë Em-Capital, e krijuar nga Eva Blushi, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto në Bullgari.
Sipas raportimeve, agjentët e BKH-së kanë kërkuar pikërisht dokumentet lidhur me kompaninë Em-Capital, e cila duket se ka shërbyer pikërisht për qarkullimin e parave që merreshin nga inceneratorët, për tu investuar më pas në të tjera kompani.
Situata në rastin e bashkëshortes së Ben Blushit, Eva Blushit, bëhet edhe më e ndërlikuar, pasi si notere publike, nuk ka pasur të drejtën e ushtrimit të aktiviteteve të tjera, pasi ligji e ndalon.
Pavarësisht dokumenteve të publikuara në media që provojnë lidhjet, mësohet se agjentët e BKH-së ndoshta kanë synuar të gjejnë të tjera dokumente origjinale, apo të papublikuara, për të zbuluar një tjetër labirinth, që lidhet pikërisht me miliona euro, që merreshin për inceneratorin, por kurrë nuk u investuan aty.
Nga burime jo zyrtare mësohet se agjentët e BKH-së kanë sekuestruar një seri dokumentesh, në kuadrin e hetimit, por edhe pajisje kompjuterike dhe aparate telefonike, një procedurë kjo që pothuajse ndodh me çdo çështje që hetohet nga SPAK.
Interesant është fakti se përfshirjen e Blushëve në atë që konsiderohet si mafia e inceneratorëve, e ka denoncuar lideri i opozitës Sali Berisha në 2020 dhe më pas anëtari i Kryesisë së PD-së, Jamarbër Malltezi, qoftë në 2022 ashtu edhe në 2023.
Por gjatë kësaj periudhe, SPAK duket se nuk ka gjetur kohën, qoftë edhe për të verifikuar, ndërsa mbetet për tu parë se çfarë mund të kenë gjetur agjentët e BKH gjatë kontrollit në banesën e Blushit, sa interesante mund të jenë për hetimin dhe a do të mund të hedhin më shumë dritë mbi paratë që janë qarkulluar përmes “Em-Capital”.
Denoncimet nga Berisha e Malltezi
Në 2020, lideri i opozitës, Sali Berisha, do të shprehej: “Edhe në Zimbabve ka një drejtësi që funksionon dhe i pret ministrit një arrest për ndjekje penale, në një kohë kur Shqipëria i lë të livadhisin dhe të shprehen se nuk më intereson procedura. Janë publikuar dokumente të qarta nga media për lidhjen e Ben Blushit me këtë klan mafioz”.
Dy vite më pas, Jamarbër Malltezi, në një denoncim publik do të deklaronte “Blushi në bashkëpunim me sekseret e inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto krijojnë guackën EM Capital ne Bullgari për t’u fshehur. Kjo guackë nuk kishte para kur u krijua, por do merrte mbi 1 milion euro nga inceneratori i Tiranes (pra merr para publike përkundrejt lëshimit të faturave fiktive!).
EM Capital (Mertiri-Zoto-Blushi) nënshkruajnë kontratë me pronarët e Top Channel për t’iu blerë borxhin 51% të kompanisë Lori Cafe (emri zyrtar Valtelina shpk) që e kishin të tretët. Kontrata kërkonte 153 milion lekë që do paguheshin fillimisht dhe 600,000 euro do paguhej me këste.
Kontrata firmoset, paratë jepen për borxhin, dhe hyn ne fuqi kontrata ne Dhjetor 2019 ku Mertiri-Zoto-Blushi dalin si pronar me 51% tek Lori Cafe (Valtelina shpk).
EM Capital (Zoto-Mertiri-Blushi) lëshojnë fatura fiktive për inceneratorin e Tiranes për një vlere te vërtetuar prej te paktën 1,050,000 euro!!! Lefter Koka ka 1 vit i burgosur për fatura fictive.
Në 2022 çudia ndodh: Ndonëse kane marre mbi 1 milion euro nga para publike përmes inceneratorit te Tiranes dhe ndonëse kane paguar Lori Cafe te paktën 153 milion leke (për borxhin tek te tretet), Zoto-Mertiri-Blushi dalin me 0 aksione nga kompania e Lori Cafe pasi nuk i kanë bërë pagesat ne kohe!!! Pra, jo se nuk kane paguar, JO, paratë u paguan, por jo ne kohe! DMTH Mbaroi kontrata e marrjes me qira të medias kombëtare”.
EM CAPITAL GROUP AD, u krijua si kompani me aktivitet tregtar në menaxhim dhe zhvillim të projekteve të lidhura me sektorin e pronave e patundshme, ndërtimin, prodhimin ose marketimin e shërbimeve që lidhen me zhvillimin e teknologjive të reja të filtrimit të ujit, patentat ose fushat e tjera të pronësisë intelektuale në përputhje me ligjet, shërbime konsulence dhe marketimi, shërbime turistike, hotelet dhe kateringun, transportin në vend dhe vendet përreth, duke siguruar reklamim, informacion, prezantim të ofertave tregtare dhe ndëmjetësim, ashtu sikundër çdo aktivitet tjetër që nuk është ndaluar nga ligji.
Pra nga e gjithë çfarë është deklaruar dhe denoncuar, shihet qartë se kompania e themeluar si bullgare “EM Capital Group AD”, me pronarë Klodian Zoton dhe bashkëshorten e Ben Blushit, Evën, ka blerë 51% të aksioneve të kompanisë “VALTELINA shpk”, e cila është edhe mbajtësja dhe prodhuesja e brandit “Lori Kafe”.Shuma e derdhur në këtë rast për blerjen e aksioneve ishte 2.2 milionë dollarë.
Po kështu, përmes kompanisë “EM Capital Group AD”, Eva Blushi, ka lëshuar fatura fiktive për llogari të koncesionarit të inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoto.
Referuar dokumenteve të publikuara, mbi 1 milion euro fatura fiktive janë lëshuar nga “EM Capital” për llogari të inceneratorëve.
Dhe një tjetër detaj që zbulonte lidhjet e Eva Blushit me inceneratorit, është edhe një autorizim për përdorim të një automjeti “Range Rover” lëshuar nga administratorja e “Albtek Energy shpk”, Stela Gugallja për llogari të bashkëshortes së Ben Blushit.
Me pak fjalë vetëm me dy “lëvizje” janë së paku 3.3 mln dollarë që “EM Capital” i Klodit të inceneratorëve dhe Eva Blushit ka kryer me shuma që normalisht duhej të ishin investuar në inceneratorin e Tiranës.