Është arrestuar në Itali Juri Ymeraj, një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për aferën e Inceneratorit të Fierit.
Ymeraj dhe disa persona të tjerë akuzohen për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’, në bashkëpunim.
Sipas SPAK, i kërkuari tjetër për këtë aferë, Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k, si dhe të pandehurit Arenc Myrtezani dhe Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të shoqërisë ‘Integrated Technology Ëaste Treatment Fier’ sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë ‘përftim të parregullt’, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive ‘Pivot 04’ sh.p.k, me administrator shtetasin Arbër Denizi, ‘Sili’ sh.p.k, me administrator shtetasin Silvestër Driza, ‘J.P.Y’sh.p.k, me administrator shtetasin Juri Ymeraj.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri. sn