Kemi dëgjuar që politikanë të kërcënojnë gazetarët, kemi dëgjuar gjithashtu që bandat kriminale dhe mafioze të kërcënojnë gazetarë, por nuk kemi dëgjuar, thuajse asnjëherë, që një gazetar të kërcënojë një politikan.
Por, jetojmë në Shqipëri, ku gjithçka mund të ndodhë!
Gazetari dhe analisti i njohur, Baton Haxhiu, i cili dyshohet si përfitues me reklama nga inceneratorët përmes një kontrate të bërë publike, ka ‘kërcënuar’ ‘live’ në emisionin “Opinion” anëtarin e Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçin.
Ish deputeti i PD-së ka ndërhyrë në studion e emisionit ‘Opinion’ ku po diskutohej tema e intervistës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe çështja e inveneratorëve dhe ka pyetur analistin Haxhiu nëse ka përfituar reklama nga kompania e inceneratorëve apo jo?
Baton Haxhiu ka pranuar ekzistencën e një kontrate dhe ka theksuar se kjo kompani i ka mbetur 4 muaj borxhe, pra, pagesa të pakryera në bazë të kontratës.
Ka mjaftuar kjo pyetje e Këlliçit për të ‘acaruar’ gazetarin Haxhiu i cili i është kthyer atij me fjalët, “Tani e tutje ruaj veten…”.
“Këlliçi ruaje veten tash e tutje. Kaq po të them. Atë që e kam bërë e kam të nënshkruar ju që merrni pa kontrata përgjigjuni në SPAK”, i është drejtuar publikisht Baton Haxhiu.
Për çfarë duhet ta ruajë veten dhe nga kush duhet të ketë kujdes Belind Këlliçi, kjo mbetet për t’u sqaruar ndoshta në një shpjegim të dytë të gazetarit e analistit Baton Haxhiu.
Kujtojmë se Belind Këlliçi është një nga denoncuesit kryesor, në emër të opozitës, të aferës së inceneratorëve, ku ka publikuar shumë dokumenta për lidhjet e Erion Veliaj dhe Edi Ramës në aferë, denoncime të cilat PD i ka depozituar edhe në SPAK, por ky institucion nuk ka guxuar deri tani të hetojë as Ramën, as Veliajn.sn