Në Ditën e Verës, Pazari i Ri hapi dyert për të gjithë qytetarët ku 308 biznese kanë filluar aktivitetin e tyre ekonomik duke gjeneruar mbi 1000 vende të reja pune. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Qeverisë dhe të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, (AADF), e gjithë kjo zonë është transformuar në një hapësirë që do të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh do të jetë tek çështjet e tregtisë dhe të pazarit dhe pasdite kryesisht në çështje të kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, siç mund të jenë shumë prej festave apo panaireve.
Ndërhyrja e plotë në sheshin e Avni Rustemi dhe në Pazarin e Ri ka krijuar të gjitha kushtet për Markatën e Mishit dhe të Peshkut dhe në Markatën e Fruta Perimeve. Në Markatën e Mishit dhe të Peshkut janë vendosur 25 njësi shërbimi nga të cilat ka shitje mishi, peshku, brumeri si dhe bare e restorante duke i sjellë kësaj markate karakter multifunksional. Ndërsa Markata e Gjelbërt (Markata e Fruta Perimeve) është konceptuar si një stilizim kontemporan i çative të shtëpive tradicionale tiranase, por e trajtuar me materiale rezistente dhe të kohës. Në këtë objekt janë akomoduar 169 Tezga me një total prej 120 tregtarësh, ku 80 % janë tregtarë ekzistues të Pazarit të ri para rikonstruksionit, 10 % janë me produktet nga njësitë administrative (ish Komunat) dhe 10% janë modelet inovative më të mirat në treg. Në total numri i bizneseve arrin në 308 dhe gjenerohen mbi 1 mijë vende pune. Rivitalizimi i sheshit Avni Rustemi, një prej pjesëve më kritike që ka patur ky Pazar, tashmë ofron mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës, që së bashku me rikonstruksionin e godinave përreth, e ka kthyer zonën në një pikë mjaft atraktive për turizëm.
Në faqen e tij në rrjetin social Erion Veliaj bashkë me fotot e tregut të ri ka shkruar në mënyrë shumë lakonike:
Pazari i Ri, bashkimi bën fuqinë
501 ditë punë
308 biznese
1,007 të punësuar
50% + e vlerës së pronës
Ndërsa tiranasit e kanë pritur shumë të kënaqur Pazarin e Ri që i dha fund kaosit dhe pisllëkut të tezgave nëpër rrugë.