Shenjtori, mentori, i persekutuari, i injoruari nga dishepujt e tij shpirtërisht e moralisht bosh
Në shtypin shqiptar është botuar një shkrim i llojit të dazibao-ve, ku bëhet biografia me listë e familjes së Petro Zhejit.
Nuk kisha menduar kurrë se mund të fliste dikush pa superlativa për Petro Zhejin.
Nuk kisha menduar se mund të dilte dikush të hidhte pluhur në figurën poliedrike të gjeniut-patriot dhe altruistit të përmasave të Petro Zhejit.
Nuk di në botën shqiptare një altruist të tillë përveç Nënë Terezës.
E adhuronin të gjithë, miq e armiq, spiunë, intelektualë, akademikë, njerëz të thjeshtë, profesorë e ziliqarë.
Petro Zheji mund të ishte Kryetari i Akademisë së Shkencave;
Petro Zheji mund të ishte Ministër i Kulturës,
Petro Zheji mund të ishte Ambasador i Shqipërisë në SHBA, Francë, Itali, Gjermani.
Nëse në Shqipëri do të ishte rrëzuar me të vërtetë nga themelet ngrehina e diktaturës.
Petro Zheji është figura më e ndritur e një shqiptari.
I fundmi shqiptar me të gjitha ato vyrtyte, superinteligjencë, mirësi, kulturë, sakrifica, që përbën farën shqiptare, ndryshe nga pseudoelita e sotshme që konformohet dhe i shkel kanonet që janë të paprekëshme.
E gjithë elita e sotme politike në Shqipëri ka dalë prej hundës së Petro Zhejit. Por, sapo mori pushtet, e pa me indiferencë mentorin gjeni.
Të gjithë nxënës të përulur të tij, ai në përmasat e Shenjtorit në një apartament të mjerë, ku gjithë rinia elitare shqiptare shkonte dhe i falej.
Ai ishte modeli se si të mbeteshin njerëz!
Petro Zheji rrezatonte dituri, rrezatonte kulturë, rrezatonte shqiptari, rrezatonte antikomunizëm, rrezatonte antikonformizëm, rrezatonte ekzistencën e Zotit.
Im atë, i damkosur nga diktatura ishte mik me Petro Zhejin qëkur punonin bashkë në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Petro Zheji si përkthyes, ndërsa im atë redaktor në Redaksinë e Poezisë.
Im Atë e adhuronte Petro Zhejin, Imzot Fan Noli i dukej dishepull përpara gjenisë së tij.
Imzot Fan Noli po të ishte gjallë, do ta shihte si trashëgimtar të tij gjigandin e gjuhës shqipe.
Kur nuk më doli e drejta e studimit në Universitet, im atë i shkoi Petro Zhejit në shtëpi dhe iu lut nëse do të ishte e mundur të më jepte mua, bijës së tij të vetme, leksione të frëngjishtes.
Petro Zheji pranoi menjëherë. Shtëpia e tij dhe jona ishin në dy cepe të kundërta të Tiranës, ne nga ana e Dajtit, ai në fund të rrugës së Kavajës, tek udhëkryqi ku vijonte unaza. Petroja nuk mungoi asnjëherë. Ai nuk mori asnjëherë lek.
Dita e javës, kur na vinte në shtëpi, për ne ishte festë.
Tek ne fliste pa doreza, talleshim e qeshnim me kukullat e regjimit dhe të pseudoelitës.
Aty na ka treguar për herë të parë rreth librit të tij “Shqipja dhe sanskritishtja” që do të shihte dritën e botimit pas tri dekadash, aty kam dëgjuar për rrënjët primordiale të gjuhës shqipe, aty Petro Zheji na zbulonte prej shqipes mesianike etimologjinë e fjalëve në gjuhë të ndryshme të botës.
Është i pari shqiptar që e ka mbrojtur tezën se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve. Nga ky plan i kalon të gjithë shkencëtarët dhe linguistët shqiptarë prej Eqrem Çabejit e këtej.
Në jetonim tashmë në rrugën Gani Domi. E kishim ndërruar shtëpinë e kishim dalë në periferi, përtej rrezes së Bllokut. Më vonë edhe Petro do të largohej nga udhëkryqi i Rrugës së Kavajës. Gjatë leksioneve që më jepte kryhej “veprimtari e pastër armiqësore”, si mund ta kualifikonin censorët cerberë që e ruanin me eksperte të virgjëra pastërtinë e realizmit socialist, sepse aty analizoheshin poetë të ndaluar në aulat universitare e recitoheshin poezi me ngashërima të violinave vjeshtës të Verlenit, nga Lulet e së Keqes të Baudelaire, Zanoret dhe Le Bateau Ivre – Anija e Mbytur të Arthur Rimboud, Kaligramet e Apollinaire etj.etj.etj.
Kur mbaronin orët e leksionit, atëhere do të fillonte mbrëmja me padurimin për të dëgjuar çfarë do të na tregonte Petro, pas bisedash që rridhnin aq natyrshëm me sinqeritet e spontanitet. Me ne shpesh bashkohej edhe kushëriri nga ime më, Orhan Bega, që edhe ai mahnitej. Në këto mbrëmje ime më do të kishte përgatitur patjeter ëmbëlsirën e rradhës, që vinte pas ndonjë gote me raki apo vere, dimrave pinim edhe çaj mali. Mbrëmja do të përmbyllej me një kafé turke dhe lavdërimet që Petro bashke me tim atë do t’i bënte të zonjës së shtëpisë. Një ritual që zgjati dy-tre vjet por miqësia jonë e ngushtë nuk rreshti kurrë. Petro Zheji do të më shtynte ta ridërgoja librin tim të parë poetik me titull “Vij” në Shtëpinë Botuese, të cilin e kisha çuar për botim posa mbarova gjimnazin. Të mendohej botimi i një libri i vajzës së një poeti të cilit i ishte ndaluar e drejta e botimit ishte diçka përtej absurdes, por Petro insistoi dhe kur libri u rikthye prapë mbrapsht, bashkë me tim atë filluan të më merrnin me të mirë.
Petro Zheji ishte besimtar i madh i Zotit. Më kujtohet kur bënte pelegrinazhe vajtje e ardhje në këmbë deri tek Kisha e Shna Ndout në Laç. Jetonim në kulmin e egërsisë së diktaturës që i kishte shpallur luftë Zotit dhe kishte edukuar një populli ateist, ku edhe muret kishin veshë. Në një nga këto mbrëmje kur sapo Mehmet Shehu “e kishte vrarë veten”, Petro na tregoi se një javë më parë kishte qenë në varrezat e Sharrës me Bashkim Shehun që e kishte shumë mik. Petro ishte shumë i tronditur. Na rrëfeu diçka që kishte kosto edhe për atë që e tregonte dhe për ata që e dëgjonin, por Petro Zheji i besonte tim eti dhe chez nous – tek ne ai bisedonte gjithçka. Tani që po i shkruaj këto rreshta më tingëllojnë aq bukur, të gëzoje besimin e Petro Zhejit. Më vonë për atë natën në varrezat e Sharrës do të lexoja edhe tek libri i Bashkim Shehut “Vjeshta e Ankthit” që ai e botoi pas daljes nga burgu.
Petro Zheji kishte një lloj asketizmi mistik apostullor si frymë por nga ana tjetër ishte pjestar i shoqërisë shqiptare, me një jetë të ndërtuar në një troll me barriera disa herë më të larta se shtati i njeriut, të cilat ai i kishte kaluar duke u plagosur vazhdimisht në rrjedhën e jetës. I njihte hollësisht të gjithë personazhet VIP të kohës, pjestarë të superstrukturës me të cilët mbajti një distancë të theksuar sepse nuk e pranonte dyfytyrësinë apo polifytyrësinë, aq më tepër kur në Shqipëri krijohej një letërsi dhe kulturë së cilës i imponohej shtrati i Prokrustit.
Kur punoja në Institutin e Kulturës Popullore, studiueset e njohura etnografe Prof.Dr.Afërdita Onuzi që i ka kushtuar jetën Xhubletës 4 mijë vjeçare dhe Prof.asoc Yllka Selimi, që asaj kohe do të mbronin doktoraturat dhe duhej të jepnin gjuhën e huaj të dytë, duke e ditur miqësinë familjare që kishim me Petron, më kërkuan t’i lutesha të na jepte italisht në nivelin përgatitor për provimin pasuniversitar. Petro pranoi pa mëdyshje. Mblidheshim pasditeve tek zyra e Yllkës që ishte edhe zyra e Prof. Mark Tirtës dhe e Abaz Dojakës. Do të mbeten pasdite të paharruara. Petro Zheji jo vetëm na orientonte në italisht, por na hapte dritare pas dritaresh kulture, informimi plus humori. Sot kur e shoh nga kronikat televizive se si është rrënuar godina e Institutit të Kulturës Popullore, ish Radio Tirana, ndihem keq. Ishte një vilë aq e bukur dhe e mirëmbajtur, ku bëhej shkencë nga shkencëtarë me emra si Prof.Andromaqi Gjergji, Prof.Qemal Haxhihasani, Prof. Jorgo Panajoti, Prof.Spiro Shkurti, Prof.Pirro Thomo, Prof.Beniamin Kruta etj. me një asistencë teknikësh të shkëlqyer, me një fond te kulturës materiale dhe shpirtërore mbledhur nga ekspeditat në terren dhe të trashëguar nga figura të shquara si Lef Nosi me shokë. Pyes veten e çfarë është bërë me atë fond thesar që kërkonte aq kushte specifike për t’u ruajtur.
***
Nuk ka dyshim se regjimi komunist me superstrukturën e vet e ka urryer Petro Zhejin, sepse përpara tij ishin liliputë, ndërsa ai gjigandi i mirë.
Familja e Petro Zhejit mund të konsiderohet me gojën plot një nga Familjet e Mëdha të Shqipërisë. Që nga Spiro Bello, i jati, majori i monarkisë, antifashist dhe pasardhësit, të gjithë të ditur, të shkolluar dhe sidomos patriotë, çka binte ndesh me logjikën e diktaturës së proletariatit dhe çakejve të sodit.
Në fushën e përkthimit, njohjes së gjuhëve, erudicionit, kulturës, poligloti Petro Zheji është unik për kohën që jetoi, shekullin XX-XXI. Përkthimet e tij si Zoti President i Miguel Asturias, Don Kishoti, pjesa e dytë, Vuajtjet e Djaloshit Verter, Princi i Vogël, Vilet e zemërimit të John Steinbeck, Obllomovi i Gonçarovit etj.etj, gjithçka e dalë nga dora e tij janë kryevepra, monumente të gjuhës shqipe. Kur hapej biseda e përkthimit, gjithmonë shprehte pakënaqësinë për normën e faqeve e vendosur nga Shtëpia Botuese që e diskutonte shpesh me Donika Omarin, shefen e tij, por niveli i përkthimit që mban emrin e tij mbetet madhështor.
Petro Zheji ishte një kokë më vete, i pakrahasueshëm. I ngritur mbi themelin e së vërtetës. Prandaj ishte i vërtetë dhe antitabu. E para fjalë e urtë që më sugjeroi sapo nisëm leksionet e frëngjishtes bashkë me poezinë e Gérard de Nerval “Une allée du Luxembourg” ishte: “Pas de génie sans un grain de folie” – “Nuk ka gjeni pa një damar marri”, si për të justifikuar personalitetin e tij kundrarrymës, që xhelozët i bënte të thoshin “Petro Zheji është i çmendur!” I çmendur ishte sistemi dhe shoqëria pjellë prej tij, ndërsa Petro Zheji ishte një Njeri i Vërtetë. Në fakt, nga burgu duhej ta ketë shpëtuar diagnoza e një psikiatri, por ajo diagnozë i takonte shoqërisë së indoktrinuar shqiptare, ndërsa Petro Zheji nuk e pranonte dogmën. Ai e jetonte realitetin orwellian shqiptar me një sarkazmus dhe buzëqeshje që nuk i shqitej kurrë nga buza.
Petro Zheji ishte punëtor i madh, i palodhur, e dashuronte shqipen, profesionin dhe i jepej me pasion. I mblidhte të gjitha fjalorët dialektorë të shqipes për të qëmtuar perlat e gjuhës. Çdo fjalë shqip ishte për të një minierë ari që e bënte entuziast.
Në lidhje me ndryshimin e mbiemrave. Në diktaturë të ndërroje emrin e familjes ishte mënyrë për t’i shpëtuar ferrit të përndjekjeve, për t’i shpëtuar syrit vigjilent të instrumenteve të saj të shpërndarë në vend të aparaturave çimka nëpër institucionet e superstrukturës.
Marr një shembull brenda gjakut tim, dy dajat e nënës time për t’i prerë e harruar rrënjët me mbiemrin e komplikuar Starova e ndryshuan atë në Darova.
Por Petro Zheji është njohur vetëm me këtë emër. Sikur e gjithë familja e tij. Nga familja e Petro Zhejit kanë dalë intelektualë të elitës, Gjergj Zheji, Vera Zheji e me radhë.
Nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar t’i akuzojë këta emra apo t’i marrë nëpër gojë! Kanë mbetur të respektuar nga fillimi në fund, me jetë të pastër nga nisja në finish.
Ndërsa Petro Zheji ishte përjashtimi, antirregulli, antirryma, antikonformisti, tallësi dhe përqeshësi ndaj të keqes, adhurues i lirisë, dhe luftëtar i paepur i saj, ishte adhurues i dijes dhe dijetar i përmasave kozmike, ishte adhurues i kulturës dhe një diell që buronte kulturë me një sensibilitet sublim ndaj dhimbjes dhe vuajtjes. Petro Zheji dinte gjithçka. Matematikë, filozofi. Kishte krijuar Teorinë e Simbolikës së Algoritmit, lidhte e zgjidhte antiken, mistiken me të sotmen. Letërsinë dhe gjuhën e shihte një urë hyjnore për të arritur tek shpirti njerëzor, prandaj ishte një polumbar poligliot që i shkonte gjuhës deri në thellësitë më të skajshme.
Njihte thellësisht historinë dhe kulturën Perëndimore, kryeveprat e letërsisë ruse, franceze, italiane, gjermanike, botërore, njihte Biblën, Kuranin, Talmudin, politeizmin, filozofitë që buronin nga kulturat popullore me mitet, traditat, hyjnitë, demonët.
Shpresën e mbante tek SHBA, sepse aty e shihte shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dashuria për Amerikën e shtyu të bënte zgjedhjen më të vështirë të jetës, të ndahej me të birin Arturin, i cili vendosi të qendronte në Romë, ku ishte punësuar asaj kohe tek Radio Radicale dhe kishte miqësi me Marco Pannella-n.
Ajo që dihet botërisht është se Petro Zheji mbeti i anatemuar si në diktaturë, edhe gjatë çerek shekullit që jetoi në postdiktaturë, i njoruar nga dishepujt e tij, nga ata që Petro u përpoq me gjithë shpirt t’u mësonte diçka, por ata ishin dhe mbetën sikur do t’i përcaktonte T.S. Eliot në poemën e tij “Hollow men”, shpirtërisht dhe moralisht bosh.
Në lidhje me SHBA, Petro Zheji paska thënë se “aty paska gjetur komunistë” dhe kjo paska qenë arsyeja prej zhgënjimit e kthimit të tij. Nuk kam djeni për këtë pjesë të jetës së tij. Në fakt, Petro Zheji ishte ithtar i së vërtetës. Kur ka thënë diçka, patjetër ka pasur bindje, sikur e kanë përsëritur edhe shumë të tjerë pas tij. Të parët që shkuan në Amerikë prej 1991 ishin ish-sigurimsat, njerëzit e besuar të diktaturës, pasi ata kishin mundësi të merrnin viza, sepse i kishin në dorë të gjitha instrumentat e shtetit.
Arsyeja që është kthyer në Shqipëri mund të ketë qenë zhgënjimi por më tepër malli për vendin dhe djalin e tij. Ati, Biri dhe Zoti.
Petro Zheji e përsëriste shpesh se quhej “Gur” dhe dihet se “Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.
Petro Zheji u ngop me Perëndimin dhe u kthye. Zhgënjimi i shijonte më mirë në vendin e tij. U kthye Guri, që kishte rënë Meteor nga Qielli më 18 tetor të vitit 1929, që jetoi në Tiranën e tij plot me djaj si Samaritan i Mirë, për t’u ngulitur aty, që askush të mund ta shkulë dot nga vendi as shqipen, as Shqipërinë.
***
Më vjen mirë që skulptori i mirënjohur amerikan Thomas Marsh, autor i statujës në nderim të viktimave të komunizmit “Goddess of Democracy” e vendosur ne Washington, DC ka treguar gatishmëri të plotë të krijojë statujën e Petro Zhejit, gjuhëtarit avantguard antikomunist dhe mendimtarit luminar, statuja e cila e ka vendin përpara Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikur edhe Akademia e Shkencave do të nderohej me emrin e Petro Zhejit.
2016 – 9.10.2023