VOAL

VOAL

IN MEMORIAM PËR ALI MULËN – Nga Dr. Mujë Buçpapaj

November 22, 2021

Komentet

Me Stalin e Musolin, me Hitler e me Fuhrer, të gjithë në ferr- Nga SENAD GURAZIU

Sipas “FactsNet”, për liderët më të këqinj të kësaj bote, për diktatorët më të egër, më të ligë, më të “djallëzuar” të historisë, mund të krijohet një listë prej 24 figurash. Le ta cekim që në fillim (për t’iu shmangur sadopak surprizës) se dhe Xhaxhi-Hoxha i shqiptarëve është ndër ta – por dhe Xhingis Khani i dikurshëm, sikur dhe Kim Jong-uni mëvonshëm me gjithë Kim Jong-ilin e mëhershëm.
Në rregull, mirëpo si përcaktohet ligësia (djallëzia) e tyre, ç’kritere duhet përmbushur nga “kandidatët”, a mospërmbushur, në çfarë duhet bazuar njeriu? Epo, meqë s’ka definicione “ekzakte” rreth kësaj çështje, ia fillohet me intron e shkurtër (introja ilustrohet me foton e Fuhrerit, padyshim si portret-simbol i më të tmerrshmes). Fillohet me pyetjen vallë si përcaktohet shkalla e ligësisë së një lideri, çfarë e keqe e bën një lider vërtet të keq? Mos vallë ambicjet e pamëshirshme, shkalla e madhe e mizorive, shfarosjet masive, përbuzja e njerëzve si krijesa, shpërfillja për jetën njerëzore?!
Gjithsesi, historia ka njohur liderë të ndryshëm, veprimet e të cilëve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme të tmerrit dhe të vuajtjeve; nga tiranët e lashtë e deri tek diktatorët modernë. Historia i ruan dëshmitë për shembuj liderësh që e kanë mbajtur pushtetin me pasoja shkatërruese – thuhet në artikullin e FactsNet.
Pra radhitja se kush më i djallëzuar do ishte e vështirë, por dhe s’ka aq rëndësi qëkur të gjithë të ligë, me Stalin e Musolin, me Sadam e me Gadaf, me Fidel e Idi Amin, me Hitler e me Fuhrer të gjithë në ferr : )
Andaj meqë lista e “djajve të historisë” duhet nisur disi – nr. 1 lider Taylori (ish-Presidenti i Liberisë), pastaj nr. 2 Robert Mugabe (ish-Presidenti i Zimbabvesë), nr. 3 Stalini, nr. 4 Hitleri, nr. 5 Mao-Kinezi, nr. 6 Pol Poti (lideri i Kmerëve të Kuq), nr. 7 Idi Amini (diktatori famëkeq i Ugandës), nr. 8 Kim Jong-il (lideri enigmatik i Verio-Koresë), menjëherë pas mësuesit : ) dhe nxënësi nr. 9 Kim Jong-un (lideri simpatik i Verio-Koresë)… etj. etj. deri tek Xhaxhi-Hoxha, ky i 16-i në listën.
Pastaj ka dhe të tjerë, kuptohet, psh. Ajatollahu i Iranit, Fideli i Kubës dhe tutje lista mbaron me ca diktatorë të Afrikës. S’po i përmend të gjithë emrat varg e varg të listës, sepse s’është interesante të “rrëfehet” i gjithë filmi, ku ngelet pastaj kënaqësia e vajtjes në kino, ku ngelet ëmbëlsia e surprizave. Jo pra, mbase më mirë linkun komplet të FactsNet dhe lexuesi i interesuar lexon vetë : )

Inaugurimi Trumpidencial – Froni imagjinar, sipas fansave dhe sipas Trumpidentit- Nga S. Guraziu

…meqë po afrohet dita e inaugurimit Trumpidencial, dhe meqë s’dimë çfarë duhet thënë me ndonjë artikull (ashtu-kështu s’na e boton kush, për fat të keq s’na njohin, as Washington-Posti as New York-Posti), ndoshta dhe grafikisht mund të kontribuohet, jo vetëm me fjalë, andaj e bemë 1 kartolinë (me ndihmën e AI), sipas nesh majtas është versioni imagjinar i fansave, kudo që janë, anembanë botës, sikur dhe imagjinata e të gjithë votuesve të tij atje në Amerikë, madje dhe e shqiptarëve të disasporës që patën ikur dikur nga komunizmi dhe që i tremben dhe sot e kësaj dite, prandaj dhe ngelën andej oqeanit, i arsyeshëm moskthimi në atdhe, sepse kur e ke frikë komunizmin s’ke as si kthehesh, dhe kështu dmth. duke votuar për Trumpidentin e çelikosën besimin e tyre “o trumpizmi o komunizmi”, i thanë komunizmit “stop, shporru nga Amerika, ik andej diku në Kinë a në Rusi…” – ndërsa djathtas sipas nesh grafika e paraqet imagjinatën e vetë Trumpidentit, siç i duket atij froni dhe shkëlqesia e vet, më 20 Janari 2025…

“Guerrilla Girls” – Kolektiv feminist artistik (prapa maskave)- Nga SENAD GURAZIU

[ ngjitur, poster, art feminist – “Guerrilla Girls Manifesta” (kujdes: jo manifesto, por manifesta) për muzeumet artistike të mbarë botës ]

“Guerrilla Girls” është një grup anonim artistesh (grup femrash) një kolektiv feminist i cili ka mëtuar ta sfidojë botën e artit që nga v. 1985, kur grupi qe themeluar në Nju Jork. Misioni i tyre është që në mënyrë sistematike dhe me “metodat e gueriljes”, t’i kundërvihen mendësisë dekadente të “maskilinizmit”, t’i kundërvihen seksizmit dhe racizmit brenda botës së artit.

Metoda e tyre gueril-iste nënkupton përdorimin e posterave, ikonave, pllakateve, librave, tabelave, intervistave dhe të shumçkaje tjetër që e ndihmon angazhimin e tyre artistik. Thuhet se mesazhet e tyre si aktivitet artistik në përgjithësi janë punë mjaft provokative, “kolorifike”, e veçantë, dhe përmban plot humor.

Artistet guerile, “guerrilla girls” veprojnë prapa maskave, skena e tyre a veprimit është anonimati kolektiv. Për t’i mbrojtur identitetet individuale (psh. kur japin intervista për mediat) ato mbajnë maska ​​gorillash (ashtu vetë kanë zgjedhur, ashtu dhe quhen). Pastaj përdorin pseudonime që u referohen artisteve femra të mirënjohura, si psh. Frida Kahlo, Kathe Kollwitz etj. Po ashtu përdorin pseudonime të ngjashëm me emra të shkrimtareve dhe aktivisteve të ndryshme të historisë, si psh. të Gertrude Stein, Harriet Tubman etj.

***
Tashmë e 3-4 dekada “gorillat feministe” e kanë përdorur kreativitetin e tyre artistik për t’i trajtuar çështjet sistematike të seksizmit dhe të racizmit brenda industrisë së artit. Me posterin ikonik “Manifesta” (dmth. o-ja duhet të ktehet në a, në mënyrë që t’jetë “manifesta”, rregullore feministe, të dallojë nga “manifesto-mendësia” maskilineske : ) ato në mënyrë anonime, kuptohet si gjithmonë, prapa maskave gorilliste, i shpalosin rregullat e tyre për t’i bërë muzetë e artit institucione moderne, organizata më të mira të artit, më të drejta, më të denja.

S’ka as dhe një fjalë apo diç të “manifesta”, madje as presje as pikë, për t’mos u pajtuar, ato e thonë troç e thjeshtë – bie fjala, e gjithë bota mbarë e di se muzeumet e botës perëndimore janë përplot me artifakte të plaçkitura ndër shekuj nga Egjipti dhe nga sfera afrikane në përgjithësi. S’ke si t’mos pajtohesh me kërkesën e “manifesta” që artifaktet do duhej riatdhesuar, do duhej kthyer pronarëve dhe do duhej kërkuar falje.

Anise muzeumet e Londrës, të Nju Jorkut, Parisit etj. (si organizata biznesi, si ndërmarrje moderne të fitimprurjes) kurrë s’do “pajtohen”, sipas tyre kthimi i artifakteve të plaçkitura do t’i “zhbënte” muzeumet, s’do ishin tutje çfarë muzeumet janë.

Disa nga kërkesat kryesore të “Manifesta” (që u drejtohen muzeumeve të artit të mbarë botës) mbase do thuktoheshin si vijon:

Luftoje, zhbëje racizmin institucional, seksizmin, klas-izmin (luftoji klasat dhe diskriminimin klasor), luftoje ableizmin (dhënien përparësi njerëzve normalë, krahasuar me invalidët trupor, dmth. ji kundër diskriminimit para-artistik), luftoje homofobinë, transfobinë, kolonializmin gjithashtu.

Tregoje gjithë historinë e artit, duke përfshirë skllavërinë dhe gjenocidin e indigjenëve.

Pranoje se për shekuj femrat janë përshkruar e trajtuar si objekte seksualistike të imagjinatës dhe të dëshirës mashkullore, dhe si viktima të agresionit mashkullor. Pranoje se madje dhe vetë artistët ishin “predatorë (grabitqarë) seksualë”.

Artifaktet e plaçkitura, kontrabanda shekullore dhe objektet e grabitura të koleksionit tuaj duhet riatdhesuar, duke kërkuar dhe falje publike ndaj pronarëve të artifakteve.

Dhe po ashtu, nëse një muze ekspozon vetëm art super të shtrenjtë, blerë ndër galeritë super të shtrenjta të artit, ose dhuruar nga koleksionistë super të pasur, ai muzeum do duhej riemërtuar, do duhej të vetëquhet diç si “Muzeu i Artit të Njerëzve Super të Pasur” : )

D’AKORD miqt’e mi!?- Nga YMER BALA

…Hera e parë që më ka pëlqye gazetari me origjinë nga shkodra, z.Besi Bekteshi, i cili foli për humorin e sotëm shkodran në Estradën tonë!
Më pëlqeu sepse këtë herë nuk u muer me politikë, siç ban randomtë!
E ndoqa me vemendje emisionin e tij i cili edhe më emocionoi mbasi më risolli shumë kujtime për traditën e humorit shkodran !
…Ai bani nji analizë profesionale dhe qytetare për gjendjen e humorit tradicional shkodran, i cili sot po largohet çdo ditë prej atij humorit fin (të hollë) !
Vertetë aktorët e shquem të sotëm të Estradës tonë, trashigimtarë të figurave të ndrituna të cilët nuk jetojnë ma fizikisht, të cilët e ngritën humorin qytetar shkodran në maja të nalta e të paharrueme…janë plakun fizikisht dhe nuk e kanë ma atë freskinë dhe energjinë e dikurshme me të cilën u afirmuen dhe u vlersuen prej spektatorit shkodran, e jo vetëm…por, nga qëndrimi i gjatë i tyne në skenë, vjen nji kohë që ata do të përsërisin vetveten!
Shtoji kësaj edhe nivelin mjeran të materialeve (teksteve, libreteve, grimcave humoristike…) të “bombardueme” me banalitete !
Këta aktorë të afirmuem ndër dekada , kanë përgjegjësi për këtë gjendje dhe u bie detyrë që mos t’i pranojnë e mos t’i interpretojnë ato “paçavure” gjasme humoristike!
Ata janë aktorë që e kanë krijue personalitetin e tyne artistik tuj interpretue skeçe me situata komike e jo me batuta banale që janë si flakë kashte e që vërtetë të bajnë me qeshë sepse e paprituna të ban me qeshë me “zor” por asht fabula ajo, asht teksti i shkruem me kulturë dhe inskenimi në skenë me fantazi prej regjisorit ata që e bajnë edhe me qeshë edhe me mendue spektatorin!
Ky asht misioni themelor i artit.
Molieri i madh në komedinë e tij satirike “I sëmuri imagjinarë” apo në gegnisht “I ligu për mend”, na thotë”
“Castigat ridendo mores”
(Vesi ndeshkohet tuj e përqeshë atë)
…Po sjell veç nji shembull:
“Kunati i shokut Xhemal”, shkrue me inteligjencë dhe humor të hollë tipik shkodran prej të ndertit e të paharruemit shkrimtar, z. Paulin Selimi , dritë pastë!
…Sa larg jemi largue sot nga ai humor i pashoq , plot kulturë , finesë e qytetari!
…Diku kam pas lexue që:
“Gratë që nuk dijnë të plaken…
Artistat që nuk largohen në kohën e duhun nga skena…
Futbollistat që nuk largohen në kohën e duhun nga fusha e blertë…
Te tria palët, nuk kanë të drejtë !
…Tue përfundue , po e huazoj shprehjen e gazetarit të emisionit PRIZMUS:
“D’akord miqt’e mi?!”

Njё ekspozitё nё sallёn e kryeministrisё tё artistit durrsak Krist Dimo

 

Kontaktin e parё me pikturat e artistit Krist Dimo, e kam patur ndёrsa endesha virtualisht nёpёr faqet e fb-kut. Kovidi sapo kishte filluar dhe i mbyllur nё shtёpi, si e gjithё bota, vrisja kohёn duke u kotur nёpёr rrjetet socjale. Sapo e vura re, mё tёrhoqi nё radhё tё parё stili abstrakt, minimalist, por herё herё edhe figurativ i kёtij artisti tepёr interesant durrsak. Krejt kurjoz, fillova tё thellohesha tek vepra e tij piktorike. Herё herё, tek i vёreja, më dukej sikur po gjendesha përpara ca vizatimeve naive bërë nga njё fëmijë, ose përpara atyre pikturave rupestre nëpër shpellat parahistorike, por kur i vëzhgoja me kujdes, atëherë ndihej qartë se ato ishin tё medituara thellë, nga një artist tejet i përgatitur dhe tepёr i kujdesshëm. Ato më shtynin të meditoja mbi nevojat mё tё thella shpirtёrore qё ka njeriu. Dukja e tyre naive, pra, nuk ishte veç njё trill. Kur thellohesha, aty ku unë mendoja se gjithçka ishte një zgjidhje e thjeshtë, e pamenduar, linja të hedhura ashtu si nëpër gjumë, sikur të zhgarravisnim për të kaluar kohën, në të vërtetë fshihej gjithmonë një mesazh filozofik, një gjendje emocionale e mirë menduar, një dialog i thellё me vetveten. Gjurmët që Krist Dimo lё mbi telajo, janë sa origjinale aq edhe të shumë interpretueshme. Jane sa në dukje ‘naïve’ po aq edhe të koklavitura dhe të “rrezikshme”, apo të ‘vështira’ për t’u kapur, ndonjëherë. Ndaj, punët e kёtij artisti, kanë nevojë për një përgatitje intelektuale, për një rimodelim shijesh, kanë nevojë siç shprehet ai vetë, për emancipim. Një emancipim, si në formën e shprehjes, të cilën ai e ka arritur, mbas vëzhgimesh të gjata dhe të thella, po ashtu edhe nё pёrthithjen e mesazhit. Tek ai e ‘shëmtuara’ bëhet estetikisht e bukur, ‘naivja’ bëhet meditim i thellë, ‘thjeshtësia’ trasformohet në sintezë. Silueti i tij i shqetёsuar shndërrohet gati në një ankth ekzistencial. Thjeshtësia, ironia dhe origjinaliteti, janë vetëm tre nga tiparet kryesore që unё vё re në veprën e tij.
Zgjidhjet e tij estetike me sfondet e zeza, tё bardha, krejt tё thjeshta, linjat e hedhura nё njё zbrazёti plot enigma, pikёpyetjet, gjёegjёzat me ngjyra; nuk japin pёrgjigje, por e shtyjnё shikuesin tё futet nё reflektime, tё meditojё, tё lodhet pёr tё kapur esencёn, thelbin e domethёnjes. Kristi punon me atё pjesё tё ndёrgjegjes sё tij e cila nuk mund tё konkretizohet, as tё deshifrohet me fjalё. Ajo i drejtohet shtresёs sё pandёrgjegjes. Aty lind, aty zhvillohet, aty ndalet gati me kёmbёngulje. Ёshtё ajo zona e ёndёrrёs, e imagjinatёs, e intuitёs, lёnda bazё e shqetёsimeve tё brendёshme, ku pulsjonet e artistit hidhen direkt mbi telajo dhe transformohen nё njё meditim tё thellё mbi vetminё bashkёkohore, kaosin, deformimin e saj pse jo, edhe shpirtёror.
Ai don të flasë thellë mbi njeriun dhe e arrin atë. Arrin të evidencojë pjesën më të errët të qenies dhe tё gjendjes njerëzore, e cila është vetëm një degëzim në pemën tematike të artistit Dimo. Pemë, ku thelbësorja, trungu pra, është kërkimi i pandërprerë i tij filozofik mbi ekzistencën.

Duke u marrë vetëm me figurën njerëzore ai don të ndalet tek dialogu- monolog që artisti bën mbi fenomenin jetë dhe e bën këtë në një mënyrë disi të pandërgjegjshme, ku ai arrin të denoncojë atë shkatërrim ‘moral’ jo vetëm të vlerave tradicionale, por edhe të vlerave të vetë qytetërimit të sotëm. Parregullsia e formave, antikonformizmi i linjës në serinë e portreteve të Dimos, tregon qartë shpirtin e sotëm, frymën bashkëkohore. Kjo shumllojshmëri profilesh psikologjike, shpall gjithashtu edhe dështimin e vetё njeriut. Duket sikur, njeriu i Dimos, sillet në një qark të mbyllur, të errët, ku shumë pyetje mbeten pa përgjigje, shumë përgjigje nuk janë të nxjerra nga pyetjet racjonale, por nga intuita e tij artistike; ku shumë kërkime nuk të shpien asgjëkundi dhe shumë hulumtime dështojnë. Por dështimi i njeriut të Dimos, është dështimi i vetë njeriut, ndërsa orvatet të gjejë të vërtetën e tij. Dështimet e Dimos në planin egzistencjal, duke u ndalur dhe duke reflektuar mbi fatin e njeriut të sotëm, janë dёshtimet hulumtuese të njё artisti, i cili nuk pret konkluzjone, zgjidhje. Ai veç konstaton, vëzhgon, vë në dukje, atё çrregullsi, kaos, shqetёsim qё ёshtё edhe magma e brendёshme e krijuesit. Linjat e tij plot zhdërvjelltësi, janё rebele. Ato nuk respektojnë as anatominë e natyrës, as ligjet e fizikës. Janë linja të cilat kanë një domethënje shpirtërore. Deformimet e Dimos, janë akti i parë i rebelimit të artistit, i cili ndjek humorin e brendëshëm, ndjek pulsin e emocioneve të tij. Interpreton pra njeriun, pasi e ka hulumtuar atë thellë dhe me kujdes. Ai, siç e thashё, nuk jep zgjidhje. Ai nuk është filozof me paketa të gatshme filozofike i cili pretendon të zbulojё të vërtetën. Ai me siluetat e tij provokuese, veç ngacmon dhe nxit reflektimim. Tek linjat agresive të figurave, tek sfondet e thjeshta dhe të errëta, tek ekspresiviteti i tyre shpesh i pakapshëm, qëndron edhe limfa jetësore e vërtetësisë së artit të tij. Ёshtё njё art, ky i Dimos qё komunikon direkt me pandërgjegjen, njё gjuhё qё i drejtohet emocjoneve, ndjenjave, iracjonales. Ai është një hulumtues i mprehtë i vetmisë, i braktisjes, i boshit tё madh të njeriut. Tek vepra e tij mungon njeriu i Madh, i cili mbizotëronte me rregullat tradicionale trashёguar nga paraardhёsit e tij. Këtu na vjen njeriu i shekullit tonë. Njeriu me misteret e tij, njeriu kompleks, njeriu i cili e ka humbur fillin dhe nuk orientohet dot, pra, ku ai e ka humbur edhe strukturën e tij. Do tё bёja njё anologji me tregimin e Franc Kafkёs “Metamorfoza”. I pari shkrimtar i cili me antenat e tij tё mprehta vёzhguese, ka kapur kllapinё, ankthin, tmerrin dhe frikёn e njeriut moderrn i cili do tё shfaqej mё pas. Jo rastёsisht, tek vizitoja muzeun e Franc Kafkёs nё Pragё, gjeta disa vizatime tё gjeniut nga Boemja, tё cilat, pёrnjёherёsh mё kujtuan tablotё e artistit durrsak nё fjalё. Tek tabllotё e tij, unё gjej njeriun skllav tё teknologjisë, tё njё moderniteti dhe konsumizmi, i cili ja ka marrё frymёn krejt. Gati gati, skllav i një lirie aq të madhe qё ai nuk ёshtё ndoshta nё gjendje as ta zotёrojё, as ta kuptojё dhe as ta pёrdorё atё siç duhet. Por gjithashtu, skllav edhe i një boshi të madh. Një bosh intelektual, që Dimo e ka perceptuar me shqisat e tij prej artisti.
Ai me artin e tij na vjen fuqishëm, drejtpërdrejtë. Dimo ka arritur të ketë një stil krejt origjinal, të tijin. Një stil që aludon, provokon, thellohet, mediton, ëndërron. Një stil plot pulsione jete, ku Dimo filozof me ngjyra dhe linja, na flet me poezinë e tij. Një poezi minimaliste, gati e padeshifrueshme, por gjithmonë e pranishme dhe e aftё tё na nxisё nё reflektime.
Ekspozita do tё hapet me 11 janar nё COD, salla qendrore e kryeministrisё, me hyrjen nga bulevardi i madh, mbasdite ora 19. Pritet gjithashtu edhe pjesёmarrja e kryeministrit Edi Rama.

A. Spanjolli

Më 10 janar 1942 lindi aktori i shquar Robert Ndrenika

Robert Ndrenika (lindur më 10 janar 1942) është një aktor dhe ish politikan shqiptar. Është nderuar me çmimin Artist i Popullit i Shqipërisë në vitin 1988. Ai ishte aktiv në filma, por edhe në teatër dhe televizion duke interpretuar qindra role kryesore dhe dytësore.

Ndrenika ka studiuar në gjimnazin Qemal Stafa, në Tiranë, Shqipëri.

Ndrenika ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë viteve 1992-1996, duke përfaqësuar Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në vitin 1998, Ndrenika u nderua me dekoratën Artist i Popullit i Shqipërisë, duke u bërë ndër të paktët aktorë që e kishte këtë dekoratë. Në vitin 2012, Ndrenika u dekorua me Urdhrin Nderi i Kombit nga presidenti Bamir Topi për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare.

Ndrenika ka dy vajza. Bashkëshortja e tij Polikseni Ndrenika, vdiq në vitin 2008. Humbja e gruas e mbajti Ndrenikën larg aktrimit për katër vitet e ardhshme. Ai u kthye në skenë në prill 2012.

Kronikë provinciale (2009)
Ne dhe Lenini – (2008)
Tifozet – (2004) komedi
Ishte koha për dashuri – (2004)
Njerez dhe fate – (2002-2003) miniserial
Tiranë, viti zero – (2001) Kujtimi
Parullat – (2001) Lleshi
Bolero – (1997)
Nata e dymbëdhjetë – teatër-komedi
Botë e padukshme – (1987) Iliazi
Përrallë Nga e Kaluara – (1987) Vangjeli
Vrasje në gjueti – (1987)
Dhe vjen një ditë – (1986) Vëllai i Llano Bletës
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Tre njerëz me guna – (1985)
Shirat e vjeshtës – (1984)
Kohë e largët – (1983) Anastas Grigori
Besa e kuqe – (1982)
Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV)
Nëntori i dytë – (1982)
Shi në plazh – (1982)
Vëllezër dhe shokë – (1982)
Një shoqëri nga fshati – (1980)
Ditët që sollën pranverën – (1979) (TV)
Mësonjëtorja – (1979) Kosta
Në shtëpinë tonë – (1979)
Koncert në vitin 1936 (1978) Fotaqi (n/prefekti)
Shëmbja e idhujve – (1977) Kapteri
Emblema e dikurshme – (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin – (1974) Zeqo
Rrugë të bardha – (1974)
Shtigje të luftës – (1974) Shabani
Kryengritje në pallat – (1972)
Odiseja e tifozave – (1972)
Kapedani – (1972) i biri i xha Sulos
I teti në bronx – (1970) Xhemali
Horizonte të hapura – (1968) Azemi
Oshëtimë në bregdet – (1966)

(Wikipedia)

Kohë-hapësira e Ajnshtajnit dhe problemi (i aktualizuar)!- Esé nga SENAD GURAZIU

(mos vallë qenkemi diç si krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt tjetër, nëse po, atëherë mos pyet, sepse do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist)

***
E qartë, shkencëtarët s’i kanë punët dhe aq mirë me “kohë-hapësirën” e Ajnshtajnit (space-time – ngjitur një kopje e artikullit të Quanta), gjithnjë e më shumë duke u rritur problematika. Dhe kjo është për t’u “habitur” sepse përputhet me skepsën tonë (prej komentuesi) në të kaluarën, fort e çuditshme sepse del në pah që më në fund shkencëtarët kanë filluar të mendojnë “njësoj” si ne joshkencëtarët : )

Nga ana tjetër ndoshta dhe s’është për t’u çuditur, pasi secilikush i ka arsyet e veta lidhur me shkencën, jo vetëm shkencëtarët brengosen, edhe joshkencëtarët brengosen për shkencën, apo jo. Në një koment të v. 2019 pata shkruar se e tashmja, koha jonë sikur ngulfatet nga një lloj entuziasmi i çuditshëm “shkencor”. Ngjashëm si në kohën e Ajnshtajnit skeptik, meqë ai vetë nuk besonte aq në kuantikat (ankohej për revistat dhe për literaturat shkencore të kohës së vet).

Ajnshtajni i referohej Teorisë Kuantike si “kundërshti me shkencën moderne… si tendencë kah pikëpamja mistike” – “Aktualisht ekziston një tendencë e caktuar për pikëpamje mistike, e që është duke u publikuar në literaturën e popullarizuar shkencore.” – pati shkruar.

Si shembull të entuziasmit të madh e pata marrë një artikull të “Quanta” ku thuhej se fizikanët ia kanë dalë ta ujdisin një model holografik të “de Sitter-universit”, dhe se kjo arritje (sipas artikullit) eventualisht mund t’i ndihmojë shkencëtarët për ta “kuptuar” njëherë e përgjithmonë origjinën e kohë-hapësirës (për ta zgjidhur njëherë e definitivisht problemin e kohë-hapësirës ajnshtaniane). Lajm i madh ky po se po, në dukje aq i thjeshtë, nuk tingëllon si diç “pompoze”, asfare lajm bombastik – pata bërë shaka.

***
Quanta-revista sikur i thoshte lexuesit se është vetëm çështje kohe, duke përdorur “de Sitter-holografiken”, duke i përdorur spekulimet dhe formulat matematikore do t’i zbërthejmë njëherë e mirë problematikat e tilla kozmike si “koha” dhe “hapësira”!

Mirëpo ç’është “de Sitter-universi”? – mbase diç si model i universit matematikor, thonë shkencëtarët, ashtu i sheshtë dhe pa materien, është si të thuash një “kohë-hapësirë” ajnshtajniane. Ne joshkencëtarët s’e dimë madje ç’është as universi i vërtetë, pa le ndonjë univers imagjinar. Gjithsesi, në njëfarë mënyre supozojmë që koha dhe hapësira janë ai “shtrati” i madh universal – ashtu thoshte Ajnshtajni.

Aty fle ndoshta gjithçka e universit, me materien “ordinere”, me atë të “zezën”, me diej, me yje, me volumin energjitik, me galaktikat, me “vrimëzezat” e me gjithçka të njohur e të panjohur.

Nëse ta kemi “sqaruar” njëherë e përgjithmonë hapësirën e universit dhe kohën, atëherë tutje padyshim “hologrami i de Sitter-universit” do na i sqarojë dhe ca gjëra tjera (sepse gjërat e universit të lidhura zinxhir). Urojmë që “hologrami i de Sitter” t’na e sqarojë jo vetem kohë-hapesirën, por madje dhe ato “gjërat që kemi frikë t’i dimë”.

Me këtë të fundit, me “frikën” e kisha fjalën (si shaka) për hipotezat e simulacionit holografik – meqë, nëse Quanta na thotë se qenka simuluar modeli holografik i “de Sitter space” dhe sëshpejti do sqarohet kohë-hapësira ajnshtaniane… ateherë pra, mos vallë edhe ai i “krisuri” Philip K. Dick thjesht na paska patur të drejtë.

Mos vallë, duke simuluar me kompjuterat dhe duke i vërtetuar shkencat, ndodhë ta zbulojmë të vërtetën e simulacioneve kompjuterike të “ndokujt tjetër”. Nëse mund t’i simulojmë kushtet e universit laboratorik-matematik dhe ta sqarojmë origjinën kohore-hapësinore, çfarë nëse dhe “ndokush tjetër” mundet, çfarë nëse qëmoti është duke u marrë me neve + me simulacionet – do pyeste Philip K. Dick!

Meqë ai ishte ideatori, Philip K. Dick dikur e pati shpalosur idenë se realiteti ynë në fakt mund t’jetë një simulim i parallogaritur dhe i mirëllogaritur, diç si një “matricë” e dirigjuar nga jashtë, ngjashëm me “matricën” kompjterike (siç e kemi sot, mundësuar me gjenialitetin e njeriut). Atëbotë, në vitin 1959 askush ose fare pak kush mund ta ketë marrë seriozisht hipotezën e tij. Më vonë, në v. 1977 qe “përqeshur” diku në Francë, në një tubim të rastit, kur rishtas qe shprehur “…ne jetojmë në një realitet të programuar, gjithçka e botës sonë është një simulacion kompjterik i dikujt…”!

Sot aq shumë shkencëtarë merren seriozisht me këtë “hipotezë”. Dikur talleshin me ideatorin, por sot shkencëtarët thonë se “hipoteza e simulacionit” madje dhe mund të testohet. “Discovery” pohonte se testime të tilla shmangen qëllimisht nga shkencëtarët (rreth hipotezës në fjalë) – meqë, nëse të dëshmohej si e mundshme… atëherë (sipas “frikës” së Discovery) do nënkuptohej se dhe ne vetë qenkemi “krijesa holografike”, simulacione kompjuterike, krijesa të një “super-kompjuteri universal”, pikërisht siç ngulte këmbë dikur ai i “krisuri” Philip K. Dick : )

“Shkenca e ka mundësinë për ta vërtetuar hipotezën e ‘simulacionit’, por shtrohet pyetja nëse vërtet kemi dëshirë ta dimë të vërtetën apo jo?” (Discovery, 2013). Natyrisht, “pyetja” e Discovery aq e arsyeshme – le ta shtrojmë rishtas arsyen, duam, apo s’duam ta dimë?

E njëjta pyetje është dhe “frikë”, Discovery na thotë se shkenca e paska mundësinë për “vërtetim” mirëpo qëllimisht u anashkaluaka vërtetimi. Shkencëtarët i shmangen qëllimisht “vërtetimit”, madje dhe heshtin, as gëk as mëk, thjesht nuk duan “vërtetime”. Thuase donë t’na thonë: më mirë hipoteza e një Dick-u të së kaluarës të ngelet “marrëzi”, sesa t’na shembet realja siç e njohim, bota e shkencave dhe ajo e imagjinatës.

Discovery sikur na sugjeron që disa gjëra më mirë t’mos i dimë kurrë. Ndoshta thjesht sa më shumë teori, sa më shumë hipoteza, sa më shumë artikuj e revistash shkencore, një oqean teorik, dhe sa më shumë entuziasëm. Përndryshe, nëse t’vërtetohej se jemi krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt tjetër, mbase tutje s’do na nevojiteshin as dijet as shkencat, do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist…

Bazuar në entuziasmin e Quanta, sikur na imponohet të zgjedhim mes 2 “përfundimeve” konkluzive. 1) Duhet pranuar se teoria e Philip K. Dick paska qenë (dhe dmth. ende është) mundësi e vërtetë, e mundshme, fare lehtë të vuloset me shkencën e mirëfilltë. 2) E qartë se “entuziasmi shkencor” sot për sot është duke na u rritur e zgjeruar jashtë mase, ndoshta më “gjerësisht” se zgjerimi i vetë universit. Na janë bërë bjeshkë teoritë e hipotezat, aq sa vetë shkenca sikur bie në kontradikta qesharake me vetveten, sikur vetë shkencës i “merret mendja” nga teoritë entuziaste.

Natyrisht, si opsion i përhershëm, si opsion “konstant”, na ngelet dhe buzëqeshja : ) E megjithatë, ja që kemi shkuar aq “larg”, një simulacion kompjuterik dhe voila, do ta zbërthejmë “kohën” dhe “hapësirën”, qoftë ndaras a qoftë së bashku, si “model” ajnshtajnian. Duke e sqaruar kohë-hapesirën do jemi aq afër, mbase do e kapim dhe gravitein për “bishti”. Qëkur kohë-hapesira ajnshtajniane ka kuptim vetëm si e lidhur me misterin e gravitetit. Qëkur s’mund t’ketë as “vrimëzeza” pa gravitetin, qëkur ky i dyti është shkaktari i të parës. E kape bishtin dtth. e ke kapur dhe dhelprën.

Shkurt, si fillim i përmbylljes, pritet ta sqarojmë “kohë-hapësirën” ajnshtajniane, jo se na ngutet me entuziasmin por sepse kaloi një shekull nga profecia e plakut. Pastaj pak ngelet, të tjerat pothuaj vetiu do qartësohen, sepse gjërat të “lidhura”. Fillimisht “bishtin” e dhelprës dinake… pastaj e lehtë, pa bishtin as kometat as vrimëzezat s’na e hedhin dot, pastaj bëjmë, bëjmë, shohim dhe bëjmë.
(s.guraziu – ars poetica, 2019)

***
Dhe ja tani, Quanta jo vetëm duket sikur ka zbritur sadopak më “afër tokës”, por dhe vetë shkencëtarët e pranojnë që s’i kanë punët aq mirë me “kohë-hapësirën” ajnshtajniane : )

PADREJTËSI (PARNASIANE)- Nga S. Guraziu

[ ngjitur: Henryk Siemiradzki (1843-1903) – “Parnasi”, ~1900 ]

(s. guraziu – ars poetica – koment)
Parnas – në Greqinë e lashtë fjala Parnas ishte e lidhur ngusht me poezinë, mali Parnas konsiderohej seli e Apollonit dhe e muzave (siç shihet dhe në pikturën e Siemiradzki, Apolloni në mes, me flokë të errët, i rrethuar nga muzat – paçka se ai, ashtu i mbështjellur me rrobat e kohës, nga larg duket dhe vetë si ndonjë femër). Sipas besimit tradicional (të lashtësisë greke) qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos rretherrotull burimit Kastalia, i frymëzonte poetët për t’krijuar vepra artistike.

*
“Parnasizmi” ishte një stil letrar francez që filloi gjatë periudhës pozitiviste të shek. XIX (pas Romantizmit, dhe para Simbolizmit). Stili qe ndikuar nga autori Th. Gautier si dhe nga idetë filozofike të A. Schopenhauer. Në v. 1866 në Paris do botohej buletini “Le Parnasse Contemporain” (Parnasi bashkëkohor, diç si manifest i Parnasistëve). Me “konditat e manifestit” ata mëtonin t’i kundërviheshin “utilitarizmit” letrar. Si ideal të artit e caktuan kultin e bukurisë, estetikën e pastër dhe absolute. Prej krijuesve kërkonin përsosmërinë e formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes. Poeti s’duhej “përhumbur” në ndjenjat e veta, por duhej t’ishte i matur, i përmbajtur, objektiv dhe t’mos i “personalizonte” gjërat. Pra Parnasistët sikur i “kundërviheshin” romantizmit, sentimentalizmit, frymëzimit të padisiplinuar. Krijimi artistik (si komunikim) do i dedikohej një rrethi të zgjedhur dhe elitar prej njohësish të artit, rrjedhimisht nga kjo kuptohet se krijimet letrare të parnasizmit s’do ishin “letërsi për masat”. Nga ana tjetër, po ashtu arti në përgjithësi s’duhej t’i shërbente asnjë qëllimi politik, shoqëror, e madje as moral.

Poezi, SG – Padrejtësi (Parnasiane), 2012

PADREJTËSI (PARNASIANE)
S. Guraziu, 2012

(nëse ende s’ke gjetur bririn e Zeusit* me mjaltë e ngushëllim, s’të njeh as Safoja… as ata në Olimp)

Vargjet si karamele
të ndjesisë, çokollatash
“Merci”, si “Milka”
të Helvetisë,
si fjalë të Apollonit
që nga larg na ushqejnë,
si Pegas i Perseut
që nga askund shfaqet
e vjen – në Delf
një pallat ëndrrash,
rrotull plot puthadorë,
por ti vetë as diademë
as kurorë!

Pasqyra* të flet
(amour propre), askush
si ti s’e shuan etjen
për dritë, etjen e vetë
dritës, je ti buzëqeshja
e “pafajësisë”, ëndrra
e Afërditës, me vargje
afshi i saj… në cepin
e buzëvales, kurmi
i bardhë, vetë lëkura
e imagjinatës!

Pasqyra jote e di,
përtej xhamit pakoja
e shpirtit bën dritë,
lëkura është gjymtyra
më e madhe e trupit
poetik, kërthiza mbase
vrimëbardha “solaris”,
diç si shkencë…
ngjeshje e hijeve
në pambarim, mbase
zanafilla e vetë poezisë,
as vetë drita s’ka
“shpëtim” nga aty!

* Briri i Bollëkut (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.

* “Pasqyra që flet” – Pasqyra magjike, objekt mistik në pronësi të Mbretëreshës së Keqe (apo të Ligë), në përrallën “Borëbardha” (Vëllezërit Grim) – “pasqyre, pasqyrë që të mbaj në dorë, kush është më e bukura në botë…”

RIKUJTIM- Nga YMER BALA

Profesori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të qytetit , i dashtuni mik dhe adhures i artit skenik, zotni Gëzim Puka , postoi këto ditë nji shkrim për nji shfaqje teatrore të realizueme në skenën e Teatrit “Migjeni”, 4 dekada ma parë.
Asht fjala për dramën “.Çeshtja e Blertës” me autor dramaturgun e paharruem shkodran , të ndertin zotni Fadil Kraja , nën regjinë e regjisorit me famë mbarekombëtare, të ndertit zotni Serafin Fanko.
…Ai shkrim më ringjalli shumë kujtime.
Jo pse edhe unë isha pjesmarrës në atë shfaqje por edhe pse më risolli kujtime e mall për tanë ata/ato kolegë që interpretuen në atë dramë!
…Po, i dashtuni miku im Gëzim.
Ajo shfaqje u prit shumë mirë në publik!
Tue e lexue shkrimin tand, m’u kujtuen leksionet e profesorit tonë të nderuem, zotni Alfred Uçi, ndjesë pastë, i cili na fliste për estetikën në art.
“Arti, me zhanret e tij , ka dy funksione themelorë:
Atë hedonistik (argëtues) dhe atë edukues…pra arti edukon nepërmjet argëtimit.”
…Ai kishte të drejtë.
Njerëzit shkojnë në Teatër për t’u argëtue…ose, siç po i thonë ndryshe sot, për t’u relaksue (!)
…Unë konstatoj sot që njerëzit po argëtohen në Teatër por pak po edukohen!
…”Çeshtja e Blertës”, e shkrueme dhe e inskenueme shumë vite ma parë, e sugjestionoi spektatorin shkodran , pra e edukoi atë sepse njerëzit në atë dramë “panë” vehten e tyne.
Ajo dramë ishte tronditëse , emocionale, emancipuese e qytetare!
…Meritë të madhe në suksesin e asaj drame kishte padyshim regjisori i ynë i paharruem Serafin Fanko i cili, me talentin , kulturën dhe profesionalizmin e tij, dinte t’i “godiste” mendjet e zemrat e spektatorve.
Ai ishte mjeshtër në ndamjen e roleve sepse e njifte trupën teatrore deri në hollësi.
Në atë shfaqje, falë dramaturgut Fadil Kraja dhe Serafinit me regjinë e tij, të gjithë aktorët ishin në vendin e tyne dhe njeni ma i mirë se tjetri!
Pra…ishte nji shfaqje ansambël.
…Nji kuriozitet:
Në rethanat e asaj kohe, kur ajo e “famëshmja” çensurë e cila shkonte deri në absurditet, na rrinte si shpata e Demokleut mbi krye, regjisori Serafin Fanko e sfidoi me guxim e me inteligjencë.
Po, u banë reth 8-të prova të përgjithshme(gjenerale) sepse u banë shumë vërejtje nga “specialistët” pushtetarë të partisë të cilët kishin edhe sy “specialë”, vigjilentë…prej të cilve varej nëse shfaqja do t’a shifte dritën “jeshile” në skenë!
…Eh, sa kujtime më ringjalle o miku im i dashtun Gëzim.
Të uroj Per shumë vjet Vitin e Ri me nji përqafim.

Djali: Babë, pse nuk të japin ty pension të veçantë?!- Nga YMER BALA

Dialog babë e bir !
Djali: Babë, pse nuk të japin ty pension të veçantë?!
Baba: (Ven buzën në gaz) A e di pse mor bir?
Sepse…unë kam interpretue në skenë , fillimisht në Teatrin “Migjeni” e ma vonë në Teatrin Popullor (që u ba Teatri Kombëtar dhe i cili sot asht kthye në gërmadhë) qysh në fëmini( 13-të vjeç )
Sepse…unë kam krye studimet e mesme në “Liceun Artistik” e ma vonë ata të naltat në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Nuk po t’a them vlersimin e diplomës për aktrim prej tre pedagogëve të mi të nderuem Pjeter Gjoka, Naim Frashëri dhe Udheheqësi Artistik, Kujtim Spahivogli …sepse po më duket që po të shes mend !
Nejse…!
Sepse…unë kam pasë fatin me kenë i “preferuemi” i regjisorit me famë të Teatrit mbarëkombëtar , të ndjerit Serafin Fanko si edhe i të ndjerit Elez Kadrija e po ashtu të aktores e regjisores zj.Vjoleta Sekuj.
Sepse…unë kam punue për 30-të vjet dhe kam pasë partenerë në trupen e Teatrit “Migjeni”, kolonat, të pashoqt’e asaj skene si:
Prenk Lëkunda, Adem Kastrati , Tinka Kurti, Vitore Nino, Antonieta Fishta, Vjoleta Sekuj, Lec Bushati, Ndrekë Prela, Pistol Soja, Tano Banushi, Bep Shiroka, Viktor Bruceti, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, Ramiz Rama, Tonin Ujka, Nefail Piraniqi …dhe me ma të rinj se ata si:
Gjon Kola, Enver Hyseni, Agron Dizdari, Bruno Shllaku, Donika Franja, Ana Gjini, Marije Gargjola, Paskualina Shllaku, Shpresa Garuci, Justina Alija, Rita Gjeka, Merita Smaja…
(tue thithë cigaren) Ndoshta kam harrue ndonji emën por…pa dashje mor bir se janë shumë!
Pse, thue ti?!
Sepse…në ata 30-të vite unë kam interpretue në atë skenë të ndritun vetëm role kryesore(protagonistë) dhe rrallë, shumë rrallë , ndonji rol të dytë…pa përfshi këtu aktivitetet e shumta në Shkodër me Shtëpinë e Kulturës, atë të Pionierit, në Radio Shkodra, me levizjen amatore në ndërmarrjet e shkollat e qytetit…
Pse nuk më akordojnë edhe mue nji pension të veçantë, thue ti?!
Nuk e di mor bir veçse nji gja po t’a them me plot gojë që:
Yt’at ka pasë e prap e ka nji “ves”:
Nuk ka dijtë kurr me lypë!
E po t’a them zemërhaptë që yt’at nuk ka dijtë as atëhere në kohën e “nanës” parti e as sot në “demokraci”…ndokujt me iu “lëpi”!
…Pensionin e veçantë more bir, mue ma ka pas dhanë dikur në rini spektatori i rrallë shkodran me duartrokitje dhe vazhdon prap sot , në pleqni, në facebook me “share”-s e “like”-s e tij! ( E vështron të birin ndër sy )
Unë u largova nga skena e nga Shkoderlocja për ju, në moshën e artë për nji aktor, në të 50-tat e tij. E nuk jam pendue!
A e more vesht tashti?!
Hajt mor bir, mos i shtjer vedit “zjarmí”!
Ka dashtë Zoti që Yt’at nuk ka nevojë dorën askujt me ia shtri! (Pauzë, tuj thithë cigaren)
Hajt tash, na i mbush dy gota raki.

Kinezët i kanë “fajet” për fishekzjarret- Nga S. Guraziu

…e kam thënë shpesh (sidomos vitet e fundit) kur ndërrohen motet, gëzimi i PARË i vitit të ri është fundi i çmendurisë së fishekzjarreve, pa pushuar fishekzjarret asgjë s’duket normale, asgjë s’duket “tokësore”, është mjaft e çuditshme euforia njerëzore, asnjë specie tjetër e planetit s’bën kaq shumë zhurmë nga deliri se na qenka duke gjalluar, thuase qëllimi i fishekzjarreve është ta zgjojmë zotin nga gjumi sepse paska harruar që jemi këtu poshtë, andaj duhet t’ia përkujtojmë se akoma ekzistojmë, o t’ua bëjmë me dije alienëve, jashtëtokësorëve “shih, edhe ne gjallojmë, andaj bëjmë zhurmë, qielli s’është vetëm i juaji, as universi, kot pretendoni, është dhe i yni” – boooo secilin vit tashmë sikur kam filluar t’i “urrej” kinezët që i patën shpikur : )

…e bëra një kartolinë për kreativitetin e sky division (me vitin 2025), e cila kartolinë kreative do duhej ta ngërthente mbarësinë e motit të ri, urimin, dëshirat më të bukura… dhe gjithçka : )

Zhytu në ëmbëlsi… Dive in the Dolce Vita- Nga S. Guraziu

…zhytu në ëmbëlsinë e jetës, zhytu në mjaltin… zhglluuuum, vizitoje Italinë – thërriste, thoshte Ministria italiane e Turizmit (Ministero del Turismo) me ca grafika-joshje reklamatike, mbase bërë me ndihmën e IA (Inteligjencës Artificiale) Venerën e Botiçelit e kishin veshur, jo nudo si në pikturë, tashmë Venerë moderne, dinte të bënte madje dhe “selfie” : )

…eee sikur t’bënin dhe shqiptarët si italianët, sikur t’ishim dhe ne këmbëngulës me avancimin e asaj që veç e kemi, me investime të mirëfillta, me promovimin e turizmit, të bukurive shqiptare, me ndarjen e mjeteve për promovim intensiv të turizmit shqiptar, ne do duhej në fakt 4-5 herë më shumë se italianët apo se grekët – shihi italianët, të paparë, e gjithë bota e viziton Italinë, me miliona e dhjetra miliona vizitorë… dhe prapë s’u duket mjaft italianëve, prore të pakënaqur, të bindur janë se mund të eksploatohet akoma më shumë bukuria italiane, investojnë në reklama, ndërtojnë faqe fringo të reja, të njëjtat të dhëna vetëm sa i rrotullojnë, herë andej herë këndej, herë ashtu herë kështu, herë pizza napolitana herë veneziana, realisht i njëjti brum, të njëjtat oferta, njësoj sikur dhe Venera e Botiçelit që e njëjta me shekuj : )

(grafika e fundit është detaj nga “Lindja e Venerës” e Botiçelit)


Send this to a friend