Tre gjigandët e kombit Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda
Përkujtojmë sot 92 vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (Shkodër 18 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925). Në këtë përvjetor Burri i madh i Shtetit e Personaliteti i shquar i kulturës shqiptare, vjen mes nesh me një vepër të re. Sepse njerëz si ai, edhe të vdekur, vijojnë të na sjellin mendime, nxitje, propozime e… vepra të reja, për të ardhmen, të cilës i kushtuan studime, punë, jetë e deri syrgjynosje e vdekje e varrosje larg atdheut, për të cilin ranë.
Luigj Gurakuqi vjen mes nesh me një libër të ri, përgatitur nga Willy Kamsi. Në të, të nxjerra prej Arkivit të Shtetit, edhe “Elegjitë”, përkthyer nga latinishtja në shqip prej përkthyesit Gjon Shllaku. Vijnë këto të reja, në një libër nga Botimet Françeskane, si shenjë jete, në këtë përvjetor vdekjeje.
Libri, që mund ta merrni në dorë, është i dyti mbas atij të vitit 1940, botuar nën kujdesin e Gjon Kamsit. Risia e tij qëndron në faktin se shtohen disa poezi pak e aspak të njohura. E, për herë të parë mbas 76 vjetëve, ribotohen të paprekura shënimet e Luigj Gurakuqit, që panë dritën edhe në kohën e komunizmit, në ‘Veprat e zgjedhura’ të tij, por me cungime, të cilat ia vrugnuan fytyrën, si të gjitha vlerave të asaj kohe të zymtë.
Tani mund t’i lexojmë të plota dorëshkrimet e ruajtura nga Gjon Kamsi, me të cilin Gurakuqin e lidhte një miqësi e veçantë. Kur Gjon Kamsi banonte në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqi bënte vizita të shpeshta tek shtëpia e tij. Shumë prej sendeve personale të Luigjit i ruajtën me nderim, si relike (vlerë e paçmueshme) kombëtare Gjon Kamsi, i biri dhe e bija. Edhe botimi i ri doli në dritë nën kujdesin e Willy Gjon Kamsit, i cili, në parathënie, shkruan: “Kanë kalue disa vjet qyshse pau dritën e para dhe e vetmja përmbledhje vjershash e Luigj Gurakuqit, në nji vëllim prej 94 faqesh. I botuem në Bari të Italisë më 1940, në Shtypshkrojën e nji Shtëpije Botuese të përmendun, G. Laterza, në 1000 kësombla, prej Gjon Kamsit (Gjikam), qe shpërnda në Shqipní, por edhe në Kosovë. I mirëpritun kudo, si vepra e njenit ndër atdhetarët mâ në shêj të vendit tonë”.
Sipas tij, “vjetët kanë rrjedhë dhe koha e pruni që sot të mos gjindet mâ në qarkullim asnji kopje e tij. Edhe Veprat e zgjedhuna, që u botuen para disa vjetësh, në regjim komunist, iu nënshtruen censurës, kështu që nuk mund të thomi se kemi në dorë me to, mendimin autentik të Gurakuqit”.
Dihet se Luigj Gurakuqi kishte nji miqësi të madhe me Etërit Françeskanë, sidomos me Atë Gjergj Fishtën, Atë Anton Harapin e Atë Ambroz Marlaskaj. Kjo, një nga arsyet që vjershat e tij hynë në kolanën e Botimeve Françeskane dhe u botuan prej Provincës Françeskane shqiptare, si shenjë miqësie e nderimi për këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare. Për Njeriun, që në kryeveprën e tij poetike “Qindresa” na la testamentin e tij shpirtëror. Po radhisim këtu vetëm dy strofa: të parën e të fundmen:
“Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na e zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne.
…. … … … …
Veç nji qellim i naltë t’ban me durue
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue
Mjerë ai që nuk duron!
archivioradiovaticana.va