Më 6 maj 1992 Marlen Ditrih (Marlene Dietrich ) vdiq hatërmbetur ndaj Berlinit, ngaqë shumëkush në qytetin e saj të lindjes e kishte trajtuar atë si një tradhtare. Por kjo hatërmendje nuk e ka ndalur dot qytetin ta përkujtojë atë me madhështi. Ka një hijeshi të pavdekshme Marlen Ditrih, sepse ajo gjithmonë i ka polarizuar njerëzit dhe gjithmonë ka qenë e zonja t’i shtyjë gjërat në një drejtim të caktuar Ajo do të jetë gjithmonë ikonë e Shekulli XX. Ajo krijoi rrymë të sajën, ajo ishte trime. Ajo ishte një aktore, një këngëtare dhe një heroinë politike e rëndësishme . Ajo ishte një mikrokozmos i historisë Amerikane-Gjermane në shekullin e kaluar, ka thënë për të Werner Sudendorf, autor i një biografie për Ëgjëllin Blu.
E lindur në Berlin me emrin Marie Magdalene von Losch me 27 dhjetor 1901, aktorja që u bë bjondja bombë kuintesenciale, arriti zenitin e famës dhe të lavdisë në moshën njëzetvjeçare. Ajo luftoi përmes viteve të rrëmujëshme ’20 në teatrot lokale si këngëtare dhe si aktore për një kohë të shkurtër përpara se të kalonte në kinematografi me rolin e saj të paharrueshëm në filmin „The Blue Angel“ (Engjëlli Blu ) më 1930. Emri Engjëlli Blu u bë emër personifikues për artisten gjeniale. Roli në filmin „The Blue Angel“, si këngëtare kabareje e quajtur Lola- Lola, me regjisor Josef von Sternberg, përgatitur edhe në anglisht, edhe në gjermanisht, e afirmoi atë duke ia hapur rrugën e karrierës në Hollivud. Zëri i saj i fuqishëm, mollëzat e mbushura të faqeve dhe këmbët pakrahasueshëm të gjata elektrizuan publikun e kinemave për dhjetëra vjet.
„Ditrih ishte një yll i latuar me dorë mjeshtërore nga Zoti, një punë artistike e zbuluar nga Josef von Sternberg, por, megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes,“ shkruan gazetat në gjuhën gjermane. „Ajo nuk ishte një objekt i bukurisë femërore, parë nga sytë e burrave, por ishte mishërim i vetë femrës, vetë bukuria femërore e mishëruar në njeriun.“ Ditrih është edhe simbol i guximit femëror përballë botës së burrave. Pa i lëvizur qerpiku i syrit ajo kaloi nëpër situata të tilla që vetëm një natyrë e pamposhtur si ajo mund t’ia dilte me aq guxim. „Ashtu si ajo u realizua në rolin e saj në “The Blue Angel”, ashtu ajo mbeti në mendjen e njerëzimit anembanë botës,“ tha për të Werner Sudendorf, autori i librit Marlene Dietrich. „Nuk ak dyshim se Madona dhe shumë femra të tjera të artit e imituan atë sa mundën. Ne të gjithë i kujtojmë pa gabuar të gjitha skenat me Marlen Ditrih.
Ditrih ka luajtur në filmat „Marocco“ (1930 ), „The Dishonored Woman” (Gruaja e çnderuar) 1931, “The Blond Venera” (Venera bjonde ) 1932, “The Spaniard Caprices“ (Kapriçiot spanjolle ) 1935, „The Desire“ (Dëshira ) 1936, „The International Scandal“ (Skandali Ndërkombëtar ) 1948, „Rancho Notorius“ 1952, „The Witness of Accusa“ (Dëshmitari i akuzës ) 1957, „The Victory and The Winner“ (Fitorja dhe fitimtari ) 1961, „Gigolo“ (1979), Ka publikuar librin „The Evil and The Woman“ (Djalli dhe gruaja) 1961 dhe librin autobiografik me titullin „Marlene D.“ 1979.
Marrëdhëniet dashuri – urrejtje në Berlin
Filma të tjerë të famshëm të Marlen Ditrih janë „The Scarlet Empress“ (Perandoresha e Lëkuqme ) i vitit 1934, „A Foreign Affair“ (Një çështje e jashtme ) i vitit 1948, dhe „Judgement at Nuremberg“ (Gjykimi i Nurembergut ) i vitit 1961 – shumë nga këta filma janë transmetuar gjatë muajit dhjetor në televizonet gjermane.
Karriera e Marlen Ditrih është formuar nga filmat dekadentë dhe nga skena e teatrit në Berlinin e paraluftës, por ajo u bë e famshme pas vajtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo mori shtetësinë Amerikane me 1937. Ajo i përballoi presionet e regjimit nazist të Hitlerit për t’u rikthyer në Gjermani dhe më vonë, e veshur me uniformë Amerikane, këndoi dhe luajti pjesë për trupat Amerikane në vijën e frontit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e paditën Ditrihin se “është kapërthurur me Ebrenjtë“- sikurse edhe shumë aktorë e artistë të tjerë që, si ajo, ikën jashtë Gjermanisë, sidomos në Amerikë – dhe prapë së prapë vazhduan përpjekjet në rrugë të fshehta për të mundur që ta rikthejnë në Gjermani.
Krijimtaria e saj e kohës së luftës për ushtarët e adhuruar Aleatë bënë që të krijoheshin ndjenja zemërimi për të në Berlin. Kur Ditrih u rikthye në Atdhe për një koncert më 1960, ajo u prit nga protesta të fuqishme, madje disa demonstrues bënë edhe gjeste poshtëruese kundër saj, duke e quajtur atë bushtër të ligë dhe duke ia tundur portretet e saj teksa thërrisnin fuqishëm: „Kthehu nga ke ardhur Marlen!“ Por ajo qëndroi brenda teatrit në kushtet e një sigurie të supersofisitikuar.
Ditrih mbeti e plagosur në zemër, në mënyrë të pashërueshme, dhe tha: „Unë nuk do të rikthehem kurrë më në Gjermani. Unë kam parë mjaft njerëz që bënin gjeste poshtëruese, unë kam parë mjaft demonstrata kundër meje, unë kam parë mjaft dashuri – urrejtje ndaj meje në Gjermani.“ Disa nga komentet e saj më të hidhura i janë lexuar gjatë veprimtarive përkujtimore në Berlin. „Ju duhet të linçoheni, o kriminelë mjeranë të luftës,“ ishte komenti i saj i vitit 1960, koment i një gruaje dhe një aktoreje njëherësh.
Edhe pse ajo, pas mërgimit, u rikthye në Gjermani vetëm dy herë, më 1947 dhe më 1960, Ditrih, megjithatë e zgjodhi Berlinin si vendin e banesës së përjetëshme pas rënies së Murit të Berlinit më 1989. Ajo ishte një vetmitare gjatë dekadave të fundit të jetës së saj dhe vdiq në Paris më 6 maj 1992. Ajo u duk, vetëm me zërin e saj, në të vetmin dokumentar të vitit 1985 me autor Maximilian Schell, ku ajo i tregon intervistuesit regjisor pse e ka braktisur ekranin dhe kamerat një herë e përgjithmonë.
„Askush në botë nuk do ta shohë kurrë Marlen Ditrihun të plakur – nuk as foto, as filma për pleqërinë e saj,“ thotë Sudendorf. „Ajo la prapa vetes përfytyrimin e saj si një femër fatale që krijon fushë magnetike të papërballueshme me bukurinë e saj femërore dhe për këtë ajo ka mbetur e pakonkurueshme në shkallë botërore.“ Varrimi i Marlen Ditrih me 1992 u shënua në frymën e kundërthënieve. Dhe një ceremoni zyrtare qytetare ishte ndaluar për arsye të ndjenjave të përziera ndaj saj në publikun e asaj kohe. Varri i Marlen Ditrih është profanuar në atë kohë nga vandalët. Një herë policia gjeti të shkruar në varrin e saj „bushtër e ligë bisht-tundëse“.
Përpjekjet për t’ia vënë një rruge emrin „Marlene-Dietrich-Strasse“
Përpjekjet nga adhuruesit vendas të Marlen Ditrih për t’ia vënë një rruge në rajonin e saj të lindjes Schoeneberg, emrin „Marlene- Dietrich- Strasse“ ishin bllokuar më 1996 nga rezistenca e kundërshtarëve konservatorë. Të detyruar pjesërisht nga jehona negative e mediave ndërkombëtare për këtë ngjarje të pakuptushme, zyrtarët e qytetit ia dhanë emrin një sheshi afër Potsdamer Platz në qendër të Berlinit „Marlene- Dietrich- Plaza“. „Janë disa që ende kanë urrejtje ndaj saj,“ tha Fred Ostrowsi, që nuk e kishte pushuar kurrë betejën që rruga në rajonin e saj të lindjes të marrë emrin „Marlene-Dietrich-Strasse“.
Rajoni Schoeneberg, ku Ditrih u varros sipas amanetit të saj, me rastin e 100 vjetorit të lindjes hapi një ekspozitë me rreth 80 piktura të Ditrih në një lokal-në të njëjtën ndërtesë ku Xhon F. Kenedi, shqiptoi fajlinë e famshme „Ich bin ein Berliner“ (Unë jam një Berlinas ) në fjalimin e tij të pavdekshëm të vitit 1963.
Në mënyrë tejet të çuditëshme, Marlen Ditrih kishte pasur një aferë dashurie me presidentin Amerikan në Shtëpinë e Bardhë me 1962, sipas disa ditarëve të një kritiku të filmit të publikuar në vitin 2000. Ditrih, nja 20 vjet më e madhe se Kenedi, ia tregoi historinë e saj në Shtëpinë e Bardhë kritikut Kenneth Tynan, të cilën ai e regjistroi në ditarët e tij. „Unë shpresoj se ju nuk ishit në nxitim,“ ka cituar Ditrih Kenedin të ketë thënë kur ajo erdhi në përgjigje të një ftese për të pirë së bashku në Shtëpinë e Bardhë. Ditrih i kishte thënë se ishte në nxitim, se nuk kishte kohë më tepër se një orë e gjysmë.
„Besoj se nuk do të na duhet më tepër kohë, apo jo?“ kishte thënë Kenedi, të cilit Ditrih kishte replikuar „Jo Xhek, unë mendoj se nuk na duhet më tepër.“
Marlene Dietrich-hipnotizuese fatale e publikut
Me 7 maj 1992, të nesërmen e vdekjes së Ditrih, gazeta “Nju Jork Tajms” shkruante: “Marlen Ditrih, ylli magnetik i filmit dhe këngëtarja që ishte një simbol ndërkombëtar i bukurisë tunduese për më shumë se një gjysmë shekulli, vdiq dje në Paris. “ Më tej gazeta shkruan se Ditrih në filmat e saj dhe në intepretimet e këngës së saj, me art të përsosur projektoi një përvojë të sofistikuar me mjeshtëri dhe vetëkëmbëngulje të pafundme. Bukuria e saj tunduese ishte dërmuese, zgjuarsia e saj ishte arrogante dhe pamja e saj nuk ka njohur moshë. Me sharmin e saj botëror të veshjes dhe diapazonin e fustaneve që ia zbulonin këmbët e famshme, ajo ishte dëfryesja kuintesenciale e epokës së Vaimarit (Weimar ) në Gjermani. Imazhi i Ditrih, i përsonifikuar nga Lola-Lola, këngëtarja e kabaresë që i bënte për vete përnjëherësh burrat, portretizuar tek “The Blue Angel”, ishte imazhi i një gruaje të çliruar nga ajo botë që i përzgjidhte burrat për të, që e shikonte jetën e saj dhe bukurinë e saj si një sfidë. Publiku ishte hipnotizuar nga kjo krijesë sa kurrë më herët apo më vonë në botën e artit.
“Ajo iu dukej burrërore grave dhe femërore burrave,” ka shkruar një kritik. “Ditrih është diçka që kurrë më parë nuk ka ekzistuar dhe që kurrë më vonë nuk do të ekzistojë,” ka shkruar një tjetër. Përshkrimin më të pavdekshëm të fytyrës së saj e ka bërë Erih Maria Remark në librin e tij “Harku i Triumfit”: “Fytyra e freskët, e ndrtëshme që nuk kërkon asgjë, që thjeshtë ekzistoi, duke pritur – ajo ishte një fytyrë bosh, mendoi ai; një fytyrë që mund të ndërrojë nga çdo erë e shprehjes që do të fryjë. Dikush mund të ëndërrojë gjithçka për atë fytyrë. Ajo ishte si një shtëpi e bukur bosh duke pritur qilimat dhe pikturat. Ajo i kishte të gjitha mundësitë – mund të shndërrohej në një pallat ose në një kabare.”
“Bukuria,” thoshte Ditrih, “është një siguri. Ajo është në një farë mënyre siguria jote se ti je në rregull sido që të veprosh apo të sillesh, qoftë nga pikëpamje mendore qoftë nga pikëpamja fizike. Dhe në çdo rast apo në çdo situatë ti je e mirëpritur njësoj.”
Ditrih një armike e pasionuar e nazizmit
Marie Magdalene Dietrich kishte lindur në Berlin me 27 dhjetor 1901. Babai i saj, Louis Erich Otto Dietrich, që ishte një kapter policie dhe një ish major i kalorësisë, vdiq kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. E ëma, Wilhelmina Elisabeth Josephine Felsing, vajzë e një tregtari, sapo mbeti e vejë u martua me Eduard von Losch, një nëntoger i kalorësisë, i cili u vra në frontin rus me 1918. Marie Magdelene dhe motra e saj e madhe, Elisabeth, ishin trajtuar si bija të klasës së mesme gjermane. Marie Magdalene ndoqi një shkollë private në Vaimar, studioi frëngjisht dhe mori mësime violine, duke shpresuar për një karrierë këngëtareje. Por kur ishte 18 vjeçe, një plagosje në dorë, e kërcënoi ëndërrën e saj dhe ajo vendosi të provojë lojën e aktores, ndërkohë që e ëma nuk ishte e një mendjeje me të. Ajo dështoi në provën me Max Reinhardt dhe iu bashkua korit të qytetit. Një vit më vonë, me një dëgjim të dytë të Reinhardt, ajo u pranua në shkollën dramatike. Ajo filloi menjëherë karrierën filmike. I vetmi rol interesant i asaj kohe ishte ai në filmin “Tragedy of Love “ i luajtur më 1923. Ajo u njoh me Rudolph Sieber një ndihmës producent filmash, u martuan me 17 maj 1924, vitin tjetër patën një vajzë me emrin Maria. Pas viteve të para Sieber gjithnjë e më rrallë u takua me të shoqen. Ata kurrë nuk u divorcuan por jetuan të ndarë për pjesën më të madhe të jetës së saj. Ai vdiq më 1975. E bija e saj, po ashtu aktore, u martua me William Riva, një artist skene, me 1947 dhe patën katër djem.
Marlen Ditrih ishte një mike e ngushtë me njerëz të famshëm, përfshirë Ernest Heminguejin, shkencëtarin Aleksandër Fleming, zbuluesin e penicilinë. Ajo pati aferë dashurie me Erih Maria Remarkun dhe me aktorët Zhan Gaben (Jean Gabin ), Michael Wilding dhe Douglas Fairbanks Junior. “Unë jam tërhequr gjithmonë nga burrat e zgjuar dhe dëfryes,” ka thënë ajo një herë. Unë mund t’i rrëmbej ata ku t’i gjej. Dhe nuk dua t’ia di se ç’moshë kanë.”
Ditrih ishte një armike e pasionuar e nazizmit. Kur Hitleri filloi t’i arrestonte hebrenjtë, ajo financoi ikjen e disa miqve të saj.
Me 1937, kur ajo ishte duke xhiruar filmin melodramë „Knight Without Armour“ (Kalorësi pa armë ) në Angli, ajo ishte hetuar nga agjentët e Hitlerit të cilët i kishin ofruar asaj një çek të bardhë për t’u rikthyer në Gjermani dhe për të luajtur në çfarë filmash që t’i tekej asaj. Ajo e hodhi poshtë me zemërim ofertën dhe filmat e saj u ndaluan në Gjermani. Menjëherë pas kësaj ajo kërkoi shtetësi amerikane. Gjatë Luftës II Botërore, Ditrih u bë simbol i Gjermanisë së lirë. Ajo dha emisione antinaziste radiofonike në gjermanisht, në tri vjet ajo dha koncerte për një gjysmë milioni trupa të Aleatëve dhe për të burgosurit e luftës në Evropë e në Afrikën e Veriut. E palodhur dhe gjithmonë me humor të mirë, ajo pranoi të gjitha kushtet e rënda të qëndrimit në frontin e luftës, përfshirë rrezikun e zjarrit të luftës, borën, shiun, motin e ashpër. Ajo këndoi këngët e saj të filmave, si dhe baladën e saj ndërkombëtare të kohës luftës “Lili Marlene”, me të cilën magjepste ushtarët në front, të cilët binin që të gjithë në dashuri me të, me Lili Marlenin, „Ëngjëllin Blu“ dhe me vetë Marlen Ditrih, sepse ajo për ta simbolizonte gruan, lirinë dhe paqen që do të vinte pas pak. Pas luftës, ajo u nderua me Medaljen e Lirisë, si dhe nga një mori çmimesh më të lartat civile nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca e emëroi Kalorëse të Legjionit të Nderit dhe Belgjika e shpalli Kalorëse të Urdhërit të Leopoldit.
Kur e dinte se po ikte prej kësaj bore, “Ëngjëlli Blu” tha: “Unë po vdes, ndërsa jeta do të vazhdojë pas meje.” Në fakt jeta vazhdon edhe pa Marlen Ditrih, porse mungesa e saj ka krijuar një boshësi të bardhë, të cilën deri më tani nuk e ka zëvendësuar dot askush dhe asnjë “Ëngjëll i ri”. Është tamam kështu:” “Ditrih ishte diçka që kurrë më parë nuk kish ekzistuar dhe që kurrë më vonë nuk do të ekzistojë”. Për lexuesin e Voal.ch po sjellim shqipërimin e këngës Lili Marlen bashkë videon me zërin e saj.
LILI MARLEENE
Hans Leip 1915
- Vor der Kaserne
Vor dem großen Tor
Stand eine Laterne
Und steht sie noch davor
So woll’n wir uns da wieder seh’n
Bei der Laterne wollen wir steh’n
|: Wie einst Lili Marleen. 😐
- Unsere beide Schatten
Sah’n wie einer aus
Daß wir so lieb uns hatten
Das sah man gleich daraus
Und alle Leute soll’n es seh’n
Wenn wir bei der Laterne steh’n
|: Wie einst Lili Marleen. 😐
- Schon rief der Posten,
Sie blasen Zapfenstreich
Das kann drei Tage kosten
Kam’rad, ich komm sogleich
Da sagten wir auf Wiedersehen
Wie gerne wollt ich mit dir geh’n
|: Mit dir Lili Marleen. 😐
- Deine Schritte kennt sie,
Deinen zieren Gang
Alle Abend brennt sie,
Doch mich vergaß sie lang
Und sollte mir ein Leids gescheh’n
Wer wird bei der Laterne stehen
|: Mit dir Lili Marleen? 😐
- Aus dem stillen Raume,
Aus der Erde Grund
Hebt mich wie im Traume
Dein verliebter Mund
Wenn sich die späten Nebel drehn
Werd’ ich bei der Laterne steh’n
|: Wie einst Lili Marleen. 😐
LILI MARLEN
1. Para derës të kazermës
Nën atë fener
Atje përpara derës
Të prisja unë përher.
Ne prapë atje do shihemi
Feneri ne na pret
Si ngaherë Lili Marlen.
2.Të dyja hijet tona
Në një i shkrinte nata
Gjithë bota ishte jona
Dashuria merrte flatra
Atje jemi gjithmonë
Feneri na ndriçon
Si ngaherë Lili Marlen.
3. Pastaj roja më thoshte
Lere vajzën të shkojë
Më thoshe lamtumirë
Të thoshja lamtumirë
Me ty isha aq mirë
Me mua ishe aq mirë
Me ty Lili Marlen.
4. Hapat e tu i njihte
Feneri nëpër natë
Përherë priste këtu
Kur unë isha larg
Nëse vdekja më merr
Kush vjen nën atë fener
Me ty Lili Marlen?
5. Nën kupën qiellore
Mbi tokën terr të zi
Më vjen fytyra jote
Me buzët trandafil
Dikur unë prapë do jem
Gjall-vdekur nën fener
Me ty Lili Marlen.
Komentet