In Memorie të largimit nga jeta të ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçajt dhe ish Editorit të Diellit Dalip Grecajt Voal.ch riboton intervistën e dhjetorit 2015. Dr.Buçaj ishte Kryetar i Vatrës dhe intervista i është dhënë editorit të Diellit Dalip Grecës me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë martirëve të Vatrës, dënuar e masakruar nga diktatura komuniste:
“Dhjetor 2014
-Intervistë me Kryetarin e Vatrës, Dr.GjonBuçaj,me rastin e dekorimi të martirëve të Vatrës, dënuar nga diktatura komuniste*/
Dielli- Dr. Buçaj, në prag të festës së pavarësisë së Shqipërisë ju udhëtuat me një delagacion të Vatrës në Tiranë.Tashmë është bërë publik fakti se qëllimi i atij udhëtimi ishin dekorimet që bëri Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani për martirët vatranë.A mund t’u jepni më shumë hollësi Vatranëve për ecurinë e asaj vizite?
Dr. Gjon Buçaj- Po, ai ishte qëllimi.Që në shtator kur ishte në New York, president Nishani na kishte ba me dije se martirët e Vatrës, do të dekoroheshin në nji ceremoni të organizueme me rastin e përvjetorin e pamvarsisë. Kur erdhi njoftimi nga Presidenca se data e dekorimit ishte caktue 24 nandori na bamë rezervimet e udhëtimit bashke me djalin tim, Eduardin dhe, në të njetën kohë, shpërndava njoftimin Kryesise dhe antarëve të Këshillit Drejtues me sygjerimin se do të ishte mirë që kushdo kishte mundsi të udhëtonte në atë rast për në Tiranë, për të marrë pjesë në ceremoninë ku kreu i shtetit shqiptar do të nderonte pas vdekjes disa vatranë të cilët kishin ra viktima të pafajshme të regjimit gjakatar komunist. Fillimisht shprehu gatishmeninë të vinin sekretarja e Vatrës znj.Nazo Veliu së bashku me z. Veis Belliu, si dhe antari i Këshillit Drejtues z. Çezar Ndreu.Kur erdhi njoftimi se përveç 12 martirëvet vatranë, me atë rast do të dekorohej edhe nënkryetari z. Agim Rexhaj, edhe ai bashkë me znj. Laura udhëtuen për në Tiranë.Ceremonia u zhvillua në ambientet e Presidencës në orën 5 të mbas dreke të 24 nandorit, në prezencën e shumë familjarëve të personaliteteve që dekoroheshin, si dhe të disa ish të burgosun dhe të persekutuem politikë. Takimi ishte i ngarkuem me emocione dhe për ne ishte gjithashtu nder që takonim farefisin e atyne atdhetarëve të cilët kanë qenë gjithëmonë inspirim për ne me veprimtarinë e tyne në shërbim të shqiptarizmit. Mbas ceremonise dhe përshëndetjevet dhe falënderimevet me presidentin, në emën të Vatrës shtruem nji koktel për pjesëmarrësit në restorantin Piazza me pronar z. Kadri Morinaj. Duhet përmendi me mirënjohje se ai refuzoj pagesën prej nesh.Ashtu si edhe pronari i hotelit Tirana International z. Ramë Geci nuk pranoi pagesat nga unë, as nga nenkryetari Rexhaj për dy dhomat gjatë kohës që qëndruem në Tiranë. I falenderojmë.
Dielli-Si dhe kur lindi ideja për dekorimin e martirëve të Vatrës?
Dr. Buçaj- Kujtimi i atyne që e themeluen Vatrën dhe e mbajtën me sakrifica në veprimtari të pandërpreme në sherbim të kombit, ka qenë gjithëmonë frymzim dhe shtytje për të vazhdue në gjurmat e tyne. Mirënjohja dhe admirimi për këta veprimtarë patriotë kanë qenë gjithëmonë prezent gjatë çdo kohë që jemi marrë me Vatrën.Kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës e kemi quejtë si akt vlersimi dhe mirënjohjeje për paraardhësit.Prandej nderimin e tyne e kemi pa si detyrë. Në mënyrë të posaçme na ka randue fakti se,në vend të nderimit dhe mirënjohjes,disa nga vatranët kanë marrë,në mënyrë mizore, ndëshkim të pamerituem, “në emën të popullit”. Kjo e ka ngarkue kombin me borxh ndaj këtyne martirëve.Prandej, në shtatorin e vitit të kaluem, në nji takim pune me presidentin Nishani në NY, i shprehëm mendimin se do t’i kërkonim dekorimin e disave nga Vatranët të cilët, mbas sherbimit për çashtjen kombtare ne Shtetet e Bashkueme, u kthyen dhe vazhduen në atdhe veprimtarinë e tyne gjithënji në frymën e shqiptarizmit. Presidenti Nishani na tha se propozimin do ta merrte në shqyrtim me seriozitetin ma të madh. Mbas kërkimesh dhe konsultimesh, muejtëm me përpilue nji listë prej 12 vetësh të cilën ia dërguem presidentit. Kjo ishte mënyra se si lindi ideja për dekorimin e martirëvet të Vatrës.
Dielli- Mendoni se u krye detyrimi moral i Vatrës ndaj vatranëve të persekutuar apo të pavlerësuar nga regjimi komunist me këto dekorime?Po për të tjerët, që kanë dhënë kontribut dhe kanë ndërruar jetë këtunë SHBA, a është menduar për ndonjë vlerësim në të ardhmen?
Dr. Buçaj- Kësaj here Vatra ka marrë iniciativën për të nderue Vatranët që kanë emnues të përbashkët përsekutimin nga komunizmi, por ka edhe të tjerë të cilët kanë vdekë jashtë atdheut dhe nuk janë vlerësue nga shteti shqiptar; disa nga ata regjimi diktatorial do t’i kishte rreshtue me martirët po t’ikishte futë në dorë. Natyrisht vlerësimi dhe nderimi i veprimtarëve atdhedashës asht nji proces të cilin shteti shqiptar duhet t’a vazhdojë dhe kjo nuk asht detyrë vetëm e “Vatrës”. Shteti shqiptar duhet të vlerësojë edhe ata mija viktima të tjerë të pafajshme të regjimit pro sllava antikombëtar edhe antinjerzor komunist. Por kjo nuk pritet se do të realizohet përderisa shoqnia shqiptare të mos i ketë la hesapet me të kaluemen tragjike të diktaturës.
Dielli- Ka personalitete të Vatrës, si Kristo Dako psh, që ka qenë kryetari Vatrës, editor i Diellit, delegat në Konferencën e Paqës, botues, autor librash, drejtor i Institutit të Lartë Femëror në Kamëz,pra me kontribut Kombëtar, që ende nuk është vlerësuar. Po ashtu shkrimtari Arshi Pipa, edhe pse një periudhë të shkurtër ka drejtuar Vatrën dhe ka edituar Diellin, por ka qenë gjithmonë në krah të Vatrës?
Dr. Buçaj-Përgjigjia e pyetjes para kesaj vlen pjesërisht edhe për këtë. Veprimtarëve të masipërm, ende të pavlerësuem, mund t’ju shtohen edhe Kostë Çekrezi, Qerim Panariti, Rifat Gurrazezi, Xhevat Kallajxhiu, Hamdi Oruçi, Athanas Gegaj, Eduard Liço e të tjerë. Të gjithë duhen vlesërsue për kontributin politik e kulturor në dobi të çashtjes kombëtare.Kjo asht detyrë kryesisht e shetit Shqiptar.Kësaj here na jemi përqendrue tek nderimi i Vatranëve që ranë viktima të komunizmit. Realizimi i dekorimit t tyne mendoj se ka randsi historike pse asht nji akt drejtesije kunder padrejtesise qe denon krimet absurd te komunizmit dhe bjen ndesh me qendrimin armiqsor të atij sistemi kundër vlerave që shërbyen atdheut në periudhat e ndryshem, pra në rrethana lirie ose edhe nen okupimin e huej. Atdheut i ke borxh dashunine dhe ndimen me sakrifica jo vetem kur asht mire por edhe kur asht keq, jo vetem kur asht i lire, por edhe ma teper kur nuk asht i lire.Prandej dekorimi i tyne ka qenë detyrë morale dhe juridike.
Dielli- Po ashtu me të njëtin dekoratë u vlerësua edhe zv/kryetari i Vatrës,z. Agim Rexhaj, ndërsa më parë jeni dekoruar ju dhe presidenti i nderit i VATRES, z. Agim Karagjozi. A mund të jepet një sqarim publik se kush ishte institucioni që bëri propozimet?
Dr. Buçaj-Askush nga Vatra nuk ka ba propozim për dekorime, përveç martirëvet të Vatrës. Nuk e dijmë se çfarë institucioni i ka ba propozimet, por asht fakt se presidenti Nishani ka sjell dekorata edhe për personalitete dhe aktivista të tjerë të diasporës. Dekoratat për ne të gjallëve të Vatrës na kanë ardhë krejtsisht të paprituna. Me ato nderohet Vatra dhe na do t’i mbajme me pervujtni, tue dijte se ka shume te tjere me merita sa na, ne mos edhe ma shume se na.
Dielli- Ju dorëzuat në selitë e Komuniteteve fetare fotografinë simbolike të klerikëve, pjesmarrës në 100 vjetorin e Vatrës.Diçka më shumë për mesazhin përcjellës dhe si u pritën ato?
Dr. Buçaj-Siç dihet, në kremtimit e 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare Vatra që u organizu në prill 2012 në NY kanë qenë prezent në vend nderi përfaqsuesit ma të lartë klerikë të besimevet tona. Kemi dorëzue institucioneve fetare nga nji fotografi prej atij kremtimi ku pasqyrohet kjo prezencë historike, që simbolizon harmoninë ndërfetare tek ne shqiptarët.Si e tillë u prit dhe u vlersue nga titullarët e institucionevet fetare si në Tiranë asht edhe në Prishtinë.
Dielli- Në Tiranë ju patët shumë takime, a mund t’i përshkruani me detaje?
Dr. Buçaj-Na kemi shkue me program zyrtar për të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të martirëvet Vatranë dhe shfrytëzuem rastin për të sjellë fotografitë e klerikëve. Por në intervale te shkurta te kohes patëm kënaqësinë të takohemi edhe me disa nga miqtë dhe personalitetet qe i kemi takue ne te kaluemen, qofte si mysafire ne Vater, qofte si mikpritesa ne Shqipni, si me kryetarin e bashkisë në Tiranë, z.Lulzim Basha, me ish kryemistrin Dr. Sali Berisha, z. Eduard Selami dhe miq të tjerë, sidomos ish të përndjekun politikë, z. Simon Mirakaj, Reshat Kripa, Uran Kostreci, Uran Butka, e të tjerë.
Dielli- Pas Tiranës, ju udhëtuat drejt Prishtinës.Cili ishte qëllimi dhe në çfarë aktiviteti morët pjesë?
Dr. Buçaj-Në Prishtinë udhëtuem, së bashku me z. Çezar Ndreu i cili vizitonte Kosovën për të parën here.Ndersa Çezarit iu desh te nesermen te kthehej ne Tirane megjithe kusherinin e vet Bashkimin qe na solli ne Prishtine me makine, une me Eduardin morëm pjesë në promovimin e librit “Letër Këmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” me autorë Skender Blakaj dhe Ismail Islmajli. Për botimin e këtij libri Vatranet kane ndimue edhe pse ndër këto letër këmbime janë shumë nga Faik Konica, disa të panjoftuna ma parë.Libri, u promovue nga akademikë dhe autorë të njoftun,u prit shumë mirë dhe u komentue pozitivisht nga media. Kemi sjellë, me autografinë e autorit Blakaj, nga nji ekzemplar për të gjithë ata që kanë ndihmue financiarisht për botimin e tij, tue e ba Vatren bashkebotuese.
Dielli- Qeveria e majtë me kryeministër Ramën, ka sjellë një risi në mandatin e saj: Ka lejuar shfaqjen e portreteve të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që përmes Bunk-Art, ka ekspozuar imazhet e udhëheqjes komuniste.Po mbushet një çerek shekulli dhe ende nuk ka një ligj që të dënojë Enver Hoxhën, që ende mbanë titullin Hero i Popullit…e të tjerë. Komenti juaj në emër të Vatrës?
Dr. Buçaj-Mund të them se shfaqja e portretit të dikatorit Enver Hoxha asht nji dukuni anakronike e cila shqetson shoqninë shqiptare dhe fyen të gjithë ata që vuejtën nga diktatura sllavo-komuniste.Mund të ju kujtohet se para zgjedhjeve të vitit kaluem Vatra pat marrë qendrim kundër kualcionit të majte, për solidaritet me shtresën e ish të përndjekunëvet politik, të cilët kishin shprehë shqetsimin për sllogane pro diktatorit dhe për kërcenime për të kthye portretin e tij në sheshet e qyteteve të Shqipnisë. Këtë shqetësim ia kemi përmende edhe zotit Rama, kur ishte në New York mbas fitores së zgjedhjeve. Mungesa e denimit të krimeve dhe të krimineleve të komunizmit dhe të kryekriminelit Enver Hoxha, e len rrugën hapët për këtë dukuni recidive të së kaluemes tragjike dhe pengon zhvillimin dhe ecjen përpara të shoqnisë shqiptare. Qendrimi i Vatrës ka qenë i kjart që në fillimin e ndryshimevet politike mbas ramjes së murit e Berlinit. Shqipnia duhej të shkëputej nga e kaluemja e diktatures së kuqe, duhej të hapëshin dosjet, të zbatohej ligji i lustracionit, të vendosej respeki i të drejtave themelore të njeriut me kthimin se prones të konfiskueme nga komunizmi dhe me damshpërblimin dhe integrimin e shtreses së ish të përndjekunëvet politikë, duhej të denoheshin krimet dhe kriminelet dhe të kërkohej falje për krimet dhe padrejtësitë e ushtrueme mbi kurrizin e popullit per nji gjysme shekulli. Këto i kemi kërkue në mënyrë vazhdueshme si kushte të domosdoshme për ndertimin e nji shoqnie demokratike me ligj e drejtësi dhe pa korrupsion.Kësaj here ka propozue hapjen e dosjevet edhe kreu i partisë socialiste.Realizimi i ketij propozimi do te zhdukte edhe korrupsionin, pse Ligji i Lustracionit duhet te perfshije edhe transparencen e pasunise prrallore te grumbullueme nga hajnat dhe plaçkitesat qe i kane nxane frymen zhvillimit ekonomik dhe permiresimit te jetes se qytetarevet. Do të shohim shpejt ne se do te jete kjo nji nisme serioze, apo do të mbetet hipokrizi si deri tash.
Dielli- Si do t’i komentonit zhvillimet në Kosovë, cili është qëndrimi i Vatrës?
Dr. Buçaj- Çashtja e Kosovës ka qenë gjithëmonë në qendër të interesimit dhe të veprimit për lirimin nga robnia sllave. Tash që asht e pamvarun shqetësimi i Vatrës asht njisoj si ai i popullit te saj: për ecuninë drejt konsolidimit të pamvarsisë dhe të krijimit të nji jete ma të mirë e ma të drejt për kosovaret, të cilëvet korrupsioni dhe karrjerizmi po ia nxen fryemën. Besoj se popullin e Kosoves kjo gjendje e ka çue në kufi të durimit.
Dielli-Çfare do te veçonit nga zhvillimet ne trojet etnike?
Dr. Buçaj-Negative, mungesa e bashkëpunimt ne mes forcavet politike. Pozitive, rritja e patriotizmit dhe përforcimi i ndjenjes së bashkimit kombëtar në popull.Nisma private per te ndertue shpija nevojtarevet ne Luginen e Presheves, asht nji drite frymezimi.
Dielli- Si do ta vlerësonte veprimtarinë e Vatrës në mbyllje të këtij viti kryetari Buçaj?
Dr. Buçaj-Veprimtaria e Vatrës ka nji kahje pozitive me rritjen e numrit të anëtarëvet dhe me shtuemjen e degëvet.Duhet kujdes për ma shumë spjegime degëvet të reja dhe anëtarëvet të rinj mbi mënyrën e funksionimit të Vatrës si organizatë.Asht kënaqësi kur vren frymën e idealizmit atdhetar edhe tek radhët e reja që po i bashkohen Vatrës gjithënji e ma shumë.
Dielli- Cili është mesazhi në këtë fundviti?
Dr. Buçaj-Shëndet e gëzime dhe suksese të gjithë shqiptarëvet kudo janë, si dhe vatranëvet me urimin që ta mbajnë entuziazmin në rritje për nji Vatër të fuqishme në sherbim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të çashtjes kombëtare, në frymën që na lan themeluesat dhe paraardhësat tanë.
Dielli- Faleminderit për intervistën!
Dr. Buçaj-Ishte kënaqsi.Edhe editorit i uroj shëndet e gëzime familjare dhe ma shumë ndimë nga vatranët dhe nga lexuesat për “Diellin”/ Dhjetor 2014
Komentet