Ilir, prej tre vitesh jetoni në SHBA, çfarë është për ju kjo jetë e re?
I. Buçpapaj: Në rrjedhat e jetës, fati të çon sa nga një vend në një tjetër, veçanerisht tani kur, me zhvillimin e teknologjisë si dhe pas hapjes së Shqiperise që nga vitet 90, distancat në kohë janë zvogëluar ndjeshëm. Prej tre vitesh jetoj në New York në Amerikë. Natyrisht, si vendi yt nuk ka, por, falë dhe njohjeve të krijuara nga vitet e shkuara, jam ambientuar. Ndjek në vijimësi veprimtaritë që zhvillohen nga shqiptarët në 3 shtetet: New Jersey, New York dhe Connecticut, sidhe po merrem me dokumentarë e shkrime për veprimtari dhe figura të shquara të komunitetit tonë këtu. Pasioni dhe dashuria për profesionin nuk më hiqen deri në frymën e fundit. Gjatë vitit të kaluar kam realizuar tre dokumentarë si “Bukollajt në Rrjedhën e Kohës”, ‘Rrëfimet e Zenepe Mulosmanit”, “Mes Kosovës dhe Amerikës-Marjan Cubi” dhe kam në proces disa dokumentarë nga veprimtarë të cështjes kombëtare shqiptare në Amerikë. Në të gjithë dokumentarët janë të bashkëlidhura veprimtaria në Amerikë, por edhe trojet shqiptare nga kanë ardhur, si për shembull “Historia dhe e sotmja e Babajve të Bokës të Gjakovës” . Me pak fjalë, jam i nangazhuar gjatë gjithë kohës. Në Shqipëri shkoj çdo vit dhe vizitoj Kosovën, Malin e Zi, Maqedonine e Veriut ku jetojnë shqiptarët.
Duke qënë per disa dekada me radhë reporter i RTSH-së, pastaj redaktor e regjisor, si e keni parë historinë e vendit në këto vite?
I. Buçpapaj: Çdo njeri ka prirjet dhe predispozitat që, me kalimin e viteve, marrin zhvillime të reja. Historia e popullit shqiptar në vijimësi më ka pëlqyer. Fati e solli që, me punen time në RTSH, të merrem me pasqyrimin e ngjarjeve dhe figurave historike shqiptare që në lashtësi dhe deri në ditët e sotme. “Gur-gur behet mur”-thotë një shprehje e vjetër popullore prandaj, edhe unë nga viti në vit shtova numrin e dokumentarëve. Kjo gjini filmike është shumë e veshtirë, por të jep dhe kënaqësi të mëdha. Historia e popullit tonë është histori plot dhimbje dhe drama, por i kemi mbijetuar kohës, sado rrudhosje kanë ndodhur në epoka dhe mijëvjeçarë. Në dokumentaret e përgatitur jam përpjekur që të jem sa më korrekt me të dhënat historike duke shfrytëzuar literaturën përkatëse. Natyrisht, konsultim të vazhdueshëm kam pasur me akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut. Në çdo dokumentar iu jam referuar dokumentave arkivore. Kujtojmë dokumentarin “Shpella e Pëllumbasit”, vendbanim i lashtë prehistorik, nën kujdesin e akademik Muzafer Korkutit. “Në rrjedhat e historisë së Dardanise”, “Ali Pasha i Kalave”, “Kultura e Komanit”,”Berati”,”Lezha” “Lidhja shqiptare e Prizerenit”, “Lidhja besa- bese e Pejes”,”Kuvendi i Junikut”, “Vendi i Kuvendeve të mëdha”,”Verrat e Llukës”,”Memorandumi i Greçës”,”Kuvendi i shpalljes së Pavarësisë”, figurave dhe ngjarjeve historike si Isa Boletini, Bajram Curri, Zylyftar Veleshnja, “Konferenca e Bujanit” etj. Me një fjalë, u bëra edhe historian, megjithëse vija nga fusha e letërsisë. Kjo pune me ka dhënë kënaqësi. Lumturohesha kur më uronin njerëzit për këta dokumentarë.
A ka ndikuar prejardhja familjare, origjina nga Tropoja etj, per t’iu përkushtuar dokumentarit historik?
I. Buçpapaj: Natyrisht që Tropoja është një krahinë që, në dy shekujt e fundit, i ka dhënë tonin historisë kombëtare që nga Tanzimati, Lidhja shqiptare e Prizrenit, Lidhja Besa-besë e Pejës, kuvendi i Junikut, Lufta e Qafës së Morinës, Kryengritjet për shpalljen e pavarësisë e keshtu me radhë deri në ditët e sotme. Ka nxjerrë figura dhe heronj si Mic Sokoli, Binak Alia, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sali Berisha dhe deri tek heroi i demokracise Azem Hajdari. Frymëzuese për mua kanë qenë këngët dhe vallet popullore, etnografia e gjallë dhe e pasur e kësaj krahine, eposi i Kreshnikeve që e kanë djepin në këtë hapësirë. Gjithashtu edhe me interpretuesit virtuozë si Isuf Halili, Osman Arifi, Zef Avdia, Hasan Avdia, Miter Martini, Sokol Martini, Ali dhe Daut Ibishi, Ali Mula, Fatime Sokoli. Me valltar virtuozë si Met Rexha, Hazir Rrustemi, Xhevahire Gashi, Sose Dulja, Vera Musa, Nafie Metalia e shumë e shumë të tjerë. Me instrumentistë si Beslim Elezi, Sadri Ademi, Ramiz Bardheci, Age Rrustemi, rapsodi legjendar Sokol Arifi. Me një fjalë, gjithë ky mjedis artistësh ka ndikuar në njëfare mase në formimin tim në ato vite. Një karakteristikë e malësorëve të këtyre anëve është aftësia për të mbajtur mend mijëra vargje të këngëve popullore qofte epike,historike, erotike etj. Një burim shume i vlefshëm në fushën e historisë jane: xhaxhai im Mehmet Bubrreci, Adem Haziri i Moknit, Hazir Malësia, Mal Miftari, Smajl Arifi, Shaban Smajli, Mal Bajrami dhe shumë e shumë të tjerë. Ishte ky univers popullor që, më vonë, me kalimin e viteve, duke u njohur me të dhënat historike të popullit tonë, më mundësoi që të kem një formim më të gjere në fushën e historisë.
Si e kujtoni fëmijërinë, çfarë ju vjen në mendje vazhdimisht nga kjo periudhë, gjyshërit, njerëzit, jeta e asaj periudhe?
I. Buçpapaj: Kam një fëmijëri të pasur, pasi jeta ime ndahej mes qytetit të Bajram Currit, Tplanit dhe Bjeshkës së Trokuzit. Cilido lavdëron gjyshin dhe gjyshen, pasi gjyshi im Bubrreci me një shtat vigan 2 metër vërtet ngjasonte me kreshnikët në të ecur, në fjalë, rreth odës së burrave, fjalëpak por fjala e tij zinte vend. Ai për kohën ishte më i shkolluar se bashkëfshatarët e tjerë, pasi kishte kryer mejtepin në Gjakovë, kishte filluar Medresen në Shkup, por fatkeqësia që pllakosi familjen, duke i vdekur babai dhe xhaxhallarët, e detyruan të kthehet në Tpla për t’u kujdesur për punët e shtëpisë. Ai kishte një dashuri të madhe për dijen dhe librin. Kishte miqësi të veçantë me At Gjergj Fishten, i cili librat e tij i bënte me dedikim për Bubrrecin, këtë burrë vigan dhe të ditur. Gjyshi kishte lidhje të veçantë edhe me Hil Mosin, ai kishte marrë pjesë në Luftën e Qafës së Morinës të vitit 1910, ku kishte marrë edhe dy plagë. Këto plagë e shoqëruan gjyshin gjatë gjithë jetës. Një lidhje krejt të veçantë kam pasur me gjyshen time Shkurte Isufi e cila vinte nga fisi zëmadh i Buçajve të Iballes. Siç e kishte emrin Shkurte, kishte dhe shtatin e shkurtër, por ishte plot energji dhe shëndet. Në vitet para se të hyja në shkollë qendroja shumë kohë në Tpla dhe në Bjeshkë me gjyshe Shkurten, një grua plot temparament dhe shumë e dashur. Më tregonte ëerralla çdo natë duke më zhvilluar imagjinatën fëminore. Aq i lidhur isha me gjyshen sa qëndrova në bjeshkë në shtator të vitit 1959 dhe humba një vit shkollor. Babai dhe nëna nuk ia prishen dot gjyshes sime të dashur. Kam derdhur shume lotë në korrikun e vitit 1963 kur Shkurte Isufja na la. Shpirti i saj pushoi në xhenet. Në klasen e parë e kam pasur mësuese Dile Kolen, një ndër mësueset më të mira që kam pasur gjatë jetës. Në shkollë kam qenë nxënës i përgatitur, një fëmijë kureshtar dhe gjithçka më bënte përshtypje. Nga klasa e tretë fillore m’u zgjua edhe dëshira për libra. Lexoja çfarë më dilte përpara. Me kalimin e viteve, krahas mësimeve, nuk shkëputesha nga librat artistikë, dashuri që e ruaj edhe sot. Libri në atë kohë kaq qenë burimi kryesor i marrjës së informacionit dhe dijes. Qe në klasën e katërt kam lexuar “Historinë e Skënderbeut” të Nolit”, “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmilit, “Lulja e Kujtimit” të Foqion Postolit, “Të Mjerët” e Hygoit, “Shkolla” e Arkady Gajdar dhe shumë e shumë libra të tjerë. Leximi i librave ka qenë një garë në mes nxënësve.
Gjimnazi “Asim Vokshi” në B. Curri, ku keni kryer arsimin e mesëm ishte një shkollë e mirë për kohën. Cfarë mberesash keni për këtë periudhë. Si i kujton mësuesit dhe bashkëmoshatarët?
I. Buçpapaj: Gjimnazin e kam filluar në shtatorin e 1968. Atë vit ishte një paralele. Në klasën tonë kishin ardhur nxënësit më të mirë të të gjitha shkollave 8-vjeçare të rrethit. Ishin shumë djem dhe vajza të cilët më vonë u bënë mësues të specialiteteve të ndryshme, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, ekonomistë etj. Kujtoj këtu: Gjergj Rrembeci, Bukurie Hyka, Drita Shehu, Vera Doçi, Donika Shanaj, Pashke Malaj, Mehdi Byberi, Muharrem Kuçana, Skender Demaliaj, Sejdi Buçpapaj, Ismail Ismalaj, Ramiz Isufi, Agim Shpati, Agim Ferizi dhe shumë e shumë të tjerë. Dashuria për dije ishte shumë e madhe. Nga një klasë me 42 nxënës, 37 e mbaruan arsimin e lartë. Ato vite aksionet njëmujore në Jonufër të Vlorës, në Elbasan dhe në Librazhd u bënë një shkollë e vërtetë për të gjithë të rinjtë e kësaj klase. Në aksion njohëm shoqe dhe shokë nga e gjithë Shqipëria. Krahas mësimit në shkollen e mesme jam aktivizuar edhe ne sport duke përfaqësuar ekipin e sportit Valbona ne futboll për të rinjtë dhe për 4 vjet në ekipin e parë të basketbollit, duke zënë vende nderi në mes ekipeve të kategorisë së dytë në shkallë kombëtare. Kujtoj me respekt trajnerin e shquar të basketbollit Bajram Gjyriqi, basketbollistët Ibrahim Gjongeci, Cen Haklaj, Beqir Gjoça, Bislim Boshnjaku, Bajram Malaj etj. Mundësitë e mia në këtë sport shkonin deri në keto caqe. Krahas basketbollit jam marrë edhe me alpinizëm. Gjimnazi ynë kishte një trup arsimtarësh me nivel të lartë shkencor profesional si drejtori i shkollës, mësuesi popullit Idriz Logu, Kade Mulosmani, Dan Doçi, mesuesi popullit Fahri Doçi, Mehmet Hyka, Ibrahim Dizdari, Marjana Dani, Ndoc Papleka etj.
Gjatë kësaj kohe keni ushtruar e pasion edhe basketbollin. Pse nuk e vazhduar më tej këtë sport?
I. Buçpapaj: Jeta në ato vite ka qenë e veshtirë dhe fukarallëku ishte ulur këmbëkryq në çdo familje malësore. Prandaj fëmijët që në moshë të vogël viheshin në ndihmë të familjes duke ruajtur bagëtinë, duke ndihmuar me të rriturit në bujqësi. Fëmijërinë e kam kaluar në qytetin e Bajram-Currit. Kur isha në klasën e tretë të fillores, babai Xhemajli shkoi për studime në Tiranë në Institutin Bujqësor. Unë u bëra zot shtëpie. Gjendjen ekonomike e kishim shumë të rëndë, nëna ishte me gjysëm rroge dhe paguhej 1900 lekë të vjetra në muaj, ndërsa babai na dërgonte 1000 lekë në muaj. Përfytyroni 5 pjesëtarë familjeje: nëna, unë, dy vëllezërit Ismajli dhe Avnia si dhe motra Shpresa, jetonim me 2900 lekë në muaj. Në vjeshtë babai na siguronte drute e dimrit, lakra, fasule dhe prisnim një dele. Gjendja ekonomike ishte vertet shumë e rëndë derisa e mbaroi babai fakultetin, një sakrificë e madhe që, në moshën 40 vjeçare, të përfundonte arsimimin e lartë me studentë të moshës rinore. Në moshen 13 vjeçare fillova të punoja që në muajin Maj në ndërmarrjen pyjore. Në shkollë kisha rezultate të larta në të gjitha lëndët, prandaj, që me 15 Maj fillova punën në pyjet e gështenjave në Margegaj, Markaj e Gri për 4 muaj rrjesht. Një ndihmesë e mirë për familjen, pasi unë merrja sa 3-fishi i pagës së nënës. Nuk kam qenë asnjëherë në kampet e pushimeve të pionierëve në Durrës apo Shirokë. Babai im Xhemajli vinte nga kuadrot e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke u radhitur në këto formacione nga viti 1942. Kishte medaljen e luftimit, çlirimit e shume urdhëra dhe medalje të tjera. Në vitet e para të pasluftës ka pasur funksione drejtuese si shef i shëndetësisë së rrethit, drejtues i rinisë së Tropojës, kryetar kooperative në Bujan, Kolgecaj, drejtor i ndërmarrjes bujqesore ushtarake, përgjegjes i sektorit të frutikulturës e geshtenjave dhe kudo ka pasur rezultate të larta. Vullneti i tij për arsimim dhe punë ka qenë frymëzues dhe model gjithmonë për mua.
Bjeshka si bjeshka, e bukur, lozonjare, mistike dhe romantike njëherësh. Trokuzi është një bjeshkë e magjishme, por në distancë të larget nga fshati Tpla. Ngjitja kryhej për dy ditë. Linim pas qershitë, manat, pusin e verdhë, të Xuxës, Shytit, livadhet plot bar dhe lule të gjithëllojshme e niseshim drejt bjeshkës. Një natë e bënim tek Guri Lumit ose te Kroni i Eper, sipër Brijave të Gjarprit. Flinim jashtë, pas një lodhje të gjatë, në shoqërinë e bagëtive. Netë të magjishme; numëronim në qiell yjet e Kashtës së Kumarës që në gjuhën shkencore njihet si Kashta e Kumtrit, ndjenim duhmen e ajrit bjeshkëtar dhe aromen e fierit që e kishim për shtroje, blegërimat e deleve, pëllitjen e lopëve dhe të lehurat e qenve që na vinin në gjumë. Të nesërmen, në të gdhirë dita, niseshim për në Trokuz. Ruga kalonte nga vende të magjishme, si Gurët e Petishit, Sinopata, Qafa e Pajës. Përballë majat e maleve të Lugut të Thive, Majes së Hekurave me ngjyrë gri dhe me boronajat shekullore, poshtë gjarpëronte Lumi i Valbonës. Duke qenë edhe bashkëmoshatarë me Skënderin, nuk ndaheshim asnjëherë. Unë disi me i vrullshëm, ai me meditativ dhe i heshtur plotësonim njëri-tjetrin.
Sapo kalonim qafën e Pajës na shfaqej madhështore lugina e Gashit me Shkëlzenin në ballë. Kudo mrekulli dhe pamje të papërsëritshme. Në Lugun e Vrellës në Trokuz arrinim pasdite me tufat e deleve e lopëve. Karvani i kuajve kishte shkuar më herët dhe po i ngrinin stanet. Trokuzi ka një pozicion gjeografik shumë dominues në hapësirat e bjeshkëve. Nga aty shikohen të gjitha bjeshkët e Gashit, e Krasniqes, e Vuthajve, bjeshkët e Plavës dhe të Kosovës me relievet e tyre interesante.
Me Skënderin i kemi shetitur thuajse të gjitha këto bjeshkë. Në krijmtarine e tij zë një vend të veçante motivi bjeshkëtar që i ka dhënë më shumë epizëm dhe lirizëm poezive të tij. Kujtojmë “Krojet e Mia”, “Liqenet e Jezercës”, “ Fyelli” etj. Në lidhje me bjeshkët u be e mundur dalja në Pllanë të Valbonës dhe në Bjeshkën e Cukalit në masivin Morâjë-Maja e Hekurave. Relievi tepër shkëmbor me masive gëlqerorësh krijojnë dukuri karakteristike dhe kanë një mori shpellash. Me Skënderin u bëmë eksplorues të shpellave. Çdo ditë zbulonim nga një shpellë. Elementi baritor në bjeshkë është i pranishëm në të gjithë universin e tij: në mënyrën e jetesës, në veshje, në enët e guzhinës dhe të gatuarit, në ritualet e kryerjes së shërbimeve të bagëtive, në këngët dhe meloditë me fyell e gjithçka bjeshkëtare. Në kujtesë më vijnë fyelltari virtuoz Bislim Elezi, Selim Musa, kënga “Kushtrim” e Hysen Shytit e shumë e shumë të tjerëve. Këto hapësira janë djepi i legjendave të Kreshnikëve me Behurë dhe Dragonj, me zana e shtojzovalle, me bestytni nga më të çuditshmet që ngjallin në veçanti kërshëri tek fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë univers lëshuam shtat dhe u rritëm me Skënderin, Sejdinë dhe Halilin e shumë të tjerë.
Studimet e larta i keni kryer në Universitetin e Tiranës në degën gjuhë-letërsisë shqipe, duke qënë bashkëstudentë me një numër poetësh të njohur si Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj etj, që do ta dominonin poezinë shqipe për disa dekada me radhë? Si e kujtoni këtë periudhë?
I. Buçpapaj: Studimet e larta i kam filluar në shtatorin e vitit 1974 në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën e gjuhë-letërsi shqipe. Jeta në shkollën e lartë ka ndryshime të mëdha në krahasim me shkollen e mesme si nga angazhimi në kontekstin mësimor edhe ne aspekte te tjera. Aty gjen shokë dhe shoqe nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Pata fatin që studiuam me djem dhe vajza me kërkesa të larta për dije, të cilët, me mbarimin e studimeve, u shquan në fushën e arsimit dhe të studimeve gjuhësore e letrare. Në konvikt ishim në një dhomë me Hamit Alinë, Skënder Buçpapaj, Filip Cakuli, Valter Memishaj dhe Haki Doku. Kishim harmoni me njëri-tjetrin. Të gjithë kishim nga një nofkë, mua me thërrisnin “Mixha” , Hamitit “Skuthi”, Filipit “Greku”, Hakiut “Miu”, Valterit “Orvrare”. Nje fakt domethënës që Skënderi, Hamiti, Filipi dhe Valteri u moren me krijmtari letrare e shkencore, që kanë dhënë dhe japin vepra me vlerë ndërsa Hakiu ka kontribuar si mësues dhe drejtues shkolle. Dhe unë në gazetarinë e dokumentaristikën televizive. Kemi pasur fatin që të na japin leksione Profesore si Shaban Demiraj, Et’hem Lika, Thoma Rrushi, Myzafer Xhaxhiu, Nexhip Gani, Ali Xhiku, Alfred Uçi etj. Krahas studimeve gjatë atyre viteve aktivizoheshim edhe me shtypin e kohes. Një vater e ngrohtë ishin edhe mjediset e Lidhjes se Shkrimtareve e Artistëve ku zhvilloheshin veprimtari të shumta. Kujtoj diskutimin e librave “Zogu i Bjeshkës” të Skënder Buçpapajt, “Bjeshkët janë mbiemri im” i Hamit Aliajt dhe “Valbona e Kaltër” e Avni Mulajt. Në këtë diskutim folën personalitete të letërsisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Pandeli Koçi, Vath Koreshi, Agim Gjakova, Sulejman Krasniqi, Adem Istrefi etj, të cilët vlerësuan me shkallën më të lartë këta poetë të rinj që vinin nga Tropoja dhe që sollën vlera të reja në letërsinë shqipe. Vitet studentore janë të paharruara. Për to kam mbresa të pashlyera. Në atë periudhë kishim interesa të gjera në sport, teatër, koncerte të ndryshme. Ndiqnim me Skënderin pothuaj të gjitha ndeshjet e futbollit që luheshin në stadiumin Dinamo dhe Qemal Stafa. Me një zell të veçantë shijonim të gjitha premierat e Teatrit Popullor, aq sa i mbanim mend dialogje të tëra të këtyre dramave dhe komedive përmendsh. Skënderi kishte një pasion të veçantë edhe për muzikën klasike. Më detyronte mua që të ndiqnim të gjitha premierat e realizuara nga Teatri i Operas dhe Baletit. Një fakt për t’u shënuar, në shokët e dhomës 13 të Godinës së Qytetit Sudentit mbanim qetësi kur radio Tirana, pas lajmeve të orës 22, jepte muzikë klasike dhe operistike shqiptare dhe botërore, të cilat i ndiqte me interes Xhabiri, pra Skënderi.
Ktheheni në Tropojë pas studimeve të larta, ku fillimisht punoni si mësues në një fshat dhe pastaj në shkollën mesme të Fierzës, gjatë pikut të ndërtimit të hidrocentrait të madh. Sa gjurmë ka lënë kjo periudhë në jetën tuaj?
I. Buçpapaj: Pas përfundimit të Universitetit, u ktheva në Tropojë, fillimisht punova në shkollën 8-vjeçare të Shoshanit për 4 muaj, pastaj u emërova në shkollën e mesme në Fierzë. Fierza në atë kohë ishte një kantier i madh ndërtimi, me punëtorë të ardhur nga gjithë Shqipëria, që punonin në ndërtimin e Hidrocentralit. Puna në këtë shkollë kishte specifiken e vet, nga veçoritë me të cilat ballafaqoheshim. Shkolla kishte 1300 nxënës, kishte tri degë: mekanike, elektrike dhe ndërtim. Punova me pasion dhe ngrita një kabinet për lëndën e gjuhës dhe letërsisë nga më të mirët në shkallë vendi. Nxënësit ishin të përkushtuar për shkollim. Çdo vit nga kjo shkollë vazhdonin Universitetin me nga 40 nxënës. Është për t’u nënvizuar fakti që të gjithë i përfunduan studimet universitare. Krahas mësimdhënies, në atë periudhë jam marrë dhe me publicistikë, me artikuj dhe reportazhe për gazetat e kohës si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Drita e Drinit” etj. Artikujt dhe gazetaria në atë periudhë nuk ishin synimi kryesor i imi. Që në vitin 1980 kam filluar punë në RTSH si telekronist dhe radiokronist i këtij institucioni. Një fushë e re sidomos në realizimin e kronikave në TV, pasi për herë të parë unë xhiroja dhe shkruaja tekstin. Vështirësitë ishin të mëdha, pasi nuk kisha mundësi të shikoja në Maviol të gjitha xhirimet që bëja, pasi i dërgoja materialet me postë. Mundohesha të isha gjithë sy e veshë duke ndjekur “revistën televizive “ të orës 20. Gjithashtu ndiqja edhe dokumentarët, telereportazhet që transmetoheshin në TV. Një përvojë e gjerë për mua ishte shikimi i filmave artistikë shqiptarë dhe të huaj duke përthithur kompozimin e kuadrit filmik, gërshetimin e ngjarjes, panoramikën etj. Një ndihmesë të veçantë me mësimet dhe këshillat e dhëna nga paraardhësi im Ndue Ukcamaj, një zë i fuqishëm në gazetarinë televizive. Në Shqipëri kishte vetëm 13 korrespondentë profesionistë, një ndër ta isha dhe unë. Përgjegjësia ishte e madhe. Koha ishte e trazuar. Në Shqipëri ndodhën ngjarje tronditëse. Në këtë periudhë vrau veten kryeministri i Shqipërisë, krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Kontrolli ishte shumë i madh, që nga personat që shfaqeshin në ekran, tematika si dhe teksti që duhej të ishte në sinkron me udhëzimet e partisë-shtet. Një ndihmesë në këtë periudhë më kanë dhënë: Shyqëri Skënderi, Alfons Gurashi, Gazmir Shtino, Pali Kuke, Engjell Stazimiri etj. Që në vitin e dytë të punës, fillova të realizoja telereportazhe dhe dokumentarë si “Me Alpinistët në Alpet Shqiptare”, “Brigjeve të tua Valbone” etj. Me këto materiale m’u çel rruga për t’u marrë me këto gjini, megjithëse redaksia e informacionit merrej vetëm me kronika dhe telereportazhe për sportin. Ndiej emocion edhe sot pas 40 vitesh kur i shikoj në monitorin e kompjuterit tim. Shumë pjesë nga këto xhirime i kam futur në domunetarët e bëra vite më vonë.
Cilat kanë qënë vështirësitë profesionale të një reporter të ri që punonte në një rreth të largët dhe në kushte të veshtira teknike. Si i keni përballuar këtë situatë duke ruajtur përherë profesionalzimin?
I. Buçpapaj: Vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha. Shpesh herë mendoja që kam zgjedhur një rrugë që nuk i dal dot në krye. Këmbëngulja dhe pasioni madh mund çdo vështirësi. Kënaqesha kur shikoja në TV kronikat nga blegtorët në Alpe, gjeologët, minatorët, kooperativistët, veprimtaritë kulturore dhe artistike, ngjarjet historike. Përvoja në gazetarinë e shkruar me jepte avantazhet e veta. Krahas kësaj shokë e miq të fushës së artit i kisha të shumtë si Ndoc Papleka, Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Halil Buçpapaj, Gani Qerimi, Islam Lauka etj.
Cfarë këshillash do t’i jepje një reporter të ri?
I. Buçpapaj: Këshilla ime për një reporter të ri është punë, punë dhe vetëm punë, pa u dorezuar para vështirësive. Të punojë me maksimum për ngritjen kulturore dhe profesionale. Të ballafaqojë veten me kolegët, të marrë të mirën e tyre dhe të flakë tutje çdo gjë që nuk shkon me etikën gazetareske. Rritja bëhet vetëm me punë jo duke dalë ne ekran va e pa va si në makinë, duke bërë stendape të pamenduara. Gazetari në telereportazhe dhe dokumentarë të jetë sa më pak prezent në ekran. Puna e mirë flet vet.
Sa mendoni se politika e ka penguar këtë media publike për të ruajtur profesionalizimin dhe panashmerinë, rolin e saj si rojtar publik?
I. Buçpapaj: Ndryshimet e mëdha në dhjetorin e 90-ës ishin një stuhi ku ndihet kudo fryma e demokracisë që përfshinte çdo por të shoqërisë shqiptare. Në këtë hulli u perfshiva edhe unë. Lindi pluralizmi, lindi Partia Demokratike Shqiptare. Filloi shpengimi në mbarë Shqipërinë. Në atë kohë isha telekronist në Tropojë. 13 Janar 1991 në Bajram Curri po organizohej një miting. Merrnin pjesë drejtuesit e PD-së, Sali Berisha, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Genc Ruli etj. Në Sheshin kryesor të qytetit kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e rrethit, sheshi i mbushur plot. Oratorët marrin fjalën të gjithë njëri pas tjetrit. Në fjalën e tij Sali Berisha theksoi se diktatori Enver Hoxha për 40 vjet e mbajti Shqipërinë nën një regjim të egër. Pas fjalës së Sali Berishës, dy persona -Sadri Metaliaj dhe Sadik Kortoçi – morën fjalën të paftuar dhe hodhën parullën: Rroftë sa malet jeta dhe vepra e Enver Hoxhës.” Masa e popullit u trondit. Grupe-grupe lëviznin në mënyrë të çrregullt. Nga zyrat e komitetit të partisë së rrethit dolën me parulla për Enverin dhe PPSH. Një pshtjellim i paparë. Gjithçka e bukur në atë ditë Janari u prish. Xhirova gjithçka nga fillimi në fund. Përgatita tekstin dhe në linjë telefonike dhashë lajmin çfarë ndodhi atë ditë. Këtë lajm e morën edhe agjencitë botërore të lajmeve. Elez Biberaj në librin e tij shprehet: “Ishte lajmi i parë që dilte nga Shqipëria në mënyrë realiste njoftimi i korrespondenit të RTSH-së Ilir Buçpapaj.”
Me ndryshimet e mëdha politike dhe ardhjen e PD-së në pushtet, edhe në TV kërkoheshin ndryshime, si në strukturë ashtu edhe në përmbajtje. U formua departamenti i ri në TV “Bota Shqiptare” pjesë e të cilit u bëra dhe unë. Në të u caktuan gazetarët më me përvojë me drejtues të saj ikonën e RTSH-së Ndue Ukcama. Në këtë periudhë filloi një program prej 2 orësh në RTSH, i cili transmetohej në Europë dhe Amerikë. Ky departament mbulonte pjesën më të madhe dhe punohej me profesionalizëm e përkushtim. Në këtë departament ishin gazetarët e shquar si: Petro Lati, Ilir Grazhdani, Abdullah Kenaci, Geni Shehu, Dhimiter Pecani, Zef Paloka, regjizoret Esat Teliti, Pirro Vesho dhe operatorët Ilir Kasneci e Bledar Mandia. Qëllimi i kësaj redaksie ishte të informonte diasporën dhe shumë vende në Europë e Amerikë për historinë e popullit shqiptar, me luftrat dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi, për figurat historike si dhe me jetën e ndryshimet që po ndodhnin në Shqipërinë e re demokratike. Përmes telereportazheve dhe dokumentarëve të pasqyrohej jeta e mërgatës sonë në Europë dhe Amerikë. Sot mendoj se kjo ishte zgjedhja dhe veprimi më i goditur që realizoi drejtoria e asaj kohe me drejtor të Përgjithshëm poetin, studiuesin dhe publicistin e shquar Skënder Buçpapaj. Ky program bëhej për herë të parë në RTSH, e ngriti lart moralin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, dhe në të gjithë diasporën e shumtë nëpër botë.
Me ndërrimin e sistemit, të gjitha organizatat administrative duheshin ndryshuar dhe përshtatur kohës. Ky ndryshim ndodhi edhe në RTSH, nga një organizem që i shërbente me zell regjimit të partisë në pushtet për 45 vite. Teknologjia ishte vjetëruar dhe nuk iu përshtatej ritmeve te zhvillimeve Radioletevizive. U bënë ndryshime të mëdha, nje revolcion i vërtetë, tërësor. Mbaj mend një luftë të vërtetë në shtypin e shkruar të asaj kohe duke bërë objekt kritikash ndryshimet që po kryheshin qoftë në strukturat organizative, qoftë në teknologji. Këto vërejtje dhe debate shkuan deri në Kuvendin e Shqipërisë.
Politika i ka futur hundët brutalisht në këtë institucion që për 60 vjet ka regjistruar kujtesën dhe historinë. Me çdo ndryshim pushteti, janë bërë ndryshime të strukturave programore dhe të personelit, veçanerisht të sektorit të prodhimit si gazetar, redaktor, regjizor etj. Këta, në njëfarë mënyre, e kanë dëmtuar ecjen me ritmin e kohës. Megjithatë, e them me bindje që RTSH-ja është gjigand mediatik që, me një kujdes të vogël menaxhimi, bëhet një institucion i admirueshëm dhe i dashur për telespektatorin. RTSH-ja është një minierë e pasur, që pret të vihet në shfrytëzim duke freskuar dhe revolucianizuar mbarë mediat radiotelevizive kombëtare.
Kjo periudhë dhe vite të tjera në vazhdim do të shënonte për ty shumë suksese profesionale. Do të realizonit shumë dokumentarë të shkelyqyer, duke qënë vetë skenarist, regjizor dhe realizues.Ndoshta jeni i vetmi në historikun e RTSH që ja keni dalë mbanë me këtë profesionalizëm dhe aftësi të rralla krijuese dhe realizuese? Cfarë do të na thonit rreth kësaj pervoje? Sa punë përgaditore të është dashur për një skenar?
I. Buçpapaj: Një fjalë e urtë popullore shpreh në mënyrë përmbledhëse “Thirri Nevojës”. Edhe unë, duke u ballafaquar me vështirësi, përfitova shumë gjatë rrugëtimit tim 37-vjeçar në RTSH. Dua të theksoj se, për realizimin e një dokumentari, duhet të lexosh shumë për një ngjarje, për një histori, për një zonë të caktuar. Me kalimin e viteve, per shembull, në dokumentarët historikë, qe krijuar një shtrat me të cilin lëvizet më lirshëm, sepse edhe ngjarjet lidhen me njëra-tjetren. Një element tjetër ka qenë edhe bashkepunimi me historianë të shquar si Myzafer Korkurti, Gazmend Shpuza, Neritan Ceka, Maringlen Verli, Beqir Meta, Pellumb Xhufi, Fehmi Rexhepi, Jusuf Bajraktari, Frasher Dema etj. Jam treguar i kujdesshëm në krijimin e një arkivi personal, megjithëse më ka kushtuar shumë, por që më ka mundësuar lehtësimin në realizimin e dokumentarëve.
Cilët nga dokumentarët tuaj televizivë do të veçonit më shumë dhe pse ?
I. Buçpapaj: Dokumentarët më të dashur që kam realizuar janë: “ Naim Shqipëria” për poetin tonë kombëtar Naim Frashëri, “Kosova, Zogu që lindi nga hiri vet”, “Vocer Bala në mes legjendës dhe ralitetit”,”Kurbini”, ”O i madherueshmi shenjti Shna Ndue”, “Tevolli”, ”Ali Pasha i Kalave”etj, “Simfonitë e Valbonës”. Nga natyra jam njeri i papërtueshëm, energjik dhe kureshtar. Këto cilësi drejtuesit e institucionit tim i kanë kuptuar. Bie fjala, nisesha për një dokumentar në TV, sillja edhe një kronikë televizive dhe një interval nga bukuritë dhe perlat shqiptare që nuk janë të pakta. Kosovën e kam për zemër që në vogli për vet lidhjet e veçanta të gjakut që ka vendlindja ime Tropoja. Aktualisht Kosova është në një situatë të trazuar, por jam optimist që ajo do të ngrihet lart si Zogu i Finiskit.
Keni realizuar disa dokumentarë për maredhënjet shqiptaro-amerikane dhe jetën e komunitetit shqiptar në SHBA. Ato janë trasmetuar në TVSH por edhe shfaqur në Qendren Nderkombëtare të Kulturës, Tiranë duke u ndjekur me aq interes. Pse keni preferuar të kryeni një cikël të plotë dokumetarësh me këtë temë?
I. Buçpapaj: Fati e solli që në Amerikë kam ardhur shumë herë, që në fillim të këtij mijëvjeçari dhe kam realizuar një cikël dokumentarësh, titulluar “Dallgë Shqiptare në Amerikë” në të cilat jepja një panoramë që nga shkelja e të parit shqiptar; me kontributin e shqiptarëve në fillim të shekullit të 20 dhe gjer sot. Në spikamë janë figurat e shquara të kombit tonë si : Fan Noli, Faik Konica. Lejtmotivi i këtyre dokumentarëve ishte “Nënë moj, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Edhe në kapërcyell të mijëvjeçarëve, kur populli i Kosovës ishte vënë në zgrip së ekzistuari, mërgatat shqiptare kontribuan në njohjen e çështjes së Shqiptarëve në organizma të rëndësishëm të Washington-it si Kongresi, Senati, Departamenti i Shtetit e deri te presidenti i Amerikës, në OKB. Në këta dokumentarë janë pasqyruar këto përpjekje të personaliteteve shqiptare që kanë kontribuar për këtë çështje. Gjithashtu edhe federatën “Vatra”, që ka luajtur një rol për një periudhë shekullore si dhe te objektet fetare të besimit katolik, mysliman, ortodoks dhe bektashi. Gjithashtu kam realizuar dokumentarë të suksesshëm në fushën e mjekësisë, biznesit, artit etj.
Gjatë Luftës së Kosovës keni trametuar nga zonat e luftës(Koshare etj), duke qënë gjatë kësaj periudhe burim i vetëm informacioni rreth zhvillimeve luftarake të UCK-së, per RTSH-në, por edhe për trasnmetues prestigjioz nderkombëtarë. Sa e rrezikshme ka qënë kjo punë? A do t’ua këshilloje reportereve të rinj këtë guxim? A i keni mbajtur lidhjet me heronjtë e UCK-së që dolën nga Lufta?
I. Buçpapaj: Kohët e mëdha kërkojnë edhe angazhime të mëdha. Vitet 98’,99’ ishin vite vendimtare për popullin e martirizuar të Kosovës. Kosova kullonte gjak. Makina ushtarake e Beogradit po bënte kërdinë mbi popullsinë e pafajshme. Në tërë Kosovën bijtë dhe bijat e saj ishin inkuadruar në rradhët e UÇK-së. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam shkuar me dhjetëra herë në Tropojë, Has, Kukës dhe ku zhvilloheshin luftime në zonat kufitare. Epiqendra u bë në PAPAJ dhe Padesh ku ishin përqendruar dhe njësitë më të mëdha të UÇK-së. Ishin ditë dhe muaj plot ngjarje të mëdha. Natyrisht, edhe unë, në njëfarë mënyre, u bëra pjesë e këtyre luftimeve si në Padesh, Prrue të Thanës, Lug i Zi, Dobrunë, Pogaj. Në kronikat dhe reportazhet që kam realizuar në këto hapësira tregohej natyrshëm, pa skena të sajuara, drejtpërdrejt fronti i luftimeve ku shpalosej trimëria e këtyre djemve dhe vajzave nga Kosova e trojet e tjera shqiptare si nga Maqedonia, Shqipëria, Çameria dhe Mal i Zi. Rreziku dhe ballafaqimi ishte i madh. Janë ditë dhe netë të paharruara si në Padesh, Treshnjeve, Kasaj, Pogaj etj. Teknologjia nuk ishte siç është sot që të mund të transmetoja me zë dhe figurë, prandaj duhej të udhëtoja mbi 500-600km për të realizuar një kronike e lere pastaj për një telereportazh apo dokumentar. Ndiej emocion kur shikoj dokumentaret e realizuar në fushëbeteja në Koshare, në Prill Qershor 1999. Një ndihmesë shumë të madhe me materiale direkt nga beteja e brigadave te UÇK-së 138 Agim Ramadani të pozicionuar në Papaj dhe Padesh më ka dhënë vëllai im Ismajl Buçpapaj. Momente emocionuese ato kuadro filmike ku pasqyrohet lufta e bijve të shqipes. Kujtoj këtu dokumentarët: “ Në frontin e luftimeve në Koshare” “Brigada 138 Agim Ramadani”, “Koha erdhi”, “Batalioni Atlantiku” etj. Në këtë periudhë kam punuar me televizionet më prestigjoze të botës si CNN, BBC, ZDF (gjermani), RAI (itali), televizione shtetëror grekë, sllovenë, të vendeve arabe etj. Edhe pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, kam mbajtur lidhje dhe miqësi me komandantët e luftës si Rrustem Berisha, Anton Çuni, Hysen Berisha, Feriz Treshnjeva, Shpend Gjoçaj etj. Në të gjitha përvjetoret më kanë ftuar. Ndihem krenar për çka kam bërë. Jam i dekoruar me mirënjohjen e pjesëmarrjes në Luftën e UÇK-së. Sot në Shqipëri dhe Kosove janë situata të tjera.
Pas çlirimit të Kosovës me 12 qershor 1999, jeni përsëri një nga gazetarët e parë që hyni në Kosovë për të dëshmuar pasojat e kësaj lufte por edhe gëzimin e shqiptarëve për këtë fitore, po keshtu instalimin e trupave të NATO-s dhe fillimin e një epoke të re për Kosovën dhe shqiptarët. Si e kujtoni këtë ditë?
I. Buçpapaj: Agu i lirisë 12 1999 qershor ishte një gëzim i papërshkruar. Në ditët e para të çlirimit isha në Kosovë. Për 4 muaj rrjesht i kam hyrë cep më cep Kosovës, duke shkelur pothuaj çdo fshat dhe qyetet atje. Nga historia dhe rrëfimet e të moshuarve kisha shume njohuri, por ato ishin një pikë uji me ato që pashë dhe dëgjova në atë periudhë, gjë qe u bë lënda për dokumentarë të shumtë. Kosova kullonte gjak, era e shkrumit ndihej kudo, por më ngazëllente fakti që vargu i karvaneve të makinave nuk kishte të sosur drejt trojeve stërgjyshore. Kudo punohej. Kosova ishte kthyer në një kantjer të madh ndertimi. Gjatë kësaj periudhe realizove shumë dokumentarë: “ Kosova zogu i qiellit qe ndertohet nga hiri vet”, “Feste ne Prizren”, “Masakra e Mehjes”, “Dita e Flamurit”, “Ne Kullat e Boletinit” etj. Një fakt që më ka bërë përshtypje është që i madh dhe i vogël gëzonte për agun e lirisë dhe punonin të ndërtonin bujqësinë e blegtorinë.
Përvoja juaj profesionale është e gjatë e pazakontë dhe gjithnjë e ekulibruar, e ndershme dhe e balancuar. Çfarë do të këshilloje gazetarët, reporteret dhe operatorët e rinj për të përballuar situatë të tilla?
I. Buçpapaj: Në RTSH kam punuar 37 vite të pandërprera. Gjatë kësaj karriere kam provuar regjimin komunist dhe periudhën e re të demokracisë, situata jo të lehta për t’u suportuar. Gjithmonë më ka udhëhequr ideja dhe dëshira e mirë për shoqërinë dhe njerëzit duke ruajtur ekuilibrin dhe paanësinë në gjykimin e situatave. Këshilla ime për gazetarët dhe realizuesit e emisioneve televizive është që të jenë sa më të paanshëm nga rrymat dhe kahjet politike duke e pasqyruar sa më drejt dhe thellë ngjarjen apo dukurinë që ndodh. Të jene të dashuruar dhe këmbëngulës me atë që po trajtojnë. Realiteti shqiptar ka blerime të begata dhe të papasqyruara akoma në fushën e kulturës, historisë dhe bukurive natyrore që janë të shumta në tërë krahinat shqiptare. Me punë dhe vullnet arrihet gjithçka.
Pas kësaj përvoje dhe kontributi të gjatë për median kombëtare si RTSH-ja keni dalë në pension dhe jetoni në N.York. Si ju vjen Shqipëria atje, a keni shumë mall dhe cfarë ju mungon më shumë? A mendoni se vendi ynë bën pak për të nderuar profesonistë të shquar si Ti dhe kolëgt tuaj?
I. Buçpapaj: Amerika është vendi me demokratik dhe i fuqishëm në botë. Në përgjithësi jam ambientuar dhe kam zënë shumë miq dhe shokë të rinj. Më mungon Shqipëria, malli është i madh. Mjetet e informacionit të kohës kanë bërë të mundur mbajtjen e komunikimit me tokën mëmë. Ndiej mall për televizionin ku i kalova 37 vjet, për Tiranën, për vendlindjen time Tropojën, bjeshkët, malet e gjithçka shqiptare. Jeta i ka ndarjet.
Keni një përvojë kaq të gjatë në gazetarinë televizive, në dokumentarët televizivë, skenarët dhe realizimet tjera televizive. Duke qënë plot energji dhe i angazhuar me projekte krijuese edhe atje në SHBA , a mund të presim ndonjë libër në të ardhmen që përvojën tuaj ta studiojnë edhe gazetarët e rinj që kanë pasion dhe dëshirë t’i kushtohen televizionit?
I. Buçpapaj: Sa të kem frymë nuk do i ndahem punës në gjininë e dokumentareve. Falë Zotit, edhe djali im Kreshniku e ka pasion televizionin. Ai, që në moshen 15 vjeçare është aktivizuar ne televizionet shqiptare si TV Shijak, Telenorba, Top-Channel etj. Në Amerikë kreu dhe Akademinë e Filmit (New York Film Academy). Kemi ngritur një studio “Art Studio Bucpapaj” ku prodhojmë filma dokumentarë, videoklipe, dasma dhe gëzime familjare. Ka shumë plane për dokumentarë qoftë në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi që pasqyrojne lidhjen organike të mërgatës shqiptare me vendlidjen. E kam ne proces një liber me kujtime, përjetime të jetes sime nga femijëria në ditët e sotme. Dhashtë Zoti të kem shëndet që këto ëndrra dhe dëshira të realizohen siç kam dëshirë!
Çfarë dëshironi të shtoni tjetër?
I. Buçpapaj: I uroj gazetës “Nacional” vetëm suksese. Prej themelimit kjo gazetë ka bashkuar rreth vetes elitat kulturore dhe letrare nga të gjitha hapësirat shqiptare në Ballkan dhe nga Diaspora, me shumë përkushtim dhe pa asnjë paragjykim dhe pengesë. Është e vetmja gazetë e dedikuar me kaq profesionalizëm dhe atdhedashuri rimëkëmbjes shpirtërore të shqiptarëve, forcimit të lidhjeve të tyre me vendin, kombin, gjuhën dhe letërsinë amtare dhe bashkimin kombëtar.
Komentet