In Memoriam Dr.Rushen Golemi (16.07.1935-27.2.2018)
Voal.ch me rastin e 5 vjetorit të largimit nga kjo jetë të Dr. Rushen Golemit, një figurë e shkëlqyer e mjekësisë dhe jetës publike shqiptare po sjell një kumt të Akademik Artan Fugës. Doktoreshë Rushen Golemi njihet si kirurgia e parë femër në Shqipëri.
Postimi i plotë i Artan Fugës
Qani sot shqiptarë sepse nuk e dini çfarë humbët mbrëmë!
Sot unë përulem me dhimbje përpara gruas së madhe shqiptare që shkon në banesën e fundit, dr. prof. Rushen Golemi.
Aq sa e kam njohur, ajo nuk ishte një politikane.
Ishte aq e lartë saqë nuk mund të ishte politikane.
Mjaft ju që politizoni çdo gjë o të mjerë dhe që e masni çdo gjë me kutin tuaj banal!
Edhe ju që nuk dini të bëni asgjë!
Ajo tallej me kotësinë, mediokritetin, mëndjemadhësinë, duke qenë në madhështinë e saj kaq njerëzore, pa ditur të tallej me askënd.
Ajo e pamatshmja që u detyrua të jetonte në kohën e vijës së masave dhe gjente hapësirën të shkëlqente me punën e saj.
Ajo që jetoi në kohën që i pazoti, matrapazi, i pavlerti, burrë a grua qoftë, bën si perëndi!
Ajo që kishte forcën dhe aftësinë ta kthente mbrapsht natyrën kur kjo ishte kundër njeriut!
Dhe kurrë nuk e pashë të lëvdohej.
Rrinte në heshtjen e vet të ndritur!
Ajo sigurisht ka qenë një kirurge që nuk i vjen më Shqipërisë ku fati e hodhi sepse mund të ishte e tillë në çdo vend të Globit.
Por për profesionalizimin e saj nuk mund të flas unë budallai para saj!
Ajo që unë di, kam vrojtuar në dekada, është se ajo ishte një njeri i madh, një zonjë e emancipuar, që i tejkalonte të gjitha rregjimet ku jetoi.
Ajo ishte një humaniste e madhe.
Ajo ishte një shpirt dhe zemër të madhe.
Ajo ishte një mendje e hapur që si lule drejtohej gjithmonë drejt diellit.
Ishte përtej dogmave dhe paragjykimeve.
Femra shqiptare ka te ajo margaritarin për të thënë : Jam bashkëpatriote me Rushen Golemin!
Eleganca e saj shpirtrore dhe fizike, duart e saj magjike, topuzi i flokëve të mbledhur mbi kokë, thjeshtësia e saj prej princeshe, të gjitha, nuk ka fjalë që i përshkruan.
Ju o shqiptarë, nuk e dini se çfarë keni humbur mbrëmë!
E tërhequr në fisnikërinë e saj të mbrame, mos kujtoni se harrohej.
Askush nuk mund ta qajë humbjen e saj, sesa ne, ne që jemi asgjë. Ne që na përbuzin!
Edhe më shumë bota e përtejme merr superioritet ndaj së këtejmës.
Andej plot shpirta të mëdhenj shqiptarë, këtj dominojnë të vegjëlit, jemi ne të kotët, budallenjtë, dhe matrapazët që merremi me e lagu s’e lagu.
Sa jetë kishte ajo në duart e saj, një Zot e di.
Unë e quaja aq të lidhur me jetën që u kishte dhuruar mijra njerëzve, saqë e dija të pavdekshme.
E jo, isha gabuar.
Pse mund të vdiste edhe Rushen Golemi?
Në dreq vaftë vdekja!
Qani sot shqiptarë, se nuk e dini çfarë keni humbur!