*Çfarë nuk përmendi media shqiptare për Shkëlqesinë e Tij Rrok Mirdita, ish kreun e kishës katolike shqiptare?
Nga Tonin Mirakaj-New York/
Që prej ndarjes nga jeta, më 7 Dhjetor 2015, është shkruar dhe folë me shumë dashuri dhe respekt për jetën, arritjet dhe meritat e të ndierit Imzot Rrok Mirdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit. Është e vërtetë e pamohueshme se sukseset e Shkëlqesisë së Tij, që nga shugurimi në Kathedralen e Shkodrës me datën 25 Prill 1993, nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali i Dytë, janë monumentale në ndërtimin e Kishës Katolike, të cilën e gjeti gati krejtësisht të shkatërruar nga diktatura, në arsim, nga shkolla elementare tek Universiteti Katolik i Tiranës, në shëndetsi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera sociale.E,që kunorëzon arritjet e Tij,është ndërtimi i Kathedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë,në Tiranë.
Analizat e përpjekjeve të Tij, për të ndërtuar një “Shqipëri me Zotin”, një Shqipëri për të gjithë shqiptarët, përshkruarjnë kryesisht periudhën afër 23 vjeçare, nga shugurimi Argjipeshkev deri në kalimin e Tij në Amshim. Është përmendë fare pak, periudha e jetës së Tij nga viti 1973 deri në 1993, 20 vjet shërbimi dhe dedikimi shembullor në Qendrën dhe Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”në New York, dhe sukseset që arriti gjatë kësaj periudhe në avancimin e komunitetit Katolik Shqiptar.
Ka qenë e natyrshme për shtypin dhe median vizive, ti japin rëndësi shërbimit Tij baritor në Atdhe, nga se janë dëshmitarë të përpjekjeve të Imzot Mirditës, në kondita shumë të vështira, ku gjeti përveç Kishës dhe Klerit në një gjendje të mjerushme, një popull që besimin në Zotin e kishte të ndaluar me ligj për afër një gjysëm shekulli, dhe ishte edukuar si adhurues i partisë dhe i diktatorit që e drejtonte, dhe mbi të gjitha, një fukarallëk të përgjithshëm në fshat, në qytet, nga Veriu në Jug i krijuar nga centralizimi i ekonomisë, dhe kontrolli i jetës njerzore, nga një sistem kriminal i quajtur “sigurimi i shtetit”. Ishte një fillim i zorshëm që kërkonte ndihmë nga “Provania Hyjnore”!
E them me bindje se Imzot Rroku,solli në Atdhe vizionin,guximin,vendosmërinë dhe vullnetin që pati këtu në New York,gjatë 20 viteve që shërbeu pranë Qendrës dhe Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë.Mbi të gjitha Imzot Rroku kishte besim tek Ati që i shërbente,se në çdo ndërmarrje ishte dora e Atij që e drejtonte.Si një person shumë afër Tij (jo për merita të mija) mund të them me bindje të plotë se Imzot Rroku parashifte të ardhmen me vizion profetik. Çdo gjë që projektonte Imzoti, realizohej. Shpesh herë gjatë bashkëpunimit 20 vjeçar kam ra dakord me mendimet e Tij,me dyshim se mund të realizohen? Por,çka e profetizonte Imzoti, bëhej realitet!
Mbas shugurimit meshtar me 4 Korrik 1965, nga shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokiç, Argjipeshkev i Tivarit, shërbeu ndër Kisha të vendlindjes në Salce dhe Kllezna për rreth 7 vjet. Erdhi pranë Qendrës Katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Qershor të vitit 1973, me leje të Argjipeshkvit të Tivarit, për të ndihmuar të ndierin Monsinjor Joseph Oroshi, në kryemjen e detyrave shpirtërore emigrantëve shqiptar në New York, numri i të cilve po shtohej me besimtarë nga trojet shqiptare të Malit të Zi.
Këtu Dom Rroku gjeti të formuar Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, si Qendër Katolike shqiptare, jo famulli.Për arsyena administrative ishte pjesë e famullisë së vendit “St. Joseph’s Parish”. Lokali në 4221 Park Avenue në Bronx, ishte i vogël por i mjaftueshëm për atë kohë, ble me çmim që mundsinat lejonin. Mesha e parë në “Kishën” tonë u celebru natën e Krishtlindjes vitit 1969, nga i ndieri Monsinjor Joseph Oroshi.Kjo që ishte ëndërr nga fillimi i “Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane” më 16 Qershor 1962, u realizua. Prej 25 Dhjetorit të vitit 1969, shërbimet fetare që kryheshin ndër Kisha të vendit, vazhduan në Kishën tonë. Për tre vjet, Qendra funksiononte e kufizuar me një meshë të Dielën, mbledhje të Këshillit të Kishës simpas nevojës, një meshë për dëshmorët e kombit me rastin e festës kombëtare të 28 Nëndorit, dhe botimin e revistës “Jeta Katolike” që ishte filluar që nga viti 1966.Për të ardhshmen mendohej fare pak.
Arritjet që u përshkruan, ndonse quheshin sukses, nga se kishim diçka, shpejt u pa qartë se nuk ishin të mjaftueshme për komunitetin, as për një prift të ri, me aftësi dhe energji maksimale, dhe vullnet për arritje të reja.
Dom Rroku çmonte dhe respektonte autoritetin e administratorit të Qendrës të ndierit Monsinjor Joseph Oroshi, po e shifte qartë se Qendra duhet të përshtatet ndryshimeve të kohës që po kalonte Kisha Universale, mbas Këshillit të Dytë Ekumenik, dhe rregullave Diocesane për Kshilla të Kishave, dhe pjesëmarrjen laike në aktivitete jo religjioze.
Për të zhvilluar aktivitete shoqërore, duhej vend më i madh dhe më komod.Zmadhimi i qendrës ishte problem i parë, që kërkonte përpjekje të meshtarve, Këshillit të Kishës dhe krejt shoqërisë. Në fillim të vitit 1975 doli në shitje një ndërtesë që ndodhej ngjitur me qendrën tonë.Meshtarët dhe Këshilli vendosën ta blejnë, dhe në vend të saj të ndërtohej Kisha e re, ngjitur me lokalin që kishim.
Plani i ndërtimit të Kishës së re, kërkonte 300 mijë dollarë.
Për të përballuar shumën e nevojshme meshtarët dhe Këshilli i Kishës, në Maj të vitit 1975, vendosën të kërkojnë një “kusht” prej 500 dollarësh për familje, për të filluar ndërtimin e objektit të ri. 136 familje u përgjigjën me nga 500 dollarë, dhe 16 me nga 1000, që sollën Shumën rreth 84 mijë dollarë.Pagesa e rregullt vjetore prej 100 dollarësh për familje vazhdonte nga viti 1968, që sillte shumën afërsisht 50 mijë në vit.Për atë kohë dhe gjendjen ekonomike të mërgatës,këto ishin shuma të konsiderueshme që siguruan suksesin e inisiativës.
Mbasi u siguruan lejet e nevojeshme kishtare e juridike, puna për të ndërtuar Kishën e re filloi me 15 Maj 1976, nën drejtimin e meshtarve Mons. Joseph Oroshi dhe dom Rrok Mirdita, duke pasë përkrahje të plotë të Këshillit të Kishës.Gjatë punimeve, vazhdonte fushata për mbledhjen e shumës së nevojshme për të përballuar shpenzimet e ndërtimit, që gjithmonë dilnin më shumë se ishin paraparë.Punimet vazhduan për afër dy vjet dhe u kunorëzuan me inagurimin e Kishës së re me 24 Shatator 1978, mbajtë në “Chateau Pelham” në Bronx, me pjesëmarrje të 800 personave, ndër të cilët udhëheqsit kryesor të komunitetit shqiptar të New Yorkut.Kremtimi u kryesua nga Dom Rrok Mirdita. Dedikimi i Kishës së re, u bë me 14 Janar 1979, nga Eminenca e Tij Terence Cardinal Cooke, Argjipeshkev i New Yorkut.
Dom Rrok Mirdita luajti rol vendimtar në suksesin që u arrit në një periudhë të shkurtë, dhe mund të thuhet pa dyshim se ishte krah i djathtë i administratorit Mons Joseph Oroshit, në përpjekje për realizimin e këtij objekti fetar dhe kombëtar, që solli shumë kënaqësi në komunitet.Gjatë kësaj kohe njoftësia, influenca dhe dashuria për Dom Rrokun në bashkësinë katolike dhe atë shqiptare,u shtua me përmasa të admirueshme,dhe siguroi vazhdimësi udhëheqje në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Pa vonesë u bë e kjartë se Dom Rroku kishte aftësi udhëheqje dhe vision për të ardhmen e komunitetit. Kjo u provua me kontributet dhe gjenerozitetin që realizojë ndërtimin e objektit të ri.
Në Bronx, që nga fundi i vitit 1973, funksiononte Qendra e dytë Katolike shqiptare e “Shën Palit dhe Shën Pjetrit”, formuar nga Dom Lazër Sheldia, e cila i kryente shërbimet fetare pjestarëve të Qendrës, në Kishën Amerikane “Holly Rosary”, në Eastchester Road.Kjo nuk solli ndonjë ulje të pjesëmarrjes së komunitetit në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”,nga se ardhja e emigrantëve të rinj vazhdonte,dhe shumica frekuentonin Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në këtë kohë Qendra kishte vend të mjaftushëm për të zhvilluar aktivitete shoqërore, kështu që fillojë një gjallëri e re, kryesisht meritë e priftit të ri dhe energjik Dom Rrokut. Ky, formoi korin e Kishës, që u shoqërua me grupin muzikor, grupin e kërcimtarve “Rozofati” dhe shoqatën e prindërve.Këto aktivitete sollën rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes në Kishë.Dom Rroku krijoj një rreth të gjerë bashkëpuntorësh e aktivistësh që bënë të mundur avancimin e idenave të Tij, që përvec kënaqësisë në komunitet, sollën rritje në ndihma financiare të nevojshme për mbajtjen e Kishës.
Më 19 Qershor 1981, në marrëveshje me Diocesin e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Argjipeshkëv i New Yorkut, me dekret special e inkardinoj Dom Rrok Mirditen prift i Arkidiocesit të Tij, me detyrë pranë Qendrës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Bronx, New York.
Administratori i Qendrës Mons Joseph Oroshi dhe Këshilli i Kishës vendosën ta kremtojnë inkardinimin me një “Mbramje Vallëzimi” që u mbajtë me datën 10 Janar, 1982 në lokalin “Alex and Henry’s Roman Gardens” me një pjesemarrje të gjerë të komunitetit. Argëtimin e bëri grupi muzikor “Rozofati”, krijuar nga Dom Rroku, që drejtohej nga Fran Shala.Mbrëmja u kryesuar nga Tonin Mirakaj, kryetar i Këshillit të Kishës.
Që nga fillimi, Këshilli i Kishës, zgjidhej nga administratori, simbas krahinave, njoftësive, rekomandimeve e tjera kësisoji, por jo aftësive që ishin të nevojshme për drejtimin dhe udhëheqjen e bashkësisë.Kjo mënyrë zgjedhjesh nuk ishte e pranushme për priftin e ri, dhe duhej ndryshuar që t’i përshtatej situatës që solli ardhja e emigrantëve të rinj, dhe udhëzimet që vinin nga zyra e Diocesit për Kshillat e Kishave.
Në këtë kohë, po afrohej pensionimi i administratorit të Qendrës, dhe drejtimi gradualisht po kalonte te Dom Rroku.Organizimi i Këshillit të Kishës dhe i zgjedhjeve ishte pikë me rëndësi që kërkonte një rregullore të bazuar në udhëzimet zyrtare dhe shembulla, si veprohej ndër Kisha të vendit. Dom Rroku u vu në kontakt me Kishën “Shën Philip Neri” në Bronx, ku merr orientimin e nevojshëm, dhe mbas studimit që pasoj, përgatiti “Rregulloren e Këshillit të Kishës Zoja e Këshillit të Mirë”, që përcakton mënyrën e zgjedhjeve, afatin në Këshill dhe rregulla të tjera të nevojeshme për drejtimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në udhëheqje. Ajo rregullore vazhdon prej asaj kohe, me plot sukses.
Një ngjarje që pritej me shumë gëzim, në atë kohë ishte shugurimi i gjakonit Pjetër Popaj, meshtar.Dom Rrok Mirdita ishte i vendosur me e kremtu shugurimin në mënyrë madhështore.Sa u caktua data e shugurimit 16 Nëndor 1985, filluan përgatitjet nga një komision që vepronte nën direktiva dhe udhëzime të Dom Rrokut.
Me datën 24 Nëndor 1985, prifti i ri Dom Pjetër Popaj, do kremtonte meshën e parë, në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Komisioni prëgatitës me pëlqimin e Dom Rrokut vendos që kremtimi të bëhet në mbrëmje të datës 24 Nandor. U sigurua lokali “Imperial Manor” në Rt 4, New Jersey, që kishte vend të mjaftuarshëm për më se 1000 persona, që parashifej pjesëmarrja.U bënë lajmërimet me anë të mjeteve të komunikimit të kohës.U siguruan dy orkestra, njëra Amerikane dhe tjetra Shqiptare. U ftuan personalitete të Kishës dhe të komunitetit.U ftua Dom Simon Filipaj, nga Mal i Zi, Dom Prenk Ndrevashaj nga Detroiti e të tjerë.U ftua kryetari i shtetit të New Yorkut, i ndershmi Mario Cuomo. Ishte një rast gëzimi që Dom Rrok Mirdita dhe komisioni përgatitës dëshironin që të dilte sa më i suksesshëm. Më se 1000 persona morën pjesë në“Darkën Gazmore”të këtij rasti.
Kryetari i shtetit lëshoj një “proklamatë”, në të cilën vinte dukje se ishte rasti i parë në histori, që shugurohet një prift shqiptar në Amerikë.Proklamatën e solli asistenti i kryetarit Cuomo për mardhënje ethnike z.John Nikas.
Për të gjithë organizimin prej fillimit, ishte kujdesi dhe dëshira e Dom Rrokut që gjithcka të dalin sa më mirë, kështu që ky rast gëzimi të mbetet kujtim për priftin e ri Dom Pjetër Popaj dhe gjith komunitetin Shqiptar të New Yorkut.
Më 1 Korrik 1986, administratori i Kishës Mons. Joseph Oroshi del në pension.Eminenca e Tij John Kardinal O’Connor emroj menjëherë Dom Rrok Mirditën administrator në Qendrën dhe Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Aktiviteti i parë i administratorit të ri, ishte përcjellja e Mons. Oroshit me një darkë gazmore, me pjesëmarrje të gjërë të komunitetit, me qëllim që ti jepej nderimi qe meritonte.Kjo “darkë gazmore” u mbajtë me 21 Shatator 1986 në “Eastwood Manor”, ku morën pjesë më se 700 persona, ndër të cilët Mons.John Doherty, Vicar Episkopal i Bronxit, Dom Prenk Ndrevashaj i ardhur nga Detroit, Anthony Athanas nga Boston Mass. Dr.Rexhep Krasninqi kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Imam Isa Hoxha dhe të tjerë personalitete të shquara të komunitetit.
Me 4-6 Korrik të vitit 1986, në New York u mbajtë “Harbor Festival” me rastin e 100 vjetorit të Statutit të Lirisë, me pjesëmarrje grupesh muzikore nga më se 120 shtete të Botës.Me datën 6 Korrik,grupi i kërcimtarve Rozofati, i prëgatitur nën kujdesin e Dom Rrokut, performoj për 14 minuta në platformën madhështore të ngritur në Maiden Lane, përpara mijra spektatorve.Në prezentimin e grupit shqiptar, moderatori vuri në dukje aktivitetin e shkëlqyeshëm të Dom Rrokut në avancimin e komunitetit shqiptar të New Yorkut.
Sukseset e arritura nuk ishin të mjaftuarshme për Dom Rrokun.Ai gjithmonë mendonte si do të jetë komuniteti në të ardhmen.Ishte e qartë se zona e Bronxit ku ishte Qendra dhe Kisha shqiptare, nuk kishte shumë prespektivë për të ardhmen. Emigrantët shqiptar, që avancuan shpejt ekonomikisht, kishin filluar të largoheshin nga Bronxi, për në zona të klasës së mesme, në Westchester e vende më të preferuara.Frekuentimi i Kishës, në atë kohë ishte i kënaqshëm, por, për një vizionar si Dom Rroku, që parashihte të ardhmen me qartësi,nuk ishte i pranushëm, qëndrimi në vend-numëro! Duhej menduar për të ardhshmen e komunitetit, e këtë situatë Ai e studionte me seriozitetin më të madh.
Në bisedime me autoritete të Diocesit të New Yorkut, u shtrua ideja e bashkimit të të dy Qendrave Katolike Shqiptare,me qëllim që të krijohej mundësia e kalimit në vend më të përshtatshëm, si edhe e formimit të një famullie, me të drejta kanonike si gjithë famullitë e vendit. Diocesi rekomandoi formimin e dy komisioneve nga Kshillat e dy Qendrave, dhe të fillonin bisedimet për bashkim, me aprovim të plotë të Argjipeshkvit të New Yorkut.Kjo ide kishte aprovim të administratorit të ri Dom Rrokut, dhe të Këshillit të Kishës “Zoja e Këshillite Mirë”, por kishte edhe kundërshtarë që dyshonin se do shlyhej historia e themeluesit të Qendrës, po të kalohej në vend tjetër? Qendra e “Shën Palit dhe Shën Pjetrit”, nuk kishte aprovimin e themeluesit të saj Dom Lazër Sheldia, por, Këshilli i Qendrës ishte i të njëjtit mendim, me atë të Këshillit të Qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”.
U formuan dy komisione.Komisioni i Qendrës “Zoja e Këshillit te Mirë” prej 8 antarësh të Këshillit, nën kryesine e Dom Rr.Mirditës, dhe komisioni i palës së dytë prej 7 personash i kryesuar nga At Andrea Nargaj, ish profesor i Philozofisë dhe i Theologjisë në St. Joseph’s College, në North Windham të shtetit Main, që në atë kohe ishte ne pension.
Nën drejtimin e meshtarve, u bënë disa mbledhje, në të cilat diçka që pak kohë më parë dukej e pa mundur, filloj të bëhej realitet.Problemet që u paraqitën u zgjidhën me urtësi, nga se të gjithë ishin të shtyrë nga dëshira për të arritur qëllimin që ishte: Bashkimi i dy Qendrave në një të vetme. Të gjithë ranë dakord se për të siguruar paqe dhe harmoni, emri i Kishës së re duhet të ishte emër i “tretë”, që u zgjodh “Zoja e Shkodrës”, emër i pëlqyeshëm për të gjithë.
Për të zyrtarizuar bashkimin,u përpilua dhe u nënshkrua deklerata e nevojshme më datën 28 Shkurt 1987, nga dy meshtarët dhe 15 personat e autorizuar nga Kshillat e të dy Qendrave, me aprovim të plotë nga Diocesi i New Yorkut.(Shif dekleratën e bashkimit). Merita kryesore për këtë bashkim që gjeti përkrahjen e shumicës së Komunitetit Katolik Shqiptar, dhe solli forcën ekonomike për suksese
të mëvonshme, i shkon vizionit, vendosmërisë, guximit dhe vullnetit të Dom Rrok Mirditës.
Sikurse duket edhe në dekleratën e aprovuar, bashkimi është për vend të tretë, kështu që shërbimet fetare dhe gjithë aktivitetet shoqërore,duhet të vazhdonin në Qendrat ekzistuese.Mbas vdekjes tragjike të Dom Lazër Sheldisë më 22 Shtator 1988, të gjitha shërbimet kryheshin në Qendrën dhe Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, dhe duhet të vazhdonin derisa të gjendej vendi i “tretë”!
Përpjekjet vazhdonin për gjetjen e një Kishe, në vend të pëlqyeshëm për të gjithë komunitetin.Nga nënshkrimi i dekleratës së bashkimit,deri në fund të vitit 1988, Diocesi i New Yorkut ofroi tri Kisha, pa obligim financiar, në zonën e Bronxit.Të tria në vende më të mira se aty ku ishim, por asnjëra e pranushme për Dom Rrokun dhe bashkëpuntorët e Tij.
Në fillim të vitit 1989, Dom Rroku në bashkëpunim me komisionin e bashkimt, (Mbas nënshkrimit të dekleratës së bashkimit,komisionet u bashkuan në një komision) të Qendrave Katolike Shqiptare, vendosën të kërkohet tokë, në një vend të përshtatshëm,dhe aty të ndërtohej Kisha e re,simbas dëshirave dhe mundsive të komunitetit.Ky vendim kishte edhe përkrahjen e Dom Pjetër Popaj,
që në këtë kohë,shërbente në Kishën e Shen Lucy’s në Bronx,N.Y.
Anëtarët e komisionit zotërinjtë Sokol Vukel dhe Nikollë Shala, gjetën tokën që ishte në shitje,në 361 West Hartsdale Avenue, vend i mjaftushëm prej 12 acres. Toka u vizitua nga anëtarët e komisionit, dhe të dy kshillave.Shumica ranë dakord se ishte vend i përshtatshëm, dhe se duhet filluar procesi i nevojshëm i lejeve juridike dhe Diocesane, për të përfunduar kontartën e blerjes. Çmimi i tokës ishte 2.425.000 dollarë, shumë e konsiderueshme, por jo e pamundur në vizionin e Dom Rrok Mirditës, dhe bashkëpuntorëve të Tij.
Me datën 3 Prill 1989, në një mbledhje të të dy Këshillave të Qendrave të bashkuara, mbajtë në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”,mbas spjegimeve që u dhanë nga Dom Rroku (në këtë kohë administrator i dy qendrave), u hap fushata e parë për mbledhjen e fondeve të nevojshme për blerjen e tokës në Hartsdale.Nga shumica e pjesëmarrësve,ndihej një enthusiazëm dhe kënaqësi që nuk ishte parë
ndonjëherë. U premtuan rreth 860.000 dollar, që siguruan blerjen e vendit.(shif video të rastit,inçizue nga Fran Shala).Për gjetjen e vendit, dhe fushatën u njoftua komuniteti në Meshën e së Dielës datë 4 Prill 1989.Pa vonesë,shuma e premtimeve kaloi një milion dollarë!
Me datën 5 Prill 1989, I përndershmi Dom Rrok Mirdita paraqiti në Dioces kërkesën për nënshkrimin e kontratës së blerjes së tokës.Një komision i ndërtimeve të Diocesit të New Yorkut, vizitoi vëndin dhe raportoi favorshëm te Emineca e Tij John Kardinal O’Connor, Argjipeshkëv i New Yorkut, i cili aprovoi fillimin e procedurave legale për mbylljen e kontartës së blerjes.
U angazhua avokati Mr George A Philips i firmës “Cusak & Steles”, me fillue hetimet e nevojshme dhe përpilimin e kontratës me shitsin e tokës që përfaqësohej nga firma “Piro & Mansell”, e White Plains. Gjatë Verës u pregatitën proceset, lejet dhe kontrata u nënshkrua me datën 26 Shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro and Mansell”, nga Iperndërshmi Dom Rrok Mirdita.Në kët rast
Ishin të pranishëm kryetari i komisionit të bashkimit Lek Gojçaj dhe dy nën/kryetarët Tonin Mirakaj dhe Prelë Sinishtaj si edhe aktivisti Ndue Shala. Meqense ende nuk ishte mbledhë shuma e nevojshme nga premtimet, Eminenca e Tij John Kardinal O’Connor,autorizoi dhënien e huasë prej 2.425.000 dollarësh, një çek që mbylli kontratën. Këtu tregohet besimi që Eminenca e Tij kishte te Dom Rroku, dhe Komuniteti Shqiptar i New Yorkut.
Eshtë me rëndësi historike të vihet në dukje se dy ditë mbas mbylljes së kontratës më 28 Shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O”Connor, formoi Famullinë e Parë Katolike Shqiptare “The Parish of Our Lady of Shkodra” dhe emëroj famullitar të përndershmin Dom Rrok Mirdita.Prestigji i Dom Rrok Mirditës, influenca dhe respekti i komunitetit për arritjet dhe vizionin e Tij, bënë të mundur shtimin e frekuentimit të Kishës dhe aktiviteteve që organizoheshin, dhe më shumë rëndësi pjesëmarrjen bujare në fushatën për ndërtimin e Kishës së re.
Krahas me fushatën, shërbimet baritore vazhdonin në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë” për komunitetin e bashkuar.Në kët kohë, Dom Rroku asistohej nga At Andrea Nargaj dhe Dom Pjetër Popaj, i cili që nga Qershori i vitit 1989, me dekret të Eminencës së Tij John Kardinal O’Connor, kishte detyrën e ndihmës administratorit të Kishës shqiptare, dhe ndihmës famullitar i famullisë së re.
Dom Rrok Mirdita u jepte shumë rëndësi aktiviteteve shoqërore, që të organizuara si duhet në mënyrë profesionale,sjellnin kënaqësi në komunitet,
dhe kontribuonin në ruajtjen e gjuhës, folklorit dhe identitetit tonë ethnik.Në Maj të vitit 1988, në kuadër të vitit Marian,me inisiativën e Dom Rrokut u organizua shtegtari (pilgrimage) në Romë dhe Genazzano, aty ku për më se 500 vjet venerohet figurja e Shejtë e Zojës së Shkodrës. 104 persona nga Qendra Katolike morën pjesë, të udhëhequr nga meshtarët dhe komisioni prëgatitës. Me datën 6 Maj 1988, grupi i shqiptarve nga Amerika, u prit në audincë nga Ati i Shejtë, Papa Gon Pali i Dytë.Një kënaqësi dhe gëzim, që nuk gjenden fjalë të përshkruhen!
***
Ati i Shejtë mbajti një fjalim shumë të përmallshëm dhe miqësor për shqiptarët dhe Shqipërinë.Në fjalën e Tij, bëri thirrje për kthimin e lirisë fetare “Popullit fisnik Shqiptar”.Fjala e Tij, u transmetua në gjuhën Shqipe nga Radio Vatikani.
Më 7 Maj, grupi i shqiptarëve, udhetoi në Genazzano, ku u celebru meshë në Kishën e “Zojës së Këshillit të Mirë”, nga 8 meshtar shqiptar,të udhëhequr nga At Daniel Gjeçaj.Mesha u shoqërua me këngë, nga pjestar të korit të Kishës shqiptare të New Yorkut.Arritje e shkëlqyeshme për të përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe gëzim dhe kënaqësi për të gjithë pjesëmarrësit.
Në fillim të vitit 1989, Dom Rroku aprovoj idenë e një Seminari Internacional me rastin e 300 vjetorit të vdekjes Imzot Pjetër Bogdanit.Komisioni përgatitor, me pëlqim të Dom Rrokut, ftoi foles për rastin unik, nga Kosova Profesor Ibrahim Rugova dhe Profesor Engjel Sedaj. Nga Italia At Daniel Gjeçaj.Nga Germania Profesor Martin Camaj dhe nga shteti Minesota, Profesor Arshi Pipa.U rezervua vendi në Fordham University, u caktua data 7 Tetor 1989, dhe u lajmëruan shqiptarët e Amerikës, me anë të mjeteve të komunikimit të vendit, për kët aktivitet kultural me shumë rëndësi.Pjesëmarrja kaloj çdo parapamje.Më se 1100 persona morën pjesë.Gjithcka kaloj ashtu si e kishte vizionue Dom Rrok Mirdita. Për Profesor Ibrahim Rugova, ishte vizita e parë në Amerikë,ku filloj aktiviteti i Tij politik dhe diplomatik, që solli rezultate me përmasa historike, për Kosovën dhe gjithë Shqiptarët.Punimet e Seminarit, gjenden të botuara në librin“Imzot Pjetër Bogdani në New York”. (Botues Tonin Mirakaj)
Në vitin 1990,Dom Rroku shprehi dëshirën të bëjmë një shtegtari në Tokën e Shejtë, në Izrael dhe Palestinë.U zgjodh një komision, që bëri përgatitjen e nevojshme, ku morën pjesë 74 persona, me udhëheqës shpirtëror Dom Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj.Shtegtaria u zhvillua nga 3 deri më 11 Maj, 1990,
dhe kaloi me sukses të plotë.Atje, shtegtarët vizituan përmendoret më të shenjta të Kristianizmit, ku u celebrua Meshë nga meshtarët tonë, dhe u bënë lutje për kthimin e lirisë fetare në Atdheun tonë të largët.U vizitua Xhamija e famshme El Aksa, e cila zë vendin e tretë në besimin Islam, mbas Mekës dhe Medinës.
Eshtë një koincidencë mbreslënse rasti, ku Dom Rroku dhe Dom Pjetri celebruan meshë në dy Altar, në Kishën e famshme “Sepulcre”, aty ku është kryqezuar dhe varrosë Jezu Krishti.Sa dolëm nga Kisha,ndëgjuam lajmin se në Shqipëri u kthye liria fetare! Është e zorëshme me u përshkrua gëzimi dhe kënaqësia që përshkoj të gjithë pjesëmarrësit për këtë lajm të gëzueshëm.
Me rastin e 25 vjetorit të Shugurimit meshtar të Dom Rrok Mirditës, Kisha organizoj “Mbramje Gazmore”, mbajtë më 8 Korrik 1990, në “Eastwood Manor” me pjesëmarrje masive të komunitetit, ndër të cilet personalitete të shquara të
Kishës së vendit, si edhe udhëheqës të dalluar të komunitetit shqipatar.Muzikë, këngë dhe valle vazhduan deri në orë të vona të natës.Atmosferë gëzimi dhe kënaqësie përshkonte të gjithë pjesëmarrësit, si edhe Imzot Rrokun.Në fund, në mes duartrokitjesh foli Imzot Rroku, i cili falenderoj pjesëmarrësit, Dom Pjetrin dhe komisionin organizues.
Më 3 Nandor 1990,në Kathedralen e Shën Patrikut në Manhattan, N.Y., u shugurua Djakon Marash Shkreli,nga Eminenca e Tij John Kardinal O’Connor,gëzim për Dom Rrokun, Dom Pjetrin dhe krejt komunitetin.Djakon Shkreli menjëherë filloj detyrën pranë Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” ku dha një kontribut me shumë rëndësi, në zhvillimin e aktiviteteve fetare dhe shoqërore.
Një aktivitet tjetër kulturor, që u fillua me aprovimin dhe dëshirën e Dom Rrok Mirditës, është Festivali Shqiptar, mbajtë në Lehman College, në Bronx New York, me 20 Tetor 1991.Festivali doli me sukses dhe u vendos të kthehet në traditë e përvitshme e Kishës Zoja e Shkodrës.President i Bronxit, Fernando Ferrer,lëshoi një proklamatë me të cilën e shpalli datën 20 Tetor 1991,”DITE E SHQIPTARVE”, në Bronx! Tradita vazhdon, dhe festivali numër 25, u mbajt me 7 Nandor 2015.
Gjatë zhvillimit të aktiviteteve që u përmendën, vazhdonin shërbimet fetare për krejt bashkësinë e Kishës, dhe në të njëjtën kohë vazhdonte fushata për mbledhjen e fondeve të nevojëshme për ndërtimin e Kishës së re në Hartsdale.
Krahas mbledhjes së fondeve, përgatiteshin planet e ndërtimit, dhe lejet e nevojëshme, që nuk ishte një gjë e lehtë.Për Dom Rrokun,Dom Pjetrin dhe bashkëpuntorët e tyre, gjithcka ishte e mundur.
Dom Rrok Mirdita i kushtonte shumë kujdes imazhit të komunitetit Shqiptar në shoqërinë amerikane. Kjo ishte me rëndësi në shkolla, në punë, në mjediset publike dhe në vendbanimet e shqiptarëve.
Ngjarja që e tronditi shumë Dom Rrokun dhe të gjithë komunitetin shqiptar ishin akuzat në shtypin lokal në fund të vitit 1991 si”Albanian Boys INC”, kanë atakuar fëmijët afrikano-amerikanë dhe paraqitej një rast sikur shqiptarët e kishin lyer me bojë të bardhë një fëmijë afrikan. Kjo ishte shumë e rrezikshme për emigrantët që jetonin në zonat e përziera të Bronxit.
Me datën 15 Janar 1992 Dom Rroku thirri mbledhjen e Këshillit të Kishës”Zoja e Këshillit të Mirë” me Community Relations Board dhe ftoi reporterë të ndryshëm, ku mbrojti me shumë zotësi interesat e emigrantëve shqiptar nga atakimet e padrejta. Gazeta “Catholic New York e datës 23 Janar 1992shkroi një faqe dedikaur këtij takimi, ku përshkruhet me detaje ngjarja. Pak kohë më pas policia e Nju Jork-ut provoi me prova se atakimet ishin të pavërteta dhe rastin e ksihte sajuar një nënë afrikano-amerikane, e cila sajoi ngjarjen për t’i dërguar fëmijët në një shkollë tjetër. Në këtë rast Dom Rroku, përvec bashkëpunëtorëve të tij gjeti përkrahje të cmushme nga Prof. Sami Repishti, John Cardino si dhe gazeta Illyria.
Me inisiativën e Dom Rrokut dhe Dom Pjetrit, në vitet 1991,92 dhe 93, mijra paketa me ushqime dhe veshmbathje u mblodhën pranë Qendrës Katolike Shqiptare, dhe u transportuan në Shqipëri, me anë të “World Recourses”, me çmim të arsyeshëm, për tu ardhë në ndihmë njerëzve në nevojë.Në mes të vullnetarve që ngarkonin kamionat përpara Qendrës, gjindej vazhdimisht Dom Rroku. Në këtë “aksion” bamirës, mori pjesë i gjith komuniteti shqiptar i New Yorkut me rrethe.
Tranzicioni nga diktarurë në pluralizëm në Shqipëri, solli nevojën e krijimit të Hierarkisë Kishtare, që nuk ekzistonte nga viti 1967.Ati i Shejtë, Papa Gjon Pali i Dytë, vendos të udhtojë në Shqipëri me datën 25 Prill 1993, dhe në Kathedralen
e Shkodrës të Shuguroj katër Ipeshkvij, ndër të cilët Ipërndershmi Dom Rrok Mirdita, Argjipeshkev për Durrës-Tiranë. Ky lajm u njoftua në Kishën tonë në New York, natën e Krishtlindjes 24 Dhjetor 1992.Një gëzim dhe kënaqësi për Dom Rrokun dhe krejt komunitetin Shqiptar të Amerikës.
Për të nderuar Imzot Rrokun, Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” celebroj “Meshën e Lamtumirës”, me datën 18 Prill 1993, me celebrant kryesor Eminencën e Tij John Kardinal O’Connor, Argjipeshkëv i New Yorkut, me co-celebrants Imzot Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, At Andrea Nargaj, Djakon Marash Shkreli e të
tjerë. Nuk kishte vend të mjaftushëm në Kishë për të gjithë, kështu që një numër i konsiderueshëm e ndoqën Meshën me autoparlante përpara Kishës.
Për të marrë pjesë në ceremonitë e rastit, me 25 Prill në Kathedralen e Shkodrës,u organizua një grup prej 150 pjestarësh të famullisë, të cilët udhtuan në Shqipëri për rastin historik të vizitës së Atit të Shejtë, dhe shugurimin e famullitarit të Kishës s’onë Argjipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës, shugurimin e Imzot Frano Ilija, Argjipeshkëv i Shkodrës dhe Imzot Zef Simoni dhe Imzot Robert Ashta Ipeshkvije,që së bashku formuan Hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare.Në ceremonitë e këtij rasti, morën pjesë e Lumja Nënë Terezë, Nobeliste e Paqes, Kardinali John O’Connor, argjipeshkëv i New Yorkut, mik i Imzot Rrokut dhe i komunitetit Shqiptar në Arkidiocesin e Tij, President i republikes Dr Sali Berisha, kryetari i Parlamentit shqiptar Pjetër Arbënori e shumë të tjerë, personalitete të shquara në qeverinë shqiptare.
Në mbrëmjen e datës 26 Prill, grupi i shqiptarve nga Amerika organizoj në Hotel Daiti një pritje (simbas stilit Amerikan) në nder të Shkëlqesisë së Tij,Imzot Rrok Mirdita, ku morën pjesë më se 300 të ftuar, ndër të cilët kryeministri i Republikës së Shqipërisë dr Aleksandër Meksi dhe shumë pjestar të lartë të qeverisë.Morën pjesë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. William Ryerson, dhe i gjith personeli i Ambasadës, si edhe një numër Ambasadorësh dhe diplomatësh të akredituar në Tiranë.Merrnin pjesë shkëlqesitë e tyre Imzot Frano Ilija, Imzot Zef Simoni dhe Imzot Robert Ashta.Pritja u organizua nën kujdesin e Djakon Marash Shkreli dhe Tonin Mirakaj si edhe Çlirim Rushaj,nënpunës i Ambasadës Amerikane.Kjo pritje është rast i paharrushëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Në këtë përshkrim, gjenden disa nga aktivitetet dhe arritjet kryesore të Imzot Rrok
Mirditës gjatë shërbimit 20 vjeçar në Kishën Shqiptare të New Yorkut.Imzot Rroku ishte dhuratë e Zotit për Kishën katolike, për komunitetin shqiptar, për Shqipërinë dhe familjen, miqtë dhe bashkëpuntorët e Tij. E falenderojmë Zotin që patëm në mesin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij! Pushofsh në Paqe, i dashtun IMZOT RROKU!/Dielli, New York
Komentet