ABATI I MIRDITES
IMZOT PRENG DOÇI
(1846 – 1917)
Preng Doçi ishte shumë i vogel kur mbeti jetim pa Baben e vet në Mirditë.
Edhe vorfnia e familjes do t’a bante punen e vet. Ishte afer 9 vjeç kur u njoft me kangët e fesë katolike të këndueme prej Don Bibaj i Bulgerecit.
Ishte At Anastasi që e mori Prengen e filloi me i mësue shkrim e këndim.
Në vitin 1855 kur At Anastasi e çoi Prengen në Kallmet i tha: ”Unë do të krenohem me ty!”. Imz. Pal Dodmasej e mori me knaqësi me e shkollue.
Në 1859 kur do të bahej inaugurimi i Kathedrales së Shkodrës me 2 gusht nisën mësimet edhe në seminarin e hapun në Shkodër. Prenga shumë shpejt mësoi të komunikonte shumë mirë latinisht dhe italisht.
Në moshën 15 vjeçare Prenga do të lente seminarin Papnor Shqiptar për me vazhdue n’Itali, Universitetin e Romës tek Propoganda Fide.
Dashunia per vendlindjen e tij u ba faktori vendimtar për pergatitjen e tij intelektuale. Atje qëndroi dhetë vjet dhe ju përshtat masëmiri disiplinës rigoroze të kolegjit. Ndiqte plot interes lëvizjet antiosmane të vitit 1862 në Mirditë, se autorët kryesorë ishin të adhuruemit e tij të njoftun Imzot Pal Dodmasej, Gaspër Krasniqi dhe Kapidani Bib Doda. Ishte në dijeni të plotë t’ekspeditave ushtarake turke kundër Malësisë së Shkodrës në vitet 1863-1865. Në 1866 do të përjetojë me dhimje të madhe lajmin e vdekjes së Pjetër Zarishtit dhe ma vonë në 1868, vdekjen e Kapedan Bibë Dodës si, dhe të mësuesit të tij të nderuem Imzot Pal Dodmasejt. Ndërkohë Prenga atje u lidh edhe me personalitete të njoftuna arbëreshe të Italisë.
Nder të parët që njofti ishte Bernardo Bilota (1843-1918) italoshqiptar e pjesëmarrës në Kongresin Gjuhësor Shqiptar të Kalabris (1895).
Asht takue atje edhe me De Radën dhe Dhimitër Kamardën. Ngjarjet në Italinë e vitit 1860 u banë shtysë konkrete për ta vështrue krejt ndryshe çështjen e atdheut. Përgjegja e Giuzepe Garibaldit dhanë Elena Gjikës se çka mund të bajnë në këtë moment Shqiptarët, ishte një tjetër frymzim.
Prenga u njoh me poezitë e De Radës dhe të Dhimitër Kamardës me të cilët do të bashkëpunonte për përmbledhjen e poezive kushtue Dora Distrias me titull “Shqiptarëve për Distrian”, botue në 1870.
Në mbrojtjen e diplomës Prenga do të laurohet me temën filozofike “Mbi disa këngë në vargje 12 rrokëshe”, në latinisht, ku u vlerësue me çmimin e Ekselencës së vitit 1871. Mbas 13 vjetësh Benedikti i ri kthehet në atdhe në Kishën e Eufemisë në Kallmet, ku aty u takue me Imzot Françesko Malçiski, i cili e caktoi famulltar në Korthpulë.
Atje u njoft me hallet e brengat e të gjithë fshatarve. Oroshi dhe famullia e abacisë së Kodër Spaçit, ku Prenga ishte kapelan, atje ai me vetitë e tij mërrijti të depërtojë deri në skutat ma të thella të shpirtit të besimtarëve t’ atij bajrak. Dom Ndoc Nikaj shkruen se Abat Prenga kishte mendim që Mirdita duhej të bahej principatë. Imz. Preng Doçi asht kenë frymëzuesi e ideatori i Kuvendit të Përgjithshëm të mbledhun më 14 tetor 1873 në Grykë të Oroshit nën kujdesin e Dom Nikoll Biankut. Gazetat e Malit të Zi shkruenin se këto kryengritje i udhëheq një njeri që dallohet lehtë si ua shkruen konsujve të huej lajmet në Shkodër.
Ma vonë, Imz. Prengen e caktojnë famulltar në Kalivare nga viti 1874. Shkodra u përfshi në një organizim të ri d.m.th., kaloi nga administrimi i dikurshëm prej Portës së Naltë, në një Mytezarif i varur prej Manastirit. Në këtë organizim të ri, Abati Doçi kërkoi, si një politikan mëndjehollë, kthimin e Preng Bib Dodës në Mirditë. Hymja në luftë e Serbisë dhe e Malit të Zi në 1876 më 30 qershor, dhe lufta e rrebtë me 1 korrik kundër Perandorisë Osmane, u parapri prej shumë përgatitjesh luftarake e për pasojë solli një qëndrim të ri të Portës së Naltë ndaj Mirditës.
Preng Bibë Doda 18 vjeçar kthehet në atdhe dhe kjo u quejt një fitore. Simbas Abatit Preng Doçi, lirimi i Preng Bibë Dodës i forcoi Mirditën, ndonëse ai do të ishte pa poste zyrtare. Abati e kishte parashikue t’i merrte me forcën e armëve. Abati Preng Doçi e dinte ma mirë se kushdo, formën e së drejtës zakonore në proçesin e besimit të mirditorve.
Simbas tij Kanuni nuk ka vlera të plota pa Kuvendin, pa pleqtë e pa të drejtën. Në katundin e Shën Palit u mblodh Kuvendi i Përgjithshëm i Mirditës. Në Kuvend morën pjesë Puka, Dukagjini dhe Gjakova. Tri mijë burra lidhën besën për me fillue veprimet luftarake kundër Turqisë deri në shfarosjen përfundimtare nga tokat e tyne. Kuvendi miratoi njëzani Kapedan Preng Bibë Dodën. Kryesia e Lëvizjes vendosi me i kërkue ndihmë Malit të Zi për armë e municione. Për këtë qëllim u nis për në Cetinë, me takue burrat e shtetit të Malit të Zi, per bisedime Abat Prenga.
Princi i Malit të Zi i dha sigurime për ndihmë financiare dhe për armë. Kryengritja e Mirditës në 1876-1877 tërhoqi vëmendjen e diplomacisë europiane. Këtë lëvizje e drejtuen një grup patriotësh intelektual, si Zef Jubani, Pjetër Gurakuqi, Abat Prend Doçi, Lorenc Gurakuqi, etj., të cilët u takuen në Shkodër. Prandej me nisiativën e tij dhe me miratimin e krenëve të 12 bajrakve të Mirditës, nga 27 dhetori 1876 deri me 3 janar 1877 filloj një Kryengritje e Përgjithshme.
Në këte kryengritje të bashkueme të muslimanve dhe katolikve Shqiptar kundër ushtrisë turke, Valiu i Shkodrës, Mustafa Asim Pasha si dhe ambasadori turk në Romë nderhyjnë menjëherë.
Galliani pohoi se Imz. Preng Doçi ishte përfshi në fermanin e Sulltanit, i dëbuem përgjithmonë nga tokat e Perandorisë Osmane, sepse kishte luftue me armë në dorë sëbashku me kryengritësit e Mirditës kundër Portës së Naltë. Si pasojë Imzot Preng Doçi asht i pari Shqiptar që shkeli Botën e re, bregun Perëndimor n’ Amerikë, ku shërbeu si misionar katolik deri në vitin 1883 e ma vonë në Brunsk të Kanadasë. Prej atje u dergue nga Selia e Shenjtë në Indi dhe si një njeri i devotshëm dhe personalitet katolik u emnue Sekretar i Kardinalit.
Abati Preng Doçi u thirr në Vatikan ku u caktue Sekretar i Përgjithshëm pranë Atit të Shenjtë, Papës së Romës. Studiuesi Petro Chiara, në librin e tij shkruen: “U dërgue me mision në Amerikë me qëllim që të mos ishte i dobishëm nga afër për vendin e vet dhe në ato vende të lante krimin, sepse kishte luftue me heroizëm për lirinë e Atdheut të vet”.
Interesant asht lirimi nga burgu i Stambollit t’ Abatit Preng Doçi në fillim të muajit korrik të 1877. “Fati asht kurdoherë në anën e trimave”.
Ai ndërsa udhëtonte drejt ujnave të Adriatikut apo të Jonit, i veshun me tesha benediktine nën emnin e Pere Achile, mërriti në Stamboll. Të dhanat shkruejn se ai asht takue gjatë udhtimit me Rilindasin Pashko Vasa në bordin e anijes. Ujëmbajtësi i burgut qëlloi të ishte shqiptar dhe Abat Prenga i kërkoi një letër e laps për me i shkrue një mikut të vjetër Imzot Stefan Azarian, Primat Katolik i Stambollit. Me armenin Azarian, Prenga kishte studiue në Itali. Abdyl Hamidi kishte miqësi të ngushtë me Azarianin dhe nxori fermanin e lirimit nga burgu të Imz. Preng Doçit, me kusht që të mos merrej ma me politikë dhe të ushtronte fenë jashtë nga tokat e Perandorisë Osmane. Ujëmbajtësi i burgut përcillte me dhimbje lajmin e ekzekutimit të bashkëatdhetarit të tij, i cili në fakt shpëtoi për çështje minutash. Në 1897 në qytetin e Pejës organizohet një mbledhje ku marrin pjesë 500 delegatë nga vise të ndryshme të Shqipnisë.
Mospërputhjet e konservatorve përkrahës të sulltanit dhe nacionalistave bani që mbledhja të shpërndahej pa rezultat.
Austria dhe Rusia nuk qëndruen duerkryq përkundrejt tensionit në Maqedoni. Abati Preng Doçi, ishte përfaqësues i nacionalistëve t’ vet shqiptarë, në mbledhjen e Pejës, dhe mbronte idenë se tokat shqiptare duheshin qeverisë nga vet Shqiptarët.
Më 14 mars të vitit 1897 Abat Prenga i paraqet ministrit të jashtëm të Perandorisë së Austro-Hungarisë një memorandum në të cilin ai, ua shpjegon haptazi pikëpamjet e tij politike dhe organizative për formimin e një shteti Shqiptar, që do të jetë i aftë t’u dalë zot fateve të veta.
Si hap të parë në këte Memorandum bahej fjalë për një pajtim mbarë kombëtar, për me zhdukë në rradhë të parë ndasitë fetare dhe krahinore që duhet të përqëndrohen në çështjen kardinale të bashkimit kombëtar. Organizimin e “Aksionit Shqiptar”, në asnjë çast nuk e sheh të copëtuem në memorandumin e tij Abat Doçi, prandaj ai i flet për një Beslidhje si dhe sivllau i tij, Rilindasi i madh Sami Frashëri me fjalën e tij, që u ba kushtrim me “Besa-Besë”, dhe i çoi Shqiptarët të sigurtë në Lidhjen e Prizrenit. Në pjesën e dytë të Memorandumit ai jep idenë e një Principate Katolike Autonome me qendër në Mirditë, që do të shërbente si hap i parë i shtetformit të ardhëshëm Shqiptar.
Kësaj Principate do t’i bashkëngjiteshin shtetet e vogla si ai i Shqipnisë së Mesme, ai i Tosknisë dhe i Epirit, si dhe ai i Kosovës.
Ideja e Abatit Doçi, nga ana e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze u quejt si jorealiste dhe lidhun me këtë ide, konsulli i Perandorisë Austro-Hungareze Zotni Ipen do të shkruente:
“Ky Prelat ekselent filomirditas dhe kristian levantin karakterizohet nga një antagonizëm i lindun kundër muhamedanëve turq ose proturq, gja e cila e pengon të jetë një politikan objektiv”.
E ndikueme nga kjo shfaqje e tij zonja Bozbora, e cila në librin e saj shkruen: – “Abat Doçi në Memorandumin e tij nuk merr në konsideratë reagimet e shqiptarëve muhamedanë dhe të vetë Shtetit Osman, për formën e qeverisjes së konfederatës që parashikon.
Në Memorandum nuk jepet asnjë shpjegim, se si do të formoheshin shtetet e vogla shqiptare dhe cila do të ishte rruga që do t’i bashkonte ata me Principatën Katolike. Këto vërejtje mund t’i lejohen një studiuesi të huej por, jo një shqiptari, të cilit ja njohim aktivitetin dhe veprimtarinë patriotike të këtij personalitetit si dhe organizimin e shqiptarëve të asaj periudhe historike”.
Më datën 19 qershor, Konsulli Austro-Hungarez në Shkodër njofton Abat Doçin se Qeveria Perandorake për implementimin e planit të tij ka vu në dispozicion shumën prej 80 mijë frangash në vit për me u shpenzue me kiste tre mujore.
Njoftim ky që Abati ua përcjell bashkëpuntorëve të tij tekstualisht si ma poshtë: – “Ishte dëshira e shumë mirëbasve tonë të Europës së fuqishëm në të holla, që katolikët këtu të vazhdonin të qëndronin nën Perandorinë Otomane, për të mos u ba viktimë të eskizmës, se ata ishin të gatshëm të banin sakrifica për me merritun bashkimin tonë me muslimanët e orthodoksët e vendit si dhe për me na forcue në mënyrë që t’ përballojmë shtetet Ballkanike dhe se, ata gëzohen kur Shqipnia mendon për çështjen e saj dhe mbron kombsinë e vet”.
Tue u nda nga Guvernatori i Përgjithshëm, Edip Pasha, shkruen se konsulli i Austro-Hungarisë m’u kumtue nga ai vetë se po formonte një Komision muslimanësh dhe të krishtenësh të qytetit të Shkodrës, për një bashkëjetesë midis komuniteteve fetare. Përfitova nga ky rast për me ’i sugjerue nevojën e tashme të bashkimit të kristianëve me muslimanë, jo vetëm për paqen e mbrendëshme të vendit, por edhe për mbrojtjen kombtare kundër intrigave të Malit të Zi, dhe të Serbisë, Greqisë e të Bullgarisë që e kercnonin Shqipninë.
Shton aty se Abati Preng Doçi m’u përgjegj, se do të kishim shumë kundërshtarë. Së pari qeverinë lokale të Shkodrës, së dyti veprimtarinë dashakeqe të malazezve dhe të italianve po edhe faktorët e tjerë, së treti Abati nuk ushqente asnjë iluzion për përkrahjen nga politika italiane, por duhet thanë se ai shpresonte vetem tek Komuniteti i Arbëreshëve, ndaj të cilit ai kje i detyruem të punonte pa ra në sy të politikës Austro-Hungareze, së katërti Abat Doçi ndonëse të gjitha shpresat i bazonte tek ndihma e Perandorisë Austro-Hungareze si mbrojtëse e detyrueme e besimtarëve katolik Shqiptarë, falë statukuos në Ballkan dhe politikës së saj, përpiqej të anashkalonte problemet që kishin shqiptarët me Portën e Naltë, tue i pengue ata në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare e cila nuk i vinte për mbarë interesave të politkës së saj në Ballkan.
Abat Preng Doçi falë aftësive të tija diplomatike nuk rreshti së punuemi tue shfrytzue mjeshtrisht në favor të çështjes Shqiptare autoritetin dhe mendimet vetjake të diplomatve të saj, shumëherë vullnetmirë, nëpërmjet kërkesës së besës midis fiseve të Shqipnisë, muslimanëve dhe të krishtenve për mbrojtjen kombëtare kundër intrigave të hueja dhe kundër rrezikut sllav.
Konsulli Ipen i kërkonte Vjenës që të deklarohej haptas kundër një ekspedite ushtarake turke në Mirditë. Ipen tue perifrazuar Zv/Konsullin malazez Gumer, nuk heziton t’i shprehë konsideratën e tij të naltë për Abat Preng Doçin: – “Unë e çmoj shumë karakterin e Abat Doçit, mendimet e tij edhe sot janë po ato që kanë kenë qysh para 22 viteve. Tek ai gjallnon po ai patriotizëm intensiv që të imponon repsekt të thellë.”.
Vitet 1899 e në vazhdim të aktivitetit të tij Atdhetar mund të quhen edhe vitet e hapjes së shkollave të para laike nga Abati Doçi. Të parën shkollë e hapi në një shtëpi pranë Çelës së Oroshit me 14 nxanës në kujdesin e mësuesit Dom Zef Mirashi, famulltarit të vendit. Një vit ma vonë kjo shkollë arriti me 30 nxanës e tre mësues, Cin Gurakuqi dhe Kol Dema. Në vitin 1900 Abati hapi një shkollë në Rrëshen tue caktue mësues Dom Mark Vasën, në vitin 1905 do të hapin edhe dy shkolla në Mirditë. Në fshatin Vig do të hapë një shkollë me mësues Dom Ndre Mjedjën dhe në Kashnjet me mësues Dom Prend Sulin dhe Kol Lacen, pa harrue edhe shkollën e hapun në Spaç në vitin 1902. Më 31 Maj të vitit 1907 në Gomsiqe në vendlindjen e “Lahutës së Malsisë” dhe “Kanunit të Lekë Dukagjinit” do të hapej shkolla shqipe me mësues At Shtjefën Gjeçovi. Mirdita ishte kthye një qendër hulumtimesh ku hartoheshin fjalorët dhe gramatikat, abetaret, manuale historie, gjurmoheshin doke dhe zakone. Një nga shërbimet ma të mëdha që i ka ba kombit e Mirditës, Abat Preng Doçi, ka kenë kontributi i tij në krijimin e Alfabetit latin me At Gjergj Fishten, që u aprovue në Kongresin e Manastirit në vittin 1908.
Më 28 korrik të vitit 1914 filloi Lufta e Parë Botërore. Shqipëria e brishtë pa shtet, pa miq, pa ushtri, pa kufij, vetem po valvitte flamurin e saj me Shqipe Dykrenare të Heroit Kombtar Gjergj Kastriotit.
Me 19 mars, Abat Preng Doçi organizon ngritjen e flamurit Shqiptar në kalanë e Shkodrës, ku kujtohet edhe fjala e Imzot Vinçenc Prennushit.
Abati Preng Doçi vdiq papritmas me 22 shkurt të vitit 1917 në orën 16 e 30 minuta në shoqninë e mikut të tij Dom Pal Treshit, i cili u përkujdes edhe për me i dhanë Sakramendet e fundit Abatit.
Atdhetari i njoftun At Justin Rrota O.F.M., shprehej për Abatin e Mirditës Preng Doçi: – “Meriton çmimin e lavdisë së përjetëshme. Pamja e tij e hijshme, fjala e tij e urtë e tërhjekëse, shoqnue me një buzëqeshje të ambël e të afrueshme, zani i tij i kandshëm e kumbues.”
At Gjergj Fishta O.F.M., shkruen: – “Abati ishte aq i dhanun mbas Alfabetit të tij të shoqnisë “Bashkimi”, sa Anglia i jep kaq rëndësi tokave të Indisë, aq sa rëndësi i jep ai Alfabetit.” At Fishta shkruente në Gazetën “Posta e Shqypnis” se: “Çdo Shqiptar do të kishte çka me shkrue për veprimtarinë e jashtëzakonshme patriotike të këtij Burri”.
Miss E. Durham cilson Abat Doçin: “Truni e figura qendrore e Mirditës, Hamleti Shqiptar, personaliteti ma i fortë i Shqipënisë së Veriut.”
Dijetarët tonë i tregojnë Botës se janë gjithnjë të Pagabueshem!
Melbourne, 2024
SHOQNIA “BASHKIMI” SHKODER 1899. (Foto Marubi)
Themelue prej Abatit të Mirditës Imzot Preng Doçi.
Konsulli Austriak Ippen njoftonte Vjenën se,
një Alfabet i ri po perfundonte së hartuemi nga një komitet priftnish, i thirrun “Bashkimi i Gjuhës Schqypé”
që kishte në gjiun e saj:
Abat Preng Doçin, Dom Dodë Kolecin, Dom Ndoc Nikajn,
Imzot Jak Serreqin, Imzot Lazër Mjedjen dhe
Dom Ndre Mjedjen e françeskanin At Gjergj Fishta O.F.M.[3] Nder takimet e tyne ma vonë morën pjesë edhe klerikë të tjerë, At Pashko Bardhi, Dom Mark Shllaku, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët z, Mati Logoreci, Gaspër Beltoja dhe Ndue Paluca,(4)
Luigj Gurakuqi e Kol Kodheli.