Atdheu ka nevojë për burra të tillë, për emra të ndritur korifenjsh të cilët çështjen kombëtare e vejnë mbi të gjitha dhe profesionin, arritjet e pozitën e respektuar në shoqëri, kurdoherë i përdorin për të mirën e vendit, mirëqenien e popullit dhe ardhmërinë e sigurt të tyre.
Argumentet parësore, bindëse dhe vendimtare, të cilat si rrallë ndonjë predikues tjetër, Imzot Mark Sopin e ngritën në piedestalin e shenjtërisë dhe bënë që ai, si meshtari i parë dhe i vetmi nga “Qeta e Profetëve” bashkëkohorë, të varroset me nderime dhe ndjeshmëri himnizuesi në brendinë e Kishës Katolike të vendlindjes, në Binçë të Kosovës.
Meshtarët si Ai, gjithmonë jetuan dhe vepruan, sipas maksimës së mirënjohur të françeskanit dhe poetit të madh të kombit, At` Gjergj Fishta për “Atme e Fe” ,të cilët jo vetëm ndriçuan dhe nderuan historinë tonë, por ngritën edhe veprën e tyre në lartësitë qiellore.
Personalitete të tilla, sot e përgjithmonë, tek të rinj e të vjetër dhe brezat që do të vijnë, shtojnë përjetësisht dashurinë për kombin dhe rrisin pafundësisht krenarinë për atdhe dhe paraardhësit tanë.
Imzot Mark Sopi, erdhi në jetë, më 26 shkurt të vitit 1938 në fshatin Binçë, afër qytetit të vogël të Vitisë dhe vdiq më 11 janar të vitit 2006,në Prishtinë.
Shkollimin fillor ai e mbaroi në vendlindje, kurse atë të mesëm në Pazin të Kroacisë.
Studimet për filozofi dhe teologji i filloi në Zagreb dhe përfundoi në Romë të Italisë.
Duke ndjekur shembullin sublim të ish presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili udhëtoi në shumë kryeqytete të Botës së përparuar, për të bërë të njohur gjendjen e rëndë dhe problemet e mëdha që rëndonin mbi popullin e pushtuar shqiptar, si dhe kërkuar të drejtat që i takonin vendit tonë të vogël, vend për të cilin ende dihej shumë pak në botën e madhe të këtij Universi, edhe imzot Mark Sopi, kurdo dhe kudo që iu dha mundësia, ofroi pa kursim, gjithë ndihmesën e mundshme në këtë drejtim, me punën dhe angazhimet e tij, të pareshtura.
Nuk duhet harruar asnjëherë dhe duhet të përmendet e përsëritet kudo me nderim, se Imzot Mark Sopi, megjithëse me profesion fetar, ai ishte dhe mbeti përçues i denjë e besnik i identitetit kombëtar shqiptar. Mision fisnik ky, të cilin e dëshmoi edhe me rastin e vizitës së tij në maj të vitit 2005, në SHBA, kur para kamerave televizive të “Zërit të Amerikës”, emisioni në gjuhën shqipe, diskreditoj hapur mitin e rrejshëm të propagandës serbe, e cila kishte zënë fill qysh para mbarimit të luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia, kinse përpjekjet e popullit tonë për mëvetësi, kishin për qëllim, krijimin e një “shteti ekstremistësh myslimanë” në Ballkan, e jo një atdhe të pavarur, për të gjithë shqiptarët në Kosovën e lirë.
Madje, duke njohur deri në imtësi mentalitetin dhe traditën shqiptare, edhe në realitetin e ri të pas-çlirimit, në mjegullnajën e krijuar nga vet UNMIK-u, mbi vendin tonë, i cili si administrator politik, me gjithë kalimin e viteve, bllokonte vazhdimisht fillimin e bisedimeve me Faktorin Ndërkombëtar për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, nuk i hapte rrugë shqyrtimit të tij dhe pengoi gjatë trajtimin e kësaj çështjeje kaq jetike, gjë që krijoi frikë e pasiguri dhe qoi deri te trazirat e vitit 2004, ai si njeri i sprovuar, njohës i mirë i ngjarjeve dhe shpjegues profesionist e bindës i tyre, deklaroi se mllefi i shqiptarëve nuk ishte i drejtuar kundër pranisë së ndërkombëtarëve as kishave ortodokse serbe, por kjo protestë ishte një reaksion i grumbulluar ndër vite nga frustërimi që shkaktoi UNMIK-u, me bllokimin e përcaktimit përfundimtar të statusit politik të Kosovës.
Këtë e them me bindje nga vet fakti se, shqiptarët tradicionalisht dhe gjithmonë i kanë ruajtur vet edhe objektet fetare të serbëve në Kosovë, shtoi z. Sopi, ndaj kësaj radhe, ata u ngritën që të kërkojnë definimin e statusit përfundimtar të shtetit tonë dhe reagojnë kundër tendencave të Serbisë, që me ndihmën e UNMIK-ut, përsëri të rikthehet si pushtuese, në Kosovën e sapoçliruar.
Pra, ai si dashamirë i kombit që ishte, njeri i Zotit dhe krijesë e përzgjedhur e Perëndisë, si nga pikëpamja burrërore e ngritja intelektuale ashtu edhe nga qëndrimet kombëtare e njerëzore, të rrallë i pati shokët dhe nuk na zhgënjeu asnjëherë. Mbrojti me dinjitet e nderë atdheun e popullin e tij, si dhe të drejtën e shqiptarëve për arritjen e Pavarësisë dhe realizimin e idealeve të tyre kombëtare e njerëzore, kudo që mundi dhe arriti.
Përkufizuar shkurt e shqip, imzot Mark Sopi ishte njëri ndër personalitetet më të vlerësuara që pati vendi ynë, një dhuratë që vet Perëndia ua bëri këtyre trojeve,një burrë i zgjuar e dinjitar, ligjërimit të të cilit, ia kishin lakmi jo vetëm meshtarët, por edhe diplomatët me përvojë.
Në anën tjetër ,pa marrë parasysh propagandën dashakeqe, nga cila do anë që ajo mund të vijë, ne siç kemi mësuar edhe nga historia dhe e kaluara jonë e lavdishme, vet kodi i nderit dhe ai i mikpritjes së popullit tonë, të njohur si “Besa Shqiptare”, të cilat vlerësoheshin shumë edhe nga imzot Mark Sopi, nuk ishin thjeshtë, vetëm mburojë dhe akte shpëtimtare për vendorët e rrezikuar, por edhe betim për kujdesin ndaj të dobëtit, qoftë ai edhe i huaj, virtyte nga të cilat përfituan jo vetëm shqiptarët, kur qenia e tyre, ishte e kërcënuar.
Ky virtyt, u bë Mit dhe kthye në ritin më të ndritur të ruajtjes së jetës dhe qenies njerëzore, i inkorporuar me nder e dinjitet të lartë në vetë kulturën tonë kombëtare, fakt të cilin shqiptarët e dëshmuan edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke marrë në mbrojtje dhe shpëtuar hebrenjtë e përndjekur për shfarosje, nga pushtuesit fashist, në tokat tona amtare.
E, si bir i lindur dhe rritur në këto troje, edhe ai nuk mund të ishte ndryshe. Madje, imzot Mark Sopit, do ti binte një nga barrët më të rënda të kohës, të cilën nuk mund ta mbante as misiononte secili. Ishte pikërisht momenti kur jeta e bashkëkombësve dhe e popullit të tij, historisë dhe njerëzve të vendit të vet, me të gjitha idealet, përpjekjet dhe heroizmat e dëshmuara ndër shekuj e dekada, u vunë në rrezik të madh për jetë a vdekje nga Serbia, ndaj duhej, që sa më parë, ti bëheshin të njohura edhe Botës anë e mbanë, krejt përmasat e tragjedive biblike që shqiptarët ato vite përjetonin nga gjenocidi dhe barbaria e pushtuesve serb.
Edhe në këtë gjendje, ai me bashkëpunëtorë dhe bashkëkombësit kudo, punuan pa reshtur dhe secili në mënyrën e vet më të mirë që dinin dhe mundën, për promovimin e çështjes kombëtare, lirinë e ëndërruar ndër breza dhe jetësimin e idealit të kamotshëm të popullit të shumë vuajtur shqiptar, i cili shekuj me radhë u flijua për çlirim dhe shtet të pavarur.
Ndaj, imzot Mark Sopi, krahas detyrës zyrtare që kishte, si drejtues i Kishës katolike të Kosovës, edhe në ato vite të rënda, mbërrini që me dije e urtësi, ti bashkë- dyzoj dhe qojë me sukses përpara, kombëtaren dhe fetaren, duke bashkërenduar ato mirë e mbarë dhe dal faqebardhë kudo, ashtu siç edhe pritej nga një njeri si ai.
Ai,pas mbarimit të studimeve, në vitin 1968, fillimisht punoj si prift në Ferizaj, për të kaluar nga viti 1974, në Zllakuqan, ku do të punonte famullitar në Kishën e atij fshati.
E meqenëse gjatë kohës së diktaturës komuniste, jo vetëm priftërinjtë por gati askush nga shqiptarët e trojeve të ndara dhe mbetura padrejtësisht nën pushtime të huaja, nuk lejohej të udhëtonte brenda kufijve të Shqipërisë londineze, edhe ai vetëm pas vendosjes së sistemit demokratik më 1991 në Shqipëri, mundi të kalonte për herë të parë rrugëve të “pashkelura” të shtetit amë, nëpër malet piktoreske shqiptare, për tu vendosë në Durrës, ku ishte caktuar të punonte si meshtar katolik. Qytetin port, më të madh e më të bukur kombëtar i cili mëngjese e mbrëmje, shpërlahet nga ujërat e freskëta dhe të kaltra bregdetare, ku edhe ditët mbarojnë me perëndime të ndritshme diellore, të cilat ai nuk i kishte përjetuar asnjëherë deri në atë vit.
Imzot Mark Sopi, në Durrës qëndroi nga 1991 deri më 1995, ku shërbeu me shumë devotshmëri, përkushtim dhe dashuri njerëzore.
Falë punës së mirë e me profesionalizëm të lartë dhe dinjitetit të veçantë njerëzor, në nëntor të vitit 1995,Selia e Shenjtë, imzot Mark Sopin, do ta emëronte ipeshkëv të komunitetit katolik shqiptar të Kosovës.
Emërim të cilin ai jo vetëm që e mirëpriti por edhe i tha me plot dëshirë- Po! Për tu kthye me gëzim në vendlindje, detyrë në të cilën, trashëgoi Imzot Nikë Prelën.
Gjendja e okupimit të rëndë në Kosovë, bëri që në Janar të vitit 1996, Imzot Mark Sopi, të shugurohej në Romë, dhe nga atëherë deri më 2006,për dhjetë vjet me radhë, të shërbente si Ipeshkvi i Kosovës, kohë në të cilën punoi shumë, jo vetëm në përditshmërinë fetare por edhe për çështjen e shenjtë kombëtare, gjë që u vërejt më së miri edhe në takimet që ai pati me personalitete dhe politikanë evropianë e botëror.
Ndaj me të drejtë mund të thuhet se, për gjendjen nëpër të cilën ato vite kalonte Kosova, Imzot Mark Sopi, ishte pikërisht njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur, pozitë të cilën si meshtar dhe patriot i denjë, e shfrytëzoi më së miri për ti dal zot atdheut dhe popullit që i takonte.
Me këtë rast më duhet, ta veçojë vizitën e tij më 18 maj të vitit 2005,në Kongresin Amerikan, ku si një nga personalitetet e rralla fetare me krenari i dëshmoi botës, se aty, nuk përfaqësonte vetëm kishën por edhe kombin dhe të gjithë shqiptarët, madje në emër të tyre, ai me kompetencë kërkoi edhe pavarësinë e Kosovës.
(Imzot Sopi: Pavarësia e Kosovës nuk përbënë kërcënim…… www.zeriamerikes.com/content/a…/371746.htm)
Ndaj nuk ishte ndonjë befasi ,që pikërisht Imzot Mark Sopi, të gëzonte një respekt aq të madh ,dhe besim të veçantë tek presidentit historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Presidenti i parë i vendit i cili ,ashtu siç ishte zotuar edhe do ta realizonte premtimin e dhënë, kur vetëm disa muaj para se të ndërronin jetë të dy këta burra të mëdhenj të kombit, më 26 gusht të vitit 2005, përfundimisht si dy miq të vjetër që ishin, bashkë dhe dorë për dore, me imzot Mark Sopin, do t`ia venin gurë- themelet, Katedrales së mrekullueshme e cila u ngrit e ndërtua dhe me devotshmëri u shërben besimtarëve për t`iu lutur zotit, mu aty dhe mbi po ato bazamente, ku ata i vendosën dhe tash e atëherë, shkëlqen në mes të kryeqendrës së shtetit tonë të ri, në Prishtinë.
Fatkeqësisht, ende pa kaluar pesë muaj të plotë, nga ajo ngjarje e shënuar, pas një sulmi në zemër, më 11 janar, në moshën 67 vjeçare, së pari do të ndërronte jetë Ipeshkvi i Kosovës, imzot Mark Sopi, kurse më 21 janar të vitit 2006 edhe Presidenti Rugova.
E si më i vjetër në moshë dhe predikues i përbetuar, imzot Mark Sopi, sikur nxitoi që të shkonte pak ditë më parë në lartësitë qiellore, ndoshta me dëshirën e veçantë për t`iu lutur Zotit, që edhe atje, ti rezervonte një vend të nderuar, Presidentit të amshuar, një vend hyjnor në parajsën e bekuar, mundësisht sa më pranë vetes, ku pa dyshim, si miq të vjetër të kësaj bote, ata edhe atje, kanë shumëçka për të bashkëbiseduar.
Puna e madhe dhe virtytet e veçanta njerëzore, sigurisht u bënë edhe argumentet kryesore dhe arsyeja vendimtare, që Imzot Mark Sopi, si meshtari i parë dhe i vetmi deri më tani, të varroset në brendinë e Kishës Katolike në vendlindjen e tij, në Binçë të Kosovës.
Edhe në një shkrim në “bbc.co.uk/albanian”, thuhet se ky është rasti i parë, që një udhëheqës fetar varroset në brendi të kishës. („Nderohet në Kosovë kontributi i Imzot Mark Sopit – BBC
www.bbc.co.uk/albanian/16.01.2006“ -)
Duke pasur parasysh gamën e gjerë të angazhimeve të gjithanshme, punën e pareshtur dhe jetën e bujshme që ai në këtë botë kaloi, është e pamundshme që të thuhen e pasqyrohen të gjitha me një shkrim modest si ky.
Vepra e tij, krahas presidentit Rugova, është dhe mbetet testamenti më tipik, që dokumenton angazhimin real dhe përpjekjet e shumta e të unisuara të këtyre dy emrave të paharruar të popullit tonë, për ruajtjen e atdheut dhe trojeve të shenjta të stërgjyshërve tanë, si trashëgimia më magjike që patëm fatin ,të na e dhuronte vet Zoti.
Ndaj për nderimin sa më të denjë të këtyre dy burrave të mëdhenj të vendit dhe kombit tonë, nga të gjithë ne, duhet të ndiqet me përpikëri rruga e trasuar nga ta, ashtu siç duhet tu përmbahemi besnikërisht edhe këshillave prindërore dhe porosive të tyre jetike, për dashuri ndaj njëri tjetrit dhe paqe e harmoni vëllazërore ndërmjet veti, si amanetet më largpamëse që ata lanë, për ne dhe brezat që do të vijnë.
Edhe mënyra e shënimit të përjetësimit të presidentit dr. Ibrahim Rugova dhe imzot Mark Sopit, në përvjetorin e dhjetë të amshimit të tyre, nisi mbarë dhe me një simbolikë të veçantë vendore, pikërisht në Katedralen historike të kryeqytetit të Kosovës, ndërtimin e së cilës ata bashkë e ideuan, dhe për gjallje të vet, hapën e përuruan bashkërisht, themelet e saj.
Madje, se tradita e respektit, dashurisë dhe vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve vazhdon, u vërtetua në vepër edhe më 15 Janar të vitit 2016, në Nju Jork të SHBA-s kur nga, anëtarët e komisionit të mbledhjes së ndihmave për ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, z. Joseph J.DioGuardi dhe bashkëshortja e tij znj.Shirli Klojes DiouGuardi, organizuan një mbrëmje Gala, rast që do të mbahet mend gjatë dhe nuk do të harrohet kurrë, sidomos për shpirtmadhësinë e shprehur në vepër, për faktin se nga 1.3 milionët e tubuar aty, 100 mijë dollarë për ngritjen e Katedrales “Nënë Tereza” i dhuroi vetëm biznesmeni, Xhemajl Xhema një arsimtar shqiptar i besimit musliman, i lindur dhe rritur në Tupallë të Medvegjës, njërin nga fshatrat më të mëdha të bashkëkombësve tanë pranë kësaj komune, në Kosovën Lindore, emigruar nga viti 1968 në SHBA, ku ka kohë që vepron si biznismen i njohur. (mysliman) shqiptar i jep 100 mijë dollarë për Katedralen në … botasot.info/…/mrekullia–shqiptare–biznismeni–mysli.
Kështu që, në shenj nderimi ndaj jetës dhe veprës së tyre, mesha e përbashkët përkujtimore e organizuar me rastin e dhjetë vjetorit, duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen, të bëhet tradicionale dhe kthehet në rit të përvjetshëm me simbolikë të veçantë domethënëse, për kujtimin meritor dhe sa më të denjë të këtyre dy bijve kaq të devotshëm të këtij vendi si shembulli më i mirë unifikues për motrat dhe vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku, siç është populli ynë, i cili pa dallim bindjeje e besimi, personalitetet e tilla, përherë do ti kujtojë shqiptarisht, dhe nderojë me pietet e krenarinë më të lartë kombëtare.
Gani Qarri
Komentet