Voal – Projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, edhe pse të enjten në Kuvend hyri si ligji “Shalsi”, në të vërtetë është një ligj i miratuar në vitin 2011 nga ish-qeveria e Partisë Demokratike.
Në fakt ligji, që përbën një nga draftet më të debatuara dhe kontroverse në historinë e Parlamentit, ka po ashtu një histori të pazakontë. Gjithçka nis në vitin 2011, për koiçidencë në të njëjtën datë, fiks më 22 shtator.
Në seancën e asaj date, Parlamenti miratoi ligjin bazë për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili i hapte rrugë importit të mbetjeve në Shqipëri. Por, një dispozitë tranzitore e vendosur në ligj e ndalonte importin për dy vite, deri në daljen e akteve nënligjore.
Pra, sipas ligjit, kufijtë e Shqipërisë për mbetjet e botës do të hapeshin në shtator të vitit 2013. Pikërisht në këtë muaj ndodhi rotacioni politik. Edi Rama, në fushatën elektorale e kishte shpallur si zotim solemn ndalimin e importit të plehrave. Dhe, së bashku me vendosjen e fotos së Ismail Qemalit në zyrat e shtetit, këto ishin dy vendimet e tij të para si kryeministër, të firmosura simbolikisht përpara kamerave të Top Channel.
Në tetor të vitit 2013, mazhoranca e majtë miratoi një projektligj me 6 nene, i cili ndryshonte ligjin e 2011-s, duke mbyllur kufijtë e Shqipërisë për importin e mbetjeve.
Ndryshimi më i rëndësishëm ishte neni numër 2, i cili riformulonte nenin 48 në ligjin e vjetër me një fjali të thjeshtë: Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.
Kjo ishte fjalia, që ndaloi për 3 vite importin e mbetjeve nga jashtë në Shqipëri. Por, projektligji i propozuar nga 3 deputetët e mazhorancës shfuqizon pikërisht këtë fjali dhe të gjashta ndryshimet e 2013-s, duke rikthyer në fuqi pikë për pikë ligjin e miratuar nga qeveria e mëparshme. Ligji “Shalsi”, “Rama”, apo “Berisha”, në fakt është e njëjta gjë.
Nga nesër, në Shqipëri mund të rifillojë importi i mbetjeve./ TCH