Në vitin 2004, Jeremy Corbyn me 24 deputetë të tjerë, shfaqet si nënshkrues e mbështetës i një mocioni parlamentar në Britani, që e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si “gjoja humanitar” dhe pjesë të “një propagande mashtruese perëndimore” të ushtruar nga SHBA-ja dhe NATO-ja, mbi gjoja “gjenocidin” e kryer në Kosovë
-1-
Dy muaj më parë Jeremy Corbyn ishte veçse një përmbushës i listës garuese të laburistëve. Sot Jeremy Corbyn është lideri i ri laburist në Britani të Madhe; partisë së dytë më të madhe atje – kundërshtari i radhës në zgjedhjet nacionale i kryeministrit të tanishëm David Cameroon (apo dikujt tjetër nga partia e tij). Tregimi i ngritjes së tij fillon më 8 maj të këtij viti, kur laburistët britanikë kishin provuar – përkundër të gjitha pritjeve – rënien më të madhe të mundshme në njëzet vjetët e fundit. Si rrjedhojë, Ed Miliband, i mundur nga kryeministri i tanishëm, konservatori David Cameroon kishte dhënë dorëheqjen.
Tre emra ishin shpërfaqur javë më pas. Andy Burnham, Yvette Cooper dhe Liz Kendall kishin marrë votat e mjaftueshme për nominim. Sipas statutit rregullues të partisë, secili pretendues për kryetar duhej të siguronte 35 vota të deputetëve laburistë që shërbenin në Parlament. Jeremy Corbyn, ditën e 15 qershorit, afatin e fundit pra për nominim, kishte vetëm një votë më pak. Vetëm pas një ndryshimi të papritur në orët e fundit të afatit për nominim, ai mori dhe votën e 35-të. Jeremy Corbyn ishte futur në listë për hir të diversitetit dhe trajtimit korrekt që rregullat morale të partisë kishin vendosur si standard. Askush nuk priste ngritjen e tij.
Të tre emrat e parë ishin anëtarë të qeverisë në hije laburiste. Të tre anëtarët e parë, sikurse paraardhësit e tyre, ishin centralistë. Në të vërtetë, që nga koha e Margaret Thatcher, e gjithë Partia Laburiste ishte zhvendosur në qendër. Jeremy Corbyn, për dallim nga tre të parët – dhe nga e gjithë partia – mbetej i majtë; i majtë, i majtë, siç i thoshin bashkëpartiakët atje. Corbyn nuk kishte qenë asnjëherë anëtar i ndonjë kabineti në hije, e për pjesën më të madhe të kohës përballej me të gjitha normat e rregullat e partisë. Ai shihej si një rebel. Kishte kundërshtuar partinë – kryesisht qeverinë e Blairit gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë; kishte marshuar kundër intervenimit në Irak. Kishte votuar me qindra herë kundër rekomandimeve të partisë. Jeremy Corbyn përmblidhte – në formën më të rrumbullakuar të mundshme – gjithë elektoratin e majtë laburist në Britani që konfrontonte ecjen e partisë në njëzet e sa vjetët e fundit. Ky elektorat ishte larguar nga partia për shumë kohë pikërisht për shkak të qëndrimeve centraliste të laburistëve – praktikisht nga Thatcher e këndej. Kështu, në fjalimin e parë pas-fitues, ai iu drejtua bashkëfestuesve me “…mirë se u kthyet në shtëpi”.
-2-
Fitorja e 60% të votave partiake nga një pretendues që një orë para përfundimit të afatit nominues nuk i kishte votat e mjaftueshme, vërtet bën një tregim të rrallë veror. Kjo fitore bindëse e tij ishte siguruar nga anëtarët e partisë laburiste; nga plot 552 mijë sish.
Zgjedhja e kryetarit të partisë kishte ndryshuar formë menjëherë pas dorëheqjes së Ed Miliband. Në vitin 2015, sistemi i vjetër zgjedhor, nga një proporcion i ndarë në tresh në mes të deputetëve të partisë, anëtarëve të thjeshtë dhe sindikatave (të cilat në Britani janë të ndërlidhura me Partinë Laburiste) ishte zëvendësuar nga sistemi i thjeshtë “një anëtar, një votë”. Pra, kryetari i partisë do të zgjidhej nga anëtarët e partisë. E për të qenë anëtar i laburistëve në Angli, kërkohej përmbushja e një formulari dhe pagesa e 3 funteve (pak më shumë se 4 eurove) për anëtarësim vjetor. Kandidimi i Jeremy Corbyn kishte kthyer njëmend në parti laburistë e të asociuar tjerë me lëvizjet konfrontuese brenda partisë, dhe ndaj konservatorëve njëtrajtësisht.
Corbyn, përgjatë gjithë fushatës zgjedhore kishte transformuar mënyrën e komunikimit me publik. Paraqitjet televizive – karakteristika të rëndomta të garave në Britani – i kishte zëvendësuar me tubime qytetare; në qytete, qyteza e fshatra. Ky fakt kishte bërë që shumë të rinj e të reja të dëgjonin një alternativë më ndryshe ngase ishin mësuar të dëgjonin përgjithmonë. Ato gjithashtu kishin ringjallur interesat e unioneve e sindikatave që për shumë kohë kishin ftohur marrëdhëniet me laburistët; aleatin natyral të tyre.
Në përgjithësi, fushata e Corbynit thyente tabunë e centralistëve të Ed Miliband. Ky centralizëm ishte shpërfaqur si i dobët – dhe madje i padenjë – për të ndaluar rritjen dhe fitoren e re nacionale të konservativëve në maj të vitit 2015. Në të vërtetë, për shumë mendime laburiste në Britani, vëmendja e anëtarëve të partisë nga e majta e Corbyn ishte pikërisht refleksion hidhërimi për dështimin ndaj konservatorëve.
Duke lexuar këtë gatishmëri, Corbyn në fushatë kishte shpalosur dhe bindjet e tij për transformim nga një parti e qendrës së majtë në një parti tërësisht të majtë. Propozimet e tij i përmbyllte me mburrje e thirrje për qëndrime tërësisht socialiste e herë-herë dhe neokomuniste. Ai propozonte nacionalizimin e hekurudhave dhe impianteve energjetike. Propozonte shkurtimin e deficiteve buxhetore jo me shtrëngime të shpenzimeve (siç praktikonin konservatorët tash e sa kohë) por me rritje të taksave për të pasurit. Propozonte madje dhe një kufi të pagave që dikush mund t’i siguronte në Britani. Në fushën e sigurisë, insistonte në daljen e Britanisë nga NATO-ja dhe përfundimisht mosintervenimin në asnjë konflikt jashtë. Siç edhe kishte kundërshtuar gjatë gjithë angazhimit politik të tij intervenimin e NATO-s kundër Serbisë në Kosovë, kundërshtonte edhe intervenimin e sotshëm në Siri, qoftë si domosdoshmëri ndaj Assadit, qoftë ndaj ISIS-it. Në disa raste, me fokus në Lindjen e Mesme, Corbyn kishte nxitur reagime të shumta në Britani. Ai jo rrallëherë konsideronte Hamasin e Hezbollahun atje si miq të tij.
Jeremy Corbyn ishte krejtësisht ndryshe; ndryshe natyrisht nga konservatorët në pushtet, ndryshe nga bashkëpartiakët laburistë.
-3-
Më ndryshe, natyrisht nuk do të thoshte më mirë. Partia Laburiste e Britanisë ishte e vetmja parti – e themeluar si e majtë – që historikisht nuk kishte pasur relacion me asnjërën prej partive komuniste nëpër Evropë. Laburistët madje, siç dhe argumentova më lart, në disa faza zhvillimore kishin lëvizur nga një qëndrim i majtë në një të qendrës së majtë. Në Britani, për vite shumë, laburistët e qendrës së majtë konsideronin procesin e privatizimit si të domosdoshëm. Ata kishin qëndrime të njëjta edhe për iniciativën private atje; për domosdoshmërinë e kufizimit të rolit të sindikatave në vendimmarrje, për tregun e lirë e për kapitalizmin. Qëndrimet si këto, për laburistët dhe përkrahësit e tyre, ishin bërë si të dhëna tashmë.
E mu për shkak të qëndrimeve si këto, qeveritë laburiste kishin qenë bukur atraktive. Ato në rrethana kohore të caktuara shënonin ditët më të mira të partisë e bindjeve. Qeveria e Tony Blairit kishte marrë tri mandate rresht. Atraktiviteti i laburistëve kishte humbur me ardhjen e Ed Miliband. Ai në asnjë rrethanë nuk kishte arritur të shpërfaqë laburistët si alternativë të denjë konservatorëve; të cilët, për pesë vite qeverisje, duke ndjekur principet e djathta ekonomike e politike, kishin transformuar Britaninë e Madhe nga një vend me recesion, në një vend me normën më të lartë ekonomike në BE.
Kjo paaftësi përballuese e së djathtës nuk do të nënkuptonte kalimin në të majtë. Mund të nënkuptonte përmirësim të ofertës politike, ngritje të karizmës – dhe në fund – gjetjen e një lideri që unifikon oponencën konservatore, por jo domosdo kalimin në inat në krah krejtësisht tjetër. Për këtë arsye figurat kryesore të laburistëve kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Jeremy Corbyn. Tony Blair, Gordon Brown, David Milliband, Alistair Campbell, Jack Strawe Neil Kinnock ishin disa nga figurat kryesore të Partisë Laburiste që publikisht e gjatë gjithë kohës kishin kundërshtuar – për të gjitha arsyet e thënë më lart – zgjedhjen e Corbyn në krye të partisë.
Sepse, për mendimin e emrave laburistë si këta, gara e vërtetë nuk ishte brenda partisë, por në përballje me konservatorët. Dhe nëse laburistët do të shpërfaqeshin me një majtist e konfrontist në zgjedhje nacionale, humbja – rrjedhimisht rrënimi i mëtutjeshëm i partisë – do të ishte dhe më evident. Britanikët megjithatë kuptonin rëndësinë e aleancave ushtarake, të tregut të lirë, kapitalizmit e mirëqenies. Corbyn mund të kishte transformuar përkrahësit e partisë – rrjedhimisht të ketë mobilizuar të rinj e të reja që kanë energji për tubime e bindje neokomuniste, por, sipas të njëjtëve figura laburiste, ai kishte humbur shumë centristë e shumë laburistë të tjerë. Është e vërtetë se ai ishte zgjedhur nga shumica e anëtarëve të partisë, por është po aq e vërtetë se qytetarët e tjerë, jo anëtarë të partisë, nuk ndanin bindjet e tilla asnjëherë. Jo gjithmonë përkrahja partiake nënkuptonte dhe përkrahje të votuesve – natyrisht.
-4-
Zgjedhja e Jeremy Corbyn si kryetar i Laburistëve – dhe potencialisht nesër si kryeministër i Britanisë – nuk bën në asnjë rrethanë lajm të mirë për Kosovën. Përjashto ndikimet e tij të brendshme mbi baza ideologjike, pra ato mbi nacionalizimin e pronës private, mbi kufizimet në fitime e mbi taksat super të larta – që me siguri se do të përfundojnë në kolaps elektoral në zgjedhjet e vitit 2020 atje (britanikët janë më të mençur se kaq) – janë qëndrimet e tij mbi NATO-n, rolin e Britanisë në politikën e jashtme, e në rrethana edhe anëtarësimin e Britanisë në vetë BE, që përbëjnë rrezik njëmend për vendin tonë.
Jeremy Corbyn ka qenë – dhe vazhdon të jetë – kundërshtues i intervenimit të NATO-s në Kosovë. Në vitin 2004, Jeremy Corbyn me 24 deputete të tjerë, shfaqet si nënshkrues e mbështetës i një mocioni parlamentar në Britani, që e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si “gjoja humanitar” dhe pjesë të “një propagande mashtruese perëndimore” të ushtruar nga SHBA-ja dhe NATO-ja, mbi gjoja “gjenocidin” e kryer në Kosovë. Në mocion, madje, citohet edhe një komandat spanjoll i KFOR-it të ketë thënë se “asnjë varr masiv nuk është gjendur në Kosovë”.
Shumë më herët se kjo, në dhjetor të vitit 1999, kryelaburisti i sotshëm Corbyn, në një diskutim parlamentar kundërshton cilësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga politika britanike, nga një organizatë terroriste në një forcë çlirimtare. E konsideron këtë transformim si të rrezikshëm për politikën britanike.
Në të njëjtin vit, gjatë një përballjeje me kryeministrin e atëhershëm Tony Blair, Jeremy Corbyn argumenton kundër Kosovës si projekt “i pavarur ose pjesë e ndonjë federate”. Ai shton se duhet të ndërpritet “demonizimi i popullit serb atje”. Pjesën e intervenimit të NATO-s e sheh si arsye të ikjes së mijëra refugjatëve. Kërkon me ngulm ndërprerjen e bombardimeve dhe adresimin e çështjes së Kosovës vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Ky aversion i Jeremy Corbyn ndaj intervenimit në Kosovë ekstrapolohet sot edhe në propozimin e tij për tërheqje nga NATO e vet aleanca ushtarake e Britanisë me SHBA-në. Rrjedhimisht, në çdo rrethanë të forcimit të tij, dobësohet aleanca atlantike, dhe me këtë edhe njëri prej aleatëve më qenësorë të shqiptarëve sot. Pra, përtej një aversioni individual ndaj projektit Kosovë, Jeremy Corbyn ka pikëpamje konfrontiste edhe ndaj aleancave ushtarake perëndimore që kanë implementuar këtë projekt Kosovë. Për këto, dhe arsye të tjera, secili avancim i tij është, për fatin tonë të keq (dhe të pakontrolluar), lajm jo i mirë.
Gjasat e tij për zgjedhje si kryeministër mbesin reale. Gjithsesi, Corbyn mbetet më pak i favorizuar nga kryeministri i tanishëm Cameroon, që megjithatë po tregon qëndrueshmëri ekonomike e rritje të standardit jetësor atje. Numrat e papunësisë, borxhi publik e deficiti buxhetor po shënojnë numrat më të ulët të regjistruar në Britani. Pavarësisht të gjithave, deri në zgjedhjet e ardhshme mbetet shumë kohë. Një lëkundje ekonomike, një ngritje tjetër e paparashikueshme e Corbyn në publik – e mbi të gjitha një ngopje me konservativët – mund ta kalojë atë lehtësisht në favorit.
abdixhiku@facebook.com
Komentet