Një projekt i qeverisë shqiptare për vënien në punë të një impianti termik lundrues me qëllim zbutjen e krizës energjetike kundërshtohet nga aktivistët mjedisorë dhe operatorët turistikë në qytetin e Vlorës, të cilët i frikësohen ndotjes së bregdetit dhe dëmtimit të turizmit. Materiali në vazhdim u përgatit nga Rrjeti BIRN në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.
Në një cep të Triportit në Vlorë, dy anije draga punojnë për të thelluar hyrjen në portin e peshkatarëve. Po aty, një pompë nxjerr pa ndalim ujë dhe rërë nga deti, të cilat derdhen pak më tutje duke formuar një rrëpirë të vogël artificiale, të krijuar nga rëra që mbetet pas, ndërsa uji shkon drejt pyllit me pisha.
Porti po thellohet për t’i hapur vend një impianti termik lundrues që përbëhet nga dy anije, të cilat prej shtatorit presin disa qindra metra më tutje në portin e Petroliferës. Anijet e marra me qira nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare pritet të prodhojnë 110 megavat energji dhe premtohet se do të shërbejnë për të stabilizuar situatën energjetike në vend të varur kryesisht prej reshjeve.
Impianti do të përdorë produkte të naftës si lëndë djegëse për të prodhuar energji, ndërsa qeveria këmbëngul se nuk paraqet rrezik për mjedisin.
“Kemi kontrolluar të gjitha parametrat dhe ju sigurojmë që edhe sasia e emetimit është sipas kritereve të konventave ku Shqipëria aderon,” deklaroi në shtator ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Por ekspertë të mjedisit janë dyshues dhe i frikësohen një ndotjeje të mundshme të Gjirit të Vlorës.
“Nëse do të ketë një ditë që do të ndizet ai termocentral me naftë të rëndë, do të kemi një situatë shumë të vështirë në qytetin e Vlorës, e kuptueshme për arsye se janë 600 tonë naftë me shumë emetim, më shumë ndotje të madhe, jashtëzakonisht të madhe,” thotë aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni.
Shqetësim të njëjtë ndajnë edhe operatorët turistikë në qytet, që e shohin vënien në punë të impiantit si sulm ndaj biznesit të tyre. Sipas kreut të shoqatës turistike “Arta”, Ervin Sota, operatorët në fushën e turizmit po i tremben “blozës së zezë që do të shpërndahet në të gjithë qytetin”.
Aktivistët ankohen gjithashtu se vendosja e impantit po bëhet pa një studim të mirëfilltë mjedisor dhe duke mos iu nënshtruar të njëjtave standarde si bizneset e tjera.
“Nëse një biznes i thjeshtë do të kishte një pengesë të vogël nga lejet e mjedisit do të anuloheshin me qindra herë dhe nuk do të miratoheshin. Kurse kemi dy standarde, në këtë rast që kemi një dëmtim jashtëzakonisht të rëndë të mjedisit dhe këta kanë filluar punën pa marrë vlerësimin mjedisor,” thekson Niko Dumani, një biolog i angazhuar në mbrojtjen e mjedisit.
Mungesa e studimeve të mirëfillta para investimeve të kësaj natyre, sjell sipas kundërshtarëve të projektit, jo vetëm dëm në mjedis, por edhe në të ardhmen energjetike të vendit.
Zoti Sota nga shoqata turistike “Arta” thotë se paratë e shpenzuara për marrjen me qira të anijeve duhej të investoheshin në prodhimin e energjisë së pastër diellore.
“Pse nuk investohen këto 600 milion dollarë në panele diellore. Është një investim afatgjatë, shumë i pastër, është një investim ekologjik atje ku po drejtohet dhe vetë Europa ku ne duam të shkojmë?,” pyet ai.
Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se investimi është vijim i një situate arbitrariteti të filluar me ndërtimin e TEC-it të Vlorës, vetëm disa qindra metra prej vendit ku do të vendosen anijet.
“Vendet që e kanë ekzistente këtë lloj industrie shkojnë drejt zvogëlimit të saj. Shqipëria e fillon nga e para si 100 vjet përpara. Domethënë jemi në një paradoks logjik në gjithë këtë histori që po ndodh,” përfundon zoti Feruni.
Komentet