Fatmira Nikolli – Janë imazhet e një Tirane pa kulla. Me ndërtesa trekatëshe, të rregullta, të unifikuara, megjithëse bëhet fjalë për pazar. Imazhet tregojnë Tiranën në praglufte, në kohë mbretërie, që me gjithë varfërinë e kohës, ç’kish bërë, e kish bërë mirë.
Janë dhjetëra e dhjetëra punëtorë që marrin pjesë në punime, ka zonja të veshura allafrënga e burra e gra me veshje popullore, ka biçikleta, kuaj me karroca, ka mjete për ndërtimin e sheshit, ka edhe gomerë. Ka kazma, lopata, rërë e karroca dore. E ka mes shumë të tjera, rregull përtej baltës. Diku larg, naltojnë mbi të gjitha minarja dhe kambanorja.
Qyteti ka përmasa të ndryshme: është ai për të cilin kemi dëgjuar apo jemi informuar në mënyrë të disiplinuar, është ai që mbajmë mend dhe ai që jetojmë sot. Të tria këto përmasa përmblidhen në ekspozitën fotografike me titull “Pazari i Ri dhe sheshi ‘Avni Rustemi’, 1939-1940″ që çelet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Në verën e vitit 1939 Ministria e Punëve Botore lidh kontratë me shoqërinë “Pellegrini-Keçi & Co” për sistemimin e sheshit “Avni Rustemi” dhe Pazarit të Ri. Punimet përfunduan një vit më vonë, më 1940. Gjatë kohës së punimeve dhe me përfundimin e tyre, misioni i Institutit Kombëtar LUCE në Tiranë shkrepi dhe stampoi fotografitë që paraqiten në këtë ekspozitë. Fotografitë janë trashëguar nga Arkivi Qendror Shtetëror – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe sot janë pjesë e fondit të fototekës së këtij arkivi. Disa prej tyre u prezantuan për herë të parë për publikun e gjerë dje te Pazari i ri në Tiranë në orën 10:00.


EKSPOZITA
Ka një vendim të Këshillit të Shtetit në mbledhjen e përgjithshme të mabjtun më datë 17/XI/XVIII, ditën e premte pas dreke, nën kryesin e z.Kristo Floqi dhe në ndodhte t’antarve Z.Ajet Libohova, Dr.Demir Villa, Benedikt Blinishti, Javer Hurshidi, Ali Asllani dhe Elmas Kokona.
MBRETNIJA SHQYPTARE
MINISTRIJA E PUNVET BOTORE
KONTRATË
Me sipërmarrjen “Pellgrini-Keçi e Co” mbi zbatimin e punimeve sistemimi dhe zmadhimi të Tregut të tanishëm të Tiranës, punim për t’u zbatue me fondin e veçantë të Ministris së Punvet Botore.
Ministria e P.Botore përfaqësue prej Zot.Dr.Ing Gamberini Gr.Uff. Luigi, këshilltar Permanent i Ministrisë autorizue nga Zot. Shefqet Verlaci kryeministër dhe xav.Ministër i P. Botore me shkresën….
Afati i vlefshëm për zbatimin e punimeve objekt’i ksaj kontrate asht prej 120 (njiqindenjizet) ditësh të natyrshëm vazhduese tue fillue nga data e verbalit të dorzimit të punimeve.
*



Për çdo ditë vonesë të pranueme ose nga zgjatime rregullisht t’akordueme, sipërmarrjes ka me i u aplikue nji gjobë prej 30 (tridhjetë) fr.shq.- Shuma e gjobave ka me i u zbritun direkt nga stacioni apaltues nga kreditet e saj.
*
Pagesat e veprave ta batueme kan me u ba si mbas normavet në kiste mujore dhe në bazë të situacjoneve provizore të punimeve që duhen parashtrue muej për muej nga Sipërmarrja e Drejtimit të Punimeve për kontrollim dhe nënshkrim. Mbi çdo pagesë do të bahet ndalimi i 10% që ka me ju kthy Sipërmarrjes mbasi të bëhet dorëzimi provizuer. Ndër situacjone ka me u llogarit edhe materjali i raditun për përdorim që ndollet i depozituem në vendin e punimit në sasinë prej 50% të përbamjes së tij.
*
Marrja në dorëzim definitiv e veprës ka me u ba për mbas kërkeset të Sipërmarrjes, s’paku gjashtë muej mbas datës së dorëzimit provizuer.
*
Të gjitha punimet dhe furniturat të cilat ndonse nuk janë të përfshime në përshkrim dhe në listën e bashkangjitun, por që rezultojnë të nevojishme për zbatimin e plotë dhe rajonal të veprës, duhen zbatue si mbas kërkeset të Drejtimit të Punimeve. Çmimet përkatëse kan me u ujdisë ndërmjet palëve n’analogjië me çmimet e tjera të kontratës.
***
KORRESPONDENCË PËR NJË NEVOJTORE
Mes ekspozitës është edhe një korrespondencë mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punëve Botore për kolaudimin e WC-së publike në sheshin “Avni Rustemi”.
Mbretnija Shqiptare
Bahskija e Kryeqytetit
Tiranë
Seksioni 1
Nr.449




Tiranë, më 27.7. 1939
Ministrisë P.Botore
Kemi nderin me Ju njoftue se punimet për ndërtimin e nevojtores publike në sheshin “Avni Rustemi”, treg i ri murë fund.
Lutemi me urdhënue nji inginer t’asaj P.T. Ministrije për me ba kalaudimin e nevojtores në fjalë.
Kryetar’i Bashkis Kryeqytetit
(Qazim Mulleti)
Vula dhe firma
Raport
Sot më datë 21 gusht 1939.
Unë i nënshkruari Ingjin. Dhimitër Reffa, në bazë të urdhënit të P.T. Ministrisë P.Botore nr.1131 datë 5/VIII/ 939 së bashku me z.Ingjin Sadi Pashallari Kryetar’i i Zyrës Teknike të Bashkis së Kryeqytetit shkuen në sheshin “Avni Rustemi” për të kolaudue nevojtoren Publike q‘asht ndërtue në vendin e sipërm dhe në kontrollimin që u ba u konstatue se punimet janë krye që të gjitha si mbas kontratës, të lidhun me Bashkin e Kryeqytetit dhe nuk u pa as nji mungesë.
Dy firma dhe dy vula
Komentet