Armenida Qyqja është një zë i dëgjueshëm i kohës që jetojmë në përditësim, që si duket është në garë me veten jo vetëm në maratonën letrare nga Korça në Tiranë, nga Vlora në Durrës, nëprmjet sprovave që i bën alteregos me poetë e aktorë, por edhe me botimet e vijueshme në fushën e poezisë dhe prozës së shkurtër. Përditë ajo ekspoloron vende të panjohura, apo ende pak të njohura, pyje, dete, male, krahina të thella, qendra historike, arkeologjike, shpella, shkrepa, vendlindje poetësh, natyra të qeta, imazhe me furtunë dhe bën vëzhgime të imtësishme për të shpërthyer nëpërmjet vargjeve atë pjesë të bukur e plot dufe të shpirtit poetik në profilizim. Dhe kështu ajo na shfaqet me motivin e njohjes së poezisë dhe prozës moderne përherë në udhëtim dhe rikthimit në trevat e dashura të frymëzimtarisë për të marrë lartësi.
E lindur në Tiranë, në vitin 1977, është larguar me vendbanim në Kanada, qysh në vitin 1995 dhe deri më sot noton bukur në detin e poezisë, por së shpejti priten edhe botime të tjera me tregime e novela të shkurtra. Aq sa shfaqet, siç ndihet poete qytetare me një frymë të re në vargun e saj, ajo po aq është atdhetare e devotshme pa rrahur gjoksin si e tillë. Armenida, qysh me vëllimin e parë “Përtej kangjellave të shiut” (2018), tek “Letra pa zarf” (2020), apo “Mes rrahjeve të zemrës” (2020) e “Puthje në eter” (2020), sidomos “Dyzet plus” (2021), vjen duke u rritur në kulturën letrare dhe historike, më e pjekur artistikisht. Deri tek këto pesë tituj poetik që kam lexuar, personalisht ndihem mirë sepse autorja, edhe pa qenë vlonjate, shfaqet po aq vlonjate sepse nëpërmjet mesazheve të poezisë filozofike, jo thjeshtë të peizazhit historik apo tematikës atdhetare për nderimin e vendeve të shenjtërimit tonë historik, duke i lartësuar poetikisht qytetet antike si Amantia, Aulona e vjetër, Olimpia, Apolonia, Bylisi, Oriku apo Rozafa që dhemb e dhemb, sepse është “toka e gjakut tim”… Sidomos e bën më artistikisht atdhetare letërsinë e saj këndvështrimi i autores nëpërmjet mjegullës së trishtueshme të baladës, tek fshin sytë e Atdheut mbushur me lotë, për shpresat e vrara brezash, me një klithmë migjeniane për ata që shesin e blejnë atdheun, që përjetësisht në ballë do t’u ngelet shenja e djallit!
Vlerësojmë kështu opusin poetik të poetes moderne, Armenida Qyqja sa qytetare, po aq atdhetare, e përkushtuar tërësisht ndaj dashurisë deri në dhembje, që nuk gufoset nëpër moçalet e pesimizmit, edhe kur proteston nëpërmjet vargjeve shumë e shqetësuar për fatet e popullit shqiptar nesër. Armena është poete e dashurisë në të gjitha rrafshet që kjo ndjenjë e madhe njerëzore, e fuqishme dhe e shenjtë shfaqet, së pari në dashurinë për Atdheun – krenarisht e dinjtetshme, po aq sublime e shpesh herë e pikëlluar për Shqipërizën e sotme. Po ashtu, po aq mirë, shkruan autorja për dashurinë e rrahjes së zemrës nga “imazhet e ngritur prej buzëve”, ku, gjaku merr vrapin e shpërthimit, nëprmjet vargjeve të dëlira me ndjenjë, figura letrare dhe shprehje estetikisht të bukura, pa u kalavarur erotizmave të neverishme.
Autore e tetë librave të botuar deri në fillimvitin 2023, Armenida Qyqja qysh me vëllimin e parë poetik “Përtej kangjellave të shiut”, 2018 krijoi një dimension të ri të jetës së së saj dhe të botës sonë poetike, ku shquan një vokacion drithërues vargu deri në një dhembje të ëmbël, saqë përveç kënaqësive artistike që na dhuron autorja, ajo na fal bujarisht shije estetike qytetare.
Vitin 2020 do ta quaja vitin e ylltë për poeten Armenida Qyqja, sepse lindën tre libra të bukur “Letra pa zarf…”, “Mes rrahjeve të zemrës” dhe “Puthje në eter”. Dëshira dhe mundësia nuk na lejon të shprehemi në imtësi, as të bëjmë një analizë letrare të mirëfilltë, edhe pse të flasësh përletërsinë e Armenës nuk mërzitesh dhe dëshiron të bësh refleksione, siç duhet të bëhen në një diskutim libri dhe jo në një përurim libri që, gjithsesi, është një festë letare. Por vlen të theksojmë se autorja mban një hulli drite në poezinë e sotme me motive qytetare. Lirikat e saj janë sa të bukura, aq origjinale. Na vijnë ndërmend shumë poetë lirikë shqiptarë dhe të huaj, që kuptojmë se Armenida është faqeve të atyre lartësive, por nuk duam ta krahasojmë me askënd, sepse ajo ka profilin e saj të veçantë, të pasur me lirika të ëmbla, zbukuruar me ngjyrat më të ngrohta të shpirtit, sidomos për mesazhet e dinjitetshme që jep nëpërmjet vargut të saj aq të shëndetshëm nga struktura e lirë dhe figurat stilistike që i japin shkëlqimin e pastër poetik. Autorja ka meritën jo thjesht intuitive, por të gjakut, (shprehemi me bindje), që shqetësimet qytetare i ngre në poezi atdhetare me nivel të lartë artistik. Jehona e historisë së lashtë të popullit shqiptar rezonon me një forcë drithëruese të vargut, si te poezitë “Atdheu në harresë”, “Ditë apolloniane”, “Britmat e egos”, “I vuajturi Atdhe”, “Shqipëria brenda mureve te teatrit”, “Tirana ime” apo “Popull i vdekur: Nuk di, ç’të ishte ky tërmet llahtar,/ që nga qerpikët ma shkundi gjumin ëndrravrarë,/ pa frymë nga vrapi, agimi po vinte/ me krahët e tij natë më të zezë po sillte…/ Ç’të ishte ky tërmet llahtar,/ që brinjët m’i shkuli me dorën si darë,/ ajrin më thërmoi në dhëmbët e hekurt,/ pastaj më pështyu, më tha: “Populli ka vdekur!” Në vitin 2021, autorja boton vëllimin e pestë “Dyzet plus”, ku ravijëzon profilin lirik, të mbrujtur në filozofinë e saj për jetën, ku mendimi fiozofik futet në varg edhe për ta zbukuruar sjelljen e njeriut, natyrën e tij, mënyrën e jetesës, për ta kulturuar krahasueshëm me të tjerët, si një mozaik i këndshëm letrar e kulturor, me një pafundësi peizazhesh, me qytetërime e miniqytetërime të ngjeshura harmonishëm pas njeri-tjetrit. Qysh nga poezia e parë “Në udhëkryq puthen sytë” deri tek e fundit e këtij vëllimi, por jo e fundit “Sa shpejt harron njerëzimi”, lajmotivi i autores është dashuria me të gjitha ngjyrat, në të gjitha rrafshet e mundshme, që rrok ndjenja dhe mendimi. Thonë se poezia bart një lloj dykuptimshëmrie: është njëkohësisht universale dhe e papërkthyeshme, universale sepse shpirti njerëzor i autores është i tillë, e papërkthyeshme sepse me kalimin nga një gjuhë në tjetrën me ndërrimin e shënjave grafike, ndryshon dhe muzika e saj, elementi thelbësor që ka. Poezia e Armenidës është po aq e ëmbël në të gjitha gjuhët e mundshme të botës që vlen të përkthehet, se të nderon vargu i saj letrarisht i dinjitetshëm. Përveçse një zëdhënëse e emancipuar e dashurisë, poetja moderne Armenida Qyqja, nga sa kemi vërejtur ka dhe një mision të posaçëm letrar: të jetë një zë i dëgjueshëm i kohës që jetojmë në përditësim.
Në vitin 2022 kalon me sukses sprovën e parë në fushën e prozës me librin me tregime nën titullin “I vdekuri që qesh”, ku përfshihen 12 tregime tërheqëse, 12 histori të vogla që flasin shumë për jetën njerëzore, mbushur me zakonshmërinë e përditshme, po aq dhe me dramacitetin e pashmangshëm jetësor, brenda mundësive dhe hapësirave që të lejon struktura e tregimit të shkurtër. Autorja e nisi me bollëk vitin 2023, duke botuar deri në këtë fillimmarsi 2 vëllime poetike: “Sizifi i shpirtit tim” dhe “Ktheja zemrën pranverës”.
Armenida Qyqja është një autoritet i ri letrar, që, siç e shprehëm në krye të herës, synon profilizimin e saj për të qenë natyrshëm një zë i dëgjuar i femrës shqiptare në letërsinë bashkëkohore shqipe, sidomos për lirikën femërore.
Paradigma jonë për këtë autore polifonike, brenda dimensioneve të letërsisë është kjo: Një shkrimtare si Armenida Qyqja i qartëson letrarisht bukur përmasat që gjen në sotmëri letërsia shqipe.
Sikurse në poezi, edhe në prozë, autorja e re në mërgim nuk është më e re, apo pak e njohur, por profili i saj rritet e rritet, pa iu rritur mendja, sepse është pa komplekse, qyetarisht e guximshme, duke krijuar stilin e saj letrar të natyrshëm, të dallueshëm nga të tjerët, të mirëpranueshëm nga shoqëritë e larta të leximit.
Armenida bën letërsi të mirë, sepse ka dhuntinë e kapjes së motiveve interesante dhe di t’i trajtojë me nivel artistik harmonishëm me strukturat e narracionit romanor.
Emancipimi social, veçmas dinjiteti i femrës në udhëtimin e jetës, herë larë me diell, herë larë me furtunë, është lajtmotivi i prodhimtarisë shkrimtarore të shkrimtares A. Qyqja.
Sidomos vëllimet poetike “Ktheja zemrën pranverës” dhe “Sizifi i shpirtit tim” janë antropologjia poetike e derisotme e autores, sepse syri i mprehtë i mendjes dhe shpirti i saj i lirë rrok gjithçka që vrojton me imtësi nga njeriu, nga bota e tij e brendshme dhe e jashtme, e dukshme dhe e pashfaqshme, nga kultura e tij e përgjithshme dhe e përveçme, nga psikologjia e tij, doket dhe zakonet, kodet e kultet, mënyra e jetesës (e pëlqyeshme apo e papëlqyeshme për të tjerët), synimet e tij dhe mesazhet e saj. Vërtetësisht bën një ekspeditë poetike, por autorja, si të jetë një antropologe kulture, s’ka lënë skaj të Shqipërisë pa shkelur jo vetëm me penën esaj, por shpesh herë me këmbë, duke u mbushur drejtpërdrejt me frymëzim të natyrshëm dhe origjinal, duke studiuar njerëz, vende, dukuri, fenomene, fshatra, qytete, malësi e ultësira. I merr me dashuri nga jeta, mbush torbën e frymëzimit dhe i mbart me vete për t’i shkarkuar në laboratorin e krijimit, ku pas kurimeve të kujdesshme e të vëmendshme letrare, prodhohet poezia e saj, që na pëlqen. “Të tjera udhë po marr me vete/ dhe kalldrëmet e lëmuar të fjalëve,/ në zemrën time shtrohen në çdo qoshe/ qytetin e tërë të derdhin damarëve”, shkruan autorja në poezinë “Me vete”.
Siç vërejmë, poetja dhe tregimtarja shqiptaro-kanadeze A. Qyqja është një autore relativisht e re në moshën letrare, jo e panjohur për lexuesin vlonjat, apo atë të metropolit, Durrësit e Tiranës apo Korçës. Poezia e saj të detyron t’i përulesh me nderim letrar vargut të saj të latuar aq mjeshtërisht. Poetja sfidon me dinjitetin e fjalës artistike, që buron nga shpirti i bukur dhe karakteri i fortë.
Gjykojmë se nuk ka rëndësi të njohësh biografinë dhe botën e saj, mjafon të lexosh poezinë e Armenës, thurur ëndrrash mes furtunash dhe e ke të skanuar autoren, me zemër e shpirt, me gëzimet e shqetësimet, me lumturitë dhe hidhërimet, me ferrat nëpër këmbë dhe lulet që mbledh, me fëlliqësirat që duan ta bëjnë pis dhe identitetin e saj poetik që e do, kërkon e synon ta ketë të pastër si bora e malit të Ali Asllanit.
Duke na dhënë spontanisht portretin e saj të skanuar, autorja i bën po aq mikrobotës dhe universit njerëzor një skaner me kontraste nëpërmjet imazheve dhe abstraksioneve poetike të cilat i përcjellin një fuqi tronditëse lexuesit.