Kryeparlamentari i Shqipërisë Ilir Meta në Parlamentin e Malit të Zi mbajti fjalim në gjuhën shqipe, në të cilin porositi se Mali i Zi është një vend i mrekullueshëm, të cilin Shqipëria e mban “në zemër”
PODGORICË – Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë janë miqësore dhe mund të shërbejnë si shembull i fqinjësisë së mirë në rajon, tha kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Pajoviç tha se bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve bazohet në respektin reciprok, mirëkuptim, besim dhe mbështetje, ndërsa ato lidhen me një histori dhe kulturë të përbashkët.
“Ekziston bazë e shkëlqyer për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe ashtu të mira, por edhe të atyre të veçanta bilaterale që do të jenë në të mirën e qytetarëve, si transporti, infrastruktura, energjia, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, tha Pajoviç.
Ai ka falënderuar Parlamentin e Shqipërisë e cila ishte njëra nga të parat prej shteteve anëtare të NATO-s që ka ratifikuar Protokollin për Anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë.
Kryeparlamentari i Shqipërisë pas takimit me homologun e tij malazez Pajoviç në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi mbajti fjalim në gjuhën shqipe, në të cilin porositi se Mali i Zi është një vend i mrekullueshëm, të cilin Shqipëria e mban “në zemër”.
Meta tha se midis dy vendeve ekzistojnë lidhje natyrore që janë shembull i mirë për rajonin.
“Ne ndihemi të afërt, jo vetëm gjeografikisht, por edhe në saj të pakicës shqiptare në Mal të Zi, e cila na lidh”, tha Meta.
Ai tha se vlerëson progresin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke theksuar se Shqipëria pa asnjë vonesë ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë.
“Ne vlerësojmë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është thelbësor për perspektivën e fuqizimit rajonal në mbarë Evropën Juglindore”, tha Meta.
Ai ka falënderuar Malin e Zi për njohjen e realitetit politik, siç është njohja e Kosovës.
“Shqiptarët kurrë nuk do të harrojmë mikëpritjen e Malit të Zi për mijëra shqiptarë të cilët në pranverën e vitit 1999 gjetën strehim në Mal të Zi”, tha Meta.
Ai pjesës së opozitës malazeze i tha se Shqipëria është përqendruar të punojë për të mirën e rajonit me të gjitha vendet “padyshim edhe me Serbinë”.
Meta sot më herët dekoroi kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç me Urdhërin e flamurit kombëtar të Shqipërisë.
Deputetët e Demokracisë së Re Serbe dhe Partisë Popullore Demokratike në parlament shpalosën një transparentë ku shkruhej “Populli i Malit të Zi ka pranuar se, Kosova është zemra e Serbisë”, gjatë fjalimit të Metës në sallën plenare.
Ata shprehën protestën e tyre për shkak të dekorimit të kryeminstrit malazez Gjukanoviç nga kreu i Parlamentit të Shqipërisë. aa
Komentet