Ilir Demaliaj nuk i ka shkruar letër diktatorit Hoxha si shkrimtari Ismail Kadare, por është përpjekur ta takojë vetë! Njëri donte të shpëtonte motrën dhe familjen, tjetri të jatin dhe familjen. Po si Ilir Demalia e harron këtë episod të jetës së tij dhe e akuzon shkrimtarin e madh për të njëjtin veprim që edhe ai vetë e kishte bërë. Dhe në fakt as njëri dhe as tjetri nuk kishin kryer asnjë krim, vetëm ishin përpjekur të shpëtonin të afermit dhe familjen e tyre. Po si atëhere Demaliaj ngre akuza kundër Kadaresë ! Me çfarë logjike ! Përse nuk akuzon së pari vetë Ilir Demaliajn !
Kjo intervistë e Ilir Demaliajt është marrë nga “Gazeta Shqiptare” .
“Kësaj here Demaliaj tregon në intervistën e mëposhtme episodin e përballjes së tij me Enver Hoxhën në rrugën kryesore të Bllokut në vitin 1980. Kjo ngjarje befasuese për kohën na u dëshmua në intervistën e dhënë një javë më parë nga ish-oficeri i Sigurimit pranë Bllokut, zoti Skënder Lama. Njëkohësisht në këtë intervistë, Demaliaj tregon gjithashtu edhe arsyet e vërteta të dënimit të babait të tij, Binak Haxhia Demaliaj dhe kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij nga regjimi i kohës.
Zoti Demalia, pas intervistës së Skënder Lamajt, oficerit të Sigurimit në bllokun e udhëheqjes, ku ndër të tjera ai flet për një njeri me mbiemrin Demaliaj për një incident brenda në Bllok, në kërkimin tonë na thanë se personi në këtë incident jeni ju. Si qëndron e vërteta?
E lexova atë çka shkruan Lamaj, ka ndodhur si ngjarje dhe kam qenë unë. Ka disa pasaktësi që më lënë të kuptoj se Lamaj nuk ka qenë në momentin e ngjarjes, pra duhet ta ketë me të dëgjuar. Ka disa pasaktësi, p.sh. kur thotë “Demaliaj vinte nga Tropoja”, që nënkupton se unë kisha ardhur nga Tropoja për këtë gjë. Unë jam lindur, rritur dhe kam punuar në Tiranë, im atë ka ardhur nga Tropoja në moshën 14-15 vjeç. Janë disa gjëra që krijojnë konfuzion, por ngjarja në vija të trasha është ashtu.
Para se të dalim tek incidenti juaj në Bllok, deshëm të dinim arsyet se përse ishte dënuar babai juaj? Si është kjo histori?
Po mundohem ta shtjelloj sa më shkurt për të arritur në incidentin në Bllok. Që nga viti 1973 deri ditën kur u arrestua, në 11 mars 1975, (ishte larguar nga Ministria e Brendshme për arsye ‘shëndetësore’ në vitin 1971, ku ishte në sektorin e Kundërzbulimit pas kthimit të studimeve në ST Petesburg, atëherë Leningrad, që nga viti 1961), im atë, Binak Haxhia Demalia, ishte me punë shef protokolli në Tregtinë e Jashtme. Arrestimi ndodhi pasi im atë kishte shoqëruar dy kosovarë që kishin ardhur për marrëveshje biznesi nga Kosova jashtë zyrave të Tregtisë së Jashtme. Një gjë e tillë nuk lejohej në rregullat e protokollit.
Pra nuk duhej të ishte vetëm, duhet të ishin së paku dy vetë. Të nesërmen apo pas dy netësh, im atë, i cili ishte dhe pak i dehur, pasi ishte i dhënë mbas pijes, kapet me fjalë në hotel “Dajti” me Feçor Shehun rreth incidentit me biznesmenët kosovarë. Dhe si rezultat i këtij debati me zv.ministrin e Brendshëm, vjen pezullimi nga puna, të cilin nuk kishte pranuar ta firmoste Kiço Ngjela, ministri i Tregtisë së Jashtme në atë kohë nga ku varej im atë.
Ç’ngjau më pas me babanë tuaj?
Në datën 9 apo 10 mars 1975, im atë shkon në zyrën e Sekretarit të Parë të Tiranës (në atë kohë Manush Myftiu), për t’u shprehur kundër masës së pezullimit. E pret sekretarja e tij, Shpresa Kasimati, e cila do të ishte e vetmja dëshmitare në gjyq për akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Pasi del nga zyra e sekretares së Manush Myftiut, lëshohet një deklaratë e saj me urdhër, se gjoja im atë, në bisedë e sipër paska thënë ndërmjet të tjerave: “Unë do të vras Enver Hoxhën dhe do të arratisem”. Si rezultat, më 11 mars të 1975-ës, tim atë e arrestuan në shtëpi rreth orës 21:00.
A qëndronte ajo që kishte thënë sekretarja e Manush Myftiut për babanë tuaj, pra, se Binak Demaliaj do vriste Enver Hoxhën dhe do arratisej?
Absolutisht jo! Babait as nuk i kishte shkuar kurrë në mendje një gjë e tillë!
Po gjatë hetuesisë, a e pranoi akuzën?
“As gjatë hetuesisë nuk e pranoi akuzën. Bëri plot 6 muaj hetuesi, ku hetues ishte kryetari i Hetuesisë në atë kohe, Ali Korbi, dhe nuk e pranoi akuzën.
Po në gjyq?
Nuk e pranoi as në gjyq.
Si e kujtoni gjyqin e babait, ju lejuan ju si familje të merrnit pjesë?
Gjyqi u zhvillua në gusht të 1975-ës me dyer të mbyllura, dhe u lejuam vetëm ne si familje. Akuza ishte “Agjitacion e propagandë”, për atë që kishte dëshmuar Shpresa Kasimati, e vetmja dëshmitare për këtë akuzë. Im atë nuk pranoi asgjë nga akuza, duke kundërshtuar gjatë seancave të mbrojtjes, pasi në atë kohë nuk kishte avokat mbrojtës dhe i pandehuri mbrohej vetë.
E kujtoni mbrojtjen që bëri babai nga ajo akuzë mjaft e rëndë ku mund të shkoje në plumb?
Po, e kujtoj pak a shumë. Në mbrojtje babai tha: “Në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, thëniet e të pandehurit dhe të dëshmitarit merren si të barasvlershme kur nuk vërtetohen nga një dëshmi e tretë. Pra, nuk mund të dënohesh me një dëshmitare se përbën shkelje të procedurës penale. A mundet një njeri që ka planifikuar apo shkuar nëpër mend një akt i tillë të shkojë dhe të denoncojë veten në zyrën e Sekretarit të Parë të Tiranës?! Në qoftë kjo është e vërtetë, kemi të bëjmë me një të sëmurë psikik, si rrjedhim, i papërgjegjshëm për thënien e tij, dhe si i tillë nuk mund të merret i pandehur. E po të ishte e vërtetë, në bazë të Kodit Penal, nuk e kap neni 55, ‘Agjitacion e propagandë’, por ‘Përgatitje për terror’, gjë së cilës, siç jam shprehur gjatë seancës, i mungojnë të gjithë elementet e provës, si në fakte, edhe në logjikën juridike.”
Cila ishte fjala e tij e fundit, pra çfarë kërkoi nga trupi gjykues?
Në fjalën e fundit kërkoi pafajësi.
Cili ishte vendimi i gjyqit, pra sa u dënua?
Pas një muaji që u krye gjyqi, kryetari i trupit gjykues, Fiqiri Haxhiademi, që njëkohësisht ishte edhe nënkryetar i Gjykatës së Tiranës, i dha dënimin me 4 vjet heqje lirie. Tre vjet për “Agjitacion e propagandë” dhe një vit për “Shpërdorim detyre” për shoqërimin që u kishte bërë biznesmenëve kosovarë.
Ku e vuajti dënimin?
Dënimin e vuajti në kampin e Ballshit, ku mbas një viti të vuajtjes së dënimit, i kanë shkuar aty në burg dhe i kanë kërkuar të pranojë fajësinë dhe ta lirojnë pa kryer dënimin 4 vjet. Por babai përsëri nuk pranoi asgjë.
Pas dënimit të babait, ju si familje, çfarë pasojash patët?
Pas kësaj, nënën time e çuan pastruese, tim vëlla 14 vjeç, në Ndërmarrjen Komunale për të pastruar banjat, ndërsa mua, në moshën 17 vjeç, më çuan në punë në gurore dhe më pas për të hapur rrugën e Antenës në Dajt. Pas një viti në fermën “Gjergj Dimitrov”, për të hapur tokat e reja në kodrat në Sauk. Në janar 1977 më dërguan ushtar në xhenio, në fshatrat Poliçan, Radësh e Gjerbës të Skraparit, ku punonim për të hapur tunelet e ushtrisë.
Kur u lirua babai nga burgu dhe si vijoi jeta e tij më pas?
Babai u lirua nga burgu më 11 mars 1979, dhe filloi punë te magazina e druve tek ish-Stacioni i vjetër i Trenit, ndërsa unë që u lirova nga ushtria në janar 1979, u stabilizova në ndërmarrjen “21 Dhjetori” në ndërtim. Kështu vazhdoi jeta jonë ndër vite, me halle, si financiare dhe të një jete të zymtë pa perspektivë, ashtu edhe me mundime, si shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë që vuanin luftën e klasave.
Pas daljes nga burgu, a vazhdoi babai të kërkonte të drejtën e tij, pra faktin që ishte dënuar për një krim që nuk e kishte bërë?
Im atë, si gjatë burgut, edhe pas daljes nga burgu, u drejtonte letra vazhdimisht institucioneve përkatëse, ku kërkonte shqyrtimin e çështjes dhe këmbëngulte në pafajësinë e tij. Por gjithçka binte në vesh të shurdhër. Në këtë situatë ishim si familje në shtator të vitit 1980, kur unë tashmë isha ‘ngritur’ në detyrë prej disa muajsh, nga punëtor llaçi, në bojaxhi.
Të ndalemi tek incidenti juaj në Bllok, si e kujton atë ngjarje?
Ka qenë gusht i vitit 1980 me sa më kujtohet, të shtunën në punë na lajmëruan se do shkonim të punonim të nesërmen, pra të dielën, në vilën e Mehmet Shehut. Ishte një afat nuk e di me ç’rast lidhej, që punimet duheshin mbaruar brenda shtatorit. Shehu me familjen në atë kohë nuk jetonin aty, pasi shtëpia ishte në rikonstruksion. Shkuam në hyrje për në objekt në mëngjes në orën 7 nga dera e portës nga ana e ish- Kuvendit, sot Presidencës. Na kontrolluan letërnjoftimet dhe shkuam brenda në objekt.
Çfarë pune u caktove të bëje aty te vila e familjes Shehu?
Mua më dhanë një kovë me bojë dhe furçën dhe më orientuan te kangjellat për t’i lyer. Ishte ora rreth 9-10 e mëngjesit, unë po lyeja kangjellat, isha në anën e jugperëndimore të shtëpisë në kornen e oborrit nga brenda kangjellave, ku është kryqëzimi rrugës edhe sot, që bie diagonal me ish-shtëpinë e Enver Hoxhës. Duke lyer kangjellat, shoh se nga shtëpia e Enverit del vetë Enveri dhe mbas tij, Behari, shoqëruesi tij personal. Enveri mbante në kokë një kapelë republike verore dhe ishte i veshur me një kostum veror në ngjyrë bezhë. Në fillim nuk e njoha, kur u afrua në trotuarin përballë kangjellave, e njoha. Ai bënte xhiron e mëngjesit në lulishten që ishte mbas pallatit të “Librit Universitar” dhe shtëpisë se tij. Aty ku sot është pallati “Credins Bank”. Mendova në momentin që pashë Enverin, t’i dal përpara dhe t’i tregoj rreth pafajësisë së tim ati. Ky mendim më erdhi në mënyrë të rrufeshme dhe as nuk mendova se mund të më kthehej në bumerang e të përfundonim më keq. Gjë që fatmirësisht nuk ndodhi.
Si veprove pas mendimit që të erdhi në kokë?
Kur Enver Hoxha po bënte xhiron e dytë dhe po kthehej nga drejtimi “Librit Universitar” nga rruga që hyje në Bllok nga ish-Kuvendi, në momentin që po arrinte te kryqëzim, unë në mënyrë të rrufeshme, nga pjesa e brendshme ku po lyeja kangjellat, kërcej kangjellat rreth 2.5 m të lartë dhe arrita deri në mesin e rrugës, tek pema në qoshen e rrethimit jashtë kangjellave ku ishte ushtari shërbimit me automatik. Në trotuarin përballë ndodhej Enveri që po kthehej, ishte rreth 4-5 metra larg meje, unë ngrita dorën lart, ai ndaloi për një moment, u pamë në sy punë sekondash dhe me shpejtësi m’u hodh Behari shoqëruesi i tij, pas tij civilë të tjerë më rrethuan. Në moment u bënë shumë të tjerë civilë të Sigurimit. Unë nuk arrita ta shoh më Enverin, nëse vazhdoi rrugën apo jo…! Isha i mbuluar nga civilët e Sigurimit. E gjithë kjo skenë nuk ka qenë më shumë se 15-20 sekonda. Skena dhe mënyra si dola krijoj tension të madh nga veprimet e mija, pasi ata menduan se mos kisha pasur ndonjë qëllim tjetër dhe kjo qe arsyeja që direkt më kontrolluan në trup. Më morën dhe më futën në një nga dhomat e vilës mbas vilës së Mehmetit, që përdorej nga oficerët e shërbimit në Bllok.
Çfarë ndodhi me ju aty ku ju futën?
U njoftua direkt Drejtoria II, që ishte Drejtoria e Sigurimit të Udhëheqjes. Pasi më pyetën dhe ju shpjegova arsyen pse doja të takoja Enver Hoxhën, pra t’i kërkoja që im atë ishte dënuar në mënyrë të padrejtë dhe ishte i pafajshëm, më lanë rreth një orë me dy oficerë te Sigurimit. Ata nuk më pyetën, vetëm rrinin aty. Pas rreth një ore më njoftuan që të largohesha dhe të shkoja në shtëpi. Më nxorën deri te trotuari përballë ish-Kuvendit (sot Presidenca) dhe me torbën e punës në krah, mora rrugën për në shtëpi. Gjatë rrugës isha i shqetësuar, ktheja kokën herë mbas here për të parë a po më ndjek njeri. Dhe mbërrita në shtëpi pa takuar njeri rrugës.
Çfarë ju thanë prindërit?
Nëna më pa që nuk isha në rregull në fytyrë dhe më pyeti se çfarë kishte ndodhur. Po kështu, menjëherë doli im atë nga dhoma dhe unë u tregova se çfarë kish ndodhur. Im atë më tha të qetësohem, duke shtuar: “Fakti që të kanë lënë të vish në shtëpi, nuk besoj se do marrin masë, por duhet të jesh shumë i kujdesshëm tash e mbrapa”.
Çfarë ndodhi pas kësaj?
Pas kësaj unë shkova të nesërmen në punë në ndërmarrjen “21 Dhjetori” dhe më dërguan të vazhdoj punën sigurisht jo më te vila e Mehmet Shehut.
Babai juaj vazhdoi të kërkonte pafajësinë?
Po, po vazhdimisht e kërkonte. Në fillim të vitit 1984, Prokuroria Përgjithshme, rihapi dosjen. Pas disa muajsh rrëzon akuzat dhe i dërgohet Gjykatës së Lartë, e cila në qershor të atij viti, mesa më kujtohet, i jep vendimin e pafajësisë. Pas kësaj im atë nuk pranoi të kthehet më në punë, por kërkoi të dalë në pension për arsye shëndetësore. Ju kthyen të gjitha të drejtat dhe dëmshpërblimi financiar për vitet e punës. Nëna ime u kthye në punë ku kish qenë, ndërsa unë fillova punë në Kinostudio dhe me pas shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi me korrespondencë në institutin “Luigj Gurakuqi”, ndërsa im vëlla punonte në Artistiken “Migjeni” në repartin e alabastrës.
Megjithatë, ju edhe pas kësaj me sa dimë, ngelët njeri problematik, një rebel i pandreqshëm dhe disident ndaj regjimit, gjë që e treguat edhe në verën e vitit 1990 me krizën e ambasadave. Çfarë ndodhte me ju që ishit i pakënaqur me regjimin?
Disident është fjalë e madhe. Unë jam kundër këtyre, se po bëhemi qesharakë me epitetet dhe inflacionimin që bëni dhe ju në media, pa verifikim, pa baza si “titujt” disident, intelektualë, antikomunistë, artistë të mëdhenj, e ku ta di unë, se jo vetëm po bëhemi qesharakë me inflacionimin e pavlefshmërisë për vlerat, por po zvetnojmë dhe të vërtetën për ata që kanë vepra të tilla. Shihni vetëm emrat e rrugëve në Tiranë, emra kriminelësh dhe të atyre që janë vrarë nga këta kriminelë. Shikoni dekorimet e Presidencës, titujt dhe taboret e partive politike, janë ish-shërbestarët më të denje të atij regjimi ose lidhjet e tyre, të cilët të forcuar tashmë financiarisht me vjedhjet dhe abuzimet e pasurisë kombëtare, janë më të fuqishëm se dje, gjë që e tregojnë me arrogancën dhe arbitraritetin e pushtetit. Kjo ka ndodhur se të gjithë jemi pajtuar me këtë falsifikim dhe inflacionim vlerash në raport me të vërtetën.
Të kthehemi te ju, si personazh jo pak i njohur në Tiranë. Ju njiheni si njeri problematik në atë kohë si në stadium, si tifoz i “Tiranës”, në Kinostudio deri dhe në polemika me Alfred Uçin dhe Piro Lakon pas demonstratës së heshtur në janar 1990 dhe më pas me ngjarjen e ambasadave, duke vazhduar dhe pas largimit si një zë me ndikim, me intervista dhe shkrime kundër regjimit. Nga ju rridhte e gjithë kjo urrejtje, le të themi?
Nuk ka lidhje me urrejtjen se sa me atë që kjo ishte natyra ime jokonformiste, i rebeluar dhe kështu kam qenë që fëmijë, njeri jashtë rreshtit. Në anën tjetër ka pasur ndikim dhe shoqëria me kë jam shoqëruar, nuk bija dakord me mendimin kolektiv si trushpëlarje. Njeriu nuk del dot jashtë natyrës vet. Sartri ka shkruar: “Jam i dënuar dy here se jam i dënuar me lirinë”. Kjo do të thotë që të qenit njeri i lirë ka kosto, por kjo kosto të jep adrenalinë, sepse je vetvetja dhe mendon me arsyen, logjikën e realitetit me atë çka sheh dhe jo me atë që të japin të shohësh, jo me dogmën apo me shërbimin ndaj kryetarit për kryetarin dhe jo për shoqërinë, gjë që vazhdon edhe sot, prandaj nuk kemi në partitë politike personalitete dhe individualitete.
A mendoni se ajo ngjarje (demonstrata e heshtur) është lënë në harresë nga forcat politike të këtyre 25 viteve?
Po. Kjo nuk është pa qëllim dhe nuk është punë kujtese, por kjo ngjarje nuk ishte pjesë e lojës së pushtetit, siç ndodhi më pas me dërgatat e kontingjenteve që vazhdojnë sot në politikën e vazhdimësisë së tranzicionit si “Pëlhura e Penelopës. Jo vetëm kjo ngjarje, por edhe ngjarjet pararendëse para korrikut dhe në përgjithësi historia jonë, nuk është trajtuar në mënyrë shkencore, historike me fakte dhe analiza. Mirëpo historia nuk është, as me si do të kishe pasur dëshirë sot, kur nuk ishe dje, kur dje të mungonte jo vetëm dëshira që nuk e kishe, por edhe formimi, ashtu si sot në bindjen e vullnetshme për t’i shërbyer shtypjes vullnetit të lirë si trushpëlarje dhe mungesë personalitetesh.
A do të kthehet Ilir Demalia për të jetuar në Shqipëri përgjithmonë?
Nuk jap deklarata. Shqipëria është vendi ku kam kaluar gjysmën e jetës dhe padyshim, unë nuk mund të ndahem prej saj si emocionalisht, edhe shpirtërisht. Por le ta mbyllim pyetjen me pyetje: A do të bëhet Shqipëria ndonjëherë një vend normal për shqiptarët, kur jemi para faktit se shqiptarët vazhdojnë të largohen nga Shqipëria nga kushtet mizerabël, politike, ekonomike, sociale, kur klasa politike e tranzicionit e zhvat pasurinë kombëtare, vjedh, shkatërron natyrën dhe i ngushton frymën deri në asfiksi lirisë dhe prosperitetit, duke e radhitur vendin në vendet më të varfra dhe më jofunksionale si funksion shtetëror-institucional?/Gazeta Shqiptare
Bah, shiko se armiku ishte armik per sigurimin, eshte e pa besueshme ne shume kalime, loja kapi macja miun.