OHËR – Me prejardhje është nga Shkupi, por tashmë disa vite jeton në Ohër, Ilina Arsova është maqedonasja e vetme e cila arriti që të ngjitet në majën më të lartë në botë, Mont Everest e cila ndodhet në lartësi mbidetare prej 8848 metrash.
Në bisedën për Anadolu Agency (AA) tregon për përvojën e saj të pazakontë, për arritjet jetësore, gjithsesi me theks të veçantë për hapin jo të përditshëm, të ngjitet në majën më të lartë në botë, për të clën thekson se i ka paraprirë përkushtimit dhjetë vjeçar të sporteve malore.
Pa dyshim mund të thuhet se Arsova vitet e fundit është personazh shumë i eksponuar, jo vetëm për shkak të ngjitjes në majën malore por edhe për shkak të artit figurativ dhe ekspozitave (që është edhe profesioni i saj), si dhe për shkak të lëvizjeve aktiviste në ekologji dhe mjedisin jetësor, por edhe nxitjen e stilit aktiv jetësor tek të rinjtë veçmas te gratë.
– Turqia, një vend i pasur natyror dhe vend i cili çdo herë ofron bukuri-
Ajo thotë se disa herë ka qenë e pyetur për arritjet e saj jetësore, por asnjëherë nuk është pyetur për hapat e saj të parë.
“Me fjalë të tjera, fillimet e mia janë ngushtë të lidhura me Turqinë. Në moshën 18 vjeçare shkova në Oludeniz, ku punoja si piktore hoteli, por edhe si promovues i tandem fluturimit me paraglider. Këtu vërtetë përparova edhe në fluturimin por edhe në ndërtimin e një personaliteti të pavarur”, tregon Arsova.
“Shkova në shtëpi me para xhepi prej 70 eurosh, ndërsa pas vetëm pesë muajve, u ktheva me një kursim modest për vitin studentor që më paraprinte në akademinë e artit”. Më tej, zbulon ajo, që atëherë nuk është ndalur së udhëtuari. Sfida e saj ka qenë të shkojë në vende të panjohura, ndërsa financiarisht të mirëmbahet me një buxhet minimal.
Mënyra e tillë e jetës, thekson Arsova, e ka detyruar që të gjendet në vende pune të përkohshme, në Malajzi, Kinë, Zvicër, Francë, Suedi, Afrikë dhe të tjera. Mes tjerash, zbulon se disa herë është kthyer në vise të ndryshe të Turqisë, për shkak të bukurive natyrore të cilat i posedon ky vend, ushqimin, njerëzit dhe gjithçka tjetër që e bën Turqinë më ndryshe se vendet tjera.
“Jam ngjitur në shkëmbinj dhe male, kam hipur në tren që të mbërrijë deri te liqeni Van ku gjenden vullkanet e bukura në të cilat doja të ngjitesha”, zbulon një nga përvojat aventuriste Arsova.
Arsova mund të lavdërohet se është ngjitur edhe në majën më të lartë në Amerikën Jugore Akonkagua, por edhe në dhjetëra pika të tjera të larta në botë.
“Kanë paraprirë shumë maje, e që përfundimisht ta realizoj ëndrrën time jetësore që të ngjitem në Mont Everest edhe atë si zonja e parë nga Maqedonia. Kjo shpresoj se do të jetë motiv edhe për gratë tjera që të shkojnë përpara dhe unë tashmë ndikoj në këtë drejtim, që më shumë gra të bashkangjiten në alpinizëm. Ekspedita në Mont Everest zgjat dy muaj prej të cilave 53 ditë janë në mal në lartësi prej 3000 metrash. Kjo tashmë është një mënyrë tjetër e jetës e cila bëhet gjithnjë e më e vështirë”, thekson Arsova.
Kjo vajzë thekson se ngjitja në majën më të lartë në botër ka qenë një motiv shtesë për arritjen e majave të tjera në jetë. Tre vite pas suksesit të madh që ndodhi më 22 mars të vitit 2013, ende askush nuk e ka përsëritur të njëjtin.
“Për Mont Everest-in nevojitet organizim i madh logjistik dhe përgatitje fizike. E domosdoshme është një mbështetje e madhe financiare, e cili nuk është lehtë të realizohet në Maqedoni. Sigurimi i mjeteve financiare për Mont Everest-in ishte një nga pjesët më të vështira”, thekson Arsova.
Projekti “Shtatë maje të shtatë kontinenteve” është synimi kryesor i Arsovës. Mali i vetëm prej të cilit është detyruar që të kthejë prapa është Denali në Alaska, që është maja më e lartë në Amerikën Veriore me 6.195 metra lartësi mbidetare. Një nga qëllimet e saj kryesore për periudhën e ardhshme është realizimi i projektit “Shtatë majet e shtatë kontinenteve”, të cilin deri tani e kanë realizuar vetëm 66 gra.
“Atë që dua ta realizojë dhe ta kompletojë është projekti “Shtatë majet shtatë kontinenteve”, potencon Arsova, maqedonasja e parë e cila është ngjitur në Mont Everest, por tek e cila si duket, ngjitja në maje ende paraqet sfidë të madhe.
“Kompletimi i këtij projekti përfshinë ngjitjen në majat më të larta të gjithsej shtatë kontinenteve. Mua më mungojnë edhe tre maja për ta arritur këtë qëllim. Në botë vetëm 66 gra e kanë realizuar këtë sfidë të madhe malore botërore, dhe gjithsej 250 burra. Më mbesin maja Denali në Alaskë, Australi dhe Papua Guinea e Re – Karstens dhe në Polin Jugor maja Vinsen”, thekson Arsova.
Kjo maqedonase deri tani ka arritur që të ngjitet në dhjetëra maja më të larta se 4.000 metra, në dhjetëra lartësi prej 5.000 metrave, katër maja prej 6.000 metrash dhe një maje më e lartë se 8.000 metra. Për Maqedoninë thekson se disponon me maja dhe male atraktive të cilat janë interesante për ngjitje. I thekson Malin e Sharrit, Koka e Selanikut (Sollunska Gllava) dhe Korabi për të cilat thekson se në kushtet dimërore dinë të jenë të “ashpra”.
Nga malet në Ballkan përmend Olimpin në Greqi dhe në Turqi majën e dytë për nga lartësia në këtë vend Sufan Dag. Arsova dhe pesë gra tjera në botë është motiv për gratë në Iran që të merren me këtë sport.
“U krijua një grup ndërkombëtar prej një maqedonase, franceze, ruse, zvicerane dhe iraniane dhe për 8 mars të vitit të kaluar u takuam në Teheran, ku nikoqirja jonë ishte Mona, e cila është snowboarder profesionale në Iran”, thekson Arsova.
“Në këtë udhëtim qëllimi ynë ishte të ngjitemi në sa më shumë maja malore jashtë skiqendrave ekzistuese, duke hulumtuar potencialin për ski sportet në Iran, njëkohësisht duke hulumtuar kulturën për gratë dhe sportin në Iran. Para vetëm 15 vitesh burrat dhe gratë në Iran kanë patur kodra të ndryshme për skijim dhe ski lifte të ndryshme. Të gjithë këta të rinjë tani i bashkon dashuria e njëjtë ndaj malit dhe i tejkalon barrierat shoqërore”, shton Arsova.
Ajo tha se misioni i tyre në Iran ka qenë më shumë se i suksesshëm dhe se po rritet numri i grave në Iran që e praktikojnë këtë sport.
Komentet