Marsel Lela
Ilia Therecka ka zgjedhur të mos jetë në ciklonin mediatik. Intervista janë një gjë e huaj për të. Fakti që vendosi të flasë për Politiko.al mund ta konsideroni rastësi, këmbëngulje miqsh apo dhe fat. Ndoshta edhe një shtysë të atij që ka jetuar një jetë të pazakontë për të lënë një dëshmi.
Takohemi në apartamentin e tij, në rrugën ‘Fortuzi’. Flutura, e shoqja, një zonjë e bukur dhe e kulturuar, na pret me derën hapur dhe me mirëseardhje. Sapo futesh në sallon të zënë sytë libra të shumtë në gjuhë të ndryshme, pikturat e Sali Shijakut dhe të tjerë piktorëve të njohur shqiptarë, si dhe fotografitë e familjes. Ilia Therecka është në studio, ku rri me orë të tëra, duke u informuar rreth botimeve më të reja, apo studimeve më të fundit shkencore. Del nga aty dhe na pret me përzemërsi. Sytë plot gjallëri dhe kureshtje për jetën ta shfaqin menjëherë shpirtin rinor të këtij burri 85 vjeçar, që nuk e kishin mposhtur dot as 35 vitet që ai i ka kaluar në rrathët e tmerrshëm të ferrit komunist.
***
Ilia është biri i një prifti ortodoks, Vasil Thereckës, ndërsa nëna e tij rrjedh nga një derë e fisme e qytetit të Beratit. Ajo ka qenë stërmbesë e patriotit dhe veprimtarit të madh beratas për çlirimin e vendit, Babë Dudë Karbunara. I ati i vdiq i ri, kur ishte 43-44 vjeç në vitin 1947, duke e lënë Ilian fare të vogël, ndërsa e ëma u detyrua të bënte punë të ndryshme, pasi mbeti vetëm. Në vitin 1950 Ilia Therecka mbaron shkollën 7-vjeçare me nota maksimale dhe, siç ishte praktika e asaj kohe, ai zgjidhet mes 100 nxënësve që u dërguan në Jugosllavi. Më pas, Therecka fiton një bursë për në gjimanzin e Gjirokastrës ku vazhdon studimet. Në vitin e dytë të gjimnazit një lojë fëmijësh do të bëhej shkak që jeta e Ilias të merrte një rrjedhë të paimagjinueshme, dhe ai të etiketohej nga sistemi si një nga ‘armiqtë e atdheut’.
Ai tregon se dallonte nga të tjerët nga veshjet e mira, për shkak se i shoqi i hallës së tij u dërgonte nga Amerika ndonjë pako me rroba. Gjithashtu, Ilia ishte çapkën nga natyra dhe i pëlqenin këngët. Madje ai na tregon edhe një histori që ia kishte treguar Dritëro Agolli, pas rënies së regjimit. Ilia Therecka ka studiuar në të njëjtën shkollë paralel me shkrimtarin Ismail Kadare, ndërsa Dritëro Agolli ishte dy klasa më lart.
“Të shikonim ty ne fshatarët e tjerë dhe thoshim, u bë ky, i biri i priftit të vishet më mirë se ne”, i kishte rrëfyer Agolli gjatë një bisede.
Therecka tregon se kur ishte në vitin e dytë, shoku i tij, Thanas Dhespa, do të shkonte në fshatin e tij për festën e ‘Shën Thanasit’ më 16-17 janar. Rruga që ai do ta përshkonte më këmbë deri në fshat kalonte përmes një pylli dhe ishte e rrezikshme, ndaj një oficer nga i njëjti fshat me Thanasin që e takoi rastësisht, i dha këtij të fundit një revolver që ta kishte për vetëmbrojtje. Therecka tregon se ku u kthye në konviktin e shkollës ‘Asim Zeneli’, ai ia tregoi revolverin një shoku të klasës dhe i thotë me shaka se kishte ndërmend të vriste dikë që ata e njihnin.
“Kur e merr vesh se ku e kishte fshehur revolen, ai gjatë mësimit del dhe pasi e merr dhe ia çon Sigurimit të Shtetit. Gjatë pushimit ky shoku po më pyeste nëse e kisha parë vlonjatin që i kishte treguar për armën. E pyeta se çfarë kishe ndodhur dhe për çfarë arme bëhej fjalë dhe kur më tregoi si ishte puna, e kërkuam nëpër gjithë Gjirokastrën deri në orën 10 të natës. Thanasi vendosi ta priste se mos vinte, ndërsa unë ika në konvikt.
Dënimi i parë
Pas mesnate më zgjojnë me forcë dhe kur hap sytë shoh që në dhomën e konviktit ishin policë të armatosur. Të gjithë nxënësit ishin alarmuar. Më vunë menjëherë hekurat. Ndërkohë kisha edhe një shok nga Shkodra, Bajram Mesi, e morën edhe atë. Ai nuk dinte gjë fare për këtë muhabet. Pas mak morën edhe Thanasin. Na hipën në makinën e Sigurimit dhe pasi na i përplasën një herë kokat të treve na futën në ca biruca të ngushta, një metër e gjysëm, ku nuk mund të rrije dot as në këmbë dhe as ulur.”
Gjatë hetimeve, një avokat mbrojtës u ishte drejtuar atyre me një letër, pasi nuk lejohej që të pandehurit dhe avokati të takoheshin. Në letër ai u thoshte që e gjithë klasa kërkonte lirimin e tyre, ndaj ata duhej të paronin çdo gjë që u thoshin.
“Ka qenë janar i vitit 1952, unë isha 16 vjeç dhe ky avokat ishte një kushuriri im, ndaj ne pranuam të firmosnim në kuesturë atë që na dhanë”, rrëfen Therecka.
Pas 6 ditësh atë dhe të tjerët i çojnë në kalanë e Gjirokastrës. Therecka tregon se Kalaja kishte disa qela që në atë kohë ishin me çimento. Këto qela laheshin çdo ditë nga të burgosurit. Ishin diku te 15 qela nga njëra anë në dhe 15 nga ana tjetër, ndërsa në mes ishte një si tip trotuari i gjatë. Këto qela ishin plot me njerëz, prej tyre herë pas here nxirrnin të vdekur. “Mjerë ai që ka qenë te kalaja e Gjirokastrës”, kujton Therecka ndërsa sjell ndërmend tmerrin e atyre pamjeve.
“Futu aty, – më tha polici. Ishte dimër, binte borë kiamet dhe unë kisha në trup disa rroba të holla doku. Sapo pashë hapësirë u gëzova dhe u shtriva. Kur pas pak pashë që trupin e kishta të lagur, sepse uji futej nëpër dhoma kur lahej oborri i jashtëm, por këto që nuk kishin njerëz, dy të tilla, mbanin ujë akoma. Unë kisha fjetur mbi ujë atë natë. U tmerrova se kapota e vetme që të jepnin ata kishte ngrirë në çimento.”
Pas 5 muajsh qëndrimi aty i nxjerrin në gjyq, ku atë dhe shokun e tij i dënojnë me nga 20 vjet burg, maksimumi që ishte atëhere. Prokurori, kujton Therecka, na tha se kaq pak ishte për shkak të moshës, ‘se po të ishit më të mëdhenj do të hanit plumbin kokës’. Pasi i mbajnë aty edhe 6 muaj i nisin drejt Kuçovës ku do të ndërtonin aeroportin. Këtu Ilia Therecka kujton një episod të trishtë se si makina kishte ndaluar mu përpara shtëpisë së tij. Ishte ora një pas mesnate dhe ai, as 17 vjeç, shikonte shtëpinë dhe mendonte njerëzit që flinin brenda në të ngrohtë. Një ngrohtësi që atij do i duhej të kalonte shumë vite nëpër qelitë dhe galeritë e ftohta të burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar për t’ia ndjerë shijen.
Therecka kujton se pas dy vjetëve në Kuçovë, në vitin 1953 i çojnë për të ndërtuar aeroportin e Rinasit, i cili, sipas tij, asokohe ishte si një pyll afrikan. Aty ai njihet me Jusuf Vrionin, Tomor Ypin, Sami Repishtin, Foto Balën, Spiro Pishën dhe plot intelektualë të tjerë. Më pas e transferojnë në kanalin Gjosh-Levan-Fier, në Spaç, Bulqizë, Burrel, në burgun e Vlorës, në Skrofodinë, në liqenin e Nartës, e në shumë vende të tjera.
Therecka kishte zënë miqësi me të gjithë intelektualët, sidomos me Jusuf Vrionin, i cili e shihte Ilian si pasuesin e tij për sa i përket gjuhës frënge.
“Frëngjishten kam filluar ta mësoj që kur isha në kampin e Beratit, me një mikun tim nga Kavaja, Naum Bidoshi, i cili kur gatuante unë i shkoja aty, se nuk kishim kohë tjetër: aman Naum, kam nja dy fjalë, – hë, më thoshte mua dhe i frynte zjarrit.”
Një ndihmë e madhe për Thereckën në mësimin e frëngjishtes ka qenë, përveç Vrionit, edhe Skënder Konica, nipi i Faik Konicës. Therecka thotë se kur dilnin për t’u ajrosur dy herë në ditë nga një orë, Skënder Konica e detyronte të fliste vetëm frëngjisht. Kur i thoshte diçka gabim, ai e korrigjonte. Kjo vazhdoi për dy vjet ndërsa ishin në burgu e Tiranës, pasi dy vjet më vonë e transferuan në burgun e Vlorës. Therecka rrëfen se në burgun e Tiranës flinin kokë më kokë. Të burgosurit futeshin nga 40-50 veta në një qeli sa dhoma e një apartamenti. Të gjithë flinin në çimento mbi rrogoza me nga një hapësirë të ngushtë në mes.
“Shpesh herë vinte policia edhe dy herë në ditë dhe detyroheshim t’i përmbysnim dyshekët që të kalonin ata të kontrollonin me hekura mos hapnim ndonjë vrimë.” Ky ishte dënimi i parë që zgjati 13 vjet, deri në janar të 1965-ës.
Dënimi i dytë
Pasi del nga burgu Therecka punon dy vjet e gjysëm si marangoz. Në krye të dy viteve atij i heqin kategorinë, duke u kapur pas një rasti banal.
“Po merrja ca dërrasa në një sekor të NSHN-së dhe pashë një arkë të hedhur, të cilën e mora për të bërë një kasë atje ku punoja. Një shofer raportoi dhe tha, ky e vodhi arkën. Ata përfitua nga revolucioni kinez, më nxorën para gjithë brigadave dhe më akuzuan se kisha vjedhur arkën.”
Gjithçka po bëhej e vështirë në Shqipëri për Thereckën, ndaj ai vendos të arratiset se bashku me një shok, i cili kishte qenë ca kohë ushtar në Kukës, por nuk e njihte kufirin. Atëhere, Ilia gjen një hartë të Shqipërisë nga e cila pret zonën e Kukësit nga do të kalonte. Më pas takon të bijën e Tuk Jakovës, të cilën e ishte njohur pasi shkolla e saj ishte afër vendit ku punonte. Pasi arrin të gjejë një busull nëpërmjet saj niset bashkë me shokun e tij drejt Kukësit. Kur mbërrijnë atje tentojnë të kalojnë nëpër Drinin e Bardhë, por nuk arrijnë dot sepse lumi ishte shumë i rrëmbyeshëm. Nisën më këmbë dhe arrijnë pa i parë njeri deri në Prizren në krye të tri ditëve. Pasi qëndrojnë ca ditë te një familje vendosin të dorëzohen tek UDB-ja. Por, për fatin e tyre të keq UDB-ja i kthen mbrapsht dhe i dorëzon në kufi tek autoritetet shqiptare. Therecka dhe shoku i tij e marrin me mend se aty nuk i pret gjë tjetër veç vdekjes. Ai shpjegon se këto kthime të të arratisurve në ish Jugosllavi bëheshin në formë shkëmbimi.
“Në atë kohë ishte Tito në fuqi, kishte rrëzuar Rankoviqin dhe shumë kosovarë arratiseshin dhe vinin në Shqipëri. Shqipëria nuk i kthente. Kështu kur ata kapnin shqiptarë të arratisur i shkëmbenin me kosovarë që ishin arratisur në Shqipëri. Kur na kthyen ne të dy, ata morën në këmbim dhjetë veta.”
Ashtu siç e priste, Therecka mbahet 5 muaj në izolim dhe më pas dënohet me vdekje. Sigurimi kishte kurdisur edhe disa dëshmitarë kundër tij që të ‘çimentonin’ aktakuzën. Prokurori i heq edhe fjalën e fundit që Ilia do të thoshte në mbrojtje të tij. Në atë kohë, ishte tetor 1967, ishin hequr avokatët mbrojtës dhe duhet të fliste vetë i pandehuri pas vendimit të prokurorit dhe më pas vendoste gjykata. Për të respektuar këtë ligj, gjykatësi vendosi që t’ia jepte të drejtën e fjalës Thereckës. Ai tregon se kur u ngrit për të folur kishte sjellë në vëmendje padrejtësitë e sistemit në dënimin e tij të parë.
“Fon Paulis, i thashë, udhëhiqte një armatë të tërë dhe kur ushtria sovjetike e udhëhequr nga Stalini e rrethoi në Stalingrad, nuk ekzekutoi asnjë dhe këtë e dënoi vetëm me 9 vjet burg dhe sot e kësaj dite ai punon në një lulishte të Hamburgut. Perandorin e Mançurisë e kapën sovjetikët, e dënuan 10 vjet, bëri 5 vjet dhe sot është në Mançuri. Ndërsa unë pa mbushur 17 vjeç më kapin më fusin brenda, më mashtrojnë me anë të një spiuni që të pranoj të gjitha akuzat. Ky është një turp dhe një poshtërsi e madhe”.
Ndërsa Therecka fliste, jashtë ishin vënë altoparlantë dhe të gjithë beratasit dëgjonin. Ai kujton se edhe kur iu dha titulli ‘Qytetar nderi i Beratit’ dhe një rruge të këtij qyteti iu vu emri i tij, shumë qytetarë të Beratit e mbanin mend fjalimin e tij.
“Pastaj gjykata u tërhoq dhe pas 10 minutash u kthye ku dha vendimin pëfundimtar që më dënonte me vdekje. Nënës time që ishte aty e pranishme i ra të fikët. Gjatë kohës që isha dënuar me vdekje, tri herë gjatë natës, pas orës 1.00 ka ardhur polici, më ka hapur derën dhe më ka marrë për të më çuar në zyrën e hetuesit. Herën e parë më pyeti për Maksut Dërrasën, një nga kirurgët më të mirë që ka pasur Shqipëria. Ai ishte shok me Dhimitër Shytin, kushuri i parë i nënës sime, edhe ai mjek shumë i mirë, punonte tek Onkologjiku. Ti ke folur me të, më tha. Jo, i thashë. Dëgjo, tha, se kjo të fal dënimin. Jo, i thashë, nuk kam folur me të. Firmos këtu, më tha, kishte përgatitur shkresën që thoshte: Në rast se në të ardhmen, po të më falej jeta, rezulton se Maksut Dërrasa pranon se ka folur kundër pushtetit me Ilia Thereckën, ne do të marrim dhe do të të ekzekutojmë. Unë firmosa.
Herën e dytë më pyeti për Viktor Stradobërdhën, ka qenë miku im, kemi qenë në një burg bashkë. E njëjta gjë edhe për këtë. Firmosa. Në fund më pyetën për motrën e babait tim që jetonte në Shkodër dhe burri i saj, tregtar i madh jetonte në Itali. Donin që edhe hallën time ta fusnin në burg, ajo ishte 60 vjeçe atëhere. Pas 18 ditësh erdhi drejtori i burgut. Zgjidhe, i tha policit. Dëgjo këtu, tha, me sy të shtrënguar, qeveria ka vendosur të të falë jetën, një ka qenë në favorin tënd te gjykata e lartë. Më dënuan me 25 vjet, se aq ishte bërë atëhere maksimumi. Jam liruar në shkurt të ’89. Saktësisht kam bërë 34 vjet, 8 muaj e 3 ditë burg.”
Therecka tregon se në burg mësonte gjuhë të huaja, si frëngjishten, gjermanishten, anglishten, italishten, si dhe astronominë dhe astrofizikën. Në burgun e Burrelit zë shoqëri me Pjetër Arbnorin, me të cilin mëson të dyja metodat e gjermanishtes. Më pas miqësohet me Simon Jubanin, Mikel Koliqin dhe tenorin Luk Kaçaj.
“Shpesh herë, në orën 3.30, Radio Tirana jepte një emision operistik, arie nga opera. Unë bashkë me Lukën, edhe kur binte shi mbuloheshim me një mushama dhe rrinim poshtë altoparlantit vetëm për të dëgjuar ato. Luka i shoqëronte nganjëherë. Mbrëmjeve kur shëtisnim bashkë zinim ndonjë qoshte, se ishte oborri i madh, dhe Luka këndonte pjesë operistike. Ka qenë më i mirë se Kristofi, tenori bullgar.”
Në krahët e lirisë
Ilia Therecka lirohet në shkurt të vitit 1989. Ai rrëfen se në atë kohë sapo kishin filluar të lëviznin gjërat. Ditën që u hapën ambasadat në Tiranë, Ilia kujton se, ‘për dreq’, e merr vesh në orën 7.30 nga RAI. Kur vjen në Tiranë dëgjon se organet e Sigurimit kishin filluar të jepnin pasaporta të kuqe për të dalë jashtë shtetit, por duhet të kishe një garant që të priste.
“Kur bisedova me ca miq që kishim qenë në burg, ata më thonë ‘mos se është kurth për t’ju futur brenda’. Punë e madhe, thashë, kam bërë 35 vjet, le të bëj edhe 50 të tjera.”
Pasi e merr pasaportën, një mik i tij i jep adresën e motrës së ve që jetonte në Jugosllavi për ta përdorur si garanci. Por në Ambasadën Jugosllave nuk arrin të futet pasi aty ishin me qindra njerëz dhe futet tek ajo Italiane. Aty takon zv/ambasadoren dhe i thotë se kërkon të kalojë në Itali bashkë me shokun e tij që kishte gruan shtatzënë me dy fëmijë. Ajo u jep të plotësonin disa dokumenta dhe të ktheheshin pas dy ditësh, por gjatë kësaj kohë u ndodh diçka e papritur. Gruaja e shokut të tij që ishte shtatzanë lind të nesërmen, por duhej që fëmija të ishte mbi 15 ditësh që të figuronte në pasaportë. Atëhere zv/ambasadorja u jep një zgjidhje ‘alla shqiptare’: “Dil jashtë, i thotë, gjej një fëmijë tjetër pak më të rritur dhe bëji një fotografi, e ma sill”.
“Pasi e bëmë këtë, u morëm vesh me një peshkarexhë. Unë kisha 20 mijë lekë që asokohe ishin shumë, ndërsa shoku im kishte njerëz në Greqi dhe kishte grumbulluar 120 dollarë. Gjatë gjithë rrugës ishim me frikë se mos na arrestonin deri kur dolëm në Brindizi.”
Këtu Therecka ndalet dhe tregon një histori komike që kishte ndodhur me një shqiptar gjatë ambasadave. Në atë kohë godina ku kishte qenë Ambasada Sovjetike ishte bërë Ministria e Arsimit. Një burrë, i cili e dinte se ishte akoma ambasadë, kaloj përtej murit dhe futet brenda. “Ku vete more, – i thotë polici – futu po deshe po kjo nuk është ambasadë, është Ministria e Arsimit”. Por ai kishte menduar se polici po e gënjente dhe kishte qendruar aty për orë të tëra.
Kur arriti në Itali, Thercka punoi rreth 6 muaj në “Tolstoi Foundation”, që merrej me personat të cilët donin të iknin në Amerikë. Ilia merrte të dhënat e personave dhe pasi i përkthente i niste për në Ambasadën Amerikane. Kur ata e panë punën që bënte i ofruan punë në Ambasadë si përkthyes. Puna aty i dha edhe mundësinë Thereckës për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.
Në dhjetëditëshin e parë të Janarit të vitit 1991, Therecka mbërrin në Nju Jork. Prej aty, ai përfundon në një zyrë të Karitasit në Hartford, Konektikat, ku punon në një fabrikë elektronike për një vit. Aty njihet me Artur Liolinin, një prift shumë i dëgjuar në Boston, i cili kishte shërbyer në kishën e ‘Shën Mërisë’, ku kishte shërbyer edhe Fan Noli. Therecka tregon se aty ishte edhe Sejfi Protopapa, shumë i njohur në SHBA, ku kishte punuar si profesor. Ilia tregon se kishin qenë duke ngrënë drekë në restorantin ‘Pier Four’ të Antony Athanas në Boston, ku i kishin thënë nëse kishte dëshirë të punonte te “Zëri i Amerikës”. Ilia u ishte përgjigjur se nuk e qaste njeri atje, pasi ai nuk kishte mundur të kryente dot më shumë se dy klasë gjimnaz dhe vetëm gjuhët e huaja nuk mjaftonin. Por Liolini kishte këmbëngulur se do të fliste vetë me Elez Biberajn për këtë punë. Me Biberajn foli edhe Sejfi Protopapa dhe më pas ai kërkoi të fliste vetë me Thereckën. Pasi e kishte dëgjuar ishte habitur me saktësinë që ai e fliste anglishten dhe kishte dërguar tek ai një grup specialistësh për ta marrë në provim.
“Më bënë një provim prej 5 orësh, si flisja, si përktheja, të gjitha ato që u duheshin atyre. Më pas pyetën në Shqipëri me rrënjë e me degë dhe pas më mori Elez Biberaj dhe më tha brenda 10 ditësh të dua këtu. Në shkurt të 1992 nisa punë te Zëri i Amerikës si përkthyes dhe folës.”
Therecka ka punuar te ‘Zëri i Amerikës’ për shumë vite, ndërsa në Shqipëri është kthyer në vitin 2010. Në lidhje me shpërblimin për vitet e burgut ai thotë me keqardhje se i kanë mbetur edhe gjysma e kësteve për të marrë. “Sikur të kishte mundësi shteti, meqë nuk ka njerëz që kanë bërë 35 vjet burg, a mund të më bëhet një privilegj që atë që më ka mbetur të ma japë, që ta gëzoj me që mbeta gjallë”, thotë ai.
Ilia flet qetë, ngadalë dhe asnjë fjalë e pakontrolluar nuk del nga goja e tij. Ai nuk ndjen urrejtje dhe as i mallkon përndjekësit dhe xhelatët e tij. Përkundrazi, ai shprehet se i fal ata, duke lënë Zotin gjykatësin e tyre. Në fjalët e tij ka atë që i qet zemra, ashtu siç thotë e shoqja, Flutura, me lot në sy nga emocioni. Ajo kujton një çast kur ai i propozoi për martesë.
“Unë ju përgjigja se është diçka që nuk bëhej, sepse unë, edhe pse përulem para vuajteve të tua, ka kaluar një jetë të qetë, të gëzuar, ndërsa ti ke parë tmerr me sy. Pikërisht për këtë, mu përgjigj Ilia, unë do të shoh tek ti gëzimin që më ka munguar”.
Komentet