Ka ikje që të lejnë bosh, pa fjalë, pa dëshirë e deri pa lot. Kështu më la humbja e mikut tim Pirro Dollani.
Iku mësuesi i letersië që i spjegonte nxënësve Shekspirin;
violinisti që adhuronte violinën të cilën e dëgjoi deri sa mbylli sytë;
perkthyesi që na solli kryeveprat bashkohore amerikane;
drejtuesi i bibliotekës që na mësoi si ta dashuronim librin;
babi i një familje të përkryer;
i biri babë Dudës, atij burri që pranoi të punonte llustraxhi për të mbajtur familjen vetëm mos t’i përulej pushtetit.
Iku një Njeri i vërtetë.
Por kjo ikje dhemb më shumë kur muret e shkollës ku ai dha mesim u shembën bashkë me memorien e zërit;
kur violina heshti si atëhere kur nuk i dhanë të drejtën e studimit;
kur biblioteka e qytetit vazhdon e asfiksuar nga mungesa e godines dinjitoze;
kur babai i tij bie në harresë edhe pse vuajti burgun absurd komunist “për shkak të shkollimit dhe njohjes së gjuhës angleze”.
Por…por Njeriun, njeriun e mire Pirro Dollani askush do mundë ta mbulojë me hijen e harresës.
Sepse ai Njeri ka Dritë!
Nuk mund të isha në lamtumirën e tij…Por në mbremje vonë, këtu në Nazaré të Portugalisë me zhurmen e oqeanit në dritare, lexoj të gjithë korrespondencën me të ndër vite. Dhe kam dëshirë të ndaj me ju një pjesëz nga një letër e tij e cila më pat prekur shumë, …me shpresë se Pirro do të ma lejojë.
“Unë tani që po shkruaj ndodhem në spital duke bërë ciklin e 7-të të kimeoterapisë. Meqë jemi në fushën e artit po të them diçka të bukur që më ndodhi këto ditë. Në Las Vegas është hapur një qendër kulturore, moderne, që quhet The Smith Center for the Performing Arts dhe më datën 29 prill do të jepte koncert Joshua Bell ku do të luante Bethovenin. Natyrisht, unë kam patur fatin t’i shoh Perlmanin, Sternin, Joshua Bell nga dy herë. Këtë rradhë një kolege në punë që e di se unë jam amator i muzikës më tha që do te vish të shohësh Joshuan. I thashë kam shumë dëshirë, pasi dua ta shoh edhe Qendrën e re, por mjeku më ka thënë që të mos shkoj në vende publike. Ajo për vete kishte blerë bileta për të shkruar me të shoqin.
Më datë 30 shkova për disa minuta në zyrë, kur më vjen kjo kolegie me dy-tre të tjera dhe më zgjet një pako dhe më thotë hape. Natyrisht u skuqa dhe rezistoja ta hapja. Hape më tha se është për ty dhe do të pëlqejë. E hapa dhe aty ishte një fotografi me autograf nga Joshua Bell me shënimin “Pirro qendro i fortë.” U emocionova dhe nuk kuptoja sesi kishte arritur ta bënte këtë. Pastaj ishte edhe një pako, ku ishin 4 CD e tij. Nejse pa dashur të zgjatem, kjo kolegia kishte marrë edhe një kamera me vete dhe bëmë një foto të gjithë bashkarisht. Atë ditë në mëngjes u shtrova në spital…”