Ikona e muzikës shqiptare Prof.Roberet Radoja mbushi më 15 prill 85 vjeç. Emri i tij është i ndritur sepse ai i ka dhënë pa fund kulturës shqiptare. Pallati i Pinonerëve identifikohej me emrin e tij. Gjithë fëmijët e talentuar shqiptarë e kishin Pallatin e Pionierëve si një “Mekë”, si një “Mekë Mbretërore” ku edukohet arti, muzika dhe zbuloheshin talentet më të shquara në sajë të një njeriu të madh. Prof.Robert Radoja ia ka dedikuar gjithë jetën kulturës, dmth kombit, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm. Voal.ch duke i uruar dekada të tjera jete, sjell një biografi të shkurtër të Prof. Radojës dhe copëza intervista që Prof.Radoja ka dhënë në kohë.
Robert Radoja lindi më 15 prill 1938. Ai është një Artist i shquar, kompozitor, pianist dhe pedagog shqiptar.
Biografia
U lind në Bolonja. Në vitin 1951 fillon studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. I mbaron ato në vitin 1959. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për Piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në Radio Televizion ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë. Në vitin 1981 emërohet Redaktor i Muzikës në kinostudion “Shqipëria e re”. Në këtë detyrë ai do të punojë deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 do të jetë edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë prej datës 13 deri në 15 dhjetor të viti 2002,puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”.
Më vonë është nderuar edhe me titullin “Mjeshtri i Madh”, por do të duhet të nderohet me dekoraten më të lartë sepse është Nderi i Kombit.
—
“Profesor Robert Radoja, i ftuar në programin “Dola te Ola” tregon fragmente të jetës së tij përmes ngjaljes së kujtimeve përmes fotografive. Profesor Radoja ka lindur në Bolonja të Italisë dhe në program tregoi se familja e tij ndodhej aty pasi babai i tij kreu studimet. Profesori tha se familja e tij është kthyer në Shqipëri kur ai ka qenë rreth 5-6 muajsh.
I ati ka qenë agronom dhe dëshira e tij ishte që të hapte një fermë, gjë që e realizoi në Shkodër pasi u kthyen nga Italia. Ai tregoi se babai kishte studiuar me bursën e shtetit dhe e kishte më shumë se detyrim të kthehej sapo të mbaronte studimet në Itali, pasi duhet të shkonte aty ku shteti kishte nevoja.
“Prindërit janë gjithçka”, tha profesor Radoja kur u pyet për marrëdhënien që ka patur me ta. Profesori tregoi se familja ka qenë një mbështetje e madhe në jetën e tij, teksa shtoi se tashmë ka ndryshuar mentaliteti i shoqërisë dhe figura prindërore është zbehur paksa. “Babai ishte kolona e shtëpisë, ndërsa mamaja shpirti i saj”
Tek “Dola te Ola” Prof Radoja tregon për bashkëshorten e tij që u nda nga jeta shumë e re. Prof.Radoja thotë se pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, Tatjanës, ai nuk u martua dhe ia dedikoi jetën dy djemve.
Tatjana Radoja, e cila ka interpretuar edhe në filma si “Përballimi”, “Ndërgjegjja”, “Streha e Re”, u nda nga jeta në moshë të re nga një sëmundje e rëndë.
“Bashkëshortja ime iku e re. Më dhuroi dy djem të bukur. Ishte mësuese frëngjishteje. Fati nuk i buzëqeshi për jetën”, tha ai, teksa shtoi se e ka njohur që fëmijë në korin e Pallatit të Pionierëve, ku ishte edhe soliste, dhe më pas janë ritakuar në Festivalin e 11 të Këngës.
“Djemtë u rritën pa nënë”, tha profesori mes emocionesh, por shtoi se nuk ka asgjë në jetë që nuk përballohet. Djali i madh i tij jeton në Gjermani dhe merret me art, madje drejton një grup, ndërsa i vogli punon në media, montazhier dhe ilustrim muzikor. Profesor Radoja u shpreh se është një baba krenar për të dy djemtë e tij.
./29 Janar 2023
Robert Radoja rrëfen jetën mes dy sistemesh: Me bukë me triskë, por kishte teatro, frikë e xhelozi. Pengjet? “Thes” që nuk mund ta hap
Kompozitori i njohur, Robert Radoja, vjen në një intervistë në ‘News 24’, ku rrëfen jetën mes dy sistemesh. Ai kujton fëmijërinë e hershme dhe emrat që e shënjuan karrierën e tij, deri edhe te talentet që zbuloi. “Kur mbarova shkollën, s’doja të ikja nga Tirana dhe qëndrova te Pallati i Kulturës”, thotë ai, ndërsa tregon si zbuloi talente si Irma Libohova, Suzana Frashëri, Elsa Lila, Inva Mula a Ermonela Jahon.
Mandej kujton fëmijërinë e tij. “Njohja ime me Avni Mulën ndodhi që kur isha fëmijë. Më jepte mësim dhe deri diku ndikoi te unë. Më vonë, isha në Tiranë kur erdhi në Pallatin e Pionerëve, Nina Mula me erdhi me Invën përdore e më takoi. Më tha ta shihja nëse ka talent. Inva ishte fëmijë perfekt, e njoha kur ishte 8-vjeçe”.
Ermonela Jaho veçohet për interpretimin, i jep shpirtin skenës. Ajo është e natyrshme dhe vë veten në role”, vëren Radoja.
Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, janë modelet e tij në art. “Modeli im më i mirë, Tonin Harapi. Edhe Prenkë Jakovën e njoha shumë herët në Shkodër. Jakova vinte në shtëpinë time me Ndoc Shllakun, ishte shumë serioz, perfekt dhe kërkues dhe vinte nga familja Jakova që ishte familje e madhe”.
Kur pyetet për fatin e trishto të Prenkë Jakovës, vdekjen e tij në moshë të re, pas problemeve që familja e tij pati me sistemin komunist, Radoja thotë: “Çdo sistem ka faqen e zezë, por art u bë.
Jetonim me bukë me triske, por u hap teatri. Të mos ngatërrohemi, se fjala “pioner” vjen nga anglishtja, Lindja e huazoi nga Anglia. Më 1946 kishte analfabetizëm, por u zhduk më pas”, thotë kompozitori.
I pyetur për vitet 1970, kur shumë artistë ranë pre e spastrimeve që bëri Parytia Komuniste, kompozitori Robert Radoja pranon: “Të gjithë kemi pasur frikë asokohe. Ata që thonë se ishin të lumtur, e kishin këtë frikë. Diktaturë do të thotë “të bësh si them unë”.
Sa i takon artit në komunizëm dhe funksionit të tij propagandistik, Radoja ka një shpjegim: “Filmat po, kishin propagandë por kishin edhe artistë të jashtëzakonshëm që luanin në to”.
Si një krahasim mes dy kohëve, ai thotë se ka më shumë varre në demokraci se sa para 1990-ës, e ndërsa vihet para konstatimit se varret e komunizmit mungojnë sepse 6 mijë vetë janë të zhdukur dhe pa varr, profesori, vë në peshore dy kohët e sistemet politike: “Ka të zhdukur në komunizëm e në liri, mos e harroni Remzi Hoxhën”.
Ai ndalet edhe te miqësia me Robert Papavramin. “Çështja e Papavramit është histori me vete, ju dha një mundësi dhe e shfrytëzoi”. Kur pyetet për pengjet, Radoja pohon se është një “thes” që nuk mund ta hapë.
“Kemi jetuar më të bukurën e jetës dhe jam mirënjohës. Dikur kishte xhelozi dhe kritika ishte duartrokitja e atyre në rresht të parë. Nëse duartrokisnin ata e kishe kaluar, nëse jo, kishe probleme”, thotë Radoja duke nënkuptuar ekipet e censurës, dhe në fund pranon: “Këto janë mendimet e mia, janë të kontestueshme doemos”.(BalkanWeb)/7 Korrik, 2021
Robert Radoja: Komunizmi mohoi 70 vjet muzikë –
TIRANE – Nëse lexon historinë e muzikës që jepet sot në shkollat e artit, mungon ende një pjesë e rëndësishme e saj. Gati 70 vjet histori muzikore e mohuar, që nis me vitin 1881, mbulohet me pluhurin e harresës. Ajo qëndron ende “e konfiskuar” prej bibliotekës së Kolegjit Françeskan te arkivat e shtetit. Por, ai material që qëndron në arkiva nuk është thjesht një histori muzike, është edhe pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare. Nuk ka sesi të jetë e rastit që vepra e parë muzikore marshi “Bashkimi Kombëtar” të kompozohej pikërisht kur u bë Lidhja e Prizrenit (1878 – 1881). Ndaj është çasti të themi “më mirë vonë se kurrë” për të trokitur në kujtesën e humbur të historisë së muzikës së kultivuar shqiptare apelojnë muzikantët e njohur. Historia e muzikës së kultivuar shqiptare “nis në vitin 1946”, thotë me keqardhje ikona e muzikës shqiptare Prof. Robert Radoja. Në këtë bisedë interesante me Radonë, duke i shtyrë pak nga pak tej në histori datat e zanafillës së muzikës së kultivuar shqiptare kemi zbuluar rishtas autorë, vepra të panjohura, të dhëna interesante, një pjesë e të cilave lidhen me koncertin që u dha mbrëmë në teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Radoja thotë se i ka ndjerë e prekur vetë këto vepra të harruara, duke i përpunuar me dashuri dhe emocion tingujt në piano për koncertin që u quajt “Pena e muziktarëve rilindës”.
Duke marrë shkak nga surprizat e këtij koncerti në këtë intervistë rishkruhet edhe njëherë historia e muzikës shqiptare të kompozuar nga Palok Kurti, Fan Noli, Lec Kurti, Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu, Mikel Koliqi, Prenk Jakova dhe Kristo Kono, etj. Kjo histori muzikore ende e pashkruar zbulohet pasi Zhani Ciko u ka hequr pluhurin disa veprave të ruajtura në arkivat e shtetit. Publiku duartrokiti pjesë që historia e derisotshme e muzikës shqiptare nuk i ka ende të shkruara.
Ajo që u theksua gjatë organizimit të këtij koncerti është dokumenti i parë i muzikës shqiptare që daton në shekullin e 19-të. A mund të na thoni se deri ku shtyhet historia zanafillore e muzikës së kultivuar shqiptare? Prof.Robert Radoja: Unë ruaj në kujtesë disa autorë të nivelit të profesionistëve, që kanë filluar historinë tonë të muzikës. Shembull ne kemi një kompozitor profesionist Palok Kurtin që lindi në Shkodër më 1860-n dhe ka vdekur më 1920-n. Ai ishte kompozitori dhe muzikanti i parë që dha sinjalin ? lindjes së artit të ri të kultivuar. Ai është autori që kompozoi edhe “Bashkimi i Shqipnís” më 1881-shin. Të parët e mi tregojnë se ai përpunonte dhe aranzhonte këngët popullore, kryesisht ato qytetare. Në vitin 1880 ai u bë drejtuesi i parë i një bande muzikore, ku ishte dhe kompozitor i saj.
A kishte një traditë të mëhershme ku u kultivua Palokë Kurti? Prof.Robert Radoja:-Sigurisht. Palokë Kurti ka qenë mjeshtër i muzikës. Ai ka dhënë mësime me piano në Shkodër. Ka një dokument ku thuhet se rreth 11 familje të kamura në Shkodër kishin piano. Njiheshin në atë kohë edhe mjediset e ahengut të njohur shkodran dhe muzikantët mësoheshin nga françeskani i njohur, Pater Toma. Aftësitë e Palokë Kurtit si muzikant i flaktë, e bënë atë që shihte si drejtuesin e bandës muzikore të qytetit. Banda sapo kishte nisur të ngrihej. Disa vegla muzikore i solli nga Napoli vite më parë Pater Toma. Një mjeshtër italian Giovanni Canale i ka dhënë edukimin muzikor Palokë Kurtit, duke i mësuar pianon dhe disa instrumente frymorë. Në të parën orkestër frymore e qytetit të Shkodrës 18-vjeçar, Palok Kurti ishte një ndër të 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor. Pra, Shkodra vetë në ato vite ka pasur një zhvillim muzikor. Në veprat e tij renditen shumë vepra të muzikës shqiptare të kultivuar, por një nga ato që është gjetur në arkiva është marshi që titullohet “Bashkimi i Shqipërisë” dhe sigurisht bëhet fjalë në 1881, dhe ky marsh është lindur me Lidhjen e Prizrenit. Të çudit fakti se vepra e gjetur është e shkruar në një mënyrë të përsosur profesionalisht. Atmosfera e atij marshi është për t’u çuditur se është si gjithë marshet e tjera të kohës evropiane.
Është dhënë ndonjëherë në publik ky marsh? Prof.Robert Radoja:-Asnjëherë.
Ka pasur tekst? Prof.Robert Radoja:-Jo është pa tekst. Është thjesht muzikë.
Çfarë dini për kompozitorët që shkruan historinë e muzikës shqiptare? Prof.Robert Radoja:-Në Shkodër ka katër breza kompozitorësh. Palok Kurti është i pari, pastaj vjen prapë një tjetër Lec Kurti, që edhe ai është marrë me muzikë, ka studiuar shumë romanca, ka shkruar shumë pjesë muzikore, edhe ai ka studiuar në Itali në konservatorin e Venecias. Është marrë me diplomaci në gjithë kohën e vetë dhe deri në ’78-ën është marrë me muzikë. “Aria Arbëreshe” e shkruar prej tij në italisht. Nënteksti është një performancë patriotike. Këtë më ka qëlluar ta njohë mirë se ma besoi Zhani ta luaja për piano. Ta punoja për orkestër dhe të shohim të presim përshtypjen e publikut. Tjetër bashkëkohës është Frano Noja. Edhe ai ka shkruar muzikë interesante, Ka një korale për zëra burrash, që quhet “Vdekja e Pirros”. Është si të thuash një si baladë, si marsh, si marsh funebër. Ka një nëntekst shumë më të fuqishëm patriotik. Martin Gjoka një nga kompozitorët më të mirë 1898-1940. Ai ka qenë në Austri, ka qenë prift françeskan, por të gjithë françeskanët kanë filluar kulturën profesioniste në Shkodër, në kolegjin françeskan. Ai ka shkruar shumë vepra. Një nga këto vepra që u gjet rastësisht në arkiva është një baladë për lirinë, me një tekst në gjermanisht me autor një poet gjerman i shkruar në mënyrë shumë profesionale dhe polifonike. Ai është në arkiva, dhe si e tillë është shumë interesante. Kjo u këndua nga Vikena Kamenica. Pastaj është një rapsodi e një periudhe pak më të vonshme Murat Shehu, pastaj “dy lule mbi varr të Skënderbeut” dhe disa kompozitorë të tjerë që ende kanë muzikë të paekzekutuar ende. Është kardinali ynë Mikel Koliqi që ka shkruar tri melodrama dhe kanë një muzikë shumë interesante. Në këtë kontekst unë do të thosha se historia jonë e muzikës ka nevojë të rishikohet, sepse nuk fillon kur fillon historia e muzikës, ka filluar më përpara.
Ju thatë se kemi një histori shumë më të hershme muzikore se ajo që prezantohet zyrtarisht? Prof.Robert Radoja:-Shumë më të hershme. Ka nisur emrat e rilindësve të muzikës që iu thashë më sipër, pastaj është kthyer në traditë. Vetëm Familja Kurti ka trashëguar katër breza muzikantësh. Ka qenë Palokë Kurti, pastaj Lec Kurti, pastaj vjen Zef Kurti, pastaj vjen prapë Palok Kurti i ri. Unë kam pasur fatin që njoha personalisht këta dy të fundit. Zef Kurti ka qenë drejtor i bankës, por unë e mbaj mend sepse ai ishte tepër serioz si muzikant mbas çdo mbrëmjeje të diele kishte në atë Lulishten e Shkodrës gjithmonë një koncert me bandën. E bënte me shumë pasion. Tradita vazhdoi edhe mbasi ai vdiq. Kurse Palokë Kurti i riu u bë edhe ai muzikant, por pak më modest. Ai ishte burri i aktores Tinka Kurti. Kështu që familja Kurti për gati një shekull ruan në rëndësinë e vetë një kulturë që i ka dhënë shumë muzikës profesioniste në Shqipëri, muzikës së shkruar me nota.
Si mundi të ruhej në arkiva të shtetit kjo traditë, a nuk kishte censurë për autorët si anëtarë të bandave kishtare në diktaturë? Prof.Robert Radoja:-Ka dy kujtesa, kujtesa e shkruar dhe ajo pjesë kujtesës që e ruan tradita, që e transmeton brez pas brezi. Tradita e muzikës vazhdoi në Shkodër, pavarësisht sesi u soll diktatura me autorët dhe pjesët e censuruara. U hoqën nga qarkullimi pjesët muzikore, sepse ishin edhe produkt i institucioneve fetare në Shkodër, që në të vërtetë ishin institucione shumë serioze, por që diktatura nuk i vlerësoi sepse kompozitorët dhe autorët e muzikës së kultivuar kanë qenë priftërinj. Biblioteka muzikore e kolegjit françeskan në Shkodër, nga e cila më ka ngelur edhe mua një libër që e kam kujtim nga Dhora Leka, ka qenë një nga më të pasurat jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ballkan.
Në tekstet shkollore të muzikologjisë kur nis historia jonë e Muzikës? Prof.Robert Radoja:-Në 46-ën. Sa keq!!! Shtyhej edhe pak më tej, sepse nuk mund të mohohej Tefta Tashko, Marije Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, që një pjesë të mirë të aktivitetit të tyre e kanë bërë përpara 40-s, pra kanë qenë ato vitet ’30, që tashmë po dalin në dritë. Eno Koço ka shkruar një libër shumë interesant, i cili është thelluar në studimin e muzikologjisë. Muzika në vite ’30 ka filluar vërtetë të jetë profesionale dhe me njerëz të përgatitur që kanë prodhuar muzikë, siç është Kristi Kono, i cili ka dhanë kontributin e tij dhe më vonë, por bazat ia vuri muzikës më herët. Ishte një shkollë e nisur tashmë dhe s’mund të thuhet se shkolla profesionale muzikore u bë në ’46-ën. Po të kërkosh arkivat ato të thonë shumë mbi këtë histori.
Përmendët censurën, prej vitesh është përmendur censura në letërsi, në arte të tjera, pak është bërë për të riparë censurën në muzikë. Pse? Prof.Robert Radoja:-Muzika ka një natyrë që njeriu ia merr emociononin e jashtëm, edhe ai që nuk e ka kulturën e muzikës e shijon atë, por një nga shkaqet që çdo pjesë instrumentale duhej të kishte një titull ishte pse i mungonte teksti. Ata që drejtonin censurën nuk ishin aq të aftë të kuptonin se çfarë do të thoshte ajo muzikë instrumentale. Sepse ngaqë nuk kishte tekst mendonin se duhet të ishte diçka që kishte lidhje me fenë dhe nuk e kuptonin që mund të ishte një muzikë atdhetare, patriotike. E dyta, censura nuk ka qenë vetëm muzikë, ka qenë edhe njeri, bashkë me personin që dënohej, burgosej e largohej nga jeta publike zhdukej edhe kujtesa edhe vepra. Sigurisht që ka zhvillime muzikore pas ’45-ës, sepse ka pasur një komunikim të heshtur nga tradita e françeskanëve të Shkodrës si Prek Jakova, Tonin Harapi, etj. Ata kanë qenë gjithë dije nga të traditës pa i sollën pas ’45-ës Shqipërisë vepra.
Ju përmendët lulishten ku luhej muzikë. Mund të na thoni pak më tepër? Prof.Robert Radoja:-Në Shkodër ka qenë tradita e koncerteve. Për shembull në sallën e Bashkisë Shkodër janë bërë koncerte deri në vitin 1941-’42. Ka qenë një kompani italiane “Carro di tespi”, shëtitëse, dhe ata kanë bërë katër opera në Shkodër e Tiranë. Kam qenë vetëm katër vjeç dhe ka qenë një vizion për mua “Don Paskuale”, “Bohema” “Kavaleria Rustikana” dhe “Berberi i Seviljes”. Isha fëmijë dhe s’i mbaja mend tamam. Mandej ma përforcuan kujtesën të tjerët kur ua tregoja. Në Shkodër Lulishtes i kanë thënë një emër turk “Milet Bahçe”, dom¬ethënë, lulishte popullore. Atje çdo të diel luanin marshe, opera, gjëra nga më të larmishmet. Kjo ka pas qenë muzika që s’ka munguar asnjëherë në Shkodër.
Informacione të tjera interesante a keni gjetur në arkiva? Prof.Robert Radoja:-Kam vajtur për punë të miat ose për kureshtje si artist, por nuk jam studiues. Për informacion të saktë është mirë me shku te Kisha Françeskane në Shkodër. Ata i kanë gjetur dhe organizuar mjaft mirë informacionet.
Pse do të duheshin këto informacione. Kujt i duhen më tepër? Prof.Robert Radoja:-Universiteteve. Unë do të thosha që Universiteti i Arteve edhe pse studion Muzikologji nuk ka një strukturë sado të vogël fillestare të kritikës artit. Çfarë domethënë kritikë arti, muzikë.. Ne s’kemi kritikë arti, pastaj vjen studimi, por nuk kemi edhe hulumtues. Një nga ata p.sh. Sokol Shupo ka bërë një gjë unike si Sektori i informacionit Ballkanik dhe bënë këto studime. Sokol Shupo ka botuar për Lec Kurtin. Pra njëherë duhet të studiohen, të botohen të publikohen këto dhe të lindi interesi për studimin, sepse me gjetë një dokument dhe me shkrue në gazetë nuk bëhet puna. Arkiva ka plot por nuk e ka të sistemuar në mënyra profesionale muzikën. Shembull ishte kur në përvjetorin e operës “Mrika” gjetëm katër dosje të Prenk Jakovës, por asnjë pjesë të Prenkës nuk kishte brenda. Me siguri që janë veprat, por janë të pasistemuara.(dhh/im/shqiptarja.com)/2012