
Në foto: Dënoni krimet e komunizmit!
Goditet me grusht përpara Kuvendit të Shqipërisë deputeti “demokrat” Ilir Rusmali. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10.45 pranë ndërtesës së ish të përndjekurve politikë, ku Rusmali kishte parkuar makinën e tij. Burime policore thanë se, Lirak Petrit Bejko, 47 vjeç, një ish i përndjekur politik ka goditur me grusht deputetin demokrat, ndërsa ky i fundit po shkonte drejt makinës. Por sipas ish të përndjekurve, “kjo ka ndodhur pasi Bejko, i ka përmendur Rusmalit premtimet për ish të përndjekurit politikë, të cilat nuk po konkretizohen prej vitesh”.

Ndërkaq, Gjergj Ndreca u ka rrëfyer shokëve të tij, se para disa ditësh kur kanë takuar Rusmalin për fondet e ish të përndjekurve, ai u ka thënë: “Ikni, nuk keni për të marrë asnjëherë, lekë”. Ata thonë se episodi i djeshëm ka ndodhur në vazhdën e mosmarrëveshjeve të Rusmalit me ish të përndjekurit, për shkak të formulimit të gabuar dhe moszbatimit të ligjit për dëmshpërblimet. “Komunizmi na piu gjakun nëpër burgje, por ky pushtet po na masakron dita ditës duke na lënë pa pensione, pa bukë dhe pa asnjë shpresë mbijetese”, thotë Perikli Shqevi, njëri prej të pranishmëve në vendin e ngjarjes dhe në ceremoni. Në fakt qeveria aktuale dhe ligjvënësit e Kuvendit shqiptar po godasin dita ditës mbi fatin e ish të përndjekurve, duke i lënë pa shtëpi, pa dëmshpërblime reale, pa alternativa jetese dhe pa punë. Por kjo nuk i bën përshtypje askujt. Ndërsa, goditja ndaj Rusmalit, ka tërhequr dje, vëmendjen e deputetëve dhe qeveritarëve shqiptarë, duke e cilësuar si një akt dhune. Ngjarja e djeshme, kur një grup ish të përndjekurish ishin mbledhur me iniciativën dhe mbështetjen e Lulëzim Brahjes për të varrosur një kolegun e tyre të burgjeve, tregon shumë. Në rradhë të parë tregon solidaritetin e tyre për vuajtët e përbashkëta. Por tregon edhe faktin se një ish i përndjekur politik, duke qenë i varfër dhe i braktisur, aktualisht, nuk kishte lekë as për të paguar arkivolin e tij. Shteti e la 15 ditë pa varr, për ta përdorur si kavje eksperimentale. Dhe Bashkia e Tiranës, nuk e ndihmoi dot për këtë hall, sepse qeveritarët kishin halle të tjera për të porositur makina luksoze ndaj ministrave, apo deputetëve. Ndërkohë që trupi i pajetë i Grigor Zaharisë priste në morgun e spitalit, bisturinë e kirurgëve për ta përdorur si kavje eksperimentale. Pas kësaj ngjarje tragjike me trupin e Grigor Zaharisë lind pyetja: Me kë duhet të revoltoheshin ish të përndjekurit politikë, kur gjendja e tyre është në pikë të hallit”? Kujt duhet t’i kërkonin ata llogari për gjendjen e tyre të vështirë, përveçse deputetëve ligjvënës? Dhe kush mban përgjegjësi për tragjedinë e ish të përndjekurve që po vazhdon gjatë gjithë jetës?

Ngjarja
Sipas njoftimit, “një grup ish të përndjekurish ishin mbledhur përpara selisë së shoqatës, pak metra larg selisë së seancave plenare dhe po bënin homazh për Grigor Zaharinë, një ish i përndjekur, i cili prej 20 ditësh ka mbetur në morgun e Tiranës, pasi nuk ka të afërm për ta varrosur. Arkivoli me trupin e Zaharisë ishte vendosur në oborrin pranë selisë së shoqatës, ndërsa vetë ish të përndjekurit shprehën indinjatën për shtetin që nuk u kujdes të paktën për varrimin e Zaharisë. Në këtë moment deputeti Rusmali po vinte drejt makinës së tij. Burimet rrëfejnë se 47 vjeçari Bejko i është afruar deputetit demokrat, i cili nuk ka shprehur interes për protestën e ish të përndjekurve dhe pasi ka komunikuar me të, e ka goditur duke e rrëzuar përdhe.
Arrestimet
Bejko është arrestuar nga forcat policore të komisariatit numër 1 në Tiranë. Gjithashtu, të njëjtat burime bënë të ditur se në pranga ka përfunduar edhe Gjergji Ndreca. Ky i fundit ka kundërshtuar dhe është përplasur me forcat e policisë, të cilat po arrestonin 47 vjeçarin. Ndreca nuk ka dashur të lejojë arrestimin e Bejkos e për pasojë është prangosur nga blutë e komisariatit numër 1.

Reagimet e pjesëmarrësve
“Ne kemi 20 vjet që po vuajmë nga mashtrimet e qeverisë dhe nga ligjet gjysmake që po lënë në mëshirë të fatit, shtresën tonë të ish të përndjekurve ndërsa deputetët na fyejnë çdo ditë me mospërfilljen e tyre”. Kështu deklaron Skënder Tufa kreu i SHBPSH-së, për gazetën, “Sot”, i cili tregon se “Ceremonia ishte organizuar me leje të rregullt”. Ai shton se “durimi i ish të përndjekurve është sosur dhe mashtrimet e qeverisë e kanë tejkaluar masën”. Tufa thotë: “Boll kemi pritur, tani jemi të bindur se kjo qeveri ka si qëllim kryesor mashtrimin dhe jo dëmshpërblimin tonë”. Ndërsa Xhaferr Agarai, sqaron se “shtresa e ish të përndjekurve është keqpërdorur në të gjitha sistemet. Ne vuajtëm në burgjet e diktaturës dhe vazhdojmë të vuajmë edhe sot, kurse ata po tallen ndaj nesh”, përfundon ai. Nga ana e tij Bujar Sala, u shpreh se: “makina e tij luksoze na provokoi, ndërkohë që menduam se një ish i përndjekur politik, nuk kishte as një makinë për ta varrosur dhe prandaj e kishin lënë pa varr”. Ndërsa, Perikli Shqevi shton se “hipokrizia e qeverisë nuk mund të tolerohet më. Ne luftuam për demokracinë dhe u futëm nëpër burgje, ndërsa ata djemtë e komunistëve, ishin dhe mbetën me makina luksoze. Kështu ishte dje komunisti, Çajup Rusmali, kështu është edhe sot, djali i tij”. Ndërkaq, Kostandin Gjerdeni, nënvizon se kjo gjendje varfërie ndaj ish të përndjekurve është shumë e rëndë. “Ne kemi mbetur të varfër dhe nuk kemi as lekë as për të paguar arkivolin”, thotë ai duke pasqyruar gjendjen e përgjithshme të tyre. Midis tyre edhe Petrit Horieti, së bashku me Apollon Ruben Zenunin duken shumë të irrituar nga trajtimi që i ka bërë qeveria shqiptare kësaj shtrese të ish të persekutuarve. “Po nuk u vunë në vendin e merituar ish të persekutuarit, shoqëria jonë nuk mund të gjejë qetësi. Derisa të ketë në qeveri ish spiunë të diktaturës, ky vend do të vuajë pasojat e paaftësisë së tyre”, vunë në dukje ata. Ndërkaq, Lulzim Brahja ka shkuar pasdite në polici ku është interesuar për shëndetin dhe gjendjen e përgjithshme të dy ish të persekutuarve, duke i çuar edhe ushqime apo mjetet e tjera të nevojshme.
17 shkurt 2012
(E ribotojmë për të mbajtur gjallë kujtesën historike)
Komentet