Qumështin e zi të agimit e pijmë në mbrëmje
e pijmë në mesditë, në mëngjes, e pijmë natën
e pijmë e pijmë
gërryejmë një varr në ajër atje njeriu nuk ndihet ngusht
Në shtëpi është një burrë që luan me gjarpërinjtë që shkruan
që shkruan në Gjermani në mbrëmje për flokët e tu të artë Margarete
e shkruan dhe shkon tek bregu dhe ndritin yjet dhe i thërret qentë e tij
e i rithërret hebrejtë e tij të dalin të gërryejnë një varr në tokë
e i komandon hebrejtë e tij të luajnë muzikë se tani kërcehet
Qumështin e zi të agimit e pijmë në mbrëmje
e pijmë në mesditë, në mëngjes, e pijmë natën
e pijmë e pijmë
Në shtëpi është një burrë që luan me gjarpërinjtë që shkruan
që shkruan në Gjermani në mbrëmje për flokët e tu të artë Margarete
flokët e tu ngjyrëhiri Sulamith gërryejmë një varr në ajër atje nuk na rri ngusht
Ai ulërin forca ju të tjerët jepni gërryeni atje brenda e ju të tjerët këndoni e luani muzikë
ai e nxjerr hekurin e tij nga milli dhe e shpalos sytë e tij janë të kaltër
rrëmoni edhe më thellë ju të tjerët dhe ju të tjerët luani të muzikë që ende të kërcehet
Qumështin e zi të agimit e pijmë në mbrëmje
e pijmë në mesditë, në mëngjes, e pijmë natën
e pijmë e pijmë
Në shtëpi është një burrë që luan me gjarpërinjtë që shkruan
që shkruan në Gjermani në mbrëmje për flokët e tu të artë Margarete
flokët e tu ngjyrëhiri Sulamith gërryejmë një varr në ajër atje nuk na rri ngusht
ai ulërin luajeni muzikën e vdekjes luajeni më ëmbël vdekja është një mësues gjerman
ai ulëron violina kumboni më thekshëm e pastaj do të ngjiteni si tym në ajër
e pastaj do të keni një varr në mjegulla atje nuk të rri ngusht
Qumështin e zi të agimit e pijmë natën
të pijmë në mesditë vdekja është një mësues gjerman
të pijmë në mbrëmje e në mëngjes pijmë e pijmë
vdekja është një mësues gjerman syri i tij është i kaltër
ai të qëllon me plumb të qëllon me shenjestër të përkryer
në shtëpi është një burrë flokët e tu të artë Margarete
ai i ndërsen qentë e tij kundër nesh na e dhuron një varr në ajër
ai luan me gjarpërinjtë dhe ëndërron se vdeka është një mësues gjerman
flokët e tu të artë Margarete
flokët e tu ngjyrëhiri Sulamith
Komentet