Lamtumirё Atdheut
Nё atё fillim shtatori 1946, im atё vendosi tё ndёrmarrё aksionin e tij pёr t’u largue nga Shqipnia. Zarët ishin hedhun. Një të vendosun, një të veprue. U nis nga kulla e Nikoll Llesh Gjokёs, ku u pёrshendet me ato njerёz besnikё qё e kishin mbajtё tё strehuem dhe e kishin mbrojtё aq mirё. Ai mori me vete ma tё madhin e tre vllazёnve, Llesh Nikoll Lleshin, e kaluen në Lestër të shtëpia e Gjin Pjetër Hidrit, nip i tyne, prej ku kontrollohej gjithë rruga, nga Laçi e tutje. Aty qëndroi një javë, për ta marrë vetën mirё nga jeta e malit. Tue gdhi dita e 5 shtatorit, u nis me Lleshin, vesh si kurbinas dhe me një palë hebe krahaqafë, ku kishte veshjën që i
duhësh për atë aksion e disa bomba dore. Nё brez revolverin “Browning”. E morën rrugën në kambë, njëni pas tjetrit, Lleshi përpara dhe im atë pas tij, për një far sigurie, sa të kalonin Zhejën e Mamurrësin, ku Lleshin e njihnin, përveç miqësisë edhe pse atje kishin disa rranjë ullijsh, ku vinte e shkonte për t’u përkujdesue për to. Qarkullimi me makina atëhere ishte i rrallë, dhe lëvizje tё pakta. Kur arritën të Ura e Zezë, e lanë rrugën kryesore duke marrë rrugën e dytë që qonte drejt e në Tiranë, nga ana tjetër dhe jo nga Vora, që i binte ma gjatë. Në këtë drejtim ecnin plot fshatarë të tjerë, për pazarin e s’enjtës që mbahej në Tiranë. Kështu të përziem me udhëtarë dhe duke ecun rregullisht e pushue nga pak e duke ndezë nga një duhan, arritën pasdreke në afërsi të qytetit. Aty pushuen nën hijen e një peme deri sa u afrue mbramja, ku im at u nda prej Lleshit tue e falënderue për gjithçka kishin ba për të, e tue sigurue që të mos shqetësohëshin, sepse do t’ia dilte në krye asaj nisme. Ai kishte zgjedhë ditën e mërkurë. Atë natë do rrinte te një familje mike, ku do t’informohej për ne, që t’ nesërmen, e enjte e ditë pazari, të mund të qarkullonte pa ra në sy.
Mbërriti të rruga e Pishës, e u ndal para derës së madhe të shtëpisë së Bedri Toptanit. Lёshoj njё vёshtrim pёrreth, asnjeri. Trokiti me dorëzën e hekurt. Nuk vonoi dhe dera u hap dhe u duk i biri i Bedriut, Saliu, që e njohu në vend dhe e bani me hy menjëherë duke i hedhun edhe ai një vështrim rrugës mos kishte njerëz. Askush. Kur im atë hyni në dhomën e ndejës, aty gjeti zojën Nadiré me të bijën Denin, e djalin e vogël, Uranin, që fillimisht i kapi frika kur e njohën. Im atë u përfal me to, që ishin shumë të emocionueme duke e pa të katandisun ashtu si fshatar, atë që kishte qenë një njeri i shquem e i nderuem, mik i madh i familjës tyne. Si e morën veten nga tronditja, menjëherë u vunë në lëvizje për ta pritë e nderue siç duhej. Deni i përgatiti banjon dhe ia pastroi rrobat.
Zoja Nadiré, shoqe e ngushtë e mamës sonë, mundohej ta përmbante veten, aq i kishte hy frika e pushtue emocioni. Megjithatë ia shtruen bisedës, dhe im atë u informue se ku mund të na gjente. Unë punoja te libraria Kote-Pepo, ish libreria Marzoko në hymje të rrugës për në ish shkollën “Nana Mbretneshë”, ku vinte dhe Genci. Ndërkaq Saliu, dy vjeç ma i madh se unë, kishte dalë me kontrollue përjashta dhe u kthye duke i qetësue të vetët se s’kishte pse të merakosëshin, askush nuk mund të dyshonte se në shtëpinë e tyne ishte strehue gjenerali Prenk Pervizi. Për atë natë gjithçka shkoi mirë. Pritja e kujdesi i miqve ishte në naltësinë e duhun. Im atë bani një gjumë të rëhatshëm, po në atë krevat ku kishte fjetun dikur, ku kishte banue do kohë, deri sa zuni një shtëpi aty afër. Miqësia me Toptanët ishte e kahershme dhe historike. Gjithashtu me familjen e Petrelëve, ku zoja Nadire ishte bijë. I ndjeri Bedri Toptani ishte vellai i Nanës Mbretneshë e bashkë me Muratin, Avdiun, Fuadin dhe Refat Toptanin, ishin miq të Gjin Pjetrit, e kishin bashkëpunue me të në kryengritjen e Kurbinit. Gjithë këto rrethana e banin atë vizitë kuptimplote, sepse vetëm aty im atë e dinte se do të gjente mirëpritje e besnikëri të madhe. Kaloi nata, dhe të nesërmën, andej nga ora dhjetë, kur kishte fillue lëvizja e fshatarëve që vinin me ba pazar, ai u nis prej rrugës së Pishës, i ra përmes pazarit dhe u shmang te rrugica që çonte drej e te libraria. Kur kishte mbërritë aty, ishte ndalue para vetrinës së librave në gjuhë të hueja, ku na kishte dallue mue dhe Gencin, që për fat ndodhej aty e po lexonte një gazetë. Këtu fillon ajo aventurё e rrezikshme. Kur e pashë atë fshatar kurbinas, që po shikonte në vetrinën e librave të huej, thashë me vedi, ç’don ai katundar aty ? Kur ja, katundari ngre kokën dhe mi ngul sytë. Baba ! Në çast ai ma ban me sy e kokë nga Genci e shkon drejt çezmzes përballë librarisë ku ulët, gjoja me pi ujë. Unë i kthehëm Gencin me za t’ultё:
– Genc, baba ! Te çezmja.
Genci e len gazetën e fill e në derë, ku rrin në pritje. Im atë kthhet e kalon para tij duke i shushurit:
– Më ndiq, pesedhjetë.
Genci u kthye në librari dhe e përshëndeti zoti Llambin siç bante çdo herë, për mos me ngjall dyshim. Pastaj iu qep babës mbrapa deri në kodrat e Saukut, pak përtej shtëpisë ku banonim. Gjithë këto veprime po kryhëshin nën hundën e spiunëve që rrinin vazhdimisht përtej rrugёs, t’ulun në murin e lulishtës pёrballё librarisё. Apo nuk ishin mbledhë nja katër atë ditë, por për fat po merreshin me fiqtë që ia kishin ble një fshatari në kalim. Unë i kotrolloja nga libraria. Asgja. Në këtë ngjarje, ishte hera e fundit që unë e shifsha babën, si para vetrinës ashtu kur kaloi pranë librarisë me hebet krahaqafë. Guximtarëve u prin fati. Dhe vërtet ashtu po ndodhte.
S’vonoi nё çerek ore, kur ia behu nё librari Sali Toptani, krejt i shqetёsuem, qё m’u afrue te banaku e me kujdes mё pyeti, si shkoi puna.
I tregova me pak fjalё. Ai u qetёsue e me tga.
-Sa doli Prenka prej shtёpisё, unё me njё revolver nё xhep u nisa, nga frika mos i ndodhte gja, e dilte sikur ne besё time. Saliu tregoi kёshtu atё fisnikёri qё e nderonte familjёn e tij. E sigurova se im atё do tё strehohej shumё mirё dhe se do ta njoftoja pёr çdo gja. Ai u largue i qetёsuem.
Tani tё kthehёmi nё ngjarjёn. Si shkoi puna ma gjatë ? Një aventurë e vërtetë, subjekt për film.Te kodrat e Saukut, ku u takuen pas disa pemëve e ferrave, jo larg nga banesa ku rrinim, im atë dhe Genci sajuen planin e veprimit. Duhej gjetun nje strehim, sepse tek ne nuk ishte e mundun. I vetmi vend do t’ishte te shtëpia e Llesh Gjeçit në Sauk, nja 100 metra përtej Pallatit Brigatave. Vërtet se kishte plot roje, por ato ishin në shërbim të Pallatit. Banesa ishte e izolueme, me një kopsht të madh përpara. Por për këtë punë duhej takue Ndou djali i madh i Lleshit, që punonte pranë ATSH, si daktilograf. Ndou ishte shok e mik i ngushtë ynë. Familje mirditore, ku besa ishte e shejtë. Genci i thotë babës të priste aty nën hijën e disa ullijve, deri sa të kontaktonte Nduen. Kështu u veprue. Genci shkon e takon Nduen të cilit i thotë si qendron puna. Ndou menjëherë pranon, por nuk mund të lëvizte prej aty para orës gjashtë. Largimi tij mund të binte në sy. Genci të priste te libraria, ku ai do të kalonte me e marrë për me shkue me takue babën te ullijtë, pastaj fill e te shtëpia e tij. Ky ishte një sukses i madh. Gjetja e strehimit ishte gjysma e punës. Askush nuk mund të dyshonte se Prenk Pervizi, ndodhej aty, për deri sa kërkohej ditë e natë në Skuraj e rrethina. Po im atë ç’bante gjatë kësaj kohë ? Duke prit aty, i shkon mendja mos vall mund të mësynte Qazim Zymën ish majorin e gardës, mik i tij e njeri i ndërshëm. Se nga i erdhi ai frymëzim zoti e di. Ndoshta nga fakti që ajo banesë ishte krejtësisht e izolueme e larg banesave të tjera, aty përballë stadiumit. Paraqitet para shtëpisë së majorit, dhe therret alla shqiptarshe:
– O i zoti i shtëpisë, a doni qymyr ?
Zoja e majorit, Nuria del në verandë, që baba e njihte mirë.
– Hej, shoko, ç’kërkon këtu, kush të thirri ?
– Mirëdita zojë. Unë prodhoj qymyr të mirë, dhe e shes me leverdi. A doni të ju bie një sasi ?
Zoja Nurie e kishte shikue me çudi fshatarin. Ç”za që paska, sikur e kishte dëgjue diku. Por e nervozueme për shqetsimin i foli vrazhdë:
– More shok nuk te ka kërkue kush qymyr që vjen e na shqetëson në pikë të zhegut.
– Me falni zojë. Ditën e mirë, ia kishte kthye baba, duke u largue.
Ndërkohё, aty afër, pranë rrugës Elbasanit, banonte Marta Doda, kushërina e mamës por edhe e babës, me të cilën ishim lidhë me miqësi të madhe. Marta banonte vetëm me vajzën e saj Frida. Ajo njihej edhe si Marta e Preng Pashës, sepse Preng Pasha (Preng Bib Doda), që s’kishte fëmijë dhe e kishte mbesë, e kishte marrë si bijë në shpirt. E kishte shkollue jashtë shtetit, në Francë e Itali. Grue intelektuale, me përvojë të madhe jetësore, e lidhun me miqësi të madhe me Francën, qyshë në kohën e Preng Pashës. Vazhdimisht në kontakte e vizita me Ambasadën e Francës në Tiranë, që e kishte nja 100 metra ma larg, përballë Ambasadës amerikane. Shtëpia e saj ishte një muzeum i vogël sendesh antike të trashëgueme nga Preng Pasha. Ajo kishte qenë e martueme me doktor Sadedinin me të cilin kishte atë vajzë, por ishte nda prej tij. Në këto kohë doktori kishte ra n burg i denuem 10 vjet prej komunistëve.
Nanë e bijë e pritën babën gjithë t’emocionueme e nuk i përmbanin lotët, kur e panë ashtu të transformueme në fshatar. Ai u tregoi se ishte nisë me kalue jashtë shtetit, dhe a do t’ishte e mundshme me njoftue Ambasadën franceze, se mos gjente mënyrën për me e nxierrë me anë të trupit diplomatik. Qendroi aty sa me pi një kafe sade e thithë nja dy cigare “Kamel” që shitëshin në dyqanin e valutës. U largue pa ra në sy, që nuk kishte kalimtarë dhe u kthye te ullijtë ku Genci i kishte thanë me prit. Por aty nuk e ndjente veten te qetë, se qarkullonin mjaft ushtarë të mbrojtjës e disa kishin ardhë edhe aty nën hijen e ullijve. U çue dhe drejt e te shtëpia e Llesh Gjeçit, ku e priti lehja e një qeni, dhe duel vetë Lleshi te dera. Im atë i thirri nga sgara e kopshtit:
– A pret miq or Llesh Gziqi ?
– Hajde burm or burrë !
Kur baba u afrue me u përfalë me të, Lleshi e njohu :
– Ti zoti gjeneral ? Mirësevjen në shtëpinë time, e i prini brenda, ku u prit si një mik i nderuem. Zunë vend me Lleshin në dy anët e oxhakut tuj ia shtrue muhabetit me raki, duhan e kafe, për shtatëpalëqejfe. Robt e shpisë u mobilizuem për këtë mik të rrallë, në një kohë aq të frikshme. I biri, Gega, rrinte si roje për çdo rast.
– Je i mirëpritun zoti Gjeneral, dhe mos u shqetëso fare, se pushkë, fishekë e bumje kemi boll. Apo nuk jemi veç 100 metra larg Pallatit të Brigatave, plot roje t’armatosuna deri në dhambë.
Dy miqt e ndjenin veten rehat me zotin, sikur s’kishte as një lloj rreziku që t’u kanosej. Ndërkaq Ndou që kishte mbarue punën erdh deri te libraria ku e priste Genci dhe së bashku u nisën për në Sauk. Kur mbërritën te ullijtë, s’gjetën njeri. E kuptuen se baba e kishte msy vetë shtëpinë e Lleshit. Si arritën atje, mbasi Ndou u njoh dhe u përfal me babën, e shtruen çeshtjën. Problemi ishte se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për me arrit deri në kufinin grek, përveç ndonjë shoferi besnik. Pra duhej gjet një nga ish shoferat e tij, që punonte me makinë, që ta përciellte deri në kufi. Dolën dy emna, ai i korçarit Llazi Sterjo, dhe i dibranit Qemal Lika, që punonin akoma si shoferё. Llazi vinte e shkonte nga Korça e takohej vazhdimisht me ne. I binte me kalue rrugës Elbasanit, e nganjëherë ndalohej te libraria, ku zakonisht me gjente mue dhe me merrte me më qeras në ndonjë pastiçeri. Unë isha ma i vogli i familjës, dhe me Llazin kisha udhëtue disa herë për punë e për qejf. Llazi asokohë flinte në shtëpinë që kishim zanë me qëra, në kodrën e Fuad Beut. Im atë vendosi për Llazin, që e bante vazhdimisht rrugën e Korçës dhe e njihte atë zonë kufitare. Po ku me e gjetë Llazin ? Kjo punë m’u ngarkue mue që të kisha kujdes mos e shifsha tue kalue aty së pari me kamionin e kuq Fiat 26, i vetmi që punonte atë rrugë. Kamioni ishte i familjës Demir Alizoti, që bante transport mallnash për hesap të tregtisë shtetnore. Kaluen tre dit e Llazi nuk dukej gjëkundi. Ditën e tretë që unë kisha dalë për një porosi të zotit të librarisë e po ecja në rrugën e sahatit, me kalon një kamion aty pranë e dëgjoj një za që therret emnin tim : Leka… Leka! Llazi ! Makina ndalet disa metra ma tutje. U përqafuem.
Menjëherë e njoftova për babën. Ai, në vend që të friksohej, u gëzue së tepërmi. I tregova dhe se ku gjendëj.
– Do ta takoj patjetër. Por me duhet me shkue me shkarkue mallin, pastaj shifemi me Gencin në ora tetë te Kafe Sahati.
Kështu ndodhi dhe bashkë me Gencin drejt e në Sauk, ku ai u përqafue me komandantin e dashtun. Nuk përshkruhet emocioni e mallëngjimi i tij. Llazi ishte një njeri shumë zemërmirë dhe i dashtun. U shtrue problemi e Llazi e mori përsipër pa hesitim. Veç i duhej të bante një rrugë me mall për në Korçë dhe vetëm pas tre ditësh ishte në dispozicion. S’mund ta merrte nё kёtё rrugё se kishte njerёz qё shoqnonin mallin. Ashtu u la. Gjatë atyne tre ditëve qetësi. Qendrimi te shtëpia e Llesh Gjeçit i shërbeu babës me marrë vesh gjithë tmerret e terrorit komunist në Tiranë. Gjithë kolegët e miqt e tij, ushtarakë e civilë, personalitete e figura të shqueme të shoqnisë shqiptare, një pjesë i kishin pushkatue, të tjerë toturue e pllakosë në burgje. Një katastrofë. Një absurditet.
Pas tre ditëve Llazi kthehёt e me takon në Librari. Po atë mbramje fill e në Sauk me Gencin, ku u përcaktue plani. Por komandanti i tij duhet të dilte diku në rrugën e Elbasanit. Kjo punë u zgjidh me anën e një mirditori tjetër, Ndue Pjetri, mik i Lleshit e burrë besnik, që banonte të Mullini i Farkës, ku kalonte xhadja. Mirë fort. U trasferuen atje, natën përpara. Të gjithë : Lleshi me të bijtë, Nduen, Gegën e Pjetrin, Genci dhe Ndue Pjetrin i zotin e shtëpisë. Të armatosun me pushkë, revole e bomba dore. Këto i kishte sigurue Lleshi që i mbante të fshehuna në shtëpi. Nuk i dihej. Në mengjes herët vinte makina, dhe im atë duhej të dilte në rrugë me kërkue një kalim, si një xhaxho fshatar që po shkonte me takue djalin e tij ushtar në Korçë. Banesa e Ndout ishte afër një reparti të forcave të ndjekjës e kishte lëvizje oficerësh që shkonin e vinin. Doli drita dhe erdhi ora e caktueme. Fshatari del buzë xhadës në pritje. Oficerët që kalonin e përshëndesnin:
– Mirëmëgjes xhaxho, je nisur për te djali ushtar ? Mos u merzit se ka makina. Hajt udha e mbarë !
Po hiqej valle në gojë t’ujkut siç do ta thoshte një kangë e mavonshme, por për tjetër kuptim. Kur ja nga kthesa poshtë duket turini i një kamioni të kuq. Llazi ! Fshatari ngre dorën. Makina ndalet.
– Për ku xhaxho ?
– Për në Korçë ku kam djalin ushtar.
– Hyp !
Kёto fjalё u shkёbyen se aty po kalonin disa ushtarё. Fiati i kuq 26 u nis me shpejtësi duke lshue pluhn mbrapa. Miqt tanë që po e ndiqnin skenën nga larg morën frymë. Gjithçka po shkonte si s’ka ma mirë. Ndue Pjetri u poqi kafe e u shtroi rakinë për gëzimin e kësaj punë që u krye pa pengesa. Një mrekulli.
Si shkoi udhëtimi ? Llazin, që atë rrugë e bante vazhdimisht, e njihnin gjithë postoblloqet qe ruhëshin akoma nga partizanë. Sa vinte makina e tij, dyreku ngrihej e Llazi u hidhte dy tri paqeta partizani duke shkëmbye shaka me oficerin e rojës. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, me një shtesë, sepse e pyesnin,
– Po ky xhaxhoja ku shkon ?
– Ore, po të takojë djali ushtar, e ku do shkojë ?
– Udhë e mbarë !
Kështu arrtën pa telashe në Korçë dhe im atë e porositi ta çonte në Zemblak te shpia e Kullajve, ku kishte miqësi të fortë. Një t’arritun aty, ai shkon drejt te dera e katit përdhes të shtëpisë. Ai e njihte mirë atë banesë. Ndërkaq dallon lëvizje ushtarësh e oficerësh. Dera hapët dhe i del para një djal i Gani Kullës, që e njohu.
– Zoti gjeneral ku vete kështu ? A nuk e sheh ç’bëhet ? Ganiun e kanë pushkatuar dhe shtëpinë sipër e kanë bërë komandë të forcave kufitare. Ne na kanë lënë poshtë he për he, por me siguri do të na heqin. Largohu shpejt që këndej se je në rrezik. Shko në Bilisht ku e njeh mirë vendin. Vetëm atje mund të ia dalësh. Paç fat !
Llazit i kishte hy frika. Si shkon komandanti i tij ashtu esber midis oficerëve të sigurimit ? Apo nuk i flisnin:
– He xhaxho, kërkon djalin ushtar ?
Im atë i tha Llazit që ta çonte deri në zonën e Bilishtit afër rrugës së Kapshticës ose Folorinës. Ai e njihte mirë atë zonë ku kishte zhvillue operacione ushtarake. Djali i Gani Kullës e kishte këshillue mirë. Aty do ta kalonte kufinin.
Llazi e ndaloi makinën në një kthesë, gjoja pёr njё difekt nё motorr. . Im atë kishte hypë në karocerinë e mbulueme ku kishte hequn teshat fshatare e veshun rrobat që kishte në hebet. Kur doli para Llazit, ky u hutue. Xhaxhoja ishte kthye në një gazetar të huej. Me patallona kilote, këpucë me qafa me lidhëse. Bluzë të hirtë me xhepa. Dylbi e aparat fotografik. Çantë dokumentash. Kasketë. Syze dielli, që i hoqi e futi në xhepin e bluzës.
U përqafue me Llazin që nuk i përmbante lotët, duke i thanë:
– Mos u shqetëso Llazi, brenda dy orëve e shumta, unë jam matanë. Gjallë nuk më kap kush. Kam revolverin dhe disa bomba dore. Lamtumirë e të fala gjithë miqve që më dolën zot në këtë ditë të vështirë. Mi përqafo djemtë dhe nanën e gruen po mujte. Ndoshta vjen një ditë që të shifemi prap. Lamtumirë !
Kishte ra nata kur ai u nis nëpër shkurret e pemët. Ai u zhduk në errësinë nga sytë e Llazit, i cili qëndroi aty në pritje që të kalonte koha e mos ndodhte gja. Për fat, nuk kishte qarkullim makinash, që asokohë ishin shumë të pakta në Shqipni. Ai i mori plaçkat fshatare dhe i futi në një gropë aty pranë, duke hedhë do shkurre sipër. Kot, si për inerci.
Kaluen dy orët pa ndodhun asgja. Atëhere ai mori rrugën e kthimit për në Korçë, ku atë natë nuk e zuni gjumi. Të nesërmën qarkulloi nëpër disa lokale mos dëgjonte gja. Hiç. Mori dhe një gazetë. Asgja. Kaloi dita dhe nata tjetër. Duhej të nisej për Tiranë. Para se të nisej u ul në një lokal ku porositi një kafe e një fernet. Aty ishte një shok i tij i rinisë, i cili iu afrue te tavolina e i foli me za t’ultë:
– Ore Llazi, a e ke marrë vesh ? Ai komandanti yt, gjenerali Prenk Pervizi paskej dalë në Greqi. E tha mbramë radio e Folorinës, ku kishte dhanë edhe një intervistë, e kishte folë zi e ma zi për qeverinë tonë.
– Ashtu? Po habitëm fare. Po a nuk ke frikë që dëgjon radion greke? Mos vallë mashtrojnë e genjejnë.
– Ik or burrë ! A jemi a s’jemi shokë. Ty po ta them, se jemi miq dhe e ke pasë komandant.
Llazi si mori lajmin fluturoi në Berat, ku takoi gjyshën tonë, mamën dhe Valentinin, të cilin, nga burgu i Shkodrës e kishin internue në Berat. Ata u gëzuen së tepërmi, veçanërisht gjyshja, tashma 85 vjeçe, që gëzohej për shpëtimin e të birit.
Prej aty, Llazi erdhi në Tiranë, fill e në librari, ku më mori e më qerasi për këtë ngjarje tashma të shkallës lëgjendare. Të gjithë të gëzuem nga ky sukses, u mblodhëm të Llesh Gjeçi për ta festue me raki e meze. Kjo ishte pak a shumë e gjithë ngjarja që u zhvillue nën hundën e sigurimit e te qeverisë komuniste.
Siç ndodh nё Shqipni qё çuditёrisht merret vesh çdo gja, u fol se kur Enveri e mori vesh atё punё, kishte thirrë Koçi Xoxën, duke i folun randë për këtë mungesë të madhe vigjilence.
– Si, or shoku Koçi, të na kalojë Prenk Pervizi nën hundë ? Të shkarkohën gjithё oficerët e sigurimit kufitar të zonës Bilishtit. Maskarejtë ! E të shikohet e të kapën e dënohët ata që e kanë ndihmuar e përkrahur.
Ky ishhte tregimi i arratisjes së Prenk Pervizit, që u përhap anëmbanë e u ba lëgjendë. Këtu mbyllet periudha kur ai jetoi e punoi në Shqipni.
Por do të kthehëmi pak mbrapa, për me tregue se kishte edhe të tjerë që ishin të interesuem e të vendosun për me e nxierrë babën në Greqi.
Një prej tyne ishte ish shoferi shkodran Kol Prela, që kishte ba luftën e grekut me babën, ku im atë pas kapitullimi të Italisë e kishte marrë prap shofer n’ushtri me gradën kapter. Kola vlerësohej nga shoqnia si një ndër shoferë ma të mirë, sa që kur hypnë në fuqi komunistët, udhëheqësit e morën si shofer të tynin. Ndodh që Kola udhëton për në Shkodër me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxën. Gjatë rrugës duke bisedue, Koçi e pyet se ku kishte punue si shofer ma përpara. Kola, pa hiç drojë, i përgjigjet se kishte qenë shoferi i Gjeneral Prenk Pervizit. Kishte ndërhy Enver Hoxha:
– Po si or Kolë nuk e hodhe Prenk Pervizin në ndonjë humnerë ?
Kola ishte përgjigjë si pa të keq :
– Po ta kisha ba atë punë, ju nuk do të më kishi marrë kurrë n’e kurrës për shofer tuejin !
Sa i dhanë fund atij udhëtimi, e hoqën nga ajo punë dhe Kola mori një veturë dhe e punonte si taksist. Këtë ndodhi na e tregonte vetë Kola, kur na takonte në Tiranë. Sa herë që vinte me na pa, na kerkonte që t’i çonim fjalë babës në mal, së Kola ishte i gatshëm me e përciell në Greqi.
– Përderisa kam vendosë me hik vetë, pse mos ta marr dhe gjeneralin ?
Ne nuk e kishim atë mundësi kontakti me babën në mal. Kështu Kola vendosi me ikë, dhe në një rast që përcolli disa fuksionarë të partisë për në Korçë, duke e njohun mirë terrenin e Bilishtit nga koha e luftës italo-greke, kishte gjet një vend afër kufinit ku kalone një perrue. Një ta kalue atë megjithë makinë, dhe rrugë pa rrugë kishte kapërcye matanë në xhaden e Folorinës ku kishte arritë shëndosh e mirë për habinë e grekëve se si kishe mundun me kalue ashtu me gjith veturë rrugё pa rrugё. Ma vonë Kola ishte takue me babën në Greqi. Pastaj se si kishte ndodhun e ishte martue me një maqedonase, dhe kishte kalue në Maqedoni, në Shkup, pa pasë trazime, ku kishte jetue e vdekë, i respektuem prej të gjithë shqiptarve që e njihnin dhe e respektonin si shofer i gjeneral Prenk Pervizit. Të gjitha këto ne i morëm vesh kur dolëm në Belgjikë, prej ku unë shkova në Maqedoni i ftuem prej disa miqve e ku i mora vesh të gjitha sa thashë ma nalt për Kol Prelën.
Se si im atë arriti të kalojë kufinin nuk kishte si ta merrnim vesh. Ma vonë, nëpërmjet disa personave që, të gënjyem nga propaganda komuniste, ishin kthye nga Amerika, na erdhen lajme të ndryshme. Nga ana tjeter im atë na kishte thane se për t’u marrë vesh me ne, do të përdorte pseudonimin Aleksadër Rubin. Kështu ndodhi që pas njё muej n’adresë të zojës Marta, erdhi një kartolinë nga Praga, dergue nga ky Aleksander Rubin, që uronte Krishtlendjet dhe shkruente se ishte mirë me shëndet e me punë. Në Pragë im atë kishte miqt e tij të vjetër, me te cilët ishte lidhë menjëherë. Me këtë kartolinë na linte me kuptue që të mos shqetësohëshim për të. Ai ishte i vetmi lajm që na erdhi prej tij. Sigurisht se çenzura komuniste nuk linte me kalue asgja, për familjet e përsonat që ishin në listat e zeza, të specifikuem si reaksionare e te prekun, aq ma keq t’internuem e të burgosun. Sigurimi kishte dëpërtue kudo e kontrollonte jetën e sjelljet e njerëzve. Ata mburrëshin se e dinin se ç’ziente nën kapakun e vorbës në çdo votër shqiptare.
Si thamë, për rastin e arratisjes së babës, u ba alarm e çeshtje në organet e Ministrisë së Brendshme. Pati shkarkime në komandat kufitare. Në Zemblak të Korçës u arrestuen e denuen disa pjestarë të familjes Kulla, të akuzuem se e kishin ndihmue arratisje e gjeneralit, mik i shtrejtë i Gani Kullës, të cilin e kishin pushkatue. Faktikisht, Kullajt nuk ishin implikue në atë arratisje. Por duke e ditun se im atë kishte miqësi të fortë me Gani Kullën, kryetarin e fisit, me deshmitarë të rremë e me tortura, sigurimi kishte krijue një proçes fallso, ku një prej djemve të Ganiut hangri 10 vjet burgun e Burrelit dhe gjithë familja Kulla, burra, gra e fëmijë u internuen në kampet e ndrysme gjatë gjithë kohës së diktaturës. Mbi ta pëshonte dhe fakti se aty kishte pushue Mbreti Zog para se me dalë në Greqi më 8-9 prill 1939 ku ishte takue me prindin tonë, të cilit i kishte besue organizimin e kalimit të tij në Greqi. Pra Kullajt përsekutohëshin edhe si një familje e randësishme zogiste. Çeshtja e arratisjes se babës mbeti mister e u duk se u mbyll me aq. Kur papritun në muejin janar 1947, u arrestuen njeni pas tjetrit ata që ishin implikue në atë aksion: Zoja Marta Doda, Ndue Lleshi Gjeçi, vllai im Genci dhe shoferi Llazi Sterjo. Si ndodhi kjo? Thjesht për një gabim trashanik të famulltarit të Tiranës, Dom Shtjefën Kurti, të cilit iu gjet në regjistrin e meshëve, shënimi : – Meshë për Prenk Pervizin, prej zojës Marta Doda, 200 lek.
Një t’u arrestue zoja Marta, dhe fill pas saj të tjerët. Hetuesia prej gjashtë muejsh në birucat e sigurimit bani të vetën dhe ata u dënuenme nga 10 vjet. Ata patën kurajon e vendosmerinë mos me implikue askënd tjetër në atë punë, e kjo ishte nje meritë e madhe e tyne, që pësuen tortura mizore për të përfshi edhe të tjerë. Unë që shkruej, shpëtova kot, gjoja si tepër i ri për me më besue, sikur vllai im Genci më kishte paraqitë, e të tjerët po ashtu. Ndërsa unë isha kambë e kokë i përfshimë në atë ngjarje. Ja pra ç’ban vendosmënia e shqiptarit, kur ia kërkon besa e burrnia. Jo që, për arratisjen e babës kishte të tjerë që e dinin dhe kishin kontribue e deri dhe takue e bisedue me të. Si familja e Toptanëve, e mirditori Ndue Pjetri. Asnjë emën nuk doli. Ky asht një rast unik, ku i gjithë aparati shtetnor e veçanërisht ai i Ministrisë Brendshme nuk qenë në gjendje me e diktue arratisjen e t’im etit, që për më tepër kishte qendrue ma se 10 ditë i strehuem në Tiranë, duke u tallë me vigjilencën e organëve të sigurimit e duke kalue nën hundë e tyre, siç ishte shfry vetë diktatori.
Ndërsa ne Kurbin, në Malsinë e Lezhës dhe në zonën e Mirditës kufitare me Skurajn, operativët u kishin thanë njerëzëve që kishin lidhje gjaku me ne, se tashma, që Prenk Pervizi ishte arratisë në Greqi i kishin shpëtue rrezikut t’arrestimit e denimit për shkak të tij.
Pasojat e kësaj ndërmarrje të guximëshme, ranë vetëm mbi ato të katërt që përmendëm. Ndërsa unë vazhdoja të punoja te libraria i pashqetësuem. Një ditë shkoj me u qethë dhe me ra si berbër i radhës, dibrani Tomini, bërberi personal i tim etit. Ai me njohu dhe gjatë qethjës me tregoi se si e kishin denue dy vjet burg, ku i kishte qëllue me ndejtë në një birucë me nja dy korçarë, me mbiemnin Bylykbashi, që kishin hy si diversantë nga Greqia, të dërguem prej Prenk Pervizit. Me porosi e letra dhe një shumë dollarёsh për ne, por i kishin diktue e kapë rob në kufi. Ata i kishin tregue se im atë rrinte ne nje hotel të Athinës, ku gezonte respekt e nderime. Dhe se si ai, me shqiptarë të tjerë, si Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Abaz Ermenit etj., merrej me organizimin e një ndërhyrje t’armatosun me rrexue regjimin komunist. Këto ishin të vetmet informata që rastësisht na vinin, për si jetonte e vepronte im atë në Greqi. Lajme të tjera erdhën nga një reportazh i gazetarit Aleks Çaçi, i cili kishte shoqnue një komison shqiptar për të asistue në marrjen ne pyetje te arratisunve shqiptarë, bullgarë, rumunë e jugosllavë, nga një komision ndërkombëtar, ku ishte i përqafuem misoni anglez në Shqipni, Koloneli Meklin, kapiteni Julian Amery e koloneli David Smiley, që kishin ndejtë në mal me babën deri në fund te tetorit 1944. Qeveria shqiptare paskej ndërhy që t’i dorëzohëshin gjithë kriminelët e luftës (siç i quenin nacionalistët) që kishin gjetë strehim në Greqi e Itali. Komisioni vepronte si gjykatë, dhe i merrte në pyetje me radhë t’arratisunit. Kur erdhi radha e Shqiptarve, Aleks Çaçi, përshkruen nje nga një, si u morën në pyetje, duke theksue se si Bajraktari, Fiqriu e Hysniu, flisnin me anë përkthyesish. Ndërsa Prenk Pervizi, i veshun elegant, përgjigjej direkt vetë, e që në një rast i kishte ban me qeshë ato të komisionit anglo-amerikan që e mernin në pyetje. Edhe Abaz Ermeni kishte folun vetë pa përkthyes. Sigurisht se komisioni e refuzoi kerkesën e qeverisë shqiptare për dorëzimin e tyne. Këtë reportazh Aleks Çaçi e kishte nxierrë në gazetat “Zeri i Popullit” e “Bashkimi”, si dhe e kishte botue në librin “ Përmes Greqisë Heroike”. Këto ishin të vetmet burime ku ne merrnim vesh ku gjendej prindi ynë e si jetonte e ç’bante.
Muharrem Bajraktari, Prenk Pervizi e Fiqri Dine nё festёn e
Flamurit e tё Pavarёsisё, 28 Nёntor 1952, mes shqiptarve tё arratisur nё Greqi,
Duhet shtue se situata në Greqi në ato vitet e para ishte mjaft e trubullt dhe e pasigurtë, prej veprimeve të komunistëve që kishin nisun luftën partizane kundër qeverisë greke e kundër forcave aleate të dislokueme aty, kryesish kundër anglezëve.
Në këto rrethana forcat komunsite kontrollonin disa zona të territorit, veçanërish ato në kufi me Shqipninë dhe Jugosllavinë, ku partizanët grekë hynin e dilnin sipas qejfit dhe furnizohëshin me armatime. Kjo gjendje kishte qenë dhe ishte e rezikshme për shqiptarët që kalonin në Greqi, pse po të binin në duer të komunistëve, këta ua kthenin autoriteteve shqiptare, siç ndodhi me ministrin Koço Kota, që e dorëzuen e i cili u denue 25 vjet e vdiq në burgun e Burrelit, që kishte ndërtue vetë kur ishte ministër i brendshëm në kohën e Zogut. Në raste të tjera, ata shqiptarë që komunistët grekë ua dorëzonin forcave të kufinit, i pushkatonin ne vend pa gjyq.
Ky rrezik qendronte dhe mbi kokën e tim etit, dhe ai e dinte dhe na kishte thanë se do ta gjente mënyrën me i shpëtue atij rrezku, siç ndodhi, që nuk pati ndonjë telashe në atë drejtim.
Kampi i Tepelenёs, qё jepёt nё kёtё vizatim tё Lek Pervizi, qё e pёrjetoi vetё atё kamp me familjёn e me mija tё dёnuem tё tjerё. Ky ishte kalvari qё pёsonte familja Prenk Perviizit dhe tё tjera familje tё patriotёve shqiptarё.
Kalvari i familjës
Siç dihet, përsekutimi i familjës sё Prenk Pervizit, kishte nisun qyshë me shtator 1944, me djegien e shtëpive ne Laç e në Skuraj dhe qendrimi i fshehun në mal. Në shpëtuem mirë pa na diktue se do të na kishin eliminue në vend. Por mbas dorëzimi tonë mё prill 1945, filluen masat e internimeve për ne dhe për të gjithë familjet që kishin njerëzit e tyne t’arratisun në mal ose jashtë shtetit, të cilëve u kishin vu vulën e anmiqve të popullit, kriminela e tradhtarë. Kështu masa e internimit ra mbi mamën dhe gjyshën, që i çuen fillimisht në Lezhë, bashkë me familje të tjera tё cilesueme armike e reaksionare. Unë e Genci shpëtuem kot, pse ishim në Tiranë dhe nuk e çoj kush zanin kundër nesh. Ndërsa vëllai madh Valentini i sapo ardhun nga Italia u arrestue e u burgos në Shkodër qysh me dhjetor 1944, si bir i Prenk Pervizit, në shtetrrethimin që Mehmet Shehu kishte vendosë në atë qytet. Nga Lezha mamën e gjyshën me të tjerë i internuen ne Berat, që ishte caktue si qender internimi e ku u vendosën familjet ma të randësishme të veriut : Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, , Kaloshi, Ndreu, Kolaj, Melyshi, Mirakaj, Merlika, Kupi, etj. Ku mbas do kohë internuen edhe Valentinin. Unë e Genci mbetëm akoma si të lirë deri kur Genci përfundoi në burg, për pjesmarrje në arratisjen e t’atit. Kisha mbetun vetëm unë, që kërkoja të mbijetoja në Tiranë, dhe përpiqësha me hy në jetën normale, që ishte vazhdimi i shkollës së ndërpreme prej dy vjetësh. Një mirënjohje e veçantë i shkon qiftit korçar Llambi Kote dhe Vrisidha Pepo që më pranuen e mbajtën në librarinë e tyne, që me vlejti si një mburoje. Si dhe të zotët e shtëpis ku banoja, Qazim e Nurie Zyma, që ndonse u banin presion, nuk pranuen kurrë që të më qitnin prej banesës e nuk me morën kurrë qera. Mirenjohja asht gjaja ma e çmueshme e njeriut.
Nuk më pranonin në asnjë shkollë, dhe disa herë që arrita të regjistrohëm më refuzuen që ditë e para, si ne Liceun Artistik ashtu ne një shkollë ekonomike dhe ne nje kurs gjeometrash. Por pas prishjes me Jugosllavinë, të gjitha fajet iu ngarkuen asaj, dhe keshtu u la një frymëmarrje për nxanësit e familjeve reaksonare qe nuk ishin pranue ose ishin përjashtue. Së pari arrita të vazhdoj gjimnazin natës, Qemal Stafa, në sajë të piktorit prof. Abdurrahim Buza, nëndrejtor, mik e admirues i prindit tim. Kështu u pajisa me një dokument shkollor, që nuk kisha si ta sjellja prej shkollës sim të Romës. Ndodhi që Liceu Artistik “Jordan Misja” i ripranoi përsëri nxanësit që kishte përjashtue me cerimoni, duke i rrahun. Unë mora zemër dhe u paraqita në konkursin paraprak që ishte shpallun, ku fitova dhe u pranova. Ndersa gjithe njerëzit e familjës edhe të mbarë fisit ishin mbyllun në burgje e kampe internimi, isha i vetmi që akoma vegjetoja i lirë, por gjithmonë si mbi gjemba. E ndodhi që edhe unë u arrestova më maj 1950 e drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vellain e madh Valentinin, si në Shpellën e Polifemit, por pa një Uliks që të na nxierrte prej andej. Prej aty në Tepelenë, ku u bashkuem me mamën. Gjyshja kishte vdekun, e semunë e plakë 90 vjeçe, me emnat tonë e të birit në gojë. Aty lexohej për çdo mbramje gazeta, prej së cilës morëm vesh gjyqin e Hamit Matjanit, ku ai fliste pёr Prenk Pervizin dhe kishte pasë punë me të. Gjenerali, sipas Hamitit, jetonte ne një hotel llukzos t’Athinës. Më 1954 kampi i Tepelenës mbyllet dhe gjithё t’internuemit vendosën ne rrethin e Lushnjë në disa kampe që ishin edhe sektorë të fermës Bujqësore 29 Nëndori, ku t’internuemi u caktuen me punë të detyrueshme në fushat e bujqësise e në sektoret e ndërtimit.
Në këto rrerthana jeta duhet të vazhdonte, dhe shpresat për shpëtim ishin të pakta, kështu që t’internuemit filluen të krijojnë familje e të martohen mes tyne. Edhe vëllai im Genci që ishte lirue pas dhjet vjet burg, u martue me nje vajzë t’intenueme, e bija e Llesh Marashit, e radha me kalonte mue. Ndersa Valentini e kishte gruen e vet në Itali, prej së cilës i vinte ndonjë kartolinë, se letrat nuk kalonin dot. Ne këto kushte une u njoha me një vajzë të re t’intenueme që pothuej ishte rritë në mesin tonë qysh kur ishte një fëmi në kampin e Tepelnës, ku e kishin mbyllun me t’amën qyshë në moshën e njomë katër muejshe. Duke qenë se në atë kamp ra një semundje e randë epidemike në formë kolere, shumë fëmijë e pleq vdiqen, dhe ajo vetë shpëtoi kot dhe duke qene se e ama, Zorka, ishte malazeze, iu ngatërrue emni dhe bebe ketu e bebe atje, e i mbeti emni Beba. Emni i vërtetë Gjuliana, doli kur mbushi 15 vjeç dhe u pajis me letër njoftimi. Por emni Beba nuk iu hoq ma dhe kështu e njihte e gjithë shoqëria. Ndodhi që në u afruem, u deshëm dhe u martuem, ku u bamë me tre fëmijë, djem. Vellai, Genci, martue me të bijën e Llesh Matashit, Albina, u ba me katër djem e dy vajza. Keto ishin rrethana të diktueme nga gjendja e pa shpresë, ku pas vitit 1958 të iinternuemit filluen të martohën midis tyne. Sidoqoftë internimi nuk na hiqej nga kurrizi. Në këto rrethana ne patëm edhe humbje njerëzore, si gjyshja 90 vjeçe në Tepelën më 1950, mama 77 vjeçe në Pluk të Lushnjës, më prill 1977, baba 80 vjeç në Belgjikë më shtator 1977, një femijë e Gencit më 1960. Genci 63 vjeç në kampin e Gradishtës më prill 1989. Në Tepelënë kishin vdekur edhe disa kushrij tonë, Gjin Pali, nip i Gjin Pjetrit, e shoqja e kushrinit Preng Lleshit (vra në mal), me të bijën më 1948 në Berat dhe dy gra të kushrijve në Tepelenë me dy fëmijë të tyne. Pastaj tetë burra u vranë në përpjekje në mal. Me dhjetra të tjerë, kushërij tonë, të burgosun. Gjhithsejt 23 viktima. Një katastrofë. Ky ishte haraçi ose ma mirë me thanë, flijimi që i bahej idhullit të komunizmit nga familja jonë. E pamë t’arësyseshm të paraqesim shkurtazi se si u trajtue familja e Prenk Pervizit, pa i pasë ba asnjë të keqe askujt, krejt të pafajshëm.
Shtëpia “kulla” e Prenk Pervizit në Laç, qё u grabit dhe u dogj nga njё brigatё komuniste partizane mё shtator 1944,
foto ne gjendje tё rindertueme mё 2002.
Si vinin lajmet
Ne nuk do të kishim marrë vesh asgja për prindin tonë kur ai kaloi në Greqi, por ja që rasti i krijon mundësitë, dhe asht më të vërtet për t’u çuditë.
Siç ishim të mbyllun në kampet e Tepelenës, Porto Palermos, Shtyllazit e Kuçit të Vlonës, ku nuk kalonte asnjë fjalë nga jashtë, ne, as që mendonim se do të na vinte ndonjë lajm prej tij, dhe jo ma me marrë vesh se si asht me shëndet, ç’ban e si e kalon, me kë rri, ku udhëton e shkon, etj.etj.
Kur na transferuen në kampet e Lushnjës, kontakti me njerëzit ishte ma i mundshëm. Ma e bukura ishte se shefi i degës i Lushnjes, koloneli Nuçi Tira, kur na mblidhte çdo tre muej në kampin e Savrës për me na mbajtë konferenca, nuk kishte rast pa përmendë babën tonë, duke tregue se si ai punonte kundër vendit e bashkëpunonte me anglo-amerikanët, duke ba nje jetë luksosze mes Athinës. Se si kishte shkue në Itali, ku ishte krijue Komiteti Shqipëria e Lirë, e takohej me kriminelët e tjerë si Zef Palin, Muharrem Bajraktarin, Mehdi Frashërin, Ernest Koliqin, Gjon Markagjonin, e të tjerë. Prej fjalimeve te tij nё mbledhje tё tjera morëm vesh ma në fund se si ai kishte kalue ne Belgjikë dhe ishte fut në shërbim të imperializmit amerikan e te Natos. Nuçi Tira siduket e kish pas njohun babën tonë që kur ishte në Tiranë, në kohën e gjermanëve, ku kishte hy në punë në zyrat shtetnore, si agjent i fshehun i komunistëve i lidhun me grupet që kryenin atentate. Ai kryente punën e informatorit dhe korierit. Për çudinë tonë dhe t’internuemve të tjerë ai nuk shprehej me sharje. Ne një rast tjetër ai e kishte përmendë si një ushtarak e gjeneral tё zotin por qe bani gabimin që nuk u lidh me partinë dhe kaloi në shërbim të anglo-amerikanëve.
Të gjithë çuditëshin, dhe ne ma tepër, për këtë përmendje të vazhdueshme në çdo mbledhje që ai mbante me t’internuemit. Por erdhi koha kur Nuçi Tira doli në pension dhe ne nuk dëgjonin ma lajme të tilla indirekte për prindin tonë. Ne ato kushte kur sa kishim dalë nga Tepelena dhe nga Kuçi i Kurveleshit krejt të çoroditun nga ato izolime të mjerueshme, filloj epoka Hrushoviane, dhe u banë disa lehtësina, si lejimi i marrjës së pakove dhe dollarëve nga jashtë edhe për t’internuemit.
Kështu më 1960, na vjen një dokument postar ku duhej të shkonim në Durrës ku paskej ardhë një pako e madhe nga Italia n’emnin të nanës me një vlerë prej 20.000 lekësh. Lista e plaçkave, kryesisht veshmbathje, ishte e gjatë. E kuptuem se ishte dergue prej babës n’emën të grues së Valentinit nga Bolonja. Si me ia ba ? Ne nuk mund të shkonim. Ku me i gjete paret ? Na dolën disa miq t’internuem që na ndihmuen, sepse parashikohej se plaçkat e pakos do ta nxirrnin e tejkalonin shpenzimin. Këtë punë e mori përsipër e shoqja e Lazër Radit që ishte e lirë, Vitore Radi, së cilës i leshuem nje autorizim n’emën të mamës që figuronte pakoja, e cila për shkak sëmundje nuk mund te shkonte vetë në Durrës. Pa permendun se ishte e internueme. Kështu ne e morëm atë pako, që ishte një mrekulli për ne, e u veshëm e u mbathëm si s’ka ku shko ma mirë, dhe shitëm disa plaçka për me shlye borxhin. U duk se keshtu do të kishim edhe ndihma te tjera, por nuk vonoi dhe u ndalue si marrja e pakove ashti e dollarëve. Këto ishin pra disa forma nga ma të ndrysmet qe ne mernnim vesh lajme nga prindi ynë. Nuk mbaroi me kaq, në një letër që i kishte ardhë një t’internuemi tjetër, jo aq në sy, shkruhej se si im atë kishte nisë dy pako të tjera, po aq të mëdha nga Austria me anën e miqve të tij. Ato nuk erdhën kurrë sepse u bllokuen e konfiskuen në doganë nga organet e Sigurimit, që e kishin kuptue se kush i çonte. Nga një përson i lirë që kishte njerëz në Ministrinë e Brendëshme, dhe kishte respekt për familjen tonë, morëm vesh se në atë Ministri, ishin disa letra dhe fotografi të babës që Sigurimi i kishte ndalue e marrë nga posta. Këto ishin ato raste që ne mundëm me pasë nje far lidhje me prindin tonë. Por ma e bukura do të vinte ma vonë. Diçka e pabesueshme. Një aventurë për film.
Duke qene se gjithë përmbajtja e librit i përgjigjet jetës dhe veprimeve të prindit tonë, duke kapercye mbi ngjarjet ku edhe ne vetë u përfshimë, që janë tregue në shkrime të tjera, do të flasim për kohën e qendrimit jashtë shtetit si i arratisun ose refugjat politik shqiptar. Patjetër se do të fillojmë nga qendrimi tij në Greqi, përsa kemi marrë vesh nga ata që i ndejtën pranë dhe bashkëpunuen me të.
Një nga keto ishte Kapllan Bylykbashi, nga Devolli, i arratisun në Greqi që më 1945, që e njihte tim etin dhe ishte takue me të shpesh. Bylykbashët ishin trima e besnikë, dhe me Prenk Pervizin ishin lidhun fort. Disa prej tyne kishin hy në Shqipni si diversantë nën urdhnat e tij. Nja dy që i kishin kapë i kishin burgosë. Thuhet se pati dhe të pushkatuem prej tyne. Ky Kapllani pasi ndejti 10 vjet në Greqi kishte kalue në Amerikë. Atje qëndroi 20 vjet. Se se si dikush ia mbushi mendjën të kthehej te familja në Shqipni, se nuk e gjente gjë e s’kishte kush punë me të, sepse gjendja ishte e qetë dhe Shqipëria lulëzonte. Ishin mashtrime të agjentëve të sigurimit. Ndërsa Bylykbashët ishin pushtaktue, burgoisë e internue. Kështu ndodhi që Kapllani u kthye andej nga viti 1980. Zhgënjimi i tij nuk mund të përshkruhet, mjafton të dihet se e arrestuen dhe internuen ne kampin e Gradishtës së Lushnjës, duke ia mbajtë edhe ato pak dollarë e plaçka që kishte sjellë me vete. I shkreti Kapllan, që ia sollën dhe familjën aty të detyruem me punue në bujqësi si të gjithë t’intenuemit e tjerë. Kishte ra nga tigani në zjarr ! Nuk kemi ndërmend të bajmë historinë e Kapllanit, por ai kishte sjellë lajme si për babën tonë ashtu dhe t’arratisuni e tjerë që i kishin familjet e internueme në atë kamp. Dihet se në Grandishtë ishin internue disa familje të njohuna të botës shqiptar, si e Prenk Pervizit, Hasan Dostit, Murat Kaloshit, Cen Elez Ndreut, Mustafa Krujës, Mirakaj, Demaj, Kupi, etj. Familje të tjera ishin në kampe të tjerë, si Savër, Grabian, Gjazë, Çermë etj.
Prej tij ne morëm vesh si e kaloi kufinin prindi ynë dhe si u paraqit në Greqi. Kapllani kishte pasë rast të shoqnohej shpesh me të, dhe kishte ra biseda e arratisjës tij. Aq ma tepër që i kishte dalë besnik një Korçar si shoferi Llazi Sterjo dhe djemt e Gani Kullës në Zemblak. Korçarët kishin pse të krenohëshin. Ja se ç’morën vesh nga Kapllani.
Atë natë kur ishte nda prej Llazit, që e kishte ndalë makinën aty pranë rrugës së Kapshticës, im atë kishte ndjekë atë rrugë paraleshit i fshehun ndër shkurret deri afër Doganës, siç quhej posta e kufinit. Aty kishte dredhue anash deri ne një pikë, ku kishte qendrue duke kontrollue lëvizjet e rojëve kufitare e duke iu afrue dalë nga dalë vijës së kufinit, që ai njihte mirë dhe që pika kufitare e Doganës e ndriçuar i shërbente si orientim. Kur ishte sigurue mirë, kishte ndërmarrë kalimin, duke ecun për aq kohë sa mendonte se gjendej ne tokën greke. Dritat e Doganës qendronin shumë mbrapa tij dhe nga ana tjetër dukëshin dritat e fshatit grek Kristallopi që ai njihte mirë, sepse dikur aty kishte vendosë komandën në kohën e luftës italo-greke. Por ç’kishte bërë ? thoshte Kapllani, nuk ishte paraqitur gjekundi dhe kishte kalue natën bri rrugës së Folorinës deri sa kishte dalë drita. Pse? Për arësye se qendronte rreziku me ra në dorë elementësh komunistë e ta pësonte si miku i tij Koço Kota, e të tjerë që komunistët grekë i kishin pikasur e dorëzue shqiptarve. Kur kishte dalë mirë drita, ai kishte kaluar në rrugën kryesore duke ecur esber, me syze dielli, si nje gazetar i huaj. Kishte ndeshun në ndonjë kalimtar që e pershendeste me respekt, si turist ose gazetar të huej. Ndërsa ecte kështu, vjen një veturë nga pas e ndalët disa metra para tij, ku shoferi i bën me shenjë që të hypte, dhe i kishte folur nja dy fjalë italisht. Kjo i erdhi e papritun dhe e pranoi ftesën duke e falenderuar po italisht shoferin, i cili u gëzua pse italishtën e fliste disi dhe mundi të shkëmbente bisedën me të huajin, që doli që ishte një gazetar francez, Aleksandër Rubin. Kur arritën në Folorinë, ku im atë kishte qendrue do kohë kur përcolli Mbretin Zog, e falenderoi shoferin dhe shkoi te një bankë ku këmben në pare greke disa sterlina. Ai kishte edhe napolona florini, por paraqiti sterlinat qe te mos dyshonin, sepse dihej se napoloni përdorej zyrtarisht në Shqipni, dhe shkoi fill e ne një hotel ku zuni një dhomë për atë natë. Ai kishte njё dokument njoftimi francez me emrin Aleksader Rubin, qё e mbante pёr udhёtime “inkonjito”, qё kur ishte nё Itali, kur i binte tё udhёtonte pёr punё personale. Pastaj vendosi të paraqitet në policinë e qytetit, pse ishte informue prej shoferit se aty nuk kishte elementë komunistë. Kur ishte paraqitun në atë zyrë me dokumentë që tregonin se si ai ishte nje gjeneral shqiptar që ishte arratisë prej Shqipnie, dhe kur kishte tregue edhe karvizitat e tre gjeneralëve grekë që e i kishin ba vizitë në Korçë, ato të policisë u sollën me respekt ndaj tij, dhe nuk vonoi edhe aty erdhën gazetarë nga radio e Folorinës, të cilët donin t’i banin një intervistë me atë përsonalitet të naltë ushtarak që ishte arratisun prej një vendi komunist.
Për Folorinën ishte një lajm sensacional. Sepse u mor vesh se Gjenerali kishte shoqërue Mbretin Zog në Greqi më prill 1939, ku kishte qëndrue do kohë në Folorinë. Intevista u la për ditën tjetër, që t’i lejonin që të pushonte e të qetësohej. Ai u takue edhe me autoritetet e vendin të cilët i treguen respekt e nderime. Mori vesh se miqt e tij gjeneralë, dy ishin vra gjatë luftës italo-greke në një bombardim, dhe i treti kishte vdekun. Atë natë ai e kaloi në hotel, ku mundi ta marrë veten e të qetësohej. Të nesërmën mbrama ai dha intervistën në radion e Folorinës, ku lajmi shkoi edhe në Shqipni. Babai, juaj, tregonte Kapllani, nuk i besonte shumë grekëve, dhe për sa mori vesh, aty përreth qarkullonin grupe partizanësh komunistë. Për t’i ikur çdo rreziku ai u largua nga Folorina e drejt e në Athinë me një autobus udhëtarësh. As në Athinë nuk u paraqit gjëkundi, por zuri edhe aty një hotel të mesëm, si gazetar francez, me emnin Aleksadёr Rubin. Ai e kishte marrë vesh se qeveria shqiptare kishte kerkuar dorezimin e kriminelëve të luftës (siç i quente t’arratisurit), dhe donte të sigurohej nga çdo e papritur. Zuri miqësi me hotelxhiun, që dinte pakëz frëngjisht, i cili ishte një njeri i mirë dhe antikomunist. Ndërkaq prindi juaj merr vesh se në Athinë kishin ardhur ato të komisionit për shqyrtimin e çeshtjës së t’arratisurve nga Shqipëria, Bullagaria, Jugosllavia e Rumania, që mbahëshin në në qendrёn e refugjatëve “Haxhi Qiriako” aty në Athinë. Ishin miqt e tij të malit, koloneli Meklin, koloneli David Smiley e kapiteni Julian Amery. Ai, nuk shkoi t’i takonte, por u kishte shkruar një letër drejt në adresën e qendrës n’emër të kolonelit Meklin. Nuk kaloi java dhe para hotelit u ndalën dy xhipsa, prej ku zbritën disa ushtarakë anglezë. Sa hynë në hollin e pritjës, ku Prenka po rrinte e po pinte kafe, e njohën prindin tuaj dhe u përfalën përzemërsish me të, nën sytë e zgurdullar të pronarit. E morën menjëherë me vete. Kështu mori fund aventura e prindit tuaj për arratisjën në Greqi. Ai u detyrua të vepronte kështu për t’i ikur çdo rreziku të mundshëm. Por babai juaj me tё cilin zuna njohje tregoi se si pas disa ditësh ishte kthyer te hoteli, ku e kishte falënderuar pronarin për sjelljën e mirë ndaj tij. Pronari nga ana e tij, ishte inatosur e zemrue pse nuk i kishte treguar se kush ishte, se ai do ta kishte mbajtur si mik të nderuar. Tregimi i Kapllanin nuk mbaroi me kaq. Ai kishte shtue, se si pas do kohë, një ditë prej ditësh nё kampin “Haxchi Qiriako” ishte paraqitun një zotni grek, pasunik i madh dhe i lidhur me personalitete tё larta te shoqeris greke. Ai kishte kërkue të takohej me gjeneralin shqiptar Prenk Pervizi. Kur babai juej ishte gjetur para tij, vazhdonte Kapllani, nuk e kishte njohur dhe ishte çuditur pse e kishte kërkuar ky zotni i panjohur. Greku i ishte përgjigjur që e shoh se ti nuk po me njeh, por jam unë që të njoh mirë. Si qendronte puna ? Ky njeri në kohën e Zogut, paskej qendruar disa kohë në Shqipëri, për bisnesin e tij si argjëndar, ku kishte blerë shumë gjëra të çmueshme, xhevahirë, margaritarë, unaza me diamantë, e te tjera sende të vlefshme, me çmim shumë t’ultë. I kishte mbushur valigjet plot, por ishte puna si të kalonte doganën pa e kontrolluar. Drejtohet fill e te babai juaj që ishte komandant i qarkut Korçës, ku ia qan hallin, qe kishte ble disa mallna tregitie me vlerë dhe kishte frikë se ia ndalonin shqiptarët se për grekët nuk kishte problem. Babai juaj i pergjigjet se nuk merrej me asi punësh. Ai ishte nje komandant i ushtrise e nuk përgjigjej për doganën. Greku i kishte thënë, se ashtu është, por ishte dhe ana tjetër, se emri tij njihej në gjithë Shqipërinë. Ai nuk kërkonte tjeter veçse një copë letër me firmën e tij, ku të shkruhej, të lejohet kalimi i këtij personi me plaçkat që ka. Kaq. Mirë, i kishte thënë, po ta bëj qejfin, por se sa të vlen nuk përgjigjem. Ato të doganës sa kishin pa firmën e Prenkës e kishin lënë të kalonte menjëherë. Me ato valixhe ai e kishte zgjëruar tregtinë e tij e ishte bërë milioner e personalitet i Athinës. Ai ishte i lidhur me figurat me tё larta tё Greqisё deri dhe me vete mbretin. Gezonte besimin e tyne e kishte influencё tё madhe nё qeveri. Ai e nxori Prenkën prej aty dhe mori përsipër gjithë shpenzimet për jetesën e tij midis Athinës, ku e kishte vendosë ne një hotel lukzoz, duke ia siguruar të gjithë nevojat materiale. Sa që e quente si vëlla. Nga ana tjetër duke e perkrahur ne aktivietin e tij politik, me shpenzimet qe ato punë kërkonin. Deri dhe udhёtime nё Itali qё tё takohej e bashkёpunonte me patriitёt e tjerё shqiptarё. Unë u largova pas 10 vjet vjet, më 1955, për në Amerikë, e nuk di tjetër për të, veçse dëgjoja se shqiptarët e respektonin dhe e nderonin. Mora vesh pastaj se si kishte kaluar në Belgjikë, dhe për vdekjen e tij atje. Kështu në ato kondita na erdhi një tregim ma i shkoqitun se si ai kishte kalue kufinin në atë natë dhe si ishte paraqitë.
Sipas dёshmisё sё t”arratisurit Zef Luka, Prenk Pervizi, qё jetonte nё njё hotel lukzos tё Athinёs, kishte njё zyrё nё kampin e Haxhi Qiriakos, ku vinte herё pas here. Ai merrej me organizimin e caktimin e njerёzve qё do tё hidhёshin si diversantё nё Shqipni, nga Greqia ose Italia, siç kishte ndodhё me vetё Zef Lukёn, njё ndёr diversantёt ma tё njohun qё kishin veprue nё Shqipni.
Siç e përmendëm për pakot e ndalueme nga Sigurimi, që ishim lajmërue nga një përson tjetër, të cilin e kishte njoftue babai, pati dhe raste te tjera ku na vinin te falat e tij. Një here i kishte ardhë një letër djalit të Muharrem Bajraktarit, Gencit, ku i shkruente se familja e Prenk Pervizit mos të bahej merak se ai i rrinte pranë e kujdesej për Prenkën për çdo gja. Edhe grueja e Valentinit nga Bologna, me ndonjë kartolinë, sepse letrat nuk kalonin, na siguronte here pas here për shëndetin e na bante të falat e tij, gjithmonë në emën të një gjoja tezës sonë Ana, që ishte vetë dora.
Së fundi, ishte miku i tij i ngushtë, Muharrem Bajraktari, që me anën e familjës tij na njoftonte dhe na ngushullonte për vdekjën e babes, më shtator 1977. Këto ishin të gjitha mundësitë e marrjës së ndonjë lajmi prej prindit tone sa qendruem në kampet e internimit. Njoftime të tjera do t’i merrnim gjatë qendrimit tone në Belgjikë, ku kaluem në tetor 1990 e deri më sot që po shkruejm këto kujtime.
Në botën e lirë
Në tetor 1990 arritëm me dalë familjarisht në Mbretninë e Belgjikës, me gruen e tre djemtë. Një mrekulli. Nga skëterra komuniste në botën e lirë. Nga Ferri në Parajzë. Në shtetin ku kishte jetue vitet e ditët e fundi prindi ynë. Ishim familja e vetme dhe e parë që vinte drejt nga kampet e internimit. Shqiptarë të ndryshëm të mërgatës vjetër erdhën me na takue. Njerëz që e kishin njoftë babën e ishin shoqnue me të.
Por kryesorja imediate për ne ishte rregullimi i gjendjës sonë. Duhej me u paraqitë patjetër në Komisariatin për refugjatët. Unë, grueja e djali i madh. I vogli nën 14 vjeç nuk merrej në pyetje.
Na intervistonin veç e veç. I fundit me takoi mue. Hetuesi ishte një burrë rreth 50 vjeç. Përkthyese frëngjisht, një zonjushë bionde kosovare. Nuk pata nevojë për përkthim. Me frëngjishtën që kisha mësue në shkollë në Itali dhe përmirësue në burgjet e kampet me intelektualët të mbyllun aty, veçanërisht në Kuç, ia dola vetë në krye punës. Relacioni im ishte tepër i plotë e tronditës për hetuesit belgë. Me vendet e internimëve, data dhe konditat. Sigurisht se aty doli pse keni zgjedhë Belgjikën. Këtu kishte jetue e vdekë prindi ynë, Prenk Pervizi, gjeneral shqiptar. Hetuesi në një çast mori leje dhe shkoi diku. U kthye pas 10 minutash.
– Zoti Pervizi, jeni te pranuar qe tani, komplet me gjithë familjën. Me urdhën e vendim të vetё Presidentit të Komisariatit. Mirësevini në Mbretninë e Belgjikës !
Ndërkaq, me dha një posulle, ku ishte shkrue adresa e qytetit ku kishte jetue e vdekë im atë dhe e varrezave ku ishte varrosë. Gjendja jonë u rregullue. Zumë një apartament dhe përfituem ndihmën e caktueme për refugjatët. Kjo i habiti gjithë shqiptarët për shpëjtësinë e rregulimit tonë. Faktikisht ato ishin t’ardhun atyqyshё nga viti 1956, me rregulla të tjera, e kishin hasë në veshtirësi në kohën e tyne. Me shëmbjen e komunizmit dhe vërshimin e refugjatëve n’Evropë, OKB-ja kishte marrë masa të reja për përballimin e situatës. Kjo me pak fjalë paraqitja dhe sistemimi ynë në Belgjikë, ku u pritëm ma së miri. Aty grueja ime kishte dhe t’amën, Zorka Malaj e tre vllaznit për nanë, që edhe ato e kishin provue internimi deri sa u riatdhesuen në Mal të Zi, e pastaj kaluen në Belgjikë.
Puna e parë për t’u krye ishte gjetja e vorrit të babës. Kjo u arrit me adresën që më dhanë në Komisariat. Nga ana tjetër dolën dy puknjanë, Gjergj Tishi, bir’ i Zef Tishit, që kishte shoqnue babën kohët e fundit, dhe Ded Mjeku, të cilët na përcollën në spitalin ku im atë ishte shtrue e kishte ndërrue jetë. Ku na pritën mirë, dhe takuem edhe infermierën që ishte kujdesue për të. Edhe ajo na dha adresën e varrezave dhe na tregoi se im atë ishte varros në atë që quhej parcela e herojve, ku varroseshin personalitete tё larta ushtarake të ikun nga vendet komuniste.
Te varri shkova bashkë me Patër Ambroz Martinin, që kishte krye shërbimin e fundit fetar t’im etit dhe Ded Mjekun, i cili ishte shoqnue vazhdimisht me babën, dhe njihte gjithë mergatën shqiptare të Belgjikës. Ai punonte si përkthyes, sepse zotnonte, përveç shqipës, italishtën, frëngjishtë e serbo-kroatishtën. Prej Dedës dhe Patër Ambrozit mora informatat e para për babën. Ndër të tjera mora vesh se si, pas vdekjës së babës, të gjithë plaçkat, orenditë dhe sendet përsonale të tij, libra, letra, fotografi e shkrime, ndër to dhe një revolver, ishin mbyllun në një valixhe apo arkë të vulosun me dyll. Shqiptarët ndërhynë dhe propozuen se ato plaçka mund t’i dorëzohëshin në ruetje Pater Ambrozit. Kështu u la. Por kur ai u paraqit ditën e caktueme për t’i marrë, nuk ia dhanë dhe i thanë se po nuk doli kush i familjës, ato sende nuk i dorëzohën askujt. Për deri sa nuk kishte njerëz të familjës që t’i dorëzohëshin, ato ruhëshin 25 vjet, në pritje mos dilte një i afërm i tij. Pastaj digjeshin. Si me ia ba ? Doli se shqiptarët kishin vu dorë mbi atë arkë, duke ndërhy me anë të pëshkopit me origjinë polake, Jordan, që përgjigjej për shqiptarët. Arka u hap në prani të tre shqiptarve, të cilëve nuk po ua përmend emnat. Për disa sende personale, si orë dore, çakmak i markës « Dupont », stilograf e stilo-laps me veshje ari, çestek ari, unazë e martesës, një pako me letra, ndër to një letër drejtue Presidentit t’Amerikës, një sasi fotografishë dhe dy blok-shënimesh me adresa, pasaportë e letër njoftim të OKB-së, si refugjat politik, ia kishin dorëzue një far Ded Volaj, nga Puka Atё e kishin thirrë aty, sepse ai njihte disa nipa të Prenk Pervizit, që gjendëshin në Amerikë, prandaj ai të ua çonte. Ded Volaj e kishte pa arkën e hapun, me plaçkat dhe sendet e tjera, ndër to fletore me shkrime e libra, si dhe revolën. Për ato sende nuk u tha asnjë fjalë se si do shkonte puna e ku do të përfundonin.
Ai kishte pranue me e krye atë porosi. Deda më tregoi se kush ishin tre shqiptarët aty të pranishëm përveç pëshkopit. Ndërhyna pranë kryetarit të Komunës (Burgmestrit) ku kishte jetue im atë, në qytetin La Luvierë, i cili m’u përgjigj që kishte ngarkue komisariatin e policisë që ta ndiqnin çeshtjën. Nga policia erdhi njoftimi, që rezultonte se Prenk Pervizi nuk kishte lanë asgja. U kuptue se asaj pune i kishin vu kapak, dhe kot që mundohësha me e zhbirilue. Njerëzit që e kishin organizue atë punë kishin vdekun, dhe kur unë shkova me kërkue llogari te familjet e tyne, se mos kishin ruejtë ndonjë send të babës, veçanërsiht kutinë e cigarëve prej ari me emnin e firmën e tij të skalitun, dhe pёr dokumenta e dorёshkrime, tue qenë se kishin pasë miqësi me prindin tim, m’u përgjigjen që nuk kishin asgja nga sendet të tij dhe se nuk dinin asgja për to. Ndërsa ishte krejt e kundërta.
Kisha ardhë në një kohë kur të gjithë miqt e t’im etit kishin vdekun. Gjashtë muej përpara kishte vdekë Muharrem Bajraktari. Po në ato ditë që mbrritëm në Bruksel, kishte vdekë miku tjetër kurbinas, Brahim Bami, nga Zheja. Ky i shtruem në spital, kur kishte marrë vesh për ardhjën e birit të Prenk Pervizit, kishte shpreh dëshirën me më takue, por u njoftova pas vdekjёs tij. Me rastin e vdekjës tij, vjen nga Amerika, Gjergj Qipi që me Brahimin kishin lidhë kumbarie. Ky Gjergji ishte nga një familje mike jona den baba den, nga Malibardhë i Kurbinit. Gjergji vjen më takon me djalin e Brahim Bamit, dhe me dorëzon disa sende të babës, që ia kishin dhanë nipat tonë në New York, Ndue e Martin Lala të cilëve ua kishte çue ai Ded Volaj. Mbeta i befasuem, sepse përveç disa fotografive, orës dorës dhe një stilo-lapsi, që unë i njihja, të tjerat ishin zevendesue me gjana pa vlerë. Pakoja e letrave mungonte me gjithёletrёn dergue presidentit Knnedy. U detyrova me i pranue, ashtu siç mi kishin sjellë. Mos tjetër fotografitë, që nuk kishim asnji të tijën, dhe unazën e martesës, jo ajo që unë dija, me mbishkrimin e emnit tij dhe të datëlindjës, por se pakut florinit. Kur ia tregova Ded Mjekut ato sende, ai mbeti i çuditun, sepse kishte ndejtë vazhdimisht me babën dhe ia njifte gjanat që mbante. Ndër te tjera me tregonte se si i ishte prishë çakmaku « Dupont », prej florini, dhe se si Deda e kishte ndihmue me ia dergue me postë speciale fabrikës në Svicër, që ia kishte kthye të riparuem. Pastaj ku ishte kutija e cigarëve po prej florini, me emnin e firmën e tij të gdhendun në të ? Ma vonë kishte dalë se nje nga personat qe kishin vu dorë mbi plaçkat u muer vesh se përdorte e thyente pesë-napolonsha florini, që nuk kishte disponue as dispononte askush shqiptar. Përfundimi i sa thamë deri tani : edhe ato sende të fundit të Prenk Pervizit, ku kishte edhe dokumentë si dhe shkrime, shënime, kujtime dhe sende të tjera, ashtu dhe korispondenca, u zhdukën pa lanë gjurmë, humbën. Nipat ne Amerike, për letrat më thanë se ato ishin kalbë nё bodrum prej lagështinës. Ec e merre vesh. Po pse në njё bodrum me lagështinë ruhën letrat ? Kisha mbet krejt i pafuqishëm dhe i zgënjyem. Koha kishte ba të veten. 45 vjet i ndamë prej botës dhe jetës normale njerëzore.
Nuk më mbetej tjetër veçse me marrë informata gojore prej shqiptarve të mërgatës së vjetër, ose ma mirë me thanë prej fëmijëve të tyne. Me ra rasti me shkue edhe ne Paris qysh në verën 1991, ku u takova me Leka Zogun e disa shqiptarë të rrethit tonë miqësor. Rezultati ishte se informatat jepëshin me pikatore. Leka Zogu me tregonte, ndërsa gëlltiste konjak, se per Prenk Pervizin i kishte folë mirë Hysen Selmani, kujdestari tij pas vdekjës se Mbretit Zog. Aq. Si përfundim arrita të marr vesh sa ma poshtë vijon.
Prenk Pervizi në Belgjikë
kaloi 11 vjetët e fundit, 1966-1977
Jetë e veprimtari në mërgim
Im atë kishte qëndrue 19 vjet në Greqi, ku, në periudhën 1950-1954, bashkë me Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Abaz Ermenin e të tjerë shqiptarë, kishin nisë një organizim ushtarak për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipni. Puna kishte ecë mbarë, pse kishte mjaft shqiptarë t’arratisun dhe kishin edhe ndihmën e grekëve e t’anglezëve. Nga njoftime ma të sakta nga shërbimi i fshehtë amerikan dilte se Prenk Pervizi kishte mbështet planin anglez për atë organizim me anën e Greqisë, ndërsa Hasan Dosti atë armerikan me anë të Jugosllavisë. Për në Greqi pritej që të vinte aty vetë Mbreti Zog, me të cilin ishin në lidhje, për t’i dhanë fund organizimit dhe nisjes së aksionit. Por ç’ndodhi ? Anglezët e kishin pengue Mbretin e nuk e kishin lanë me ardhë në Greqi prej Egjyptit ku rrinte, nën mbrojtjën e Mbretit Faruk, që i i kishte krijue kushte të mira jetese. Ndërkohë, anglezët i kishin dredhue fjalët duke paraqitë si kusht të mbështetjës dhe ndihmës së tyne, kthimin e Korçës e Gjirokastrës Greqisë. Shqiptarët të revoltuem nuk kishin pranue të tilla kondita dhe organizimi u prish. Mësova pastaj se si ato ishin përpjekë me dërgue diversantë nepërmjet kufinit, ku ishte dallue Hamit Matjani e vllaznit Bylykbashi nga Devolli, të cilët kishin hy e dalë disa herë. Rezulton se ata kishin punue sipas udhëzimeve të Prenk Pervizit, dhe ishte shtrue mundësia që Hamiti të tërhiqte në Greqi djemt e tij, pra, mue dhe vëllain Valentin e ndonjë tjetër.
Më 1950-1951, një grup t’intenuemish, shumica gra e disa djem te ri në moshë pune, ishin transferue me punue në një fermë të Lushnjës, në sektorin Pluk. Hamit Matjani e kishte marrë vesh atë punë dhe ishte interesue, deri aty sa kishte shkue fshehurazi në atë kamp, aq i zoti dhe i zhdërvjelltë ishte, por doli se djemt e gjeneralit nuk ishin aty dhe s’kishte ndonjë tjetër person që t’ia vlente për ta marrë me vete. Në atë periudhë ne ishim të mbyllun në Porto Palermo e Tepelenë.
Organizimi i diverasantëve u shtue dhe filloj hedhja e tyne me parashuta, ku në Dibër u hodh kapiteni Zenel Shehu me te tjerë që u kapën, dhe Sigurimi i detyroi te punonin për të. Arriti puna që, gjoja ishte krijue një zonë e lirë dhe pritej të vinte ndonjë figurë udhëheqëse me emën, si Prenk Pervizi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari, etj. Kjo mund të kishte ndodhë, por Zenel Shehu e paskej ruejt një kod të fshehte që krijoi dyshim. Prandaj, kësaj punë do t’i paraprinte Hamit Matjani, që do të konfirmonte e vërtetonte se ishte mundësia e ardhjës së personalitetëve që përmendëm, për të fillue luftën kundër komunizmit. Dihet si përfundoi misioni i Hamit Matjanit, që ra në kurthën e Sigurimit, që nga ana e tij priste mos zbriste ndonjë peshk ma i madh. Kështu Hamiti u sakrifikue për një çeshtje të madhe, dhe nuk u përkul e nuk pranoi të luej lojën e Sigurimit. U gjykue dhe u denue me varje midis Lushnjës, më 1954. Dega e Brednshme u dha lejë t’intenuemeve që të shkonin e ta shihnin Hamitin të varun me iu shti frikën dhe me i dëshperue. Shumë pak prej tyne shkuen, ma tepër çunakë.
Dështimi i ndërhyemjës me diversantë, si nga toka ashtu nga qielli, siç do të vazhdonte ma vonë, erdhi si rrjedhim i spiunit anglez Philby, që punonte per Sherbimin Sekret Rus, pranë shtabit të komandës aleate, i cili informonte për çdo hedhje të diversantëve në Shqipni, që kapëshin sa shkelnin në tokë. Pati dy raste të veçanta që nuk u diktuen, ai i Ndue Pjetër Gjomarkut, në maj 1949, që koincidoi me vrasjën e Bardhok Bibës dhe ai i grupit të Alush Lleshanakut, që u hodh në zonën e Mirditёs mes dimnit e bores më 1949. Por edhe ai dështoi, sepse u diktue nga tradhtia e një shoku të ngushtë të tij që ishte lidh me sigurimin, të cilit ai i kishte besue. Alush Lleshanaku u vra në Elbasan.
Ndërkohë, im atë kishte udhëtue në Francë në Marseille ku ishte takue me Mbretin Zog, për të gjetun mundësinë e një ndërhyemje me forcën e armëve në Shqipni me ndihmën e shtetëve fqinje. Aty dolën kontradita. Zogu e kishte mendjën akoma te Jugosllavia, ku mund të gjenin mbështetje, tue kujtue se do të përseritej 24 dhjetori 1924. Prenk Pervizi insistonte se kësaj radhe ishte Greqia bashkë me anglezët që mund ta banin atë punë, qё pёrmatepёr ishte Mbretni. Kurse Jugosllavia ishte një vend komunist, dhe kurrë n’e kurrës nuk do të pranonte një gja të tillë, aq ma keq se do t’ua bante të zezën me i tradhtue e dorëzue te komunistët shqiptarë. Kështu ato u ndanë pa arritë në mirëkuptim. Ma vonë Zogu vdiq dhe nuk u ba gja. I biri ishte tepër i ri e vazhdonte shkollën. Ku u rrit, mori drejtim te gabuem duke u shkëputun prej atyne që i kishin ndejtë pranë babës tij, duke u rrethue me njerëz pa emën, pa nam e nishan, siç thotë populli. Një fakt i vogël që tregon punë ma të mëdha, ishte një shkëmbim fjalësh që unë pata me disa shqiptarë në nje kafe. Njerëz të mirë por me flutura në kokë. Aty unë kisha ndërhy se si mergata shqiptare nuk kishte qene aspaki e organizueme dhe e gatshme me i dalë punës në ballë pas shëmbjes së komunzmit. Mergata me mbretin Zog duhet të kishin organizueme një qeveri hije, me intelektualët shqiptarë në mergim. Po ku janë ata ? Jo ky i kuq, ai i zi, tjetri i bardhë apo i verdhё. Duke ba të tilla dallime ata i keni largue. Pastaj ku i keni djemte e juej që të kenë mbarue shkollat e të jenë të dipllomuem ? Jo, i keni ba shëgertë e kamerierë kafesh me fitue pare. Jeni marrë me bixhoz, me pije e me lavire. Mbretin e keni rrethue me njerëz të pa nivel e të panjohun, bari dhnesh, anonimë. S’keni organizue asgja të hajrit, as keni një shtyp që të ju perfaqësojë. Legaliteti ? Kush e ka shpikë këtë emërtim të panjohun e të pa vlerë ? Sigurisht një injorant, sepse asnjë zogist i ngritun e intelektual nuk merr pjesë në të. Zogizmi asht gja tjetër, dhe njihet në Mbretin Zog dhe jo në legalitetin, e udhëhequn nga njerëz tё pashkolluem, analfabetё e pa asnjë vlerë. Pak a shumë kështu fola. Atëhere një shqiptar kërcej nga një tavolinë.
– Po ai baba yt, Prenk Pervizi ka dashtë me e vra Zogun e me i zanë vendin !
Ia ktheva aty për aty:
– Mor i shkretë, po ta kishte pasë atë mendje, jo një kokë por disa të kishte pasë Zogu ia kishte hjekë. Ndërsa ka qene besniku ma i madh i tij, si ne të mire ashtu në të keqe, nga fillimi deri ne fund të mbrenisë. Këtë e di çdo shqiptar deri dhe fëmijët në Shqipni, por siduket jeta në megrim ua ka marrë mend dhe ua ka hjek edhe ato pak që kishi. Isha i revlotuem. Mos je ti filani, nipi i filanit ? Atё axhën tand e kam pas në burg e internim, burrë i mirё e zogist i flakët, por jo legalist si pua juej !
Fjala ime i la në heshtje të gjithë sa ishin. Unë u kisha tregue atë të vërtetë që ata as e kuptonin as e njihnin, por që u detyruen ta pranonin. Këto ishin gjithë sa unë arrita me marrë vesh prej njerëzve të ndryshëm në Belgjikë e Francë, të mira apo të këqia.
Përsa i përket periudhës së Belgjikës, im atë erdhi aty më 1966. Duke qenë se nuk kishte familje as njeri të vetin, atë e caktuen në një hotel për refugjatë ku i caktuen një apartament të veçantë, nёn kujdesin e Karitasit, në qytetin La Louviere, një gjysmë ore me tren nga Brukseli. Aty ishin dhe katër gjeneralë rumunë e bullgarë, edhe ata t’arratisun prej komunizmit, që trajtohëshin si prindi im. Ai vinte vazhdimisht në Bruksel, ku shkonin dhe e merrnin me makinё, ose me tren, qё e kishte tё paguem. Nё Brukesl e kalonte kohën me miqt e tij, Muharrem Bajraktarin, Refat Kolgjinin, familja Duraku, Brahim Bamin, Tahir Zajmin, ku shpesh vinte dhe Abaz Kupi e të tjerë prej Parisi, e ia shtronin bisedës duke analizue shkaqet e gabimet që çuen ne deshtimin e nacioalistëve në kohën e luftës. Dhe ç’mund të bahej për imediatën e t’ardhmën.
Në një takim të tillë miqsor, im atë ishte shprehun :
– Dëgjoni, për si asht Shqipnia tash nën diktaturën komuniste, janë famimljet tona që ia njohin kriminalitetin, që po e pësojnë mbi kurrizin e tyne, si hakmarrje ndaj nesh, burrave të mirë. Ne jemi në parajzë ato në ferr. Kjo dihet. Si do shkojë puna thoni ? Dëgjoni, pa u shemb komunizmi në Rusinë Staliniste, nuk shëmbet diktatura shqiptare, as të tjerat. Ajo kohë dotë vijë. Kur ? Ne do jemi a s’do jemi. Tjetër zgjidhje s’ka, për deri sa e lamë të na fluturojë zogun nga dora. Na mashtruen tё huejt qё mbanim si miq. Na prenё nё besё duke e shpёrdorue mirёbesimin tonё. Kjo e gjitha.
Miqtë i kishin dhanë të drejtë, se edhe ata ishin të bindun për sa thoshte im atë, por banin gjoja se nuk e dinin, sipas shprehjës “bane zot andërr”.
Aktivitete kulturore nuk kishte dhe jetohej me bindjen se agjentët komunistë vepronin lirisht në diasporë, kudo, nga Belgjika e Franca, në Itali, Angli e në Amerikë. Deri sa kishte arritë që një far Cuf Mullaj (me shokë), agjent e spiun komunist, të tërhiqte për hunde vetë Mbretin Zog bashkë me gjithë legalitetin e kur e mbaroj misionin të ikte duke u tallë me ta. Sa qё kёto agjentё bukurosha, Mbretnesha Gjeraldina i quente si bijt tё saj.
Siç e thamë, kur vinte në Bruksel, im atë rrinte vazhdimishi me Muharrem Bajraktarin, dhe kryesisht në lokalin e nipave të tij Lita, por dhe të kafeneja e Rrok Çunit, nga Puka, që babën e donte dhe e respektonte shumë. Tregohen disa anekdota.
Sa herë që im atën vinte në lokalin e nipave të Bajraktarit, ky porosiste konjak « Metaxas ». Nipat e pyetën një ditë :
– Si asht puna or mixhë, që sa herë që vjen Prenk Pervizi, ti porosit konjak, e kur vijnë shqiptarë të tjerë porosit ujë.
– Ore djelm, Prenk Pervizi, asht nje burrë e general që meriton të nderohet me konjak. Të tjerët janë veç për ujë…
Një here tjetër kur e kishin pyet pse e nderonte e respektonte aq shumë Prenk Pervizin:
– Prenka na e ka kalue të gjithë neve të tjerëve për shkollat e nalta ushtarake që ka krye, për gjuhet e hueja që zotnon, dhe detyrat që ka përballue me nder. Nga kjo anë asnjë oficer madhor shqiptar nuk mund të matet me të. Ai ka qenё pёr mue dhe asht miku ma i shtrejt e i nderuem.
Ndodhte që vinin aty në tavolinën e tyne dhe njerëz të tjerë dosido me të cilët s’ ecte biseda. Atëherë Prenk Pervizi, u drejtohej me gjentilesë të madhe :
-Ju lutemi zotnij të keni mirësinë të na lini të qetë se kemi disa çështje tё randёsishme për të diskutue me Bajraktarin.
Kështu të dy miqtë mund shkëmbenin mendime e gjykilme mbi çështje të randësishme e të kujtonin edhe jetën dhe veprimtarënë e kalueme të tyne. Im atё e Muharrem Bajrktari dhe Fiqri Dine sa kje gjallё, nuk merrёshin me organizata politike as ishin nё ndonjё parti. Ata banin thirrje gjithmonё pёr bashkim pa dallim feje, ideje, krahine e partie. Po me ke, qё shqiptarёt ishin pёrça, secili krah e grup pas kokёs vet ?
Në Belgjikë i vetmi aktivitet i randësishëm ishe dita e Flamurit, 28 Nëndori, që festohej bashkarisht. Në këto festa i jepej fjala Prenk Pervizit, i cili vazhdimisht bante thirrje për bashkim. Nga këto fjalime ka shpetue vetëm një i mbajtun më rastin e 28 Nëndori 1971, organizue nga Blloku Indipendent, fatmirsisht i paraqitun në buletinin e Bllokut Indipendent të atij viti. Një fjalim që kishte lane mbresa të bashkahdetarët, që e përmendnin gjithmonë. Po e japim ma poshtë.
Shënim:
Përsa i përket veprimtariës së tij në mërgim, janë gjetur disa dokumentë në arkivin e Ministrisë së Brendshme italiane, se ai ndiqej nga sigurimi italian dhe mbahej nën vëzhgim për lëvizjet e kontaktet e tij në Itali, veçanërisht në vitӫt 1950-1954, kur paskej bërë disa udhëtime e kontakte ne qytetet Romë, Napoli e Gjenova. Janë 11 dokumentë që u gjetën dhe na u dërguen nga miku, histioriani e diplomati Bejtollah Destani në Ambasadën e Kosovës në Romë, të cilit i shkojnë falemenderimet tona. Jo vetëm kaq, po nga një dokument tjetër del se ai ndiqej e vëzhgohej nga shërbimi sekret italiane edhe ne kohën e Mbretërisë kur ishte kolonel, e ku cilësohej i rrezikshën dhe besnik i Mbretit Zog, bashkë me diplomatin shkodran Ҫatin Saraçi.
Detyrohemi tӫ paraqesim dy nga kӫto dokumentӫ si një provë e veprimtarisë tij edhe në kushtet e emigracionit politik kur u largua nga Shqipëria për në Greqi më 1946. Dhe pӫr tӫ tregue se edhe ne kohӫn e Mbretnisӫ ai vӫzhgohej nga shёrbimi sekret italian.
Fjalimi i Gjeneral Prenk Pervizit
më 28 Nëndor 1971 në Bruksel
Zoja e Zotni të nderuem, bashkatdhetarë të pranishëm,
Jam i gezuem dhe i nderuem, që po marr pjesë në mbledhjen tuej, për të festue 25 vjetorin e Bllokut Kombtar Indipendent. Ju e dini se unë jam i deklaurem i pavarun, nuk baj pjesë në partinat politike t’emigracionit, por nuk jam kundra asnji partie apo rryme politike. Më mbetet të urrej vetëm ata elementa që shkaktojnë grindje e përçarje në radhët e mergatës. Mund të them, përsa i përket Bllokut Kombtar Indipendent, se asht një Organizatë me një program të përsosun, dhe që mbi të gjitha ven nevojen e një bashkimi të rrymave politike të mergatës sonë. Asht i kryesuem prej elementave t’ajkës Shqiptare, të pajisun me kulturë, të squet, patriotë të pastër e aktivistë. Zani i Bllokut, për bashkimin e mergatës gjen në mue admirim e kështu besoj se edhe ndër të tjera ambiente.
Për të pa se sa randësi ka bashkimi, le t’i hedhim një sy shkurtazi, historisë. Mbretnesha Teuta, ka pasë arritë me bashkue fiset ilire, e me këtë bashkim i pat dhanë lufta të rrepta Perandorisë Romake, që ishte fuqia ma e fortë e asaj kohë. Edhe Mbreti Genc, ndoqi shembullin e Teutës, e me atë bashkim u perballoi fuqive të mëdha romake, por mjerisht ra rob, pa mund të arrije synimet e veta. Po për atë kohë, vjen për t’u përmendë burri fatos, që dikush quen Burri e dikush Pirro, i cili bashkoi fiset iliriane prej jugut e deri ne zenrën e Ballkanit, e duke pase arrite nje lidhje historike, pat guximin, po me atë ushtri iliriane e mjetet e asaj kohë, me i ba luftë Perandorisë Romake në tokën e saj. Luftë e përgjakëshme, por megjithatë fatosat iliriane i mundën legjionet e shumta romake. Shqypja e zeze dy krenare u brohorit në fushën e asaj beteje për të parën herë, mbas kësaj fitoreje të shkëlqyeshme. E me qenë se qe shumë e përgjakshme, për të dy palët, historia e pagëzoi “Fitore e Pirros”. Për mos me u zgjat tepër, t’i hedhim një sy kohës s’è Fatosit tonë Kombtar Gjergj Kastriot Skenderbegut, që qyshë në moshë të re u muer peng prej turqëve e u rrit me të tana miradinat e Pallatit të Sulltanit, e qe nderue e respektue prej të gjithëve. Por ai u ra shqelm të tana këtyne miradinave e u vue në shërbim të Atdheut. U shkëput prej ushtrisë turke, mbërriti në Krujë, e nbasi i dëboi turqit prej keshtjellës, bani mbledhjen historike ku mlodhi të gjithë Prijësat e fiseve shqiptare. N’atë mbledhje t’Lezhës, nën hijen e Flamurit Kombtar u lidh Besa Shqiptare e u ba «Bashkimi », u vendos Pamvarësia. Lidhen besë burrat e Shqipnisë, njohën për prijës të tyne Skenderbegun. 24 vjet vazhdoi mbrojtja e Shqipnisë nën udhëheqjen e atij Fatosi, duke i dhane 22 beteja fuqisë shumfishe turke dhe duke ia thye hovin për të pushtue Europen. Mbas vdekjes së Heroit, Shqipnia ra nën okupacionin turk për ma së katër shekuj. Edhe gjatë kësaj kohë, shqiptarët u përpoqën ta rifitojnë lirinë, por intrigat e hueja nuk i lanë të zhvillohen përpjekjet shqiptare. Me fjalë të tjera, të rrethuem në të katër anët prej anmiqve, Pamvarësia u rifitue vetëm në vitin 1912. Konferenca e paqës në Londër, caktoi kufijt e vendit tonë, tue lanë gjysmën jashta nën sundimin e anmiqve tonë. Mbledhja e Patriotëve me 28 Nendor 1912, shpalli Pamvarësine Shqiptare, dhe pat për qellim me e mbrojtë Pamvarësine dhe me u perpjeke me i fut në gjinin e Nanës Shqipni të gjithë shqiptarët. Kaluen kohnat, përpjekje e shumë flijime u banë prej shqiptarve për të mbrojtë Pamvarësinë, por nuk u arrit «Bashkimi », ai Bashkim i të gjtha forcave të shëndosha shqiptare. Fatkeqësisht tue mos u ba Bashkimi, erdhen në fuqi komunistët internacionalë. Me ndihmen e sllavizmit morën frenat në dorë. Gjaku i shqiptarve të pastër rrodhi currila e rrëkaje për ti dalun zot Atdheut. Elementat ma të zgjedhun mbaruen nëpër burgje. Familjet shqiptare u morën nëpër kambë. Populli shqiptar u ba skllav i klikës së kuqe.
Vjen pyetja: cila asht detyra e emigracionit? Përgjigja asht krejt e thjeshtë : « Bashkimi ! Vetëm të bashkuem rrymat politike munden me i sherbye Atdheut. Rrofte Shqipnia e Lirë Etnike !
* * *
Para se të vinte në Belgjikë, im atë ishte ndalë në Itali, e kishte qendrue do kohë në Bolonja ku jetonte e grueja e Valentinit, me të cilën ishte kontaktue dhe n’emën të së cilës nëpërmjet shoqatave bamirëse na kishte nisë një pako të madhe me plaçka, siç e kemi tregue, që e morem, e dy të tjera që nuk na i dhanë e i grabitën. Në qëndrimin në Itali, Ministria e Mbrojtjës Italiane i kishte propozue të ia njihte gradën e lartë si general divizioni, dhe t’i jepte një detyrë komanduese, por me konditën që ai të pranonte nënshtetësinë italiane. Ai nuk e pranoi assësi atё ofertë që e fyente në dinjitetin e tij si shqiptar, dhe prandaj kaloi në Belgjikë, si refugjat politik ONU. Në Itali, sa ndejt u takue me figurat e tjera shqiptare, miq të tij e t’afërm, si Gjon Marka Gjoni me të birin Nduen; Ernest Koliqin, ish shok shkolle e mik; Zef Palin, Kryetar i Komitetit Shqiperia e Lirë, Taf Pervizin, fis i vjetër dhe luftëtar i shquem, nga Hasi i Kosovës; Mehdi Frashërin, Nermin Vlorën me të shoqin Renzo Falaski; kishte shkue e ba vizitë në Institutin Santa Maria, Kolezhi ku kishim studiue ne. Kishte takue edhe ish shokë të Shkollës së Luftës së Torinos, që ishin akoma në shërbim e me pozita. Kjo pak a shume sa morëm vesh nga grueja e Valentinit kur shkova me e takue me rastin e ardhjës së Valentinit nga Shqipnia, në shkurt 1991, ku ajo na tregoi për gjithë sa thamë. Aty mora vesh edhe një çudi tjetër që vetëm shqiptarët janë mjeshtra për të krye.
Ja se ç’më tregoi ajo. Kur ishte bashkue me Valentinin pas 47 vjet ndarje, ajo ndër të tjera i kishte tregue një paketë me letra të dërgueme nga baba kur ishte në Greqi dhe Belgjikë pra 30 vjet korepondencë. Valentini ishte gëzue dhe me padurim i merr zarfat dhe fillon t’i hapë. Ç‘ka me pa e me diftue ? Zarfat ishin bosh ! Ku kishin shkue letrat ? Gori, e shoqja e Valentinit kishte mbetë pa mend. Atëherë ishte kujtue. Ajo paskej njohun disa shqiptarë, dhe paskej ra dakord me ta që t’ia blinin mobiljet e vjetra të familjës saj. Kështu ajo i kishte pranue me hy e me dale gjatë asaj kohë. Pra ato, sigurisht agjentë të Sigurimit shqiptar, kishin përfitue me vjedhë letrat me mjeshtri, duke i lane zarfat bosh siç ishin pakëtue. Poshtërsi e madhe që vetëm komunistët janë mjeshtra për me krye. Prej Gorit përfituem disa fotografi të babes dhe tonat që ajo kishte ruejtë e shyqyr që nuk ia kishin vjedhë edhe ato.
Shkova disa here në Romë, ku më mbajti dy javë shkolla ime ku isha kthye pas 50 vjet plot. Pata rast të takohëm me Nërmin Vlorën e te shoqin, Renzo Falaski, që kishte qenë oficer në Shqipni, pranë shtabit të Gjeneralit Dalmazzo, i cili më konfirmoi, se kur ndodhi kapitullimi i Italisë, Prenk Pervizi kishte ardhë me marrë në dorëzim komandën prej Dalmazzos, bashkë me oficerë të tjerë shqiptarë, ndër të cilët mbante mend gjeneralin Gustav Mirdashin. Në Romë jetonte edhe Taf Pervizi, fis i vjetër yni, i cili kishte qenë në grupin e Bajraktarit kur ishin nisë me dale në Greqi nga Maqedonia, dhe se nga 84 vetë vetëm 24 kishin mbrritë në Greqi, edhe ato të gjithë të plagosun. Të tjerët ishin vra në përpjekje. Ai me tregoi se si ishte takue me babën që ishte gëzue sikur t’ishte nje djalë i tij, pse edhe Tafa ishte një i ri shumë i pashëm e shtatnaltë që i përgjigjej races sonë. Mandej kishte ndejtë me tim atёn në Romë, ku ai vinte prej Greqie në mbledhjet e “Komitetit Shqiperia e Lirë”, me qendër në Romë e me Kryetar Dr. Zef Palin, nga Shkodra. Aty bashkohëshin ne ato vitet e para deri më 1954-56, im atë me Bajraktarin, Fiqri Dine, Abaz Kupin, Ernest Koliqin, Gjon Marka Gjoni e të birin, Nduen, si dhe Taf Pervizin e të tjerë, për të trajtue problemin shqiptar dhe a mund te gjendej një zgjidhje. Asgja s’u ba. “Komiteti” u transferue nga Roma në New York, ku kryetar u caktue Rexhep Krasniqi. Përveç Bazit Canes asnjë prej tyne nuk shkoi në Amerikë. Një pjesë qëndruen ne Itali të tjerët u vendosën në Belgjikë, që ishte qendra ma e njohun e mergatës shqiptare, qyshë me 1956. Im atë do të shkonte atje, 10 vjet ma vonë, më 1966.
Por ai, duke konsiderue se duhej gjetun një formulë për organizimin e shqiptarve të diasporës dhe nje far bashkimi të tyne, hartoi një projekt për formimn e një detashmenti ose batalion ushtarak të rregull shqiptar per me luftue në Vietnam si vullnetarë, bashkangjitun trupava te tjera të OKB, përkrah forcave amerikane. Kuadrot oficerë shqiptarë kishte, ashtu dhe ushtarë, që ishin gati me u përfshi të gjithë, kush mundte. Kishte bisedue me Bajraktarin e te tjerë oficerë që e kishin aprovue atë projekt. Po t’ishte se krijohej ajo force e rregullt shqiptare, atëhere hapej rruga për një organizim ma të gjanë, që bahej shkak për bashkimin e gjithë forcave shqiptare pa dallim rreth atij kontingjenti ushtarak, nën komandën e oficerëve ma të mire y tё Shqipnisё.
Një të hartue projektin dhe ia nis drejt “Komitetit Shqipëria e Lirë” që t’ia paraqiste qeverisë amerikane dhe drejt Presidentit të asaj kohë, Kenedit, të cilit im atë i kishte shkrue një letër që mjerisht nuk me ra në dorë, por që miku ynё Ded Volaj e kishte pa me sytë e tij. Jo që kjo u vërtetue nga letërkëmbimi midis babës dhe Rexhep Krasniqit, ku Rexhepi e falënderonte dhe e përgëzonte atё për projektin, por qe qeveria amerikane nuk e kishte aprovue, sepse në Vietnam nuk pranohëshin forca vullnetare, por vetëm reparte t’ushtrisë efektive të shtetëve anëtare të OKB. Kështu kjo orvajtje nuk pati sukses, por qellimi dhe projekti mbetën të randësishëm e tregojnë se im atë çeshtjen shqiptare e mbante në mendje e në zemër për t’i gjet zgjidhje. Mjerisht nuk kam arritë që ta gjej projektin, megjithëse kam nderhy me anë të disa miqve që jetojnë në Washigton, mos ai projekt gjendët në arkivin e Shtëpisë së Bardhë a gjekund tjetër. Im atë bashkëpunoi vazhdimisht me Muharrem Bajraktarin me të ciilin e lidhte një miqësi e madhe e kalitun gjatë kohës së vështirë të krijimit e stabilizimit të shtetit shqiptar. Mbetët historike e lëgjndare koha e Belgjikës, ku dy miqtë gëzonin respektin dhe admirimin e bashkatdhetarëve për aftësitë e tyre ushtarake, mençurinë e urtësinë ytet e larta shqiptare.
I
Leter e Gjeneral Prenk Pervizit
Kryetarit të Komitetit ‘Shqpëria e Lire”
- Rexhep Krasniqi
Belgjike, Jolimont me 21 Shtator 1966
Zotni Rexhep!
Po ju njoftoj se jam transferue prej Greqie ktu ne Belgjike definitivisht me datë 15 Fruer 1966, me aprovimin e të Deleguemit te Kombeve te Bashkueme n ‘Athine e t’Organizates se Pergjithshme te refugjateve t’Europes ne Gjeneve (Svicer).
Per nderimin e grades se nalte qe kam pase si dhe per rekomandimin e nje miku te madh, kan ba perjashtim, tue me vendose ne nje vend te zgjedhun ne nje apartament special…
Siç e dini, une at Komitet qe asht formue me at kriter te dijtun e kam njofte qyshe ne fillese, sepse un kam qene kurdohere edhe jam i idese se organizata te ketilla duhet te jene pa ngjyra partinash, per te ba orvajtje vetem per Shqipni e jo per interesa partinash meskine. Jam e mbetem i deklaruem indipendent (dmth. i pavarun).
Ne Greqi kam pase nje mik privat, qe ka qene zengjini ma i madh i Greqise e me influence te gjane. Ky mik i madh vullnetarisht e bujarisht me ka ndihmue financiarisht per 19 vjet rresht. Une kam ba nji jete princi e luksoze ne saje te tij, e po ne saj te tij te gjitha portat e atyne qe nuk ushqenin idena te mhrapshta per Shqipnine per mue rrishin te çeluna. Ky mik i jem, para disa muejsh vdiq befasisht nga zemra dhe une, mbas vdekjes se tij mbeta si peshku pa uje ….Greqia as zyrtarisht as anas nuk me ka pas ndihmue….Mbas vdekjes se ketij mikut nga qe edhe pak kam qene merzite aq gjate ne at vend tue prite ndryshim te gjendjes kah Atdheu, pa muejt me pa rezultat etj., u shperngula në Belgjikë.
Bashkadhetaret tane te matun e te logjikshem e dijne ket te vertete se une ne Greqi rrnojshe me burim ekonomik privat e se me grek nuk kam pase asnje angazhim e nuk ka pase vend per as nje lloje fjale ose premtimi qe te cenoje çeshtjen kombetare tonen n’as nje pikpamje. Me gjithe kete asht per t’ardhe keq se pa e konstatue ket te vertete, disa sharlatane meskine, nuk kan mungue me krijue fantazina te pa vend rrotull ndejtjes sime n’Athine e qe tani me ket transferim ose shperngulje s’andejmi, bjen poshte ky “myth” i tyne vetvetiu. Asht per t’i besue proverbit filosofik se “e verteta mund te ndrydhet por nuk mund te shqymet nga se ma ne fund triumfon”.
Per sa i takon demarsheve te mija rreth thezes per « vullnetare » ne sherbin te USA per ne Vietnamin e Jugut, nuk me mbetet (veçse) te ju perseris shenime tjera ne menyre private, perveç sa jane permende n’udhen zyrtare (me leter te drejtueme Komitetit t’uej, po me date te soçme e me te gjitha kopjet e dokumentave relative)
Une jam i bindun se nje intervenim i juej si Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lire” prane Departamentit te Shtetit te USA per Pune te ]ashtme, me percjelljen e gjithe kopjeve te dokumentave (ashtu siç jane), jo vetem se kishte per ta forcue thezen e çeshtjes shqiptare, por kishte per te naltsue konsideraten e mire per ju personalisht, si edhe për Komitetin përgjithësisht.
Tue Ju urue suksese ne detyren e nalte t’uej, tue ju sigurue subordinimin t’em ne drejtimet e jueja, si per kohe paqe si per kohe lufte eventuale kah librimi i dishruem i Athdeut e tue ju paraqite te falat e perzemerta si ju personalisht, Z. Kryetar, si edhe bashkantareve, ZZ Neshat Peshkepise e Vasil Germenit. *
Mbetem i juej me stime e me bese.
Prenk Pervizi.
___________________
*Ky letërshkëmbim me Rexhep Krasniqit, vlen si një domument historik, që pasqyron ma së miri patriotizmin, qëndrimin dhe përkushtimn e Prenk Pervizit ndaj kauzës shqiptare me thirrje e përpjekje të vazhdueshme për bashkim. Mendohet se im atë ka pasë letërshkëmbim me patriotë të tjerë shqiptarë dhe me të huaj, që shpresojmë të gjëndën një ditë. S’ka dyshim se pranё Minstrisё Brendshme, nё ndonjё skutё tё arkivit ka dokumentё mbi Prenk Pervizin. Njё kolonel i sigurimit ia kishte thanё njё nipi tё tij, i cili na njifte, se pёr Prenk Pervizit nё Ministri kishte dokumentё e fotografi tё jetёs tij nё mёrgim. Ashtu dhe nga Ministria e Mbrojtjёs, ku ishte i ikuadruem. Deri tani s’ka dalё asgja. E s’dihet a do tё dalё njё ditё, pёr si shkojnё punёt. Tjetёr çeshtje asht ajo e dokumentave tё projektit tё nje force ushtarake “vullnetare, pёr nё Vienamin e Jugut, drejtue Qeverisё amerikane me anё to Komitetit Shqipёria e Lirё, mё 1966, ku edhe ato s’janё gjendur. Ne s’i kemi pasut atoi mundёsi qё tё ndёrhyjmё.
Pergjigje nga Kryetari i Komitetit
Shqiperia e Lirë Z. Rexhep Krasniqi.
New York me 6 maj 1966
I nderëshëm Z. Gjeneral,
Para sa kohe e kemi marrë shkresen tuej te dates 21-4-66, bashhkë me kopjet e shkresave që ia keni dergue Ministrisë Mbrojtjtes së Shtetëve të Bashkueme t’Amerikës, percjellë me anën e Ambasadës Amerikane në Athinë ( Greqi). Të gjitha shkresat në fjalë i kemi lexue me vemendje bashkë me antarët e Komitetit ZZ. Germenji e Peshkëpija, dhe ju pergëzojnë per idenë e bukur që keni pasë per me ofrue sherbimin e juej në luftën kundra agresionit komunist që po mundohet me robnue Vjetnamin e jugut, ashtu edhe me mund me formue një grup vullnetarësh prej bashkatdhetarëve tanë në botën e lirë. Megjithqë Komiteti asht në dijeni se Amerika per arsye parimore i asht shmangë idesë së formirnit të grupeve vullnetare të hueja që kishin me u perngja formacioneve merhume të legjionit t’huejve françez. Mbas hetimeve të rastit kopjet e shkresave t’jueja në fjalë i kemi dorzue aty ku duhet. Të shpresojmë se heret ase vonë, do të merrëni pergjegje në adresen e re t’ Juejen. Na vjen keq per humbjen mikut të fort grek që keni pasë, gja që ju ka detyrue me lanë jeten e qetë dhe të sigurueme qe keni gëzue deri tani. Por n’anë tjeter gëzohemi bashkë me Ju që ma në fund me lidhjet që keni pasë, keni mujtë me i sigurue vetes nji vend aq të pershtatshëm në një nga vendet ma të shqueme të kulturës europiane, populli i të cilit asht diftue kaq bujar e zemerbardhë ndaj mija refugjatësh shqiptarë… Komiteti tash asht tue kalue një perjudhë kritike me veshtirësina financiare që na ka detyrue me kufizue veprimtarinë tonë në çfardo fushe të lufte antikomuniste. Kjo asht e verteta dhe vetem rrethana të papritshme mund të ndryshojnë ket realitet t’idhët.
Tue iu dishrue shëndet të plotë dhe të mira, edhe prej kolegëve t’mij Z.Z.Germenji dhe Peshkepisë, mbetem me nderime të posaçme . Rexhep Krasniqi.*
——————————
*– Theksojmё njё tё metё nga Zoti Krasniqi, sepse ne s’dinim gja pёr projektin e krijimit trupash shqiptare per luftёn e Vjetnamit, qё e morёm vesh ma vonё. Ai duhet tё na kishte dorёzue projektin po ta kishte ose udhёzue se ku mund ta kёrkonim.
Ditët e fundit të një jete
kushtue Atdheut
Nga mesi i muejt gusht im atë kishte marrë një ftohje që kaloi në bronkopneumoni të randë. I shtruem urgjëntisht në spitalin e madh Jolimont, të qytetiti La Luviere, nuk arriti me e marre veten, tashma në moshën 80 vjeç. Lajmi u hap dhe miqt e tij të përhershëm, Muharrem Bajraktari, me nipat e tij e miq të tjerë shkonin vazhdimisht me e pa e me u njoftue për shendetin e tij. Bajraktari i ndejti pranë gjithë kohën. Den Mjeku, nga Puka, me tregonte se nuk mbeti kush pa i ba vizitë dhe miqtë puknjanë e mirditorë aty i kishe gati përditë si dhe kurbinasit tij, si Brahim Bami e të tjerë. Edhe shqiptarё nga Parisi erdhën me e takue ne ato ditë të fundit të jetës tij. Me tregonte zoti Ramiz Zekolli, që rrinte vazhdimisht me Bajraktarin, dhe kishte shkue me të për me i ba vizitë të semurit deri në çastet e fundit, se Gjenerali e perballoi atë gjëndje me dinjitet e qendrim burrnor. Në ato çaste të fundit permendte emrin tim, duke u thanë të pranishëmve, se nga të gjithë njerëzi e tij i dhimbej ma shumë Leka, ma i vogli që ishte përfshi në moshë fare te re në terrorin komunist. Prej Ramizit kisha marre edhe njoftimin, për të cilin kemi shkrue ma nalt, se si im atë ishte takue me Zogun më Marseille, ku kishin shtrue çeshtjen e nje ndërhyemje në Shqipni, ku kishin ra në kontradita, sepse Zogu insistonte akoma te Jugosllavia (sipas kohës vjetër) që tani ishte krejt komuniste e Prenga te Greqia e cila se pakut ishte nje mbretni antikomuniste dhe e mbeshtetun nga Aleatët anglo-amerikanë. Te krevati i babës kishte ardhë edhe Pater Ambroz Martini, për funksionet fetare të rastit, në krahët e të cilit im atë kishte dhanë shpirt. Për varrimin e tij ishte interesue vetë shoqata e Karitasit në bashkëpunim me komunën ku ishte i regjistruem, që u ba në vorrezat Saint Pierre Lahay të qytetit La Louvière, në një parcelë që ishte enkas për ato personalitete që ishn arratisë nga vendet komuniste e quhej parcela e herojve. Në cerimoninë e varrimit erdhën edhe nga Parisi dhe nga Londra. Aty folën me radhë, Pater Ambroz Martini, Muharrem Bajraktari dhe Refat Kolgjini. Por ishte fjala e Bajrktarit ajo që e nderoi kujtimin e Prenk Pervizit, mikut e kolegut tij të një jete të tanë kushtue Atdheut e Kombit shqiptar. Ky fjalim mu dha nga Ded Mjeku, që kishte ruejt edhe fotgrafinë e arkivolit të mbuluem me flamurin kombëtar.
Revista “KOHA E JONE”shtator 1977,
botues Lec Shkreli
============================
VDIQ GJENERAL PRENK PERVIZI
Me 6 Shtator 1977 ne JOLlIMONT (Begjlike) vdiq Gjeneral PRENK PREVIZI. ku ishte strehue nga Caritas Catholica qe ne vitin 1966 kur emigroi nga Greqija.
Gjeneral Prenk Pervizi leu me 4 Mai 1997, ne SKURAJ (Krujë), dhe mesimet e para i kreu ne Shkoder. Me 1914-18 dergohet ne shkollen e oficicerave (Kadettenschule) ne Viene. Me 1918 kthehet ne Shqipni dhe si oficier i ri merr pjese me forcat vullnetare te ELEZ ISUF NDREUT e te ALUSH AGE LUMES te cilat aso kohe luftojshin kundra invazionit serb.
Me 1924 Gjeneral Pervizi largohet nga Shqipnija bashke me ZOGUN ne Jugosllavi dhe kthehet ne dhjetor te atij vjeti ne Tirane me graden Major. Tue qenese Shipnia ishte nda ne kater zona ushtarake. Gjeneral Pervizit i besohet zona ushtarake e Tiranes (1924-1929) e ma vone e Korçes (1936-1939 me graden N/Kolonel Prej vjetit 1939 deri 1943 me gradat suçesive Kolonel e Gieneral asht ne dispozicionit te Komandes se Pergjitheshme. Prej vitit 1943 deri ne Tetor 1944 Gjeneral Pervizi asht Komandant i Mbrojtjes Kombetare.
Trupi i Gjeneral Pervizit u varros me 7 shtator ne Jolimont, dhe ne Kishen e Institutit ku ishte strehue. Frati Shqiptar At Ambroz MARTINI, kreu funksionet fetare dhe e perkujtoi te ndjerin me fjale e shprehje prekese tue vue ne pah cilesinat dhe meritat e tija.
Trupj i Gjeneral Pervizit u percuell prej ma se 300 Shqiptarve dhe mbajten fjalime shoku i tij i armeve Kolonel Muharrem Bajraktari dhe patrioti Rifat Kolgjini. Arkivolin të mbuluem me flamurin kombetar e stolisnin dy kunora: ajo e Kol. Bajraktarit dhe e Bllokut Kombetar Indipendent.
Redaksija e te perkoheshmes Koha e Jone, gamiljёs e fare e fisit ne Shqipni u paraqet ngushllimet e veta.
Fjala e Kolonel Muharrem Bajraktarit
në varrimin e Prenk Pervizit
Saint Pierre de Lahay më 7 shtator 1977
Të Nderuem bashkatdhetarë,
Po përcjellim sot për në banesën e fundit një nga figurat më të shqueme të patrioizmit shqiptar dhe figurën ma të naltë ushtarake që ka pasun ushtria shqiptare, si edhe mikun më të shtrejtë timin, dhe bashkatdhetarin e nderuem e të dashun të mërgatës sonë, gjeneralin Prenk Pervizi.
E kam pasun mik të ngushtë, koleg e bashkëluftëtar të disa betejave, kundër forcave serbe, kundër banditizmit, kundër rebelizmit të nxitun nga armiqtë e huaj, serbë, grekë dhe italianë, për të copëtue vendin tonë edhe ma tepër nga ç’e kishin copëtue.
E kam njohun në detyrat më të vështira të përbashkëta, per afirmimin e shtetit të ri ligjor shqiptar, të sapo dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1920, duke përballue operacione të vështira, për të vendosun rendin e qetësinë kudo. E kam admirue për cilësitë e rralla dhe për përgatitjen e naltë ushtarake. Ai ishte pajisun edhe me virtytet më të mira shqiptare, si besa, burrnia, trimnia, bujaria, urtësia, fisnikëria dhe dashunija për Atdhe e Komb. I doli zot Atdheut në ma shumë se një çast të vështirë e të rrezikshëm, duke zgjidhun situata kritike, për vetë ekzistencën e Shtetit shqiptar. Ndërhymjet e tij qenë vendimtare për fatet e Atdheut dhe koha e historia kanë për të nxjerrë në pah e në dritë veprimtarinë e tij patriotike në dobi të çështjes kombëtare.
Njё vepёr e madhe e tij, asht mposhtja e Kryengritjёs antikombёtare sё Dukagjinit, e organizueme nga Jugosllavia me disa tradhёtarё e renegatё, ku ai tregoi aftёsi tё larta ushtarake si strateg, duke e shpёtue vendin nga njё krizё tё madhe destabilizuesi, e krijueme nga serbet e italianёt. Ky sukses i dha famё si njё oficer me pregatitje e aftёsi tё larta
Si në Shqipni. ashtu edhe në mërgim, ai qëndroi i pavarun nga partitë politike, tue ba thirrje e tue na frymëzue vazhdimisht për Bashkim.Veçanërisht mbas ardhjes në fuqi të komunizmit ai u përpoq, bashkë me patriotët e tjerë, për të arritë atë Bashkim të nevojshëm që ti bante ballë gjëndjes së pushtimit të sllavo- komunistëve Me Prenkën më ka lidhё një jeté e tanë dhe asnjé çast nuk qëndruem pa qenë në marrëveshje me njëni-tjetrin. si në kohën e Mbretnisë, po edhe gjatë pushtimi te huej italo-gjerman dhe ma vonë në mal, në qëndresën kundër komunizmit. U detyruem të largohemi nga Shqipnia, sepse komunizmi po bahej gati për t’u bashkue me Federatën jugosllave e s’kishte vend ma për ne. Aleatët na lanë në baltë dhe ne vendosëm të krijojmë qëndresën jashtë kufijve. U perpoqëm, por gjithmonë na sabotuen të huejt. Prenka, siç dîhet u arratis nga Shqipnia në një mënyrë tepër të guximshme, që e bani Sigurimin të luej menç dhe kjo ishte një mëritë e aftësive dhe trimnisë së tij të pashoqe. Fjalimet e tij mbeten të paharrueshëm, për thellësinë e trajtimit për të nxitun Bashkimin e të gjitha forcave politike në mërgim, si e vetmja mënyrë për të arritun një sukses në luftën kundër komunizmit, që në Shqipni po bante namin mbi atdhetarët e mbi famijet tona.
Duke përciellur mikun e madh e bashkatdhetarin e shquem, patriot e burrë shteti, gjeneralin Prenk Pervizin, ne përcjellim një pjesë të randësishme të historisë se Shqipnisë që lidhet me emrin e tij, ku ai luejti gjithmonë një rol qendror e vendimtar! Deri në çastin e fundit ai qëndroi si burrë fisnik e nuk e dha kurrë veten, me pikëllimin e vetëm që nuk po vdiste në truellin e shejtë të atdheut të shtrejë e nuk do të varrosej atje ku janë varrosun prej shekujsh të parët e tij. Një pikëllim që mbetet për të gjithë mërgatën. Asnjë njeri i familjes së tij nuk gjendet këtu sot. Ata janë të mbyllun atje, ndër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Prandaj e ndjej për nder e detyrë t’ia bajmë varrimin edhe në emën të familjes së tij te martirizueme. Na takon t’u përcjellim amanetet e mikut e bashkatdhetarit tonë, djemve dhe nipave të Prenkës, kur të vijë koha e lirisë për Shqipninë.
Qoftë i përjetshëm dhe i nderuem kujtimi yt, or mik i shtrejtë Prenk Pervizi !
New York më Nëndor 1992
dhe përfundimi i librit
Në fillim të Nëndorit 1992 shkova në New York, për me u takue familjën e vëllait dytë Gencit, që kishte vdekë në kampin e Grandisihtës më prill 1989. E shoqja, Albina, me katër djem e dy vajza kishin shkue në New York ku e ama e tyne, Albina, kishte një vëlla t’arratisun qysh më 1952, Rudolf Marashi, djali i vogël i major Llesh Marashit, i cili i kishte tërhequn atje. Mbrritja ime në New York me bani të njoh mjaft shqiptarë të vjetër, ndër to kushrinin Ndue Gjomarkun, në moshën afro 80 vjeç, ku i bana vizitë me dajën tim Preng Paçuku, që kishte ba burg me Gencin, dhe kur u lirue ishte arratisë.
Ndou u përmallue, se nuk shifëshim nga viti 1942 kur unë isha fëmijë. Aty ndër të tjera, Ndou me tregoi se si im atë kishte ba një gabim të madh mos me pranue nënshtetësinë italiane, ku do të kishte ruejtë gradën e tij të naltë si gjeneral dhe do të kishte marrë rroga të majme dhe do të na kishte lanë një trashëgim ligjor të pensionit të tij. Nga ana tjetër do ti kishte shërbye kauzës shqiptare kundër komunizmit, me autoritetin dhe influencën që do kishte fitue. Ndou më tregoi si Kapidan Gjoni i kishte folë me ia mbushë mendjën, por me kot se ai nuk e honepste fare atë nënshtetësi, biles e quente si një turp të madh po të kishte pranue.
Mora pjesë i ftuem në mbramjën e festës së 28 Nëndorit, ku u njoha me miq të vjetër të babës, ndër ta Rexhep Krasniqin, që u gëzue shumë kur me pa e njohu, dhe me foli fjalë të mira për tim atё, me të cilin ishte i miqësuem qysh në kohën kur ishte ministër. Rexhepi, e mori vesh se une do të kthehësha shpejt në Belgjikë e më mori adresën, sepse kishte njё letёr nga im atё, si dhe një fotografi të tij. U njoha me Kryetarin e Shoqatës Vatra që ishte zoti Karaxhozi dhe që drejtonte gazetën Dielli, ku ai më propozoi të merrja redaksinë, sepse gazeta ishte në gjendje të keqe e gati mos me u botue, për mungesë mjetësh, sepse nuk kishte t’ardhuna e shqiptarët nuk kontribonin as abonohëshin. Me ripërtrijen e saj, me ardhjen tuej (emigracioni i ri), më tha, ishte shpresa qe gazeta Dielli të vazhdonte të botohej. Unë nuk kisha si me pranue sepse tashma isha vendosë në Belgjikë, prej ku nuk do të largohësha.
Erdhi me më takue edhe Ndue Pjetër Gjomarku, me dy mirditas, ku ndër të tjerat më tregoi, se kur kishte kalue në Greqi me gjithë vëllanë Gjon, kishin mbetë të plagosun nga rojet shqiptare të kufinit. I kishin çue në Athinë ku i kishin shtrue në spital. Gjenerali, tregonte Ndou, erdhi me na pa, bashkë me Muharrem Bajraktarin, per me u sigurue për shëndetin tonë, sa e kishte marrë vesh, që ishim plagosë në kufi dhe na kishin shtrue në atë spital. Jo vetëm për ne, që na njifte se kush ishim, por edhe për shqiptarë të tjerë që plagosëshin në kufi prej rojëve komuniste, ai tregonte kujdes dhe shkonte me i pa në spitalet ku ishin shtrue për mjekim. Një sjellje fisnike e tij që e karakterizonte dhe për të cilën kishte fitue respektin dhe admirimin e shqiptarve që ishin arratisë duke rrezikue edhe jetën, dhe shpesh mbetëshin të plagosun dhe linin pas edhe shokë të vramë. Këto ishin disa të dhana për prindin tim nga shqiptarët emigrantë. Në përgjithësi jeta në emigracion nuk i jepte hapësinë veprimi shqiptarve, sepse të huejt nuk e kuptonin realitetin shqiptar, sa që pati orvatje nga vete ana amerikane për të lidhë marëdhanje diplomatike me regjimin diktatorial e tiranik t’Enver Hoxhës. Kjo do të kishte qenë një padrejtësi e madhe që u bahej atyne që vuenin të zezat e ullinit, të mbyllun në burgje e kampe internimi. Aq ma keq, kur mendon se sa mija vetë u pushkatuen, ndër ta, pjesa ma e ngritun e intelektualëve tё shqipnisё. Në një bisedë kafeneje me Ded Mjekun, kur ky e kishte pyet pse nuk ishte angazhue në ndonjë institucion ushtarak, si Nato etjera, im atë i ishte përgjigjë, se të huejt sa do të mire që shiten, nuk ta lirojnë karrikën e tyne, prandaj or Dedë, ne këtu jemi si peshku jashtë ujit.
Këtu i japim fund këtij përshkrimi të jetës dhe veprimtarisë të tim etit që ndonse me vonesë, arritëm të rreshtojmë e të përmbyllim, për të ia ba të njohun publikut shqiptar, e sidomos historianëve, ku patjetër do të gjajnë materiale mjaft intersante për ndriçimin sa ma të mire të historisë shqiptare. Sado qӫ asht ndjekun njӫ vijӫ tregimtare e lirӫ, gjithshka qӫ asht shkrue lidhet me rrjedhӫn e vӫrtetӫ tӫ ngjarjёve historike shqiptare ku Prenk Pervizi ka qene i pӫrfshirӫ nga fillimi deri nӫ fund, jo vetӫm si shoqnues i saj, por edhe si faktor vendimtar nӫ ngjarje jetike pӫr Shqipninё e Kombin shqiptar.
Muharrem Bajraktari e Prenk Pervizi Nёnkolonela 1936,
shokё armёsh e shokё detyrash.
Nё mёrgim nё Belgjikё dy kolegët e miq të pandamë të një jetë të tanë kushtue Atdheut e Kombit Shqiptar
Katër oficerët shqiptarë më të shquar të
Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Katërshja dominuese e periudhës 1924-1929 që anglezi Julian Amery (Lord Amery) quajti “Kuadrumvirat (sundimi i të katërve). Këta burra hyjnë në radhën e patriotëvee ushtarakë të cilët bashkëpunuan me Mbretin Zog për t’i shërbyrn Atdheut.
Të katët kёto burra u arratisën më 1946 e jetuan e vdiqen ne dhe të huaj.
Padyshim se u asht mohue e injorue gjithё jeta e veprimaria patriotik nga ana e historianёve tё regjimit komunist e nё vazhdim edhe sot e kёsaj dite nga pasuesit e tyre qё vazhdojnё tё fallsifikojnё historinё shqiptare.
PERSONALITETE POLITIKE E USHTARAKE TE BOTES SHQIPTARE ME TE CILET PRENK PERVIZI KA PASE MIQESI DHE KA BANSHKEPUNUE PER TE MIREN E ATDHEUT.
Këto janë disa figura të shquara te politikës dhe patriotizmit shqiptar, me të cilat Prenk Pervizin e lidhnin detyrat dhe miqësia.
Dokumente sekrete nga
Ministria e Brendshme e Italisӫ
Dokument sekret
Romӫ, 15 nӫntor 1934
Nr.300/3590
Ne rrethet shqiptare ӫshtӫ komentuar shumӫ qendrimi i gjatӫ i Ҫatn Saraçit qӫ ishte ndaluar nӫ Paris pӫr mӫ tepӫr se dy javӫ. Nӫ atӫ qytet ai ka pasӫ takime me elementӫ tӫ dyshimtӫ qӫ janӫ nisur nga Tirana me detyra tӫ rrezikshme.
Prania e njӫkohӫshme e Ҫatin Saraçit e tӫ Kolonel Prenk Pervizit tӫ thirrur nga Qeveria shqiptare, ka rӫndӫsinӫ e vet pӫr karakterin e besimit absolut qӫ gӫzojnӫ kӫta dy personat e lartpӫrmandur pranӫ Mbretit Zog qӫ pӫr intrigat e tij pӫrdor elemntin katolik dhe jo atӫ musulman, pӫr t’i skredituar mӫ tepӫr tӫ pafetӫ (krishterӫt). Nӫ Francӫ ka shumӫ agjentӫ tӫ derguar jashtӫ shtetit pӫr qӫllime kriminale nga regjimi i Tiranӫs. *
———————————–
*– Nӫ fakt Prenk Pervizi, mbasi mbaroi Shkollӫn e Luftӫs nӫ Torino me qershor 1933, qӫndroi nӫ Firence me familjӫn deri nӫ fund tӫ 1934, si ispektor i studentӫve shqiptarӫ tӫ Italisӫ. Dyshimi i shӫrbimit italian, tregon se si Prenk Pervizi ndiqej e kontrollohej nӫ lӫvizjet e tij, edhe pse krejtӫsisht normale. Ndӫrsa Ҫatin Saraçi ishte njӫ diplomat e mik i ngushtӫ e i besueshӫm i Zogut, dhe sigurisht i kishte nӫ detyrӫ lӫvizjet e takimet e tij. Tӫ dy kӫta persona i pӫrkisnin njӫ miqӫsie tӫ lidhun me Zogun qyshӫ nӫ Vjenӫ, 1914-1918, dhe pastaj nӫ detyrat e ndrysme, Prenk Pervizi si ushtarak, e Ҫatin Saraçi si diplomat.
Tjetӫr dokument i Shӫrbimit Sekret italian mbi lӫvizjet e Prenk Pervizit, emigrant politik nӫ Greqi
Komentet