Teksa sot është dita e fundit e fushatës elektorale, kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Durrësit, Igli Cara iu është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.
I ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në News24, Cara renditi disa problematika që shqetësojnë këtë qark, që sipas tij emergjente është uji i pijshëm. Cara tha se gjëja e parë që do të bëjë kur të vijë në krye të këtij institucioni, ishte një turn i dytë në bashki, për t’ju ofruar shërbim qytetarëve edhe pas orës 16:00.
“Fushatë në Durrës ka muaj që ka nisur. Besoj që ja kemi arritur që të takojmë të gjithë banorët. Një nga gjerat që dua të them, të bëj një premtim, është se ndryshe siç ka ndodhur në këto 23 vite, bashkia e Durrësit do të jetë derë e hapur dhe pas orës 08 me 16:00. Qytetarët detyrohen që të lënë dhe punën për të shkuar në bashki, se në ato orare janë të zënë. Pra do të ketë dhe një turn të dytë, deri në orët e vona të natës për qytetarët në bashkinë e Durrësit. Po ashtu problematike është dhe mungesa e infrastrukturës, apo dhe uji i pijshëm. Shumë qytetarë ankohen se nuk kanë fare ujë për ditë të tëra, apo dhe për disa orë. Në Durrës kemi dhe një trafik të rënduar. Po ashtu do të bëjmë seleksionim të mbetjeve që në mbledhje të tyre dhe do të ulim peshën financiare për të cilën paguajmë. Brenda 4 viteve do të jetë një problem i së shkuarës për ujin e pijshëm. Qytetarët e Durrësit nuk do të kenë më këtë problem. Edhe për çështjen e kanalizimeve është një gjë që bëhet.”, tha kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ në News.
PYETJE NGA QYTETARËT:
Qytetarja: Ju lutem zotit Cara, jam nga fshati Manza e Vjetër, dhe nuk kemi ujë të pijshëm. Ju lutem shumë që të na shihni
Cara: Ata duhet të marrin në mënyrë proporcionale siç japin taksat, të marrin dhe shërbimet. Nuk mund të investosh vetëm Velierën. Më shumë se 70% e Manzës e kanë këtë problem. Do të ngremë dhe një depozitë që me rrjet të lirë do të furnizojë këto zona. Manza, Ishmi dhe shumë zona do të jenë në qendër të vëmendjes për këtë problem. I siguroj banorët se do të bëhet shumë shpejt.
Pyetje: I drejtohem zotit Cara, që patjetër do të jetë fitues. Kemi 25 vite pa ujë të pijshëm. Uji derdhet nëpër kanale, dhe ne nuk kemi ujë të pijshëm. Kemi mbështetur çdo herë PD, dhe këtë herë zotin Cara do e mbështes. Ai nuk duhet të jetë vetëm kryetar bashkie i Durrësit, por dhe i fshatrave të thella.
Cara: Zona të tëra, mbi 70% e komunave kanë probleme me ujin. Është një premtim i realizueshëm. Në vitin 2013 është bërë një projekt nga PD për Durrësin dhe ai furnizohet nga Fushë-Kuqja. Kjo gjë sot nuk ndodh sepse ka keqmenaxhim. Tuba të çarë kudo dhe çdo gjë keqmenaxhohet. Mungon vullneti për të zgjidhur këtë problematikë.
Pyetje: Te ura e Dajlanit është çështja e autobusëve. Që në 4 të mëngjesit këtu në këtë zonë është zhurmë. Duket sikur është banjo publike kjo zonë.
Cara: Te programi im e kam këtë pikë. Jo vetëm për lagjen 4, te stacioni i trenit. Autobusët duhen. Por është përgjegjësi e bashkisë që dhe autobusët të bëjnë punë e tyre, por dhe qytetarët mos të shqetësohen. Ata detyrohen që të marrin parkime të vendeve të qytetarëve. Në pjesën e poshtme të Urës së Dajlanit do të ketë një vendqëndrim. Këto vendqëndrime nuk do të jenë brenda zonave të banuara. Do të ketë orare të shpallura për transportin publik, nuk do të jetë vetëm në dorë të koncensionarit. Në oraret e vona nuk ka pasagjerë. Por kjo nuk ka rëndësi, edhe pse ka 2-3 persona që shkojnë psh në Ishëm. Bashkia nuk ka menduar asnjëherë që të zgjidhë çështjen e parkimeve. Do të ketë trajtim të veçantë për moshat e treta, një buxhet i caktuar për ta nga bashkia e Durrësit.
Pyetje: Çfarë do të ndodhë me pensionet tona? Dhe për çështjen e pallateve. Nuk kemi marrë ende hipotekën.
Cara: Nuk premtoj dot rritje pensionesh, se nuk e ka bashkia në dorë, por do të ulim kostot për pensionistët. Do ulim tarifat e ujit, atje ku ka psh dy pleq në një banesë, do të reduktojmë deri në 50% taksën e ujit. Në këto raste kur kemi pensionistë që kanë të ardhura të pakta, do të shihet me vëmendje. Invalidët e punës merrnin nga bashkia 43 mijë lekë të vjetra, kur Kosova e ka 94 euro apo Maqedonia 104. Më kërkuan që bashkia të ndërhynte që mos të merrej ajo 1 mijë lekshi që e merrte banka. Jo vetëm që ia premtova, por do të ulim kostot e jetesës. Se ne nuk ngremë pagat, se ka në dorë bashkia, por mund të ulim taksat. Kjo çështja kërkon vullnet dhe zemër. Për pallatet, nëse investitori dhe pronari i tokës kanë konflikt, është e papranueshme që pjesa tjetër, rreth 70% t’i penalizosh. Problemi i tyre është çështje gjykatash, hipotekimi i banesës është detyrim ligjor.
Pyetje: Kemi vetëm një orë në ditë ujë të pijshëm. Aboneja për studentët, për nxënësit është e lartë. E marrin 16 mijë lekë, në një kohë kur është 12 mijë lekë.
Cara: Në lagjen nr.14 duket sikur jemi në Kandahar. Këto kanale të ujërave të zeza janë prezente, duhet të mbyllësh hundët që të kalosh aty.
Pyetje: Shembin pronat. Këta janë të tritolit (shembja e Prestige), të shpopullimit, të papunësisë, të drogës. Këto janë të të gjithave.
Cara: Kjo është shenjë për të treguar se Rama është autokrat, që sulmon dikë që ka mendim ndryshe. I kemi parë veprime të tilla, që do të kujtohet gjatë, që tregon se zoti Rama nuk ka kuptuar se jemi në një demokraci. Veprimet e tij, jo vetëm këtu, por dhe shembjen, se nuk kam fjalë, se nuk mund të dhunosh një kompani që ka një media, që është zëri i qytetarëve, por do të thoja se zoti Rama po vepron me mënyrë të tillë me të gjithë. Kemi dhunim të të drejtave të njeriut. Kemi intimidim të administratës, ndaj dhe këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë.
Pyetje nga gazetari: Cili do të jetë raporti juaj me bizneset dhe programi juaj?
Cara: Në Durrësi operojnë 13 mijë biznese. Është një zë që nuk ndihmon vetëm Durrësin, por edhe qeverinë. Çfarë kërkon biznesi? Kërkon që të jetë suport. Turizmi sot është një nga pikat që e kam prekur dhe që është lënë pas dore nga bashkia. Pastrimi, gjelbërimi, janë detyrime që duhet të bëjë vetë qeveria. Nëse flasin për turizëm në Durrës, nuk është meritë e bashkisë, por e investitorëve.
(BalkanWeb)