Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, zgjodhi vizitën e tij në Francë në 15-16 shtator për të shpalosur një platformë të re të politikës rajonale të Serbisë. Është një platformë me disa ide të reja, të cilat duhet të zgjojnë vëmendjen e qeverive dhe të diplomacisë së shteteve të të quajturit Ballkan Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Duhet të zgjojë interesim për faktin se Serbia po konsiderohet nga disa kancelari europiane si shteti udhëheqës i këtij grupimi shtetesh, për faktin se idetë e kryeministrit serb nuk duken se janë vetëm të tijat, por gëzojnë edhe ndonjë sponsorizim europian dhe rus, dhe së treti për faktin se ato mund të kenë pasoja jo të këndshme për projektet dhe programet konkrete rajonale të Bashkimit Europian dhe të Perëndimit në përgjithësi. Ideja e parë që lëshoi kryeministri serb në Paris, është ajo e krijimit të një blloku doganor dhe tregtar rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Ëndrra ime, – deklaroi Vuçiçi, – është që të kemi një bashkim doganor me të gjitha shtetet ballkanike, gjithë territoret, me të gjithë. Kjo është ëndrra ime, të kemi një treg unik”. Dhe, dashje pa dashje, zbulon farën reale strategjike që ka brenda propozimi i tij, kur nxiton të sigurojë shtetet e rajonit se “kjo nuk do të jetë një Jugosllavi tjetër”. Në fakt, është pikërisht rikrijimi i Jugosllavisë tjetër. Krijimi i një blloku tregtar dhe doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor është një projekt i vjetër i Serbisë, i hedhur në tavolinat diplomatike rajonale dhe europiane nga qeveritë serbe qysh nga koha e ndërrimit të regjimeve në Beograd në vitin 2000, kur u largua Sllobodan Millosheviçi dhe erdhën në pushtet ata, që e quajtën veten demokratë dhe proeuropianë, me në krye Vojislav Koshtunicën dhe Zoran Xhinxhiçin.
Në klimën e artë të dalldisë proserbe, që kaploi diplomacinë europiane në atë kohë, diplomacia serbe nxitoi të ofronte organizimin e një blloku rajonal të Ballkanit Perëndimor si premisë e integrimit europian të rajonit. Këtë karrem serb e kafshuan disa drejtues qeverish europiane, madje edhe ndonjë kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, të cilëve u dukej se dëshmonin kështu kozmopolitizmin e tyre të madh, duke i shkuar pas idesë së Serbisë. Në këtë frymë, Bashkimi Europian adoptoi politikën e “përqasjes rajonale”, që në fund të fundit ishte lënia në pritje e shteteve të tjera të Ballkanit në stacion, derisa Serbia të bëhej gati për integrimin rajonal dhe europian. Ideja e rikrijimit të Jugosllavisë në një formë të re ka qenë dhe mbetet një obsesion i qeverive dhe i diplomacisë serbe. Krijimi i të ashtuquajturit “Grupim i Ballkanit Perëndimor”, ku u largua Sllovenia dhe u fut pa ndonjë logjikë diplomatike, historike dhe gjeografike Shqipëria, duket se ishte në këtë linjë.
Sa kohë që Kroacia ishte pjesë e “Ballkanit Perëndimor” edhe pa hyrë në BE, mund të thuhet se ishte edhe pengesa më e madhe e planeve të Serbisë për rikrijimin e Jugosllavisë në formën e blloqeve doganore dhe tregtare. Në janar të vitit 2006, Kroacia hodhi poshtë zyrtarisht propozimin për krijimin e një zone të tregtisë së lirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet deklaratës së kryeministrit kroat se: “Nuk ka shans ndonjëri në strukturat europiane, që përpiqet në një mënyrë ose në një tjetër të krijojë një entitet të ri si Jugosllavia ose diçka tjetër”. (Shaban Murati, “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, Tiranë, 2009, fq. 86). Anëtarësimi i Kroacisë në BE e largoi atë nga grupimi i Ballkanit Perëndimor, por nuk largoi ëndrrën serbe të rikrijimit të ish-Jugosllavisë në formë të re me gjashtë shtetet e mbetura të këtij grupimi. Në këtë kuadër mund të thuhet se doli edhe nisma e njohur serbo-malazeze “Ballkan 6”, ku në themel ishte ideja e ringjalljes së ish- Jugosllavisë së cunguar, me katër shtete sllave dhe me dy shtete shqiptare.
Ngadalësimi i procesit të zgjerimit të BE-së me shtete nga Ballkani, dhe sidomos largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja, e shtyu edhe më shumë kalendarin e afateve të integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo situatë e re po vlerësohet nga qeveria dhe nga diplomacia serbe si një rast i mirë për të ofruar të ashtuquajturën zgjidhje rajonale, ku në vend të integrimit europian jepet krijimi i një blloku doganor dhe tregtar të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Për ta bërë joshëse për Brukselin idenë e këtij blloku të përbashkët rajonal, kryeministri serb e paraqiti si një zgjidhje për stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor dhe si një nevojë për të kapërcyer të kaluarën.
Pra në mënyrë të qartë i dha perspektivës së idesë serbe një karakter politik dhe strategjik. Si në çdo bllok apo organizatë ekonomike apo politike, një shtet merr përsipër të lozë rol udhëheqës apo drejtues apo kyç, dhe këtë rol kryeministri serb pa dyshim ia cakton Serbisë. Duke qenë se kryeministri serb deklaroi se idenë e tij ua ka paraqitur të gjithë udhëheqësve të shteteve të rajonit, është e natyrshme që këto shtete, dhe në radhë të parë Shqipëria, duhet të jenë tepër të kujdesshme në analizat e tyre për këtë ide rajonale të Serbisë. Qeveria nuk duhet të dëgjojë këshilltarët jugosllavë dhe as disa shoqata joqeveritare fitimprurëse në Tiranë, që financohen nga Serbia, por duhet thjesht të shfletojë pak historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Tirana zyrtare duhet t’i shtrojë vetes pyetjen: “Përse kryeministri serb, Nikolla Pashiç e përfshiu në marrëveshjen e tij me Ahmet Zogun bashkimin doganor midis dy shteteve; përse Tito e përfshiu bashkimin doganor të dy shteteve në marrëveshjen e tij me Enver Hoxhën; përse Aleksandër Vuçiç shpluhuros një marrëveshje shekullore për bashkim doganor e tregtar, të cilën e shet si ide të re në vitin 2016?” Përgjigjja është e thjeshtë: Serbia nuk ka hequr dorë dhe vazhdon përpjekjet për kontrollin e rajonit dhe për influencën serbe në rajon. Ideja e dytë e rrezikshme e Kryeministrit të Serbisë është ajo e nevojës së devijimit të procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e krijimit të një lloj izolacionizmi ballkanik.
Është vërtet sfiduese që kryeministri i shtetit kandidat të BE-së, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE-në, hedh në mes të Parisit në 16 shtator idenë se “BE-ja nuk është më i vetmi faktor koheziv që mund të bashkojë Ballkanin. Ne duhet ta bëjmë atë vetë tani. Ne kemi nevojë të kujdesemi vetë për vetveten. Ja pse unë u kam bërë thirrje udhëheqësve të vendeve të rajonit tonë që të fokusohemi te vetvetja”. Kushdo që ka ndjekur historinë e Ballkanit pas konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri në vitin 1999, e ka të qartë se i vetmi faktor koheziv, mbi bazën e të cilit filloi dhe po vazhdon procesi i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe i mirëkuptimit reciprok në rajon, është integrimi europian, është Bashkimi Europian. Çdokush e imagjinon se si do të kishte vazhduar rajoni pa këtë faktor koheziv europian.
Pikërisht pse ky faktor europian është i një rëndësie jetike, kemi orientimin e përbashkët strategjik të të gjitha vendeve të rajonit për të qenë anëtare të Bashkimit Europian. Nuk ka dhe nuk mund të ketë faktor tjetër koheziv në Ballkan që të zëvendësojë faktorin koheziv europian në bashkëpunimin e këtyre vendeve. Përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor po shkojnë drejt anëtarësimit në BE, nuk kanë nevojë për blloqe të reja rajonale, që mishërojnë izolacionizmin ballkanik. Ftesat dinake për “fokusimin e ballkanasve te vetvetja” janë reminishenca të papranueshme të devizës së vjetër serbe “Ballkani i ballkanasve”, të cilën aq për zemër e kishte dhe Sllobodan Millosheviçi për ta mbajtur rajonin larg Bashkimit Europian dhe pranë Serbisë. Ideja e tretë e rrezikshme e Beogradit është përpjekja për të vënë shenjën e barazimit midis integrimit europian të vendeve të rajonit me integrimin e tyre ekonomik tek Unioni Euroaziatik i krijuar nga Rusia.
Serbia po ecën me hap të vendosur drejt integrimit në Unionin Euroaziatik të Rusisë, si kundërpeshë e integrimit europian. Teoria e qeverisë dhe e diplomacisë serbe është që vendet e rajonit tonë mund të rrinë në dy karrige, edhe në atë të integrimit në Bashkimin Europian, edhe në atë të integrimit me Rusinë në Unionin Euroaziatik të Moskës. Këtë politikë zyrtare e afishoi hapur Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili në 24 gusht deklaroi se: “Serbia është e vendosur të zbatojë integrimin europian, por ne u japim mbështetje të plotë proceseve të tjera integruese siç është Unioni Euroaziatik”. Se ku të çon kjo politikë, e analizon saktë profesori serb Jovan Teokareviç, i cili thekson: “Anëtarësimi i Serbisë në Unionin Euroaziatik do ta devijonte Serbinë nga rruga e integrimit europian”. Evidentimi i alternativës integruese ruse dhe euro-aziatike nga ana e Serbisë është një qëndrim i ri i Beogradit dhe përbën një mënyrë për të bllokuar integrimin europian të vendit, gjë që siç dihet është një kërkesë e drejtpërdrejtë e Moskës në adresë të Beogradit.
Procesi i devijimit shtetëror të Serbisë drejt integrimit me Rusinë dhe me Unionin Euroaziatik ka kohë që ka nisur, dhe në 31 maj të këtij viti samiti i udhëheqësve të këtij Unioni vendosi që të hapë bisedimet me Serbinë për format dhe procesin e bashkimit të saj me atë Union rus. Këtë kthesë të fortë dezintegruese europiane Kryeministri i Serbisë u përpoq ta justifikojë në Paris me deklaratën se “ne kemi një shumicë të popullsisë, që mendon se BE-ja dëmton interesat tona kombëtare, dhe ky është fakt”. Kjo platformë e re rajonale, që Kryeministri i Serbisë zgjodhi ta parashtrojë gjatë vizitës së tij në Francë, reflekton një strategji të brendshme antieuropiane, antiperëndimore dhe antirajonale. Ky zhvillim duhet të nxisë për një rivlerësim të marrëdhënieve ndërballkanike nga ana e shteteve dhe qeverive të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilët duhet të kuptojnë se projektet, programet dhe matricat rajonale të qeverisë së sotme të Serbisë kanë brenda tyre farën e ringjalljes në një formë apo tjetër të Jugosllavisë dhe të vartësisë së vendeve të tjera ballkaniko-perëndimore nga Beogradi.
Kjo situatë kërkon gjithashtu që shtetet e Ballkanit Perëndimor të rishikojnë më me kujdes projektet, planet e programet rajonale, që po vërshojnë nga disa anë të globit në drejtim të rajonit. Sepse nëse programet e qendrave globale të fuqisë, qoftë infrastrukturore, qoftë energjetike, qoftë informatike etj. vendosin si epiqendër Beogradin, kjo do të thotë sanksionim i një qendre drejtuese për grupimin, që sot e ka emrin “Ballkan Perëndimor”, dhe që nesër mund të gjejë një emër dhe një përmbajtje më afër etiketës jugosllave. Retorikat kozmopolite kanë qenë gjithmonë pararendëse të zhvillimeve negative në historinë moderne ballkanike. Ndaj idetë e rrezikshme rajonale të Beogradit nuk duhen lejuar të bëhen pjesë apo bërthamë e projekteve të Bashkimit Europian, të Kinës apo të Rusisë, në rajonin tonë.
Komentet