Gjeneralët më të lartë të Rusisë nuk janë parë në publik që prej dështimit të një rebelimi që synonte rrëzimin e pushtetit, ndërsa Presidenti Vladimir Putin bën përpjekje për të rikthyer autoritetin e tij. Njoftime të pakonfirmuara thonë se të paktën një gjeneral është arrestuar. Me përjashtim të Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, gjeneralë të ushtrisë ruse po verifikohen nëse gjatë kohës së rebelimit i qëndruan besnik Kremlinit. Ndonëse njoftimet nga Rusia dhe vende të tjera janë të pakonfirmuara, ka zëra se momentalisht po zhvillohet një spastrim masiv brenda forcave të armatosura ruse.
Shefi i shtabit të forcave të armatosura, gjenerali Valery Gerasimov nuk është shfaqur në publik, që nga rebelimi i dështuar i javës së kaluar, kur udhëheqësi mercenar Yevgeny Prigozhin kërkoi largimin e tij. Ai nuk është përmendur në deklaratat për shtyp të Mnistrisë së Mbrojtjes që nga 9 qershori.
Gjenerali 67 vjeçar Gerasimov është komandanti i forcave ruse në Ukrainë dhe një nga tre personat me qasje tek kodet e armëve bërthamore, sipas disa analistëve ushtarakë perëndimorë.
Një tjetër zyrtar i lartë ushtarak, që mungon në publik është gjenerali Sergei Surovikin, i njohur me nofkën “Gjenerali Armagedon” nga shtypi rus, për taktikat e tij agresive në luftën në Siri. Ai është zëvendës komandant i forcave ruse në Ukrainë.
Një artikull i publikuar të martën nga gazeta “New York Times”, mbështetur në të dhënat e inteligjencës amerikane, thotë se ai kishte njohuri paraprake për rebelimin dhe se autoritetet ruse po verifikonin nëse ai ishte bashkëpunëtor i mercenarëve të Wagner-it.
Dje Kremlini e hodhi poshtë njoftimin e “New York Times-it”, duke thënë se ishte një spekulim.
Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters të mërkurën se Gjenerali Surovikin kishte qenë në mbështetje të udhëheqësit të grupit mercenar Wagner, Prigozhin, por inteligjenca perëndimore nuk e dinte me siguri nëse ai e kishte ndihmuar rebelimin në ndonjë mënyrë.
Versioni në gjuhën ruse i gazetës ‘Moscow Times’ dhe një bloger ushtarak kanë njoftuar për arrestimin e gjeneralit Surovikin, ndërsa disa korrespondentë të tjerë për çështje ushtarake në Rusi thanë se ai dhe oficerë të tjerë të lartë po merreshin në pyetje nga shërbimi i sigurisë FSB për të verifikuar besnikërinë e tyre.
‘Reuters’ nuk mund të përcaktojë nëse Gjenerali Surovikin ishte arrestuar, apo po verifikohej, së bashku me të tjerë.
‘Rybar’, një kanal me ndikim në aplikacionin e mesazheve Telegram i drejtuar nga një ish-oficer shtypi i ministrisë ruse të mbrojtjes, shkruan se është duke u zhvilluar një spastrim.
Sipas tij, autoritetet po përpiqeshin të largonin personelin ushtarak që mendohej se kishte treguar “mungesë vendosmërie” në shuarjen e rebelimit. Sipas njoftimeve një pjesë e forcave të armatosura duket se kanë bërë pak për të ndaluar luftëtarët e Wagner-it në fazën fillestare të rebelimit.
“Rebelimi i armatosur nga kompania ushtarake private Wagner është bërë pretekst për një spastrim masiv në radhët e Forcave të Armatosura Ruse”, shkruan Rybar.
Një veprim i tillë, nëse konfirmohet, mund të ndryshojë mënyrën se si Rusia e vazhdon sulmin në Ukrainë.
Ai gjithashtu mund të forcojë pozitat e figurave të tjera të larta ushtarake dhe të sigurisë që konsiderohen si besnikë.
Nuk ka asnjë koment zyrtar për atë që po ndodhte nga ministria e mbrojtjes.
Disa analistë ushtarakë dhe politikë rusë dhe perëndimorë besojnë se ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, një aleat i vjetër i presidentit Putin, të cilin udhëheqësi i grupit Wanger, Prigozhin donte ta rrëzonte, së bashku me gjeneralin Gerasimov me akuzën për paaftësi, mund të jetë në fakt tani më i sigurt në pozitën e tij.
“Unë mendoj se Prigozhini në të vërtetë priste që diçka do të bëhej për Shoigun dhe Gerasimovin, që presidenti Putin do të vendoste në favor të tij”, shkroi në ‘Twitter’ Michael Kofman, ekspert mbi ushtrinë ruse në institutin ‘Carnegie Endowment’.
“Në vend të kësaj, rebelimi i tij mund të ketë siguruar vazhdimin e qëndrimit të tyre, pavarësisht se njihen botërisht si të paaftë dhe të urryer gjerësisht në forcat e armatosura të Federatës Ruse”, shkruan zoti Kofman.
Gjenerali Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare dhe dikur truproja e presidentit Putin, duket të jetë një tjetër përfitues, pasi u shfaq në publik duke thënë se njerëzit e tij ishin gati të “qëndronin deri në vdekje” për të mbrojtur Moskën nga Grupi Wagner.
Ai ka folur për mundësinë e marrjes së armatimit të rëndë dhe tankeve për forcat e tij ndërsa zhvillohej rebelimi.
Mungesa e gjeneralit Gerasimov u vërejt kur presidenti Putin të martën falënderoi ushtrinë për shmangien e një lufte civile, ndryshe nga ministri Shoigu, i cili ka bërë disa paraqitje publike që atëherë.
Gjenerali Surovikin, zëvendësi i Gerasimovit, u pa për herë të fundit të shtunën kur ai u shfaq në një video duke i bërë thirrje udhëheqësit të grupit Wagner, Prigozhin që të ndalonte rebelimin e tij. Ai dukej i rraskapitur dhe ishte e paqartë nëse po fliste nën presion.
Dara Massicot, një eksperte për ushtrinë ruse në institutin RAND, thotë se diçka dukej e çuditshme në lidhje me videon, në të cilën gjenerali Surovikin ka një armë automatike në prehrin e tij.
“Kam vënë re disa ditë më parë, se në atë video kishte diçka që nuk shkonte. Ai nuk mban shenjat e tij, ose skedat e gradave. Ka mbi 30 vjet në ushtri dhe të mos i mbaj ato? Ka diçka që nuk shkon këtu”, shkroi ajo në ‘Twitter’.
Ka pasur njoftime të pakonfirmuara të mediave ruse dhe blogerëve të mërkurën në mbrëmje se gjenerali Surovikin po mbahej në objektin e paraburgimit Lefortovo të Moskës pas arrestimit.
Alexei Venediktov, gazetar me burime të rëndësishme ruse, tha se gjenerali Surovikin nuk kishte qenë në kontakt me familjen e tij, që nga e shtuna dhe se truprojat e tij gjithashtu kishin heshtur.
Yevgeni Prigozhin i cili për muaj të tërë i kishte kritikuar ashpër dhe fyer ministrin Shoigu dhe gjeneralin Gerasimov për paaftësinë e tyre në luftën në Ukrainë, e kishte lavdëruar shpesh gjeneralin Surovikin, i cili është gjerësisht i respektuar në ushtri për përvojën e tij në Çeçeni dhe Siri.
Gjenerali Surovikin, i cili ishte komandanti i parë u forcave ruse në Ukrainë përpara se gjenerali Gerasimov të emërohej për të marrë drejtimin, konsiderohet nga analistët ushtarakë perëndimorë si një ushtarak efektiv dhe ndonjëherë ishte paraqitur nga korrespondentët rusë të luftës si pasues i mundshëm i ministrit të mbrojtjes.
Lawrence Freedman, profesor i studimeve të luftës në universitetin ‘King’s College’ në Londër, tha se largimi i gjeneralit Surovikin, nëse është i vërtetë, mund të jetë më destabilizues për përpjekjet ushtarake të Rusisë sesa rebelimi i së shtunës “veçanërisht nëse bashkëpunëtorët e tjerë të Prigozhinit dhe Surovikinit fillojnë të spastrohen”.
“Surovikin është i egër, por ai është një nga komandantët më të aftë rusë”, shkroi zoti Freedman në Twitter.