Gjykata e Posaçme e Shqipërisë njoftoi të shtunën se e ka vendosur nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Berisha, 79 vjeç, do të mbikëqyret nga policia në banesën e tij, pasi pas këtij vendimi e ka të ndaluar largimin nga ajo dhe komunikimin me persona të tjerë, përjashtuar ata me të cilën jeton, njoftoi gjykata.
Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) kishte kërkuar arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Avokati i Berishës, Genci Gjokutaj e kundërshtoi vendimin dhe tha se do të bëjë ankesë ndaj tij. Mbrojtja e ish-kryeministrit ka pesë ditë kohë për t’u ankuar ndaj vendimin pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit. Më 21 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit Berishës.
Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.
Për çfarë akuzohet Berisha?
Berisha u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë. Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.
Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve. Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997. Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion./REL