Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, lideri i opozitës Lulzim Basha, kolege, miq e të afërm u përulen para veprës së tij.
Ndërsa Komisioni i Sigurisë e nisi mbledhjen me një minutë heshtje në nder të efektivit të rënë në krye të detyrës.
Kryeministri Rama: Simon Gjeta dha jetën e tij për të mbrojtur jetën e të tjerëve
Simon Gjeta dha jetën e tij për të mbrojtur jetën e të tjerëve, u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë homazheve për nënkomisarin Simon Gjeta.
Kryeministri Rama vlerësoi punën e nënkomisarit Gjeta, që sipas tij, iu bashkua forcave të Policisë së Shtetit në vitin 1997, pikërisht atëherë kur jo pak shqiptarë, mbase gjithë shqiptarët e kishin humbur shpresën e besimin e shtetit dhe kur shumë ndër ta braktisën detyrën .
Ai, tha Rama, dëshmoi qysh në krye të herës se ishte i vendosur me mish dhe me shpirt në rrugën që ju ndërpre përgjithmonë të shtunën e kaluar.
“Largimi nga jeta i Simonit është një humbje e madhe për familjen, për miqtë dhe të afërmit e tij, por pa dyshim edhe për Policinë e Shtetit shqiptar që ka kaq shumë nevojë për modelin e njeriut siç ishte Simon Gjeta. Pa asnjë dyshim, gjaku i tij nuk do të bëhet ujë por do të shërbejë për të plazmuar më tutje shpirtin, zemrën e mundin e një policie shteti të rilindur, e cila me mbështetjen e palëkundër të Policisë së Shtetit do ta thyejë plotësisht fuqinë që krimi akumuloi në dekadat e tranzicionit dhe që po e shohim të dobësohet dita-ditës”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ai shprehu bindjen se Policia e Shtetit po rritet përditë jo vetëm falë mbështetjes së vendosur që po merr, por edhe falë sakrificave si ajo e Simonit e Ibrahim Bashës.
Rama tha se rivendosja përfundimtare e pozicioneve natyrale mes shtetit dhe krimit është sa e vështirë aq e sigurtë dhe sot ka edhe një arsye më shumë që është po aq e thjeshtë sa ç’ishte e thjeshtë jeta e Simon Gjetës, sepse Policia e Shtetit nuk është e tradhëtuar siç ishte deri dy vite më parë dhe në këtë luftë janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, si Simoni e Ibrahimi e kolegët e tyre, të cilët aq sa janë të zakonshëm aq janë edhe të jashtëzakonshëm.
Për këtë tha kryeministri Rama, fitorja anon gjithnjë e më shumë nga Policia e Shtetit.
Meta: Reforma në drejtësi do bëhet dhe kriminelët do të shkojnë aty ku meritojnë
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij, duke ngushëlluar të afërmit e miqtë e të ndjerit Gjeta, garantoi më shumë vëmendje ndaj rendit e sigurisë, teksa theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi.
“Jemi këtu për të përcjellur heroin më të ri në radhën e Dëshmorit të Atdheut, ku dora kriminale ja ndërpreu jetën në mes. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin njerëzor për familjarët e Simonit, por dhe kolegët, që sakrifikojnë çdo ditë, duke u përballur çdo ditë me të keqen, delikuentët dhe shkelësit e ligjit. Sot, nënvizoi Meta, duhet të jemi së bashku, dhe akoma më shumë duhet të shtrëngohim përreth njëri tjetrit në luftën ndaj së keqës. Asaj të keqe që kërcënon jetët tona dhe fëmijëve tanë”, vijoi Meta.
Kryetari i Kuvendit garantoi forcimin e rendit dhe sigurisë.
“Garantojmë se jeta e ndërprerë e Simonit është një këmbanë alarmi, që na thërret për të rritur vëmendjen ndaj rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, garantojmë që reforma në drejtësi do bëhet dhe kriminelët do të shkojnë aty ku meritojnë. Përulemi përpara veprës së nënkomisar Simon Gjetës, Dëshmor i Atdhetu, i përjetshëm qoftë kujtimi i tij” përfundoi Meta.
Tahiri: Kriminelët marrin ndëshkim të dakordësuar nga gjykata
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri u shpreh se Simon Gjeta na la barrën e rëndë të përuljes dhe respektit, ndërsa shkroi vetë me punën e tij, fjalën e mirë që meriton ti thuret sot. Ministri Tahiri gjithashtu u shpreh se “një nga njollat e zeza të vendi tonë, më shumë se sa krimi rrugës është drejtësia dhe reforma e këtij sistemi do ti jap ndëshkimin e duhur, krimit të rrugës dhe gjykatësve, që me çekiçin e tyre motivojnë krimin e rrugës.
“Nëna e Simonit, vëllezërit motrat e të afërm, koleg të tij në policinë e Shtetit, nuk ka moment më të vështirë se sa ky, ku duhet të thuash disa fjalë për një punonjës policie që humb jetën në krye të detyrës. Punonjës Policie, që bëhen heronjë e dëshmor atëherë, kur nuk jetojnë më. Këta punonjës, që përzgjalli kalojnë shumë sakrifica, plot prej tyre të pamerituara në përballje me krimin, por dhe me gjuhën e urrejtjes, që fluturon në ajër më shumë se sa plumbat. Zakoni e do, që të jetë e lehtë të thuash fjalë të mira për një person që ikën nga kjo botë. Por, Simoni e na e lehtësoi këtë punë, pasi e kishte shkruar vetë me punën e tij fajëln e mirë që po i thuret sot. Ai shkruajti fatin e tij, ashtu siç edhe bëri dhe në ditëne fundit të jetës së tij, duke rënë në krye të detyrës. Ne tashmë, vijoi Tahiri, na mbetet barra e rëndë e respektit dhe përuljes”, deklaroi Tahiri.
“Forcat e Repartit RENEA bënë drejtësi, duke i dhënë fatin e merituar atij që i mori jetën Simonit. Ndëshkimi i merituar, por çfarë ndëshkkimit të merituar merr krimi, kur punonjësit e policisë, gjejnë përballë e luftojnë në rrugë persona që edhe pse janë arrestuar disa herë, drejtësia ka mbyllur sytë e i ka lënë të lirë. E pra, drejtësia shqiptare që jep shumë rrallë ndëshkimin e merituar, por jep gjithnjë, apo gati gjithnjë atë të dakordësuar”, theksoi Tahiri
Lidhur me këtë, Ministri i Brendshëm, kujtoi dhe ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku personat përgjegjësi ishin arrestuar nga Policia, por më pas u lanë të lirë nga drejtësia.
“Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në mes të Tiranës. Autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar nga policia, por ishin lënë të lirë nga çekiçi Drejtësisë pak muaj më parë dhe tashmë ata morën jetën e dy personave, plagosën një të tretë dhe vetëm fati shpëtoi një të katërt. Pra drejtësia e korruptuar është thelbi i mos ndëshkimit. Ata, gjyqtarët janë vrasësit e drejtësisë dhe përmes ekzekutimit të drejtësisë, ata motivojnë krimin, që gjenë gjuhën e përbashkët me çekiçin”, vijoi Tahiri.
Ai garantoi se, “kur të përfundoi reforma në drejtësi gjyqtarët kriminel, më shumë se ata të rrugës, do të marrin ndëshkimin e merituar. Prandaj dhe ftoi të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë e të denoncojnë të gjitha dyshimet e tyre”.
Basha: Siguroj punonjësit e Policisë së Shtetit se do të jemi gjithmonë krah tyre
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, duke i shprehur ngushëllimet familjes Gjeta për humbjen e Simonit, kryefamiljarit, birit, tha se “tronditja e thellë që ndjejmë me humbjen e nënkomisar Simon Gjetës, rënia e tij në krye të detyrës na kujton edhe një herë për rrezikun e përditshëm dhe përorëshëm me të cilin përballen forcat e rendit, efektivët e Policisë së Shtetit për të siguruar rend, ligj dhe siguri për çdo qytetar”.
Ai shtoi se “sakrifica e tyre e cila jo rrallë herë i kërkon të përballen edhe me rrezikun për jetën siç ishte rasti i operacionit të fundit që mori jetën e nënkomisar Simon Gjetës, është një burim reflektimi dhe mbështetje të madhe qytetare dhe politike për punonjësit e policisë dhe në radhë të parë një kushtrim për pastërtinë totale të duarve dhe mendjeve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit”.
“Unë dua ti siguroj punonjësit e Policisë së Shtetit që unë personalisht dhe Partia Demokarike, kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë krah tyre në përballjen dhëmb për dhëmb me krimin ordiner dhe me krimin e organizuar”, deklaroi Basha në një prononcim për mediat pas homazheve të zhvilluara në Akademinë e Sigurisë, në Sauk.
Nënkomisari Simon Gjeta do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, pranë varrit ku pushon, dëshmori tjetër, Ibrahim Basha.
Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij.
Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë..
Komentet