Dështimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk do të thotë neutralitet, por mbështetje për Rusinë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Sarrazin ka marrë këtë detyrë, e cila nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane, në mes të shkurtit të këtij viti. Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani, ndërsa ka qenë deputet i Bundestagut për 13 vjet, deri në vitin 2021.
Përndryshe, ai është i dërguari i katërt perëndimor për rajonin. Nga SHBA-ja, në postin e të dërguarit të posaçëm është Gabriel Escobar, nga Mbretëria e Bashkuar është Sir Stuart Peach dhe nga Bashkimi Evropian është Mirosllav Lajçak, i cili është i ngarkuar në mënyrë të posaçme me dialogun Kosovë – Serbi.
I pyetur se si e sheh situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, në kontekstin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe tensioneve që ka shkaktuar lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik, me kërcënimet për ndarjen e Republikës Sërpska, Sarrazin thotë:
“Vizita e ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në Bosnje dhe Hercegovinë ka treguar se Qeveria federale gjermane ka një fokus të fuqishëm në këtë vend. Gjermania po e ndjek nga afër situatën aktuale atje. Për shkak të luftës ruse në Ukrainë, Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’iu kushtojnë vëmendje edhe më të madhe zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Sipas tij, Qeveria gjermane është e vetëdijshme se shumë njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë kërkojnë – sidomos tani – angazhim dhe përkushtim më të madh të Gjermanisë për sigurinë në rajon.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e re gjermane i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione ndaj Dodikut, për shkak të tërheqjes së Republikës Sërpska nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnje e Hercegovinës.
Dodik, qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, ka filluar një fushatë për krijimin e institucioneve të entitetit të tij – gjë që është dënuar fuqishëm nga BE-ja dhe SHBA-ja, të cilat e kanë cilësuar si transferim jokushtetues të kompetencave.
Më 5 janar, Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të zgjeruar sanksionesh për vepra të korrupsionit, në të cilën përfshihet edhe Dodik.
Duke komentuar faktin që Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, Sarrazin thotë se harmonizimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje është vendimtar.
“Në ambientin e politikës së jashtme, siç është tani, shteti nuk mund të jetë i suksesshëm duke ‘u ngatërruar’ ose duke luajtur bixhoz. Situata tani është ndryshe nga ajo që ka qenë më parë”, thotë Sarrazin.
Në kohën e luftës ruse në Ukrainë, Evropa duhet të mbetet e bashkuar, thotë ai.
“Prandaj, përafrimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje, është i një rëndësie vendimtare – përfshirë edhe sanksionet. Ne mirëpresim [faktin] që shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë tashmë këtë. Por ne presim që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë. Nuk është e mundur të qëndrohet anash në këtë çështje. Mosvendosja e sanksioneve nuk do të thotë neutralitet, por do të thotë mbështetje për Rusinë”, shprehet Sarrazin.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia ka thënë se ofron mbështetje të plotë për integritetin territorial të Ukrainës, por pa e përmendur sulmin e Rusisë në fqinjin e saj.
Serbia, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, gjë të cilën ia ka kërkuar Bashkimi Evropian.
Sa i përket Kosovës, Sarrazin ka thënë në fillim të marsit se është i kuptueshëm përkushtimi i Gjermanisë që shteti, të cilin e njeh, të përfaqësohet në organizatat ndërkombëtare.
Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pengon anëtarësimin e saj në organizatat e huaja.
Dy vendet po përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Për Malin e Zi, i cili është në një fazë të paqëndrueshmërisë politike, ku po tentohet të formohet Qeveria e re, dhe ka një ndarje të fortë midis malazezëve dhe serbëve, me ndikim të dukshëm rus në pozitat vendimmarrëse, Sarrazin beson se anëtarësia e tij në NATO është garantuesja më e mirë e stabilitetit.
“Në Mal të Zi, aktualisht, jemi ende në pritje të rezultatit të proceseve të brendshme politike, në lidhje me krijimin e një qeverie të re. Në përgjithësi, jam thellësisht i bindur se rruga e zgjerimit të BE-së dhe një angazhim i fortë ndaj NATO-s janë kornizat më të mira për stabilitetin në rajon dhe në Mal të Zi”, thotë Sarrazin.
I pyetur se si i komenton thirrjet e disa zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për përshpejtimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, për të parandaluar reflektimet e luftës në Ukrainë, Sarrazin thotë:
“Proceset duhet të përshpejtohen duke përmbushur më shpejt dhe më mirë kriteret. Për këtë na duhet më shumë besueshmëri në rrugën evropiane nga të dyja anët. Së pari, BE-ja duhet të miratojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
“Por, ne gjithashtu kemi nevojë për një proces të besueshëm të reformave brenda vendeve të zgjerimit. Tregu i përbashkët i BE-së dhe uniteti dhe integriteti i vlerave dhe ligjeve evropiane janë dy anët e së njëjtës medalje”, thotë ai.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtare të NATO-s janë: Maqedonia e Veriut që nga viti 2020, Mali i Zi që nga viti 2017 dhe Shqipëria që nga viti 2009. Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë aleancës.
Në Bashkimin Evropian, asnjëri nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është ende anëtar – vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë vende kandidate.
Përgatiti: Valona Tela
Komentet