Ashtu siç edhe u njoftua, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi këtë të premte seancën për kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili pas verifikimeve të Prokurorisë rezultoi i dënuar me 3 vite burg në Greqi.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, deklaroi se Ismailaj nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar, duke shtuar se vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria.
Në këtë mënyrë KQZ vendos që Ismailaj të qëndrojë si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.
“Vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria. Ata na kanë thënë se vepra për të cilin ai është dënuar në Greqi, dënohet maksimalisht me gjobë në Shqipëri”, tha ai.
Qerim Ismailaj është dënuar në Greqi nga Gjykata e Chios me 3 vite burg në mungesë për veprën penale “Konflikti dhe përleshjes”. Kjo vepër penale në Kodin tonë Penala korrespondon me veprën “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga ne 90/1 e cila sanksionon vetëm dënim me gjobë, vepër që nuk e prek ligji i dekriminalizimit.
Por Ismailaj ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos e shkruar këtë dënim dhe për këtë ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Prokuroria i nisi hetimet vitin e kaluar pas denoncimit të Partisë Demokratike, që pretendonte se ka qenë i dënuar për plagosje me dashje në një ngjarje të ndodhur në Shkurt të vitit 2000. Qerim Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 , u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi ka qenë i dënuar në Greqi. Vetë Ismailaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni lidhur me këtë dënim, pasi në të kundërt do e kishte deklaruar sepse nuk do e kishte penguar të kandidonte për kryebashkiak.