I Am Ali – Unë jam Aliu, një dokumentar i ri me këtë titull ofron një portret intim të boksierit legjendar Muhamet Aliu, përmes kasetave ku janë regjistruar biseda të përditshme me të afërm e miq në fund të karrierës së tij.
“Im atë ka shumë dimensione. Keni dëgjuar për ndeshjet, por jo aq shumë për familjen, apo sa rëndësi i kushtonte ai,” thotë Marium Aliu, vajza e Mohamet Aliut.
Askush, as vetë të afërmit, nuk dinin se këto biseda ishin regjistruar.
Regjistrimet përshkojnë skenarin e dokumentarit të ri të kineastes Clare Lewis mbi jetën e kampionit të boksit. Vajza e tij, Hana Aliu, ia dha kasetat kineastes.
“Im atë gjithmonë i kushtonte rëndësi historisë. Kjo ishte një ndër arsye përse ai bëri këto regjistrime,” thotë ajo.
Filmi tregon se si e gjithë bota e adhuronte boksierin legjendar. Miq e rivalë e përshkruajnë kampionin dhe olimpistin Kasius Klej, i cili më vonë mori emrin Mohamet Ali, si një njeri me botë, të ndjeshëm dhe të guximshëm. Kur nuk pranoi të bënte shërbimin ushtarak gjatë Luftës në Vjetnam, atij iu hoq titulli kampion dhe liçenca si boksier. Miku i tij i ngushtë, ish-futbollisti Jim Brown, kujton:
“Ishte shumë i guximshëm. Rreziku që i kërcënohej që t’i hiqnin titujt, ta izolonin, t’i mohonin mundësinë për të siguruar jetesën, nuk ishte gjë e vogël”.
Por ai nuk hoqi dorë nga bindjet e tij dhe në vitin 1974, në moshën 32 vjeçare, ai u kthyer në ring.
Ai mundi kampionin e atëhershëm George Foreman, duke rimarrë titullin.
“U futa në ring me Mohamet Aliun, i bëra bllof, u përpoqa me të gjitha mënyrat. E godita për 5-6 raunde. Mendova se do të ishte e lehtë. Nga raundi i gjashtë, unë po e godisja në ije, kur ai më tha në vesh “Vetëm kaq mund të bësh, George?”. Aq munda…”
Dokumentari nuk flet për martesat që përfunduan në divorc, por përqëndrohet tek ngrohtësia për fëmijët.
Në regjistrime dallohet se me kalimin e viteve, Mohamet Aliut fillon të vështirësohet e folura, një ndër shenjat e para të sëmundjes së Parkinsonit. Ai e la sportin në fund të viteve 1970 dhe në mes të viteve 1980 u diagnostikua me Parkinson. Por për botën dhe të afërmit, ai mbetet simbol i fuqisë dhe shkathtësisë.
Komentet