Në mungesë të aftësive për t’u marrë me zhvillimet e pritshme, apo me ato aktualet aq pak sa janë m’u në mes të një debati të nxehtë për shqiptarësinë e nënës së Skënderbeut, u shfaq në tryezën virtuale dhe këngëtari lirik Agim Hushi. Sakaq, mediat sociale, por dhe ato private, zunë të merren me të: Agimi u bë njëherësh viktima dhe heroi i ditës. Për ca ditë, derisa sipas të njëjtit model parazitizmi mendor, vendin e tij do ta zërë dikush tjetër.
Agimi ishte tërësisht i pafat, pse u gjet në kohën dhe vendin më të papërshtatshëm për të kumtuar dramën e tij personale të themeluar mbi zhgënjim dhe për t’u shfaqur si aktor i saj. Populli i rrjetit, si pjesë e popullit tokësor, po jeton një ndjenjë të fortë përkatësie kombëtare dhe është i dëshiruar vetëm për lajme të mira për kombin, ndaj Agimi ngjante, me të drejtë, viktimë e ndritshme për t’u copëtuar në arenë. Ata që konstruktojnë debate të tilla, apo që shijojnë publicitetin spontan të rasteve kësisoj, menduan ta ndanin Agimin në dysh, domethënë ta copëtonin.
Njëra palë e quante të drejtë reagimin e tij, tjetra e quajti tradhtar të kombit dhe mosmirënjohës ndaj tij. E vërteta është se i gjithë ky reagim kundër tij është tërësisht i shpërpjesëtuar. Agimi në mesazhin e vet, aq shumë të kritikuar, është keqkuptuar. Ai e kishte tërësisht me klasën politike zemërimin e tij. Ky zhgënjim alternohej me shfaqjen e lumturisë jo shumë ngazëlluese që me moshën dhe profesionin e tij po detyrohej të shkonte të jetonte në Australi, ndonëse me status të respektuar (Agimi nuk e thoshte çfarë).
Lumturia në fjalë ishte hijezuar dhe prej dëshpërimit që ai po ikte nga vendi i detyruar nga gjithë klasa politike që, si duket, e ka mashtruar. Pikërisht kësaj klase i thoshte Agimi: po më bëni të më vij turp që jam shqiptar, ndërsa vijonte me vlerësime të mëdha për popullin, kombin, origjinën e tij, etj., etj.
KU ISHTE GABIMI I AGIMIT KËTU?
Kritikët e Agimit e lidhnin zhgënjimin e tij, të shprehur me ato fjalë fatkeqe, me përpjekjet e dështuara sa majtas dhe djathtas të këngëtarit të njohur lirik për të bërë karrierë politike. Sillnin në vëmendje, shfaqjet e tij në çadrën e Bashës, dikur dhe afër Blushit, madje një status ngazëllues në Facebook për dhuratën e Ramës për ditëlindje, një shishe verë të personalizuar, mu ditën kur ministrat teknikë u përfshinë në qeverinë e tij.
Dikush, ose të gjithë, kanë harruar se Hushi kishte tentuar madje dhe të konkurronte pa sukses për Kryetar Bashkie të Kavajës në fund të viteve ’90, kur për Partinë Socialiste nuk guxonte të konkurronte askush dhe Agimi i dha një lloj dinjiteti garës. Dhe si kavajas i vërtetë, i rritur në Perëndim, me leksione aziatike, Agimi është i dashur dhe në Kinë, ashtu si dhe në Australi. Maestro Hushi nuk ka përkatësi ideologjike (Berisha dhe Basha së fundmi pretendon stoikisht se Kavaja është e djathtë).
Në përfundim të karrierës së tij prej këngëtari lirik, Agimi ishte brenda të drejtës së vet të priste ndonjë ofertë, qoftë në menaxhim kulturor, qoftë në politikë: njerëz si Agimi, intelektualët në përgjithësi, nuk kanë ndonjë gjakim për të bërë me vrap jetë partie që pastaj të pretendojnë të bëjnë karrierë politike diku. Jo, ata presin me të drejtë, emërim nga lart, dhe jo nga baza. Baza i ka dhënë atij famën, emrin në përputhje me talentin.
Politika nëse do, do të duhet t’i japë dhe një shans për karrierë politike apo administrative. Nuk kam kurrfarë kompetence ta gjykoj Agimin për performancën e tij artistike, ndërsa në kohërat tona, gjithçka për suksesin apo dështimin e një këngëtari lirik ndërkombëtar mund të gjendet në internet. Mund të flas vetëm për atë që kuptoj. E më duhet të them, për shembull, se në asnjërën prej këtyre veprave, apo fjalëve të Agimit nuk gjej diçka të qortueshme.
Agimi nuk shau popullin e vet dhe kombin e vet. Agimi ishte i sinqertë në zhgënjimin e tij transversal, domethënë, hëm me të djathtët, hëm me të majtët, që nuk i dhanë mundësi të kandidonte eventualisht në zgjedhjet e fundit, apo pse jo, dikur të bëhej drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit. Ndaj gabojnë ata të djathtë se ai e ka ekskluzivisht me Ramën, apo me PS-në: ai e ka edhe me PD-në dhe Bashën, siç thoshte Patozi, bashkëqytetari i tij kavajas.
Ku qëndron atëherë gabimi i Maestros? Agimi është njeri që ka kënduar tërë kohën në opera dhe opereta, ku ka interpretuar role dramatike. Me gjasë ai u përpoq që dhe këtë hap të fundit jetësor ta bënte publik, duke theksuar dramaticitetin e tij. Në këtë përpjekje të fundit, ai ishte sa intelektual, aq dhe njerëzor, me dobësitë dhe krenarinë e vet. Intelektuali e shpreh pa komplekse frustrimin e vet ndaj masës, që po mban në pushtet, sipas Hushit, të majtën dhe të djathtën kështu si janë.
Ndërkohë, një njeri i artit si ai është brenda të drejtës së tij të ndihet mirë me ofertën që i ka bërë Opera e Sidnejit për t’u rikthyer në Australi, fakt me të cilin nuk ishte marrë askush. Nga leximi i tërë shfaqjeve publike të Agimit kohët e fundit, hiq kanton, mund të dalë se Hushi ka pasur zhgënjime nga të gjithë: ky është lajmi. Politika edhe në nivel të lartë gënjen, dhe në fund nuk ka nevojë për njerëz si ai. Populli i rrjetit, po.
Me Agimin po shkarkon tërë frustrimin e vet, apo kënaqësinë pse ai po thotë me zë të lartë duke provokuar kaq shumë vëmendje, disa gjëra që ata nuk kanë kurrë mundësi t’i thonë. E kur të qetësohen gjakrat, Agimi, duke koleksionuar komentet siç ka bërë me artikujt për muzikën e tij, do të thotë: Ia vlejti kjo shfaqja ime e fundit, ndonëse jo në kanto! Politika nuk më qasi në pallatin e vet, por me popullin ende i kam mirë punët!
Komentet