Ezgjan Alioski u bë shqiptari i parë që shënon gol në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Humbja nga Ukraina ia shuan shpresat Maqedonisë së Veriut për kualifikim në fazën tjetër
Maqedonia e Veriut e ka pësuar humbjen e dytë në “Euro 2020”.
Fqinjët tanë u mposhtën nga Ukraina me rezultat 1:2, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C.
Katër futbollistë shqiptarë janë paraqitur nga minuta e parë.
Bëhet fjalë për Visar Musliun, Arijan Ademin, Ezgjan Alioskin dhe Enis Bardhin.
Kurse, Egzon Bejtullai dhe Ferhan Hasani kanë përfunduar në bankinë, shkruan Gazeta Express.
Alioski megjithatë u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në këtë Evropian.
Futbollisti i krahut të majtë fillimisht e humbi penalltinë në minutën e 57-të, por topin e kthyer e plasoi në rrjetë.
Paraprakisht, ukrainasit kishin shënuar dy herë.
Ata i kaloi në epërsi Andriy Yarmolenko në minutën e 29-të pasi e mori një top nga Alexander Karavaev.
Kurse golin e dytë për ekipin e Andriy Shevchenkos e realizoi Roman Yaremchuk në minutën e 34-t, me asistimin e Yarmolenkos.
Ukrainasit e humbën penalltinë në minutat e fundit.
Portieri Dimitrievski e priti penalltinë e Ruslan Malinovskyt në minutën e 84-t.
Maqedonisë së Veriut me këtë rast iu shuan thuajse krejt shpresat për ta kaluar fazën e grupeve pasi e pësoi humbjen e dytë, pas asaj nga Austria.
Ndeshjen e tretë, Enis Bardhi me shokë do ta zhvillojnë me Holandën.
Kurse Ukraina mbetet në lojë për kualifikim pas kësaj fitoreje, e cila vjen pas humbjes nga Holanda.
Komentet