Zbardhet pjesa e dytë e letrës që diktatori shqiptar Enver Hoxha i dërgoi liderit kinez Mao Ce Dun, pasi ky i fundit kishte rënë dakord me presidentin amerikan Riçard Nikson, që ai të vizitonte Pekinin. Në pjesën e dytë Hoxha rreshtohet kategorik kundër dhe nuk kursen as sulmet ndaj presidentit amerikan.
6 gusht 1971
Do të kishte qenë e mundur të kryheshin bisedime mes përfaqësuesve më të lartë të dy shteteve, dhe jo vetëm për arsyen se Nikson ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të vizituar Kinën. Në opinionin tonë ky takim nuk mund të quhet thjesht një përshkallëzim i bisedimeve diplomatike, por një përshkallëzim me pasoja. Kjo do të thotë që është e vështirë të kuptohet sesi bisedimet mund të ngrihen në këtë nivel, duke plotësuar dëshirën e presidentit amerikan, në një kohë kur SHBA po lëshon bomba pambarim mbi Vietnam dhe po zgjeron agresionet e saj në Laos e Kamboxhia. Atje sulmet amerikane po vazhdojnë me furi kundër popujve të Indokinës. Kina, Shqipëria e Vietnami kanë rezistuar me heroizëm dhe unitet ndaj politikave të qeverisë së Nikson duke i demaskuar ato, prandaj në opinionin tonë, në këto rrethana, kjo është një lëvizje e gabuar si në parim dhe në taktikë. Ne besojmë se nuk mund të pretendohet se bisedimet me Nikson, qofshin ato të suksesshme ose jo, nuk do ta lëndojnë Kinën. Përkundrazi, vetëm fakti që në Kinë do të vijë Nikson, një anti-komunist i thekur, agresor dhe vrasës i popujve, do të ketë shumë efekte negative në lëvizjen revolucionare dhe në kauzën tonë. Nuk ka mundësi që vizita e Nikson në Kinë dhe bisedimet që do të mbahen me të, të mos ndjellin iluzione të dëmshme në popujt dhe kombet e zakonshme, aq më tepër në vendet revolucionare që luftojnë strategjinë dhe politikat e imperializimit amerikan. kjo do të jetë negative dhe në vetë përpjekjen e popullit amerikan kundër agresivitetit të Nikson, e cila me këtë do të shfrytëzojë mundësinë për rizgjedhjen e tij. Vizita e Nikson në Kinë do të dobësojë valën e rezistencës anti-imperialiste kudo në botë, ndërsa atyre u jepet një mundësi për të siguruar një periudhë qetësie, të cilën do ta shfrytëzojnë për të konsoliduar pozitat e tyre dhe për t’u përgatitur për aventura të tjera ushtarake. Mund të imagjinojmë se çfarë do të mendojë për këtë një punëtor italian që u përlesh me policinë kundër vizitës së Nikson në Itali, apo punonjësit japonezë të cilët nuk e lejuan fare presidentin Eisenhouer të ulej në vendin e tyre. Ose të marrim si shembull popujt e Amerikës Latine që janë ngritur kundër Rokfelerëve dhe kolonizatorëve të tjerë ekonomikë të Uashingtonit. Vetëm, titistët jugosllavë dhe revizionistët rumunë e kanë pritur Nikson në kryeqytetet e tyre me lule në duar.
Bisedimet
Këto bisedime me Noxon i japin një mundësi revizionistëve të zbusin përpjekjen e Kinës nëdemaskimin e renegatëve sovjetikë si aleatë dhe bashkëpunëtorë të imperializmit. Kjo aftëson revizionistët hrushovianë të tundin edhe më fort flamurin e tyre të rremë anti-imperialist dhe të përforcojnë demagogjinë dhe gënjeshtrat. Revizionistët sovjetikë kanë nisur tashmë të shfrytëzojnë vizitën e Nikson në Kinë për të nxitur ndjenjat nacionaliste e shoviniste, për forcimin e klikave të tyre dhe dobësimin e qëndrimit revolucionar të Kinës. Vizita e Nikson në Kinë do të inkurajojë rrymat centriste, duke provuar “korrektësinë” e linjës së tyre. Ndjekësit italianë të Togliattit dhe rumunët po deklarojnë publikisht se po hapen perspektiva të reja për rivendosjen e unitetit në kampin komunist, dhe se diferencat mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik do të zgjidhen në këtë mënyrë. Këto janë dëshirat e revizionistëve të betuar dhe të oportunistëve që i prezantojnë diferencat mes Kinës dhe BRSS si jo dhe aq ideologjike apo në çështje thelbësore, siç ato janë në të vërtetë. Vetëm ata pretendojnë se këto çështje mund të zgjidhen me bisedime të nivelit të lartë mes shteteve. Vizita e presidentit amerikan në Kinë patjetër që ngre pyetje e keqkuptime mes njerëzve të thjeshtë, të cilët mund të nisin të mendojnë se Kina po ndryshon qëndrimin e saj ndaj imperializmit amerikane dhe po i bashkohet lojës së superfuqive. Nuk është një koincidencë që bota kapitaliste e revizioniste e ka mirëpritur lajmin e vizitës së Nikson në Kinë me entuziazëm të madh. Propaganda imperialiste si dhe propaganda e titistëve, rumunëve e të tjerëve, në mënyrë uniforme po vlerëson Kinën dhe Amerikën për këtë hapje në marrëdhëniet mes tyre. Sovjetikët modernë, titistët dhe revizionistët rumunë, tentojnë të kalojnë në publik gënjeshtrën e madhe se Kina ka ndryshuar kurs duke hyrë në rrugën e kompromiseve të paskrupullt, duke kërkuar të përfitojnë nga kjo me avantazhet e tyre politike, ideologjike e ekonomike. E gjithë kjo, sipas opinionit tonë do të provokojë habi dhe konfuzion mes radhëve të revolucionarëve e partive anti imperialiste. Ato do të shkaktojnë përhapje të frymës pacifiste edhe mes marksistë-leninsitëve, për iluzione apo për mjete paqësore të diplomacisë. Këto janë negativa të mëdha. Nënvlerësimi i rrethanave, çka vjen me vizitën e Nikson në Pekin, do të ishte një gabim i madh. Ne mendojmë se negativat nuk mund të kompensohen me disa rezultate hipotetike që mund të arrihen në takimin me Nikson, i cili gjithsesi ashtu si imperialistët e tjerë do të veprojë me dinakëri.
Problemet
Na lejoni të shprehim mendimin tonë në lidhje me disa probleme specifike të situatës ndërkombëtare, shumica e të cilave ka si qëllim të saktësojë më shumë pikëpamjen tonë për disa çështje që ne i quajmë të debatueshme, dhe gjithashtu për të bërë më të plotë njohjen e informacionit juaj mbi zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare e në veçanti ato mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e vërtetë se imperializmi amerikan e gjen veten në vështirësi, si në shtëpinë e tij ashtu dhe jashtë. Populli amerikan po jep shenja se është i lodhur me politikat e agresionit dhe tensionit ndërkombëtar, që përfaqësohen më së miri nga Nikson dhe pararendësit e tij në Shtëpinë e Bardhë. Protestat dhe demonstratat kundër luftës në Vietnam, si dhe revoltat e studentëve e zezakëve janë shtuar vitet e fundit. Rrotat e makinerisë ekonomike amerikane po krisen nën barrën e rëndë të shpenzimeve të luftës në Indokinë. Inflacioni nuk tregon shenja uljeje dhe ushtria e të papunëve në SHBA vazhdon të rritet. Në një kohë kur kontradiktat mes vendeve kapitaliste të Evropës po rriten, prestigji dhe influenca amerikane po zbehet edhe më shumë. Përpjekja e popujve kundër imperializmit amerikan po forcohet dhe po zgjerohet kudo në botë. Gjithsesi, pa e mbivlerësuar apo nënvlerësuar armikun, panorama e situatës aktuale në Shtetet e Bashkuara nuk na çon në konkluzionin ku keni arritur ju, pra që Amerika është në mesin e një stuhie të madhe revolucionare. Protestat e mëdha popullore dhe demonstratat kundër luftës së Vietnamit, si dhe lëvizje të tjera të masave, janë tashmë reale, por ende janë të kufizuara në veprime të izoluara opozicioni kundër veprimeve të qeverisë amerikane. Prandaj ato e prekin vetëm indirekt linjën e saj agresive. Ato nuk shkojnë më shumë se kaq. Ndërsa në lidhje me situatën ekonomike, ideologjinë frymëzuese, mënyrën e jetesës, zakonet, traditat, lidhjet dhe të tjera si këto, populli amerikan është shumë larg pragut të revolucionit. Shumë ujë duhet të rrjedhë poshtë urave të lumenjve amerikanë para se të vijë diçka e tillë. Ne jemi të bindur se kjo do të ndodhë, por do të duhet shumë punë dhe një përpjekje e madhe. Në Evropën perëndimore, lëvizjet e masave të rrënjosura në traditat e vjetra popullore, janë shumë më të fuqishme sesa në Shtetet e Bashkuara. Është evidente politika e tyre tendencioze dhe karakteri klasor. Por gjithsesi edhe këtu nuk mund të themi se po fryn një stuhi revolucionare apo se një revolucion mund të ndodhë nga një moment në tjetrin. Të thuash ndryshe do të thotë të krijosh iluzione të dëmshme dhe me to, forcat revolucionare mund të gabojnë duke rënë në ekstremizëm, veçanërisht ato të llojit ultra të majtë.
Komentet