Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se SHBA-ja “po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës” ta qetësojë situatën në veri.
I pyetur për sanksionet potenciale që mund t’ia vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë [këtë situatë] që të mos ketë pasoja të tjera”.
“Nuk jam në pozitë të them [cfarë mund të jenë pasojat e tjera]. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.
Ai shtoi se i takon Qeverisë së Kosovës ta bëjë këtë gjë, dhe jo SHBA-së.
Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për Kosovën.
Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.